Të dhëna statistikore*:
- Emri ndërkombëtar në anglisht: Kuwait.
- Emri zyrtar: Shteti i Kuvajtit.
- Sistemi i qeverisjes: Monarki kushtetuese, trashëguese.
- Sipërfaqja: 17,82o km².
- Numri i banorëve: 3.566.798.437 (2010).
- Dendësia: 200.2 (banorë në 1 km²).
- Feja: Myslimanë 100%(1)
- Kryeqyteti: Kuvajti (llogaritet edhe qyteti më i madh në vend).
- Qytete të tjera: El Xhehrau, Havalli, El Fervanijah, Mubarrek El Kebir dhe El Ahmedi.
- Grupet etnike: Arabë kuvajtianë 45%, Arabë të tjerë 40%, iranianë 5%, indianë dhe pakistanezë 5% dhe të tjerë 5%.
- Gjuhët kryesore: Arabe (zyrtare) dhe angleze.
- Njësia monetare: Dinari kuvajtian, (1.00 KWD = 2.73 EUR).
- Data e pavarësisë: 19 qershor 1961 (nga Britania). - Festë kombëtare: 25 gusht 1950 (data e ardhjes në pushtet të Shejh Abdullah Es-salim Es-sabah-ut).
Pozita gjeografike
Kuvajti është shtet i pavarur arab islam, që bie në pjesën veriore të Gadishullit Arabik, përkatësisht në veri-perëndim të Gjirit Arab - Persik -, konkretisht në jug-perëndim të kontinentit të Azisë. Për shkak të pozitës së mirë gjeografike, Kuvajti konsiderohet urë lidhëse me venddaljen natyrore që ka në verilindje të Gadishullit Arabik. Kjo pozitë vendit i ka dhënë rëndësi të veçantë në fushën e tregtisë për një kohë relativisht të gjatë. Emërtimi i vendit Kuvajt, del nga shkurtimi i fjalës "KUTË", që në gjuhën arabe domethënë ' kala', e cila është ndërtuar pranë qytetit të Kuvajtit në shekullin XVII. Terreni i vendit karakterizohet nga ulje graduale nga perëndimi në lindje, buzë brigjeve të detit, si dhe përbëhet nga fushat e sheshta me rërë, në mes të cilave shtrihen ca kodrina dhe disa lugina të thata. Ndër luginat më të njohura në Kuvajt llogaritet lugina Batin, e cila përcakton cakun kufitar në mes të kufijve të Kuvajtit dhe Irakut, si dhe vazhdon duke kaluar nëpër kufirin perëndimor të Kuvajtit. Sipërfaqja e tërësishme e vendit arrin afërsisht deri në 17.820 km2, dhe e tëra i takon zonës tokësore. Gjatësia e përgjithshme e kufijve tokësorë të vendit arrin deri në 462 km. Shteti i Kuvajtit kufizohet me dy shtete fqinje, nga jugu dhe jugperëndimi kufizohet me Arabinë Saudite, me një gjatësi prej 222 km2, dhe nga veriu e perëndimi me Irakun, me gjatësi prej 240 km2, si dhe nga lindja me Gjirin Arab (vija bregdetare arrin gjatësinë deri në 499 km2). Pika më e ulët në Kuvajt i takon territorit në nivel të detit, gjegjësisht në brigjet bregdetare të Gjirit Arab, kurse ajo më e larta është në një pjesë të paemërtuar të vendit, që arrin lartësinë deri në 306 metra mbi nivelin e detit.(2)
Bazuar në të dhënat e vitit 2007, në Kuvajt ka gjithsej 7 aeroporte, prej tyre 4 të asfaltuara dhe 3 të paasfaltuara. Në vend ka edhe një numër të konsiderueshëm portesh detare, prej tyre më kryesoret janë: Esh-shuajbe, Esh-shuvejh, El Ahmedi, Bubjan.(3)
Shteti i Kuvajtit ka një numër të konsiderueshëm institucionesh të larta arsimore. Prej universiteteve më të njohura në vend, janë: Universiteti i Kuvajtit, Universiteti Amerikan në Kuvajt, Universiteti i Gjirit për Shkencë dhe Teknologji, Universiteti Amerikan i Lindjes së Mesme, Kolegji i Teknologjisë së Aviacionit dhe Kolegji kuvajtian i Teknologjisë.(4)
Kuvajti: Kryeqyteti i Kuvajtit ishte themeluar si qytet tregtar në brigjet e Gjirit Arab në vitin 1613, dhe njihej me emrin El Karin, por më vonë nami i emrit Kuvajt mbuloi emrin e parë të qytetit. Pra, themelimin e këtij qyteti e bënë fiset El Utub, të cilat në shekullin XVI kishin migruar nga Nexhdi në brigjet e Gjirit Arab, gjegjësisht në Zubara, dhe pastaj qenë transferuar në qytetin e Kuvajtit. Fiset Utub banuan qytetin Kuvajt dhe profesion kishin gjetjen e perlave dhe tregtinë detare reciproke me Indinë. Me kalimin e kohës, punët e fiseve El Utub arritën një zhvillim në qytetin e Kuvajtit, prandaj u rrit edhe popullsia në këtë qytet. Ky qytet ka një popullsi prej 511.001 banorësh (sipas statistikave të vitit 2010).(5)
Historia e Kuvajtit
