Ka nisur prodhimi i Kiswah-së së Qabes për vitin 2027

 



Prodhimi i Kiswah-së së Qabes për vitin hixhri 1449 (2027) ka nisur në Kompleksin Mbretëror Abdulaziz për Kiswah-në e Qabes së Shenjtë, në zonën Umm Al-Joud të Mekës, vetëm pak ditë pasi mbulesa e vitit 1448 H u vendos mbi Qaben në Xhaminë e Madhe (Masjid al-Haram).
Çdo Kiswah kërkon deri në 10 muaj për t'u përfunduar. Në krijimin e saj marrin pjesë afro 200 specialistë të kualifikuar, përfshirë qëndistarë, endës, teknikë, dizajnerë dhe rrobaqepës.
Këtë vit, Kiswah-ja e vitit 1448 H u prodhua nga rreth 150 artizanë sauditë, të cilët i kushtuan gati 11 muaj punë për përfundimin e saj.
Cikli i prodhimit fillon pothuajse menjëherë pas çdo vendosjeje dhe vazhdon deri në muajin e ardhshëm të Muharamit.
Çdo Kiswah punohet me kujdes të jashtëzakonshëm duke përdorur afërsisht 670 kilogramë mëndafsh të papërpunuar, të ngjyrosur në të zezë.
Më pas ajo zbukurohet me ajete kuranore të qëndisura me rreth 120 kilogramë fije ari 21-karatësh dhe afërsisht 100 kilogramë fije argjendi.
Mbulesa përfundimtare përbëhet nga 47 pjesë të mëndafshit të zi luksoz, të qëndisura me hollësi dhe të montuara me dorë për të krijuar një kryevepër madhështore.
Pasi përfundon, Kiswah-ja peshon rreth 1,415 kilogramë. Ajo përbëhet nga dy shtresa të plota: një shtresë e jashtme prej mëndafshi të zi të qëndisur dhe një shtresë e brendshme prej pambuku me ngjyrë të bardhë të zbehtë.
Ceremonia e ndërrimit të Kiswah-së është zhvendosur në 1 Muharam, ditën e parë të Vitit të Ri Islam, për t'ju përshtatur më mirë nevojave të ruajtjes dhe organizimit.
Kiswah-ja e vitit 1449 H pritet të vendoset në fillim të Muharamit 1449, i cili bie në vitin 2027.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë Barjami në Prishtinë - Intervistë me qytetarët