Për herë të parë, ezani dëgjohet publikisht në qendër të Reginës, Kanada

 


Xhamia 'Regina City Jamia Masjid' ka shënuar një moment historik duke transmetuar për herë të parë publikisht ezanin në qendër të qytetit të Reginës, në provincën Saskatchewan të Kanadasë.
Transmetimi u realizua të premten, më 19 qershor 2026, pak minuta para namazit të xhumasë, pasi autoritetet lokale dhanë lejen për përdorimin e altoparlantëve. Ky projekt ishte rezultat i një pune disa mujore të komunitetit mysliman në bashkëpunim me institucionet vendore.
Sipas lejes së dhënë nga qyteti, ezani do të transmetohet çdo të premte para namazit të xhumasë për 2-3 minuta. Leja fillestare është e vlefshme deri në fund të muajit korrik dhe mund të rinovohet nëse iniciativa vlerësohet e suksesshme.
Përfaqësuesi i xhamisë, Anisur Rahaman, deklaroi se transmetimi i ezanit do të ndihmojë që si myslimanët, ashtu edhe qytetarët e tjerë, ta njohin më mirë 'Regina City Jamia Masjid' dhe aktivitetin e saj. Ai falënderoi autoritetet e qytetit dhe Policinë e Reginës për mbështetjen dhe miratimin e këtij projekti, duke e cilësuar atë si një shembull të respektimit të diversitetit kulturor dhe fetar.
Komuniteti mysliman ka bërë të ditur gjithashtu planet për zgjerimin e aktivitetit të tij, përmes hapjes së një qendre për kujdesin e fëmijëve, një shkolle islame dhe një xhamie tjetër, në përgjigje të rritjes së vazhdueshme të numrit të besimtarëve në provincën Saskatchewan.
Sipas të dhënave të Statistics Canada, popullsia myslimane në Saskatchewan është rritur nga rreth 10 mijë banorë në vitin 2011 në mbi 25 mijë në vitin 2021, ku pjesa më e madhe jeton në qytetet Regina dhe Saskatoon.
Edhe pse ngjarja u prit pozitivisht nga komuniteti mysliman, ajo u shoqërua edhe me reagime kritike nga disa media dhe individë që kundërshtuan transmetimin publik të ezanit. Megjithatë, për komunitetin mysliman ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e lirisë së besimit, bashkëjetesës dhe përfshirjes së komuniteteve të ndryshme në jetën publike të qytetit.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Shkolla Verore mirëpret fëmijët nga data 6 korrik