Dëshmitë arkeologjike argumentojnë se, që nga viti 3000 para erës sonë, disa pjesë bregdetare të Kuvajtit të sotëm, mund të kenë qenë pjesë të civilizimit, bashkëkohës me civilizimin e sumerëve në vendet në mes lumenjve Tigër dhe Eufrat. Mandej, në vitin 323 para erës sonë, këto rajone i kishin vizituar kolonialistët grekë që nga koha e Aleksandrit të Madh(6) e pastaj, vetëm shekulli XV karakterizohet si fillimi i kontaktit të vendeve evropiane me Lindjen në përgjithësi dhe me Kuvajtin dhe vendet arabe të Gjirit Arab, në veçanti. Portugalia ka qenë vendi i parë evropian që ka arritur në Indi. Portugezët, pas një shekulli kishin shtrirë ndikimin e tyre në tërë rajonin e Gjirit Arab. Gjatë kësaj kohe, u zhvilluan disa beteja në mes portugezëve dhe osmanlinjve, që përfunduan me fitoren e osmanlinjve. Megjithatë, portugezët ruajtën marrëdhëniet e tyre tregtare me Gjirin, por pas tyre i pasuan francezët, holandezët dhe britanikët. Me kalimin e kohës, ndikimi britanik në këto rajone u rrit dukshëm, prandaj ata shfaqën interesim të veçantë edhe për Kuvajtin. Njerëzit asokohe filluan të shtoheshin në Kuvajt dhe kështu numri i banorëve të tij rritej gradualisht, dhe ata vendosën të zgjedhin sunduesin e tyre. Sunduesi i parë i Kuvajtit ka qenë El Sabahu I, i cili themeloi shtetin modern të Kuvajtit. Familja Alu Sabah rrjedh nga ky sundimtar, sundimi i të cilit zgjati nga viti 1752 deri në vitin 1762.(7) Mandej, në vitin 1914, Britania e njohu Kuvajtin si një Qeveri të Pavarur nën mbrojtjen britanike, ndërsa, në vitin 1922, u arrit marrëveshja për kufijtë e vendit, Iraku në veri dhe Nexhdi në jugperëndim. Më vonë, në vitin 1961, përfundoi mbrojtja britanike dhe Kuvajti arriti pavarësinë e plotë, kur Shejh Abdullah Es-salim Es-sabah u bë prijësi i vendit(8).
Historia e përhapjes së islamit në Kuvajt
Zona ku sot bie Kuvajti, nuk është quajtur Kuvajt deri në periudhën islame. Deri në këtë periudhë, disa autorë në shkrime të ndryshme kishin përmendur dy emra të kësaj zone: "Kadhime" dhe "El Karin". Është e rëndësishme të përmendet se, burimet historike dhe gjeografike, vërtetojnë se zona e Kuvajtit ishte pjesë e entitetit të Gjirit Arab, i cili në periudhat e hershme islame quhej "Bahrejn", e që shtrihej në brigjet e Gjirit Arab nga Omani në jug e gjer tek Basra në veri, duke përfshirë edhe ishujt që sot quhen Bahrejn. Pra, Bahrejni i atëhershëm përfshinte në gjirin e vet vendet e këtyre shteteve bashkëkohore:
1) Emiratet e Bashkuara Arabe,
2) Katarin,
3) Bahrejnin,
4) Kuvajtin dhe pjesën lindore të Arabisë Saudite, që sot quhet El Ahsa.
Kur u paraqit Thirrja Islame në kohën e Muhamedit a.s., Iraku ishte pjesë e Perandorisë Persiane Sasanite. Ndërkaq, Ebu Bekri r.a., si halifi I i myslimanëve, kishte hartuar plane për çlirimin e vendeve të Persisë dhe për të realizuar këto plane kishte dërguar Halid ibn Velidin dhe Aj-jad ibn Ganemin. Ushtria e myslimanëve në krye me Halid ibn Velidin r.a. kishte marshuar drejt Perandorisë Persiane, ndërsa guvernatori persian në Hire, Hurmuzi, kishte tentuar të ndalte hovin e përparimit të ushtrisë myslimane drejt atyre rajoneve, por komandanti suprem i forcave myslimane - Halidi r.a. dhe myslimanët e tjerë që ishin me të, kishin korrur sukses duke mposhtur persianët në luftën në Dhatu S-selasil, afër Kadhime (një vend në perëndim të Kuvajtit të sotëm, afër El Xhehras), betejë e cila kishte ndodhur në vitin 12 h / 633 m. Pra, zona në të cilën sot ndodhet Kuvajti, gjatë periudhës islame njihej si Kadhimetul Bihar. Ky vend në fillet e Islamit kishte një prestigj të veçantë, dhe, përmes këtij vendi, në vitin 633 m. ushtritë myslimane nën komandën e Halidit r.a. vazhduan edhe çlirimin e Irakut. Njëri nga fshatrat që ishin të njohura në fillet e Islamit, ishte Es-sabije, i cili ndodhet në veri të Kuvajtit dhe llogaritet hallkë lidhëse në mes dy periudhave, periudhës së vjetër dhe asaj islame.(9) Nga tërë kjo, mund të kuptohet se, që nga koha e sundimit të Ebu Bekrit r.a., Feja Islame kishte filluar të përhapej në zonat e Kuvajtit të sotëm, si dhe këto zona kishin vazhduar të ishin gjithnjë ndër vendet islame në kuadër të Hilafetit islam.
