Të dhëna statistikore:(1)
• Emri ndërkombëtar në anglisht: Libya.
• Emri zyrtar: Republika e Libisë.
• Sistemi i qeverisjes: Qeveri e Përkohshme (Kuvendi Kombëtar Kalimtar).
• Sipërfaqja: 1,759,541 km².
• Numri i banorëve: 6.600.000 (2011).
• Dendësia: (4 banorë në 1 km²).
• Feja: Myslimanë 97% (prej tyre 95% sunitë të medhhebit maliki) dhe të krishterë 3% (kryesisht ortodoksë kiptas dhe pjesërisht katolikë afrikanë dhe evropianë).
• Kryeqyteti: Tripoli (llogaritet edhe qyteti më i madh i vendit). • Qytete të tjera: Benghazi, Misrata, Zliten, Exhdabia, Garjan, El Bejda, Derna, Re'su Lanof, Sirt, Sebha dhe Hun.
• Grupet etnike: Arabë 97%, të tjerë (grekë, maltezianë, italianë, egjiptas, pakistanezë, turq, indianë dhe tunizianë) 3%.
• Gjuhët kryesore: Arabe (zyrtare), italiane dhe angleze.
• Njësia monetare: Dinar Libian, (1.00 LYD = 0.61 EUR).
• Data e pavarësisë: 10 shkurt 1947 (nga Italia).- Festë kombëtare: 24 dhjetor 1951 (shpallja e Pavarësisë).
Pozita gjeografike
Libia është nga shtetet arabe që, për nga sipërfaqja tokësore, zë vendin e katërt dër shtete të kontinentit afrikan. Ky shtet zotëron një pozitë të veçantë gjeografike, ngase bie në qendër të Afrikës Veriore. Libia konsiderohet urë lidhëse e rëndësishme në mes Afrikës dhe Evropës, sikurse edhe portet e saj të avancuara, llogariten një kalim-dalje me vlerë të madhe për pritjen e shumë anijeve gjatë tërë vitit, për kryerjen e aktiviteteve tregtare me disa shtete afrikane, si: me Nigerinë, Çadin dhe me Malin. Gjithashtu, pozita e Republikës së Libisë është edhe një lidhje e rëndësishme komunikimi midis Botës Arabe lindore dhe asaj perëndimore. Për këtë arsye, dëshmohet në mënyrë të qartë se Libia është një bashkërrjedhje e rrymave dhe përzierje e kulturës dhe qytetërimit të vendeve arabe dhe islamike.(2)
Sipërfaqja tërësore e vendit arrin afërsisht deri në 1.759.541 km2, si dhe e tëra është zonë tokësore. Gjatësia e përgjithshme e kufijve tokësorë të vendit arrin deri në 4348 km. Shteti i Libanit kufizohet me gjashtë shtete fqinje, nga lindja kufizohet me Egjiptin - me një gjatësi prej 1115 km, nga juglindja me Sudanin - me gjatësi prej 383 km, nga jugu me Çadin - në një gjatësi deri në 1055 km dhe me Nigerinë - në gjatësi deri në 354 km, nga perëndimi me Algjerinë - me një gjatësi prej 982 km, nga veriperëndimi me Tunizinë - në një gjatësi deri në 459 km. Republika e Libisë nga ana veriore ka dalje në detin Mesdhe dhe vija bregdetare arrin gjatësinë deri në 1770 km. Pika më e ulët në Libi i takon territorit pranë kënetës Gazil, që arrin deri në 47 metra nën nivelin e detit, kurse ajo më e larta ndodhet në majat e malit Biku Bejti, që arrin lartësinë deri në 2267 metra mbi nivelin e detit.(3)
Bazuar në të dhënat e vitit 2010, Libia ka gjithsej 137 aeroporte, prej tyre 59 të asfaltuara dhe 78 të paasfaltuara. Në vend ka edhe një numër të konsiderueshëm portesh detare, më kryesoret janë: Brega, Tripoli, Re's Lanuf dhe EZ-zavijeh.(4) Libia ka një numër të konsiderueshëm institucionesh të larta të arsimit. Prej universiteteve më të njohura në vend janë: universiteti Umer El Muhtar, universiteti El Fatih i Shkencave Mjekësore, universiteti El Esmerije i Shkencave Islame, Universiteti Shtatë Tetori, Universiteti Libian Ndërkombëtar i Shkencave Mjekësore, Universiteti Arab i Mjekësisë, universiteti Sebha, universiteti Misrata etj..(5)
