Komentimi i kaptinës “Edh-Dharijat” (3)


"(Betohem) Dhe në retë e ngarkuara rëndë, dhe në ato (anijet) që lundrojnë lehtë, dhe në engjëjt që shpërndajnë urdhrat, se, me të vërtetë, është e sigurt ajo që ju premtohet, dhe çdo shpërblim e dënim do të ndodhë!"


Koment:


2. "(Betohem) Dhe në retë e ngarkuara rëndë..."


Betimi i dytë hyjnor në këtë sure është në retë, nga të cilat bie shi, i cili e freskon dhe gjallëron tokën pasi ajo është tharë. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se fjalët "El-Hamilati vikra", nënkuptojnë retë e dendura dhe të rënda, që bartin shi.
Kurani famëlartë, i ka kushtuar vëmendje të posaçme reve. Janë me dhjeta ajete që flasin drejtpërdrejt rreth tyre, e disa të tjerë që aludojnë në to. Në lidhje me retë ka folur edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s., e natyrisht edhe shkencëtarët, të cilët na kanë sqaruar deri në detaje për bërjen e tyre: si formohen, si bie shiu, bora e breshëri etj.
Përderisa në komentimin e ajetit paraprak folëm për rëndësinë e erërave në jetën e çdo gjallese në tokë, dhe vërejtëm se pjesë e këtij zinxhiri jetësor janë edhe retë që me vete bartin shiun, në formë të avullit, i cili kondenso het në to nga detet dhe lumenjtë, dhe pastaj fryma-era e bart me lejen e Allahut, aty ku është urdhëruar.
Retë janë cilësuar si të rënda dhe të dendura edhe në disa ajete kuranore, duke pasur parasysh barrën e ujit shiut që e bartin me vete, si p.sh.: "...e kur ato (erërat) bartin re të mëdha (të rënda), Ne i sjellim mbi një tokë të vdekur dhe lëshojmë në të ujin (shiun), dhe me të (me ujin) nxjerrim të gjithë frutat..." (El A'raf, 57); dhe: "Ai është që shfaq vetëtimën trishtuese (nga ndonjë fatkeqësi), por edhe shpresëdhënëse (për shi), dhe formon re të dendura..." (Er Rra'd, 12).
Ajo çka neve na intereson rreth formimit të reve është procesi zinxhiror, i cili është përmendur edhe në Kuran, dhe i cili i ka mahnitur edhe shkencëtarët dhe meteorologët më eminentë të botës. Së pari, për të ardhur deri te procesi i rënies së shiut rolin kyç luan era. Flluskat e panumërta të ajrit, të cilat formohen nga shkumëzimi i ujit të oqeaneve, plasin vazhdimisht dhe shkaktojnë veçimin e disa grimcave të ujit, të cilat ngrihen lart në qiell. Këto grimca të pasura me kripë (të cilat quhen aerosole) transportohen nga erërat dhe ngrihen në atmosferë. Ato funksionojnë si kolektorë uji dhe formojnë pika reshë, duke i mbledhur rreth vetes avujt e ujit që ngrihen nga deti. Pra, retë formohen nga avujt e ujit që kondensohen rreth këtyre kristaleve të kripës apo grimcave të pluhurit që gjenden në ajër. Meqë pikat e ujit në këto re janë mjaft të vogla (me diametër 0.01 dhe 0.02 mm), retë "qëndrojnë pezull" në ajër dhe përhapen në qiell. Në këtë mënyrë qielli mbushet plot me re.
Më pas pikat e shiut në retë e sapoformuara do të qëndrojnë pezull në ajër, dhe pastaj do të kondensohen për të formuar shiun. Grimcat e ujit, të cilat rrethojnë kristalet e kripës dhe grimcat e pluhurit, zmadhohen dhe kështu formojnë pikat e shiut, të cilat bëhen më të rënda se ajri, prandaj edhe shkëputen nga retë, duke filluar "lindjen" e procesit të shiut: bien në tokë në formë shiu. Që të gjitha këto faza të fillimit të formimit të reve dhe shiut janë përshkruar detajisht edhe në ajetin e 43-të, të sures "En Nur": "A nuk e vëren ti se Allahu i shtyn retë ngadalë e pastaj i bashkon e i grumbullon njërën mbi tjetrën, derisa të shohësh shiun se si del prej tyre dhe se si bie nga qielli?! Ai, nga retë e mëdha si mali, lëshon breshrin, e me të godet kë të dojë, kurse e shmang nga kush të dojë. Shkëlqimi i vetëtimës së tyre (reve) gati ta merr shikimin. (En Nur, 43).
Shkencëtarët që janë marrë me studimin e reve si duku ri natyrore retë i kanë ndarë në dhjetë lloje, apo familje. Këto emërtime për retë janë kryesisht me bazë nga gjuha latine, dhe u përgjigjen përshkrimit fizik të tyre:
1. Cirus (Ci) - Këto re asnjëherë nuk japin reshje.
2. Cirocumulus - (Cc) As ky lloj i reve nuk jep reshje.
3. Cirostratus - (C) Gjithashtu as ky lloj i reve nuk jep të reshura. Ky lloj së bashku me dy llojet e para të reve, "Cirus" dhe "Cirocumulus" arrijnë lartësitë prej 7 deri në 12 km, dhe përbëhen nga kristalet heksagonike shumë të imëta të akullit. Tre llojet e parë të reve janë aq të holla, saqë nuk ka kurrfarë kushtesh e mundësishë që në to të grumbullohen të reshura atmosferike.
4. Altocumulus (KA) - As nga këto re nuk bien të reshura
5. Altostratus - (Si) - Nga ky lloj i reve mund të ketë reshje. Ky lloj së bashku me llojin paraprak, Altocumu lus, janë re që qëndrojnë në lartësinë 2 deri në 7 km.
6. Nimbostratus (Ns) - Nga ky lloj i reve bie shi i imët dhe i njëtrajtshëm, e gjithashtu edhe borë e imët, e që mund të zgjasë me orë të tëra.
7. Stratocumulus (Sc) - Sipas përbërjes së tyre fizike mund të quhen edhe re ujore.
8. Stratusi (St) - Re ujore që mbulojnë tërë qiellin me ngjyrë të hirtë. Retë "Stratus" kur janë në afrësi të sipërfaqes së tokës i quajmë mjegulla. Ky lloj i reve së bashku me dy llojet para, "Stratuscumulus" dhe "Nimbostratus", janë re që formohen në një lartësi të mesme
9. Kumulusi (Cu) - Llogaritet si një ndër format më të bukura të reve, nga të cilat ka reshje me bollëk.
10. Kumulonimbusi (Cb) - Ky lloj i reve është përgjegjës për erërat e forta, të reshurat e stuhishme, breshrin, bubullimën dhe vetëtimën, pastaj edhe për tornado(1), etj.