Klima
Në Kuvajt kushtet e klimës së shkretëtirës dhe ajri i thatë e i nxehtë mbizotërojnë gjatë shumicës së ditëve të vitit. Gjatë stinës së verës nxehtësia rritet dukshëm; ajo stinë fillon nga muaji prill dhe vazhdon deri në muajin tetor. Gjatë kësaj kohe të nxehtë, temperaturat mund të arrijnë afërsisht deri në 51 gradë Celsius, kurse, temperaturat mesatare mujore arrijnë deri në 44 gradë dhe shumë shpesh vapa vjen e shoqëruar me erëra, që shkaktojnë stuhi pluhuri. Në stinën e dimrit, ndonëse është mjaft e shkurtër këtu, mbizotëron një nxehtësi relative, me temperaturat mesatare kryesisht rreth 18 gradësh, por ato mund të zbresin disa herë deri në zero gradë. Ndërkaq, në stinët vjeshtë e pranverë, që janë të shkurtra, ka shira dimërorë, të parregullta dhe që ndryshojnë nga viti në vit.(10)
Gjendja ekonomike
Kuvajti llogaritet nga ekonomitë më të mëdha në rajon, dhe industria e naftës aty përbën degën më të madhe të industrisë dhe mbulon gati gjysmën e prodhimit të përgjithshëm vendor dhe shumicën e eksporteve. Kuvajti posedon 10% të rezervave të naftës botërore dhe është një nga themeluesit e hershëm të organizatës botërore të naftës OPEC. Kontrollimin e naftës në Kuvajt e bëjnë disa kompani, të cilat janë pronësi e qeverisë së vendit, ose mbi 90% e tyre. Gjithashtu ekonomia e Kuvajtit mbështetet shumë në tregun e aksioneve financiare, që është një nga tregjet më të rëndësishme financiare në Botën Arabe. Investimet e huaja dhe ato të brendshme llogariten nga qarkullimet më të rëndësishme ekonomike në Kuvajt. Përveç industrisë së naftës, kuvajtianët kanë qenë të njohur edhe për industrinë e ndërtimtarisë së anijeve, të peshkatarisë, zdrukthëtarisë dhe të farkëtarisë, industri që në kohët e hershme kishin ndikim në ekonominë e Kuvajtit. Pas zbulimit të naftës, këto industri kanë pushuar dhe janë zëvendësuar nga industri të lehta, si industria ushqimore, metalike, industria për prodhimin e mobilieve, dyerve, dritareve, materialeve të ndërtimit etj.. Gjithashtu në vend u zhvillua edhe industria e plehrave kimike, e plastikës dhe industri të tjera që mbështeten në naftë dhe në derivatet e saj. Ndërkaq, bujqësia në Kuvajt në përgjithësi nuk ka qenë e zhvilluar, e kufizuar vetëm në disa zona, sepse bujqësia është e varur nga tri komponentë: klima, toka dhe të uji, të gjitha këto nuk i plotëson ky vend. Megjithëkëtë, shkenca bashkëkohore ka lehtësuar mënyrën e tejkalimit të vështirësive, me të cilat mund të ballafaqohet bujqësia, prandaj edhe Kuvajti ka filluar të prodhojë sasi të konsiderueshme perimesh. Bujqësia sot nuk është një burim i madh ekonomik për Kuvajtin, sepse nuk ka peshë të madhe ekonomike të vendit.(11)
________________________________________________________
* Përqindja e përkatësisë fetare në Kuvajt mund të dallojë në ndonjë burim tjetër, për shkak se përfshihen edhe jokuvajtianët.
(1) Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 131. Mektebetul Adab, 2007, Kajro.Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame f. 17. Logos-a, 2009, Shkup. Vladimir Zoto; Enciklopedi gjeografike e botës, f. 132. Dasara, 2007, Tiranë.
(2) www. moqatel.com, www.marefa.org
(3) www.moqatel.com.
(4) ar.wikipedia.org
(5) www.q8me.com, www.brooonzyah.net
(6) Muhammed Atris;Ibid f. 132.
(7) forum.stop55.com
(8) Muhammed Atris; Ibid f. 132.
(9) Prof.dr. Abdul Malik Halef Et-temimi; Ebhath fi tarihil Kuvejt, f. 16, 17. (libër i huazuar nga interneti). Dr. Muhamed Suhej Tak-kush; Et-tarihul islami (elvexhiz), f. 78. Daru N-nefais, 2008 , bot.4. Bejrut, Liban.
(10) www.q8me.com
(11) www.marefa.org
Mr. Samir B. Ahmeti