Që të plotësohen rregullat dhe obligimet e një haxhi - vizite të Qabesë, është kusht që të kryhet edhe tavafi - rrotullimi rreth Qabesë. Moskryerja e tavafit, e bën të pavlefshëm Haxhin apo vizitën e Qabesë, ngase kryerja e tavafit është obligim kryesor dhe i pashmangshëm i Haxhit. Allahu i Madhëruar në Kur'anin fisnik thotë: "Pastaj le të heqin papastërtinë e tyre, le t'i zbatojnë premtimet e veta dhe le të sillën (bëjnë tavaf) rreth shtëpisë së lashtë". (Haxhxh, 29)
Përkufizimi
Tavaf domethënë: 'rrotullim, qarkullim ecje rreth Qabesë në Mekë'. Përkufizimi i tij në Sheriatin islam është rrotullimi apo qarkullimi rreth Qabesë duke filluar nga qoshja e Gurit të Zi (Haxheru'l-Esved) për t'i plotësuar shtatë rrotullime. Gjatë rrotullimeve Qabeja duhet të jetë gjithmonë në krahun e majtë. Çdo rrotullim quhet "shavt", ndërsa shtatë rrotullimet (shavtet) quhen tavaf. Personi që bën tavaf, quhet "taif", ndëra vendi ku bëhet tavafi, quhet "metaf". Janë tri lloje të tavafit që bëhen në kohën e Haxhit: tavafi kudûm, tavafi ifada apo ziare dhe tavafi veda. Për nga koha dhe norma, ai mund të jetë:
a) Farz - detyrim i pashmangshëm,
b) Vaxhib - detyrim, siç është tavafi sadr apo veda,
c) Sunnet - i preferuar, siç është tavafi kudûm dhe
d) Nafile - Vullnetar.
Mënyra e bërjes
Pa marrë parasysh se cili tavaf bëhet, në fillim duhet bërë nijeti për atë tavaf. Sikur dihet, nijeti i një vepre me zemër është obligim. Rrotullimi rreth Qabesë pa bërë nijetin për tavaf, nuk llogaritet i pranuar. Në nijet nuk është e nevojshme të ceket se cilin lloj tavafi po e kryen. Mjafton vetëm nijeti për tavaf. Kur të fillohet kryerja e tavafit, bëhet bismil-lah, i jepet selam Gurit të zi dhe bëhet kjo lutje: "Allahumme imanen bike ve tadikan bi kitabike ve vefaen bi ahdike vet'tibaan li sunneti nebijjike s.a.v.s." dhe më pas fillohet rrotullimi. Secili mund të bëjë lutjet që i di, ngase nuk ka ndonjë në mënyrë të caktuar për lutjet.
Në përfundim të tavafit, personi duhet të falë dy rekate falënderimi për kryerjen e tavafit, nëse është e mundur - t'i falë para mekami Ibrahimit është më mirë, e nëse jo, atëherë mund t'i falë edhe më larg tij.
Llojet e tavafit
Janë tri lloje tavafesh, që janë të lejuara për t'u kryer gjatë kohës së Haxhit:
1. Tavafi Kudum - Shprehja kudum domethënë "arritje, ardhje", pra arritja në Mekë. Norma e këtij tavafi është synet. Gjëja e parë që duhet të bëjnë ata që vijnë nga jashtë kufijve - mikateve të Mekës, pasi të arijë në Meke sipas shumicës së juristëve, është që të kryejnë tavafin kudum. Për vendësit mekas nuk ka tavaf kudum. Haxhinjtë që e kanë bërë nijet për kryerjen e Haxhit temettu dhe kiran, së pari duhet të bëjnë tavafin e umrës. Haxhiu që do të kryejë haxhin kiran, nuk ka nevojë të kryejë tavafin kudum, sepse ai do të përfundojë haxhin me një ihram. Kur haxhiu për haxhin temettu të hyjë në ihram një ditë para arefes, për haxh, me atë ihram e bën tavafin kudum dhe, nëse do, më pastaj mund të bëjë edhe sa'jin për haxhin. Koha e tavafit kudum fillon nga arritja në Mekë deri në kohën kur të bëhet vakfeja - qëndrimi në Arafat. Me fillimin e qëndrimit në Arafat, skadon edhe koha e tavafit kudum.
2. Tavafi ifada - zijare: është lloj i tavafit që është obligim të kryhet, ngase është nga ruknet e haxhit dhe se haxhi nuk do të plotësohet pa këtë lloj tavafi. Katër rrotullimet e para të këtij tavafi janë farz, tri të tjerat janë vaxhib. Vonimi i këtij tavafi pas Bajramit të kurbanit, kompensohet me prerjen e një kurbani. Sipas hanefive dhe malikive, ky tavaf fillon nga çasti i agimit të ditës së parë të Bajramit të kurbanit. Kryerja e këtij tavafi është vaxhib të bëhet deri në ditën e tretë të Bajramit, kur të perëndojë dielli. Nëse ky tavaf lihet pas kësaj kohe, pa ndonjë arsye, personi dënohet me prerje të një kurbani.