3. "...dhe në ato (anijet) që lundrojnë lehtë..."


Betimi i tretë hyjnor është në anijet që lundrojnë nëpër dete apo lumenj. Lundrimi në det, me anije, është po ashtu një prej mirësive të mëdha që Allahu xh.sh. Ia ka dhënë e mundësuar njerëzimit.
Në të kaluarën nuk ekzistonin anijet moderne me motorë, të cilat sot mundësojnë bartjen e mallrave nëpër destinacionet më të largëta nëpër oqeane. Në të kaluarën shfrytëzimi i këtyre rrugëve detare ishte pothuajse i pamundur, përveç për disa popuj që duke jetuar pranë brigjeve të detit apo oqeaneve kishin arritur të zotëronin teknikën e ndërtimit të anijeve, me të cilat edhe transportonin mallra për tregti. Madje disa popuj kishin zhvilluar edhe flota detare, nëpërmjet të cilave kontrollonin territore të mëdha. Anijet me vela janë ato që mbase edhe synohen në këtë ajet, sepse lëvizja e tyre në të shumtën e rasteve ka qenë e kushtëzuar me njohjen e rrymave detare dhe erërave. Erërat janë ato që i kanë vënë në lëvizje këto anije me vela, dhe për këtë arsye janë konsideruar si begati për ata popuj që i kanë shfrytëzuar. Në anën tjetër, edhe Kurani famëlartë i ka përmendur anijet dhe detin, madje në shumë vende në Kuran, si p.sh.: "...dhe për të mirën tuaj ua vuri në shërbim anijet, të lundrojnë nëpër det me urdhrin e Tij..." - (Ibrahim, 32), pastaj: "Allahu është Ai që për ju e nënshtroi detin, që me lejen e Tij të lundrojnë anijet nëpër të, që të kërkoni begatitë e tij; prandaj, falënderojeni!"- (El Xhathije, 12); dhe: "Zoti juaj është Ai që për ju mundësoi lundrimin e anijeve në det, në mënyrë që të kërkoni nga të mirat e Tij. Vërtet Ai është shumë Mëshirues ndaj jush."