Tripoli: Kryeqyteti dhe qyteti më i madh i vendit, ndodhet në veri-perëndim të Libisë, dhe ka edhe portin kryesor. Tripoli, sipas statistikave të vitit 2011, ka rreth 2.220.000 banorë. Ky qytet njihet edhe me emrin Tripoli i Perëndimit, për ta dalluar nga Tripoli i Libanit, që quhet i Lindjes. Qyteti i Tripolit, për nga terreni, përbën një top shkëmbor, që ka shtrirje në detin Mesdhe, si dhe gjendet përballë majave jugore të ishullit të Sicilisë. Historia e lashtë e qytetit daton që nga fenikasit, të cilët kishin themeluar këtë qytet. Për ta dëshmuar këtë, ka disa varre fenikase që janë zbuluar, ashtu siç është zbuluar një fabrikë fenikase për prodhimin e qeramikës. Emërtimi i qytetit ndërlidhet me historikun e tri qyteteve që kishin ndërtuar fenikasit, si Oya - Tripoli i sotëm -, Lebde dhe Sprata, e të tri këto qytete ishin quajtur Tripoli. Mandej, në vitin 645 m arabët myslimanë kishin çliruar këtë qytet. Sot, Tripoli si kryeqytet i Libisë, konsiderohet si një nga qytetet transparente në Botën Arabe. Ky qytet, për nga zhvillimi, ka ndryshuar shumë, është zhvilluar sidomos pas revolucionit në Libi, në vitin 1969. Vlen të përmendet se, Tripoli është zgjedhur kryeqytet i Kulturës Islame për vitin 2007. Në Tripoli janë të njohura edhe monumentet e artit islam dhe joislam, siç është arti i arkitekturës islame që ka lënë çlirimi islam i Libisë, i cili ndikoi në qytetin e Tripolit, me xhamitë dhe monumentet e tij islame.(6)
Historia e Libisë
Banimi i njerëzve në Republikën e Libisë daton që nga periudha e lashtë para erës sonë, nga periudha e fundit e gurit, që mund të jetë përcaktuar nja dhjetë mijë vjet deri në dy mijë vjet para erës sonë. Periudha në fjalë ka lënë gjurmë argumentuese për banimin e lashtë të Libisë, që pasqyrohet përmes pasurisë artistike prej vizatimeve dhe gdhendjeve shkëmborë në shpellat malore, që shtrihen kryesisht në pjesën jugore të vendit. Të gjitha këto gjurmë arkeologjike dëshmojnë për mënyrën e jetesës së njerëzve të lashtë në vend, si dhe shumëllojshmëri të kafshëve dhe gjallesave të tjera që shtriheshin nëpër këto zona të shkretëtirës. Vendndodhja strategjike e pozitës gjeografike të Libisë ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes së pushtuesve, prandaj edhe fenikasit, duke qenë të magjepsur nga brigjet veriore të Afrikës dhe për shkak të pozitës strategjike, aty gjatë shekullit të shtatë p.e.s. kishin themeluar vendbanime. Mandej, pas dominimit romak në Mesdhe, u përhap ndikimi romak edhe në brigjet e Libisë, ku u ngritën qytete të bukura në Lebde dhe në Sprata, që të dyja përdoreshin si porte detare për tregti drejt shkretëtirës, për të tregtuar fildish, skllevër, metale të çmuara, vaj ulliri dhe kafshë. Pastaj, në fund të shekullit IV të erës sonë, zona bregdetare e Libisë hyri në kuadër të Krishterimit. Më pastaj, Libia, për një periudhë të shkurtër, u përball me pushtimin e vandalëve. Ndërkaq, nga shekulli VII i erës sonë, Feja Islame vuri rrënjë në rajonet e Afrikës Veriore, duke përfshirë edhe trevat libiane. Libia është përballur edhe me disa valë pushtuesish, nga fuqitë e ndryshme evropiane, siç ishin cililianët, spanjollët dhe maltezët. Libia për një kohë ka qenë edhe nën kontrollin e Perandorisë Osmane, kur sundohej nga disa grupe sundimtarësh, gjysmë të pavarur, dhe veçanërisht nga familja Karamanli, e cila e sundoi Libinë gjatë periudhës 1711 - 1835, dhe aty jeta në përgjithësi ishterelativisht e qetë deri me pushtimin italian, në vitin 1911. Më pastaj kalonin ngjarje të njëpasnjëshme, derisa britanezët arritën të shtrinin kontrollin e tyre mbi Tripolin, kurse administrata franceze arriti të