3. Tavafi veda - Lamtumirës: është ai lloj i tavafit, të cilin duhet ta kryejnë të gjithë ata që dalin apo largohen nga Meka, pra me këtë tavaf ai ajo të përshëndesë Qabenë. Sipas malikive ky tavaf është mendub, kurse, sipas tri medhhebeve të tjera, është vaxhib. Ky quhet ndryshe edhe si tavafi sader. Ai që nuk e kryen këtë, duhet të presë kurban.
Kushtet e tavafit veda janë: Që haxhiu të jetë afaki dhe që femrat të mos jenë me cikël apo llahusa. Mirëpo, gratë që nuk e kryejnë këtë tavaf për këto arsye, nuk e kanë obligim prerjen e kurbanit. Sipas hanefive, nijeti nuk është kusht për këtë lloj tavafi. Në fund të këtij tavafi, duhet të falen dy rekate synet, para vendit të quajtur mekami Ibrahim, sipas mundësive të puthë Gurin e zi, të qëndrojë pranë Qabesë duke bërë lutje, të pijë nga uji i zemzemit dhe, në fund, të përshëndetet e të largohet prej aty.
Kushtet e tavafit:
a) Personi të ketë abdest dhe, sipas hanefive, një pastrim i tërësishëm është vaxhib, kurse sipas medhhebeve të tjera është kusht.
b) Të bëhet nijeti për tavaf - sipas hanefive nijeti është kusht.
c) Të bëhet tavafi duke ecur në këmbë, për ata që kanë mundësi fizike.
d) Tavafi të bëhet brenda Mesxhidi Haramit - Qabesë.
e) Tavafi të fillohet nga Guri i zi.
f) Qabja të jetë nga krahu i majtë i personit.
g) Tavafi të jetë i bërë nga shtatë rrotullime - shavte si dhe
h) Të falen dy rekate namaz për tavaf, para vendit mekami Ibrahim.
Synetet e tavafit:
a) Pastërtia në shkallë të duhur; trupi, ihrami etj.
b) Të vihet nga ana e quajtur rukni Jemani, kur fillohet nga haxheru'l-esved.
c) Të përshëndesë haxheru'l-esvedin në fund të çdo rrotullimi.
d) Sipas mundësive, të bëhet reml - të shpejtohen hapat gjatë rrotullimit.
e) Gjatë tavafit, shpatulla e djathtë të lihet e zbuluar nga ihrami - idbata.
f) Të kryhen të gjitha rrotullimet njëra pas tjetrës.
g) Meshkujt të jenë sa më afër Qabesë.
Haxhi i gruas me cikël dhe llohusë
Nëse një gruaje, para se të hyjë në ihram, i shfaqet cikli ose është llahusë, atëherë ajo duhet të marrë gusull për veshjen e ihramit. Pasi të veshë ihramin, ajo i kryen obligimet sikurse cilido haxhi tjetër. Mirëpo, derisa të pastrohet, ajo nuk mund ta bëjë tavaf Qabenë. Nëse, një gruaje i shfaqet cikli pasi të ketë hyrë në ihram, ajo nuk e ka obligim të marrë gusull, por duhet të ketë kujdes të mos lejojë rrjedhjen e gjakut dhe të bëjë çdo gjë që gjaku të mos dalë jashtë. Kështu ajo, përveç tavafit, i kryen të gjitha ibadetet e tjera të Haxhit. Kështu ka ardhur në hadithet dhe veprimet e Pejgamberit a.s. që e kishte urdhëruar të bijën Esmën: "Kryeji rregullat e haxhit pa e bërë tavaf Qabenë". (Buhariu dhe Muslimi).
Për sa i përket çështjes kur një gruaje i shfaqet cikli pas qëndrimit në Arafat dhe tavafit zijare, atëherë ajo më nuk e ka për obligim tavafin veda, dhe për këtë nuk dënohet me asgjë. Sipas të gjithë juristëve, nëse një gruaje i shfaqet cikli para tavafit veda, atëherë ajo nuk ka asnjë obligim për veprim apo shpagim.