4. "...dhe në engjëjt që shpërndajnë urdhrat..."


Ndërsa betimi i katërt është në krijesat fisnike, engjëjt, të cilët Allahu i ka krijuar për të çuar në vend urdhëresat e Tij. Allahu xh.sh. edhe në suren "En Naziat", është betuar në engjëjt: "Pasha ata (engjëjt) që marrin shpirtrat me rrëmbim, dhe ata që marrin shpirtrat me lehtësi, dhe ata që notojnë (realizojnë gjithçka lehtë) me shpejtësi, dhe ata që nxitojnë (për të shpënë çdo gjë) në vendin e vet, dhe pasha ata që çdo çështje rregullojnë!" (En Naziat, 1-5).
Engjëjt janë krijesat e para që i krijoi Fuqiploti dhe secilit prej tyre i caktoi detyra e obligime të veçanta. Edhe në mesin e engjëjve ka dallime në vlerë dhe në grada. Prej tyre katër janë më të mëdhenjtë: I pari dhe Kryeengjëlli është "Xhibrili", i cili ishte i ngarkuar për të përcjellë Shpalljet te të Dërguarit e Allahut. Ai, me lejen e Allahut, në disa raste ka zbritur në tokë, edhe për të ndëshkuar popujt mizorë e jobesimtarë. Është quajtur me emrin "Ruh", "Ruhul Kudus", Xhibrilul Emin., "Shedidul Kuva" etj.; I dyti është"Mikaili", i cili është përgjegjës për riskun e njerëzve; i treti është "Israfili", i cili është i ngarkuar me fryrjen në 'Sur', dhe; i katërti prej tyre është "Azraili", apo meleku i vdekjes, i cili është i ngarkuar me marrjen e shpirtrave të çdo krijese, me lejen e Allahut xh.sh.(2)
Pas këtyre kemi engjëjt që do të na marrin në llogari në natën e varrit:"Munkiri" dhe "Nekiri", e i kemi edhe dy engjëjt besnikë, në të djathtën dhe të majtën tonë, që shënojnë çdo vepër tonën-"Kiramenkatibin", e pastaj kemi edhe engjëjt që na ruajnë,"El-Hafedha", si dhe engjëjt që bartin Arshin e Allahut, etj. Numrin e tyre e di vetëm Allahu i Madhërishëm.
Nga natyrshmëria e tyre e krijimit, engjëjt janë krijesa të krijuara nga drita-"nuri". Janë krijesa të pagabueshme: "... nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron, dhe punojnë atë që janë të urdhëruar." (Et Tahrim, 6). Në lidhje me këto katër betime të Allahut, në katër ajetet e para të kësaj kaptine, kemi disa transmetime nga sahabët e Resulullahut s.a.v.s. Një nga transmetimet përcillet nga Ebi Tufejli, se ai e kishte dëgjuar Aliun r.a., në Kufe, derisa ishte në minberin e xhamisë, duke thënë: "Për çfarëdo ajeti të Librit të Allahut që të më pyetni, dhe Sunetit i Pejgamberit a.s., do t'ju përgjigjem." Atëherë u ngrit Ibnul Kevvai e i tha: "O i pari i myslimanëve, çfarë është kuptimi i "Ve-dh-Dhar ijati dherva"?- "Janë erërat", tha ai. "Po "Fe-l Hamilati vikra"?- "Janë retë", tha ai. Po "Fe-l-Xharijati jusra"?- "Janë anijet", tha ai. "Po "Fe-l-Mukassimati emra"?- "Janë engjëjt", iu përgjigj Aliu r.a.(3)
I njëjti komentim është përcjellë edhe nga Omeri r.a. dhe nga Ibën Abasi r.a.(4)
5. "..., se, me të vërtetë, është e sigurt ajo që ju premtohet..."
6. "...dhe çdo shpërblim e dënim do të ndodhë!"
Këto dy ajete janë përgjigje e katër betimeve para prake, se ajo çka është premtuar, që nënkupton Ringjall jen dhe Llogarinë, do të ndodhë.(5) Ringjallja është një proces i pashmangshëm, pas të cilit do të pasojë dhënia e llogarisë. Jeta në këtë botë nuk do të kishte kurrfarë kuptimi po të mos kishte ringjallje dhe llogari. Sa e sa krime e mizori në këtë botë do të mbeteshin të pandëshkueshme po të mos kishte llogari. Sa e sa mirësi do të mbeteshin të fshehura e të harruara po të mos kishte shpërblim. Prandaj, ishte urtësia hyjnore ajo që përcaktoi këto procese, të cilave u nënshtrohemi ne, si krijesa me intelekt dhe vullnet të lirë.