shtrinte kontrollin e saj në zonën e Fezanit - krahinë në Libi -, tërë kjo deri kur Libia, përmes Kombeve të Bashkuara, fitoi gjysmëpavarësinë e vendit, që u arrit në vitin 1952. Ndërsa, si rezultat i kushteve të përkeqësuara ekonomike dhe politike në Libi, shpërtheu revolucioni i njohur i shtatorit të vitit 1969, i kryesuar nga koloneli Muamer Gadafi, dhe vendi filloi një epokë të re të historisë së tij, dhe arriti kapacitete të mëdha për të shënuar arritje të mëdha në fusha të ndryshme politike, ekonomike dhe shoqërore.(7)
Ndërkaq, në shkurt të vitit 2011 libiasit organizuan revolucion gjithëpërfshirës në vend, duke kundërshtuar sundimin e kolonel Muamer Kadafit. Ky revolucion filloi në formë demonstratash paqësore, por ushtria libiane, duke përdorur armatim të rëndë, ushtroi dhunë ndaj revolucionarëve për t'i shtypur. Kjo gjendje rezultoi me kalimin e revolucionit në "luftë të armatosur", sidomos pas bashkimit të një numri të madh nga policia dhe ushtria libiane me revolucionin popullor, si dhe mbizotërimin e revolucionarëve nga armatimi që kishin rrëmbyer nga kazermat ushtarake dhe stacionet policore libiane. Pas përparimit të revolucionarëve, ata arritën të formonin një qeveri të përkohshme, të kryesuar nga ministri i dorëhequr i Drejtësisë - Mustafa Abdul Xhelil, kur qytetin Bengazi e morën dhe e shpallën si kryeqytet të përkohshëm të tyre. Më pastaj, një numër i konsiderueshëm shtetesh njohën Qeverinë e përkohshme të revolucionarëve si përfaqësuese legjitime të popullit libian, kurse në tetor të vitit 2011, ranë edhe fortesat e fundit të Gadafit në Beni Velid dhe në Sirt, ku më 20 tetor 2011 u vra edhe vetë Gadafi, së bashku me disa nga bijtë e tij.(8)
Historia e përhapjes së islamit në Libi
Qyteti Berka - në Libinë e sotme, me dalje në detin Mesdhe - para çlirimit islam ka qenë pjesë e Aleksandrisë dhe nën sundimin e romako-bizantinëve, ashtu siç ishin të gjitha vendet e tjera të Afrikës Veriore pjesë e kësaj perandorie. Kur myslimanët arabë, me Amr ibn Asin r.a. në kye, në kohën e halifit Umer ibn Hat-tab it r.a., çliruan Egjiptin dhe kryeqendrën e tij Aleksandrinë, nuk u mjaftuan me kaq, por u orientuan edhe drejt rajoneve të tjera për t'i çliruar dhe për të shpëtuar banorët e saj nga shtypja e romako-bizantinëve, tek të cilët banorë, që atëherë kishin depërtuar lajmet e çlirimeve të reja të myslimanëve, të drejtësisë së tyre, barazisë në mes njerëzve, ruajtjes së pronave, sigurisë së nderit të familjes dhe respektimit të të drejtave fetare të jomyslimanëve.
Pasi Amr ibn Asi r.a. përfundoi çlirimin e Aleksandrisë, në fund të shtatorit 642 m / Dhul Ka'de 21 h, u nis në drejtim të Berka's për ta çliruar. Populli nuk i bëri rezistencë Amrit r.a., po përkundrazi, preferuan të hynin nën sundimin islam dhe të gëzonin lirinë dhe drejtësinë. Pra, Berka u çlirua në vitin 21 h. Mandej, kur Amri r.a. ishte në Berka dhe para se të nisej në drejtim të Tripolit, dërgoi një ushtri nën komandën e Ukbe ibn Nafi'ut drejt Zevila's - qytet në Libinë e sotme - dhe në vitin 22 h ai e çliroi atë. Pastaj, Amri r.a. dërgoi një njësi tjetër ushtarake në Vedan - qytet në Libinë e sotme - nën komandën e Busr ibn Ebi Ertae, i cili e çliroi atë. Ndërkaq, gjatë rrugës për në Tripoli, Amri r.a., duke kaluar nëpër brigjet e detit Mesdhe, kaloi pranë Sirtit dhe e çliroi, ashtu siç ndodhi gjatë rrugës për Tripoli - edhe çlirimi i Lebde's - një qytet në Libinë e sotme -. Dhe, në fund, çlirimi i Tripolit u realizua në vitin 22 h. Pra, që nga ajo kohë, Feja Islame ka depërtuar në Libi përmes shokëve të Muhamedit a.s., si dhe kishte vazhduar të përhapej më tutje nëpër zonat e tjera brenda dhe jashtë Libisë.(9)