Sa'ji:
Një prej rregullave të haxhit është edhe sa'ji - që domethënë: 'vrapim, ecje me nguti, angazhim' etj.. Në terminologji do të thotë: 'vrapimi në mes kodrinave Safa dhe Merve', që gjenden në pjesën lindore të Qabesë, duke filluar nga Safaja për ta mbaruar në Merve. Kjo duhet të bëhet shtatë herë shkuarje-ardhje. Shkuarja nga Safaja në Merve është një shavt, ardhja nga Merve në Safa është një shavt. Bëhet në atë mënyrë që, kur të dilet në këndin e Safasë, prej aty ku duket Qabeja, përshendetet ajo, bëhet ndonjë lutje dhe fillon ecja me tekbire e salavate. Sa'ji duhet të bëhet pas një tavafi të përfunduar, kur personi është në ihram. Kjo gjë na rikujton historinë dhe sakrificën e nënës së İsmailit a.s., Haxheres, e cila kishte vrapuar në mes këtyre dy kodrinave për të gjetur ujë për birin e saj. Në Kur'an thuhet: "Safa" dhe "Merve" janë nga shenjat (për adhurimin) e Allahut, e kush e mësyn shtëpinë për haxh (Qaben për haxh) ose për umre (vizitë jashtë kohës së haxhit), nuk është mëkat t'i vizitojë ato të dyja (të ecë në ato dy vende)". Norma e sa'jit, sipas hanefive, është nga vaxhibet e haxhit dhe të umrës, ndërsa sipas medhhebeve të tjera, është nga ruknet e haxhit.
Vaxhibet e sa'jit
Theksuam se, sipas hanefive, sa'ji është vaxhib, gjegjësisht katër shavtet e para janë vaxhib, tri të tjerat janë rukne. Kushtet apo vaxhibet e sa'jit janë:
a) Sa'ji të bëhet pas një tavafi sahih - të saktë.
b) Të bëhet duke shpejtuar në ecje. Ata që nuk kanë mundësi të ecin, duhet të shfrytëzojnë ndonjë mjet tjetër për ta kryer këtë; një karrocë a diçka të ngjashme.
c) Të mbahet rendi duke filluar nga Safaja për ta mbaruar në Merve.
d) Të plotësuara shtatë shavte të sa'jit.
e) Shavtet të jenë të njëpasnjëshme.
Synetet e sa'jit:
a) Sapo të përfundohet tavafi, të falet namazi i tavafit dhe pa pushuar të fillohet sa'ji.
b) Të përshëndetet haxheru'l-esvedi, para se të shkohet të bëhet sa'ji.
c) Të bëhet duke qenë me abdest dhe i pastër nga çdo ndyrësirë.
d) Në fillim të çdo shavti, të përshëndetet Qabeja.
e) Meshkujt të bëjnë "hervele - ecje të përshpejtuar" në mes dy shtyllave jeshile.
f) Të bëhen dua, tekbire, tahlile etj..
Norma e atij që braktis kryerjen e sa'jit ose e vonon ta kryejë:
Nëse sa'ji nuk bëhet në kohën e caktuar, pra në ditët e Bajramit të kurbanit ose pas tavafit zijare atëherë: a) Nëse personi nuk është kthyer në shtëpi, shkon e kryen sa'jin dhe pas kësaj nuk ka ndonjë detyrim. Pra, nuk dënohet ngaqë e ka vonuar. b) Nëse personi është kthyer në shtëpi, dhe e ka braktisur sa'jin pa ndonjë arsye të justifikuar, sipas hanefive ky person duhet të presë kurban, sepse e ka braktisur vaxhibin. Ndërkaq, saj'i tek hanefitë nuk është rukne, po vaxhib. Mirëpo, nëse ai do të kthehet në Mekë, mund të kthehet me një ihram të ri. sepse ihrami që kishte më herët, ka skaduar që nga përfundimi i tavafit zijare. Dhe, nëse kthehet në këtë mënyrë dhe e kryen sa'jin, atëherë shlyhet dënimi për prerjen e kurbanit. Sipas xhumhurit, sa'ji është rukne dhe një haxh pa sa'j, mbetet i paplotësuar, madje këtë nuk mund ta plotësojë as prerja e kurbanit si shpagim.
____________________________________
TDV. İslam Ansiklopedisi,/Prof. Dr. Hamdi Döndüren, "İslam İlmihali", Stamboll 2010./Prof. Dr. Vehbe Zuhajli, "Fikhu'l İslam ve Edil-letuhu", Stamboll 1994./Komision, "Diyanet İlmihali", Ankara 2008./Diyanet Hac İlmihali, Ankara 2008./İbn Rushd, "Bidajetu'l-Muxhtehid" verzioni Turqishte./Prof. Dr. Hayreddin Karaman, "İslam'ın Işığında Günün Meseleleri" Stamboll 2003
Mr. Zymer Ramadani
Dituria Islame 267