Porosia e këtyre ajeteve - (1-6)


- Hapja e kësaj sureje me këto betime të njëpasnjëshme synon një qëllim shumë të qartë, lidhjen e zemrës njerëzore me qiellin, me fshehtësitë e Allahut, largimin e tij nga mundimet e kësaj bote, duke zhbërë çdo pengesë që mund ta pengojë njeriun nga përkushtimi dhe adhurimi i sinqertë i Allahut xh.sh.
- Allahu i Madhërishëm është betuar në erërat, në retë, në anijet dhe në engjëjt, për ta përforcuar bindjen dhe besimin se Ringjallja dhe Dita e Gjykimit janë të vërteta dhe do të ndodhin.
- Betimi i Allahut në krijesat e Tij dëfton për nderimin dhe fisnikërimin e tyre nga ana e Krijuesit Fuqiplotë.
- Erërat janë krijesë e Zotit, por llogariten edhe si ushtri nga ushtritë e Allahut të Gjithëpushtetshëm. Nëpërmjet tyre, I Gjithëfuqishmi në të kaluarën ka ndëshkuar shumë prej popujve mëkatarë e të ligj.
- Erërat dhe retë janë cilësuar edhe si mëshirë nga ana e Allahut xh.sh., për shkak se bartin shiun në vendet e thata, duke e freskuar çdo pëllëmbë të tokës, me lejen e Zotit të Gjithëmëshirshëm.
- Allahu xh.sh. është i Gjithëpushtetshëm, dhe Atij i nënshtrohet çdo gjë, si erërat, retë, engjëjt, planetët dhe e tërë gjithësia.
- Gjithë këto argumente dhe betime hyjnore e kanë një qëllim të caktuar: t'u bëhet me dije idhujtarëve dhe mohuesve të Zotit se Ringjallja është një realitet i pashmangshëm. Argument për këtë janë shumë nga proceset natyrore që ndodhin përreth nesh.
- Çdo premtim i Allahut do të realizohet, sepse ky është ligj hyjnor e që nuk ndryshon. Dita e Gjykimit do të jetë dita e sprovës së madhe, ku secili do ta marrë atë që e ka merituar nga veprat e tij në këtë botë.


______________________________
(1) https://en.wikipedia.org/wiki/Cloud.
(2) Maverdi En-Nuket vel Ujun, Bejrut, pa vit botimi, v.5, f. 361.
(3) Shih: MuhamedTantavi, Et-Tefsiru-l-Vesit, Kajro 1986, v.26, f. 13.
(4) Shih: Es-Sujuti, Ed-Durru-l Menthur, v.13, f.664-665.
(5) Mus tafaelMensuriEl-Muktetaf min Ujuni-t-Tefasir, Damask-Bejrut 1996, v.5, f. 78.


 


Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Promovohen “Akaidi islam: Parimet, zhvillimi dhe shkollat” dhe “Ixhazetnamet e Sherif ef.Ahmetit”