Klima
Klima në shumicën e rajoneve të Libisë karakterizohet nga thatësira dhe ndryshime të mëdha të temperaturës. Zona e shkretëtirës së madhe në jug dhe në detin Mesdhe, në veri konsiderohet nga faktorët kryesorë që përcaktojnë klimën e vendit. Ndërsa, në zonën bregdetare, stina e dimrit llogaritet e butë, ndonëse në disa zona të larta ndonjëherë bie borë, por nuk ka rënie të temperaturave mesatare nën pesë gradë celsius. Ndërkaq, stina e verës konsiderohet relativisht e nxehtë; aty temperaturat maksimale në muajin gusht nuk e kalojnë temperaturën mesatare mujore gjatë kësaj periudhe, 30 gradë celsius, dhe gjatë verës nuk bie as shi. Reshjet atmosferike në zonat shkretinore janë të rralla, por ndonjëherë ndodhin stuhi të mëdha të shoqëruara me shi të madh, e ndonjëherë tjetër mund të bjerë edhe borë. Në përgjithësi, Libia karakterizohet nga një klimë e butë dhe kjo e bën vendin tërheqës dhe një terren të rëndësishëm të industrisë dhe turizmit.(10)
Gjendja ekonomike
Ekonomia e Libisë varet kryesisht nga sektori i naftës, që menaxhohet nga qendra e qeverisë. Në kohën e sanksioneve ndërkombëtare, gjatë periudhës së embargos të viteve të '90, ekonomia e vendit ka pësuar mjaft. Mirëpo, menjëherë pas heqjes së sanksioneve ndërkombëtare në vitin 2003 dhe të SHBA-ve në vitin 2004 ndaj Libisë, Qeveria libiane është angazhuar për të aktivizuar reformat ekonomike, kështu që mori disa masa konkrete për të forcuar rolin e sektorit privat, si: ulja e çmimit të interesit për të nxitur kërkesën për kredi nga sektori privat, inkurajoi investimet private vendase dhe ato të huaja; nxjerrja e ligjit të ri për taksa shfuqizoi koncesionet doganore për institucionet publike, reduktoi taksat mbi importet, si dhe filloi përgatitjen e një ligji të ri bankar, që Bankës Qendrore Libiane t'i jepej pavarësia në menaxhimin e politikës monetare dhe për të forcuar mbikëqyrjen bankare. Industritë më të rëndësishme të vendit janë: e hekurit, çelikut, çimentos, materialit ndërtimor, plehrave dhe disa degë të tjera të industritë. Prodhimet më të rëndësishme bujqësore dhe ushqimore të vendit janë: elbi, gruri, domatet, patatet, ullinjtë, hurmat, perimet, frutat dhe mishi.(11)
_______________________________________________
(1) Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 506. Mektebetul Adab, 2007 Kajro.Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame f. 18, 19. Logos-a, 2009, Shkup. Vladimir Zoto Enciklopedi gjeografike e botës, f. 138, 139. Dasara, 2007, Tiranë.
(2) lotr. do-goo.com/t4304-topic.
(3) ww.moqatel.com
(4) www.moqatel. com
(5) universities.roro44.com
(6)en.wikipedia.org
(7) libyano. maktoobblog.com.
(8) ar.wikipedia.org
(9)Tarihul Fet'hil Arabi fi Libia; Et-tahir Ahmed Ez-zavi, f. 34, 35, 36, 39, 40, 42, 46, 48, 55. Darul Merad El Islami, 2004 , bot. 4, Bejrut - Liban. (Libër i shkarkuar nga interneti). Dr. Muhamed Suhej Tak-kush; Et-tarihul islami (elvexhiz), f. 91. Daru N-nefais, 1429 bot. i 4, Bejrut, Liban. Prof. Dr. Abdurrahman Abdul Vahid Esh shuxha'ë; Dirasatun fi ahdi n-nbuv-veti vel hilafeti r-rashide, f.. 473, Mektebetul Ihsan, bpt. 6, 2009, San'a - Jemen. Dr. Ali Muhammed Muhammed Es-sal-labi; Umer ibn Hat-tabi r.a., f.. 603. Bot. i 1. Darul Fexhr lit-turath, 2003m, Kajro - Egjipt.
(10) libyano.maktoobblog.com.
(11) ar.wikipedia.org/wiki.
Mr. Samir B. Ahmeti