Roli i vakëfeve në historinë e shtetit islam ka dëshmuar moralin e besimtarit në aktivitetet ekonomike për shpenzim në udhën e Zotit.
Pa marrë parasysh qëndrimet ideologjike, ekonomia gjen shprehjen kur merren në konsideratë tri problemet kryesore, që janë(1)
1. Vendimi për prodhim (çka të prodhohet);
2. Vendimi i menaxhmentit (si të prodhohet); dhe
3. Vendimi për distribuim (për kë?).
Ekonomia islame ka botëkuptimet dhe mekanizmat e vet për t'i adresuar dhe për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Këto botëkuptime dhe mekanizma dallojnë nga ato që ofrojnë sistemi socialist dhe ai kapitalist për sa u përket përgjigjeve dhe pyetjeve të njëjta. Porse, pa marrë parasysh botëkuptimet e përmendura ka një gjë të përbashkët në mes këtyre sistemeve ekonomike: ligji i mungesës apo mangësisë. Kjo do të thotë që burimet ekonomike janë të mangëta, të kufizuara në krahasim me dëshirat njerëzore të pakufishme. Për shembull, nëse ekzistojnë dy produkte A dhe B, të cilat kanë të njëjtin burim dhe shfrytëzohen plotësisht, nëse dëshirojmë të kemi më shumë prodhime të llojit A, duhet të prodhohet më pak nga lloji B. Kështu, shoqëria duhet të vendosë se si duhet t'u jepet prioritet produkteve rivale, të cilat i bëjnë konkurrencë njëra-tjetrës në burimet që janë të limituara.
Vendimi për prodhim (çka të prodhohet)
Kjo çështje nuk vlen vetëm për natyrën e produkteve që duhen prodhuar, por edhe autoritetin për vendimmarrje për prodhim - menaxhim, treg ose kombinim i të dyjave. Pjesa e parë e pyetjes ngërthen në vete ligjin e mungesës, pasi burimet ekonomike garojnë për të prodhuar gjërat e domosdoshme, të nevojshme dhe ato zbukuruese. Solucioni bazuar në qëllimet e Sheriatit, është dhënia e prioriteteve dhe alokimit të burimeve ekonomike për të siguruar që prodhimi i gjërave të domosdoshme të vihet në rend të parë për të plotësuar standardin minimal, pastaj prodhimi i gjërave të nevojshme për t'i eliminuar vështirësitë dhe, në fund, të prodhohen gjërat zbukuruese për të përmirësuar cilësinë e jetës. Çdo devijim nga procesi i prioriteteve, shpie në alokim jo të drejtë të burimeve ekonomike nga perspektiva e drejtësisë socio-ekonomike, për shembull plotësimi i prodhimeve luksoze më shumë se i atyre që janë të nevojshme për jetë, devijon nga botëkuptimi islam.(2)
Pjesa e dytë e pyetjes përmban në vete impaktin e qëllimeve të Sheriatit në lidhje me vendimin e prodhimeve që përfshin mekanizmat e tregut dhe rolin e qeverisë. Tregtia e lirë ka ekzistuar edhe para ardhjes së Muhamedit a.s. dhe ka vazhduar të ekzistojë edhe më vonë duke i bërë disa kufizime, si p.sh. ndalimi i kamatës dhe gjërave spekulative gjatë transaksioneve biznesore. Ajeti kuranor "Allahu e ka lejuar tregtinë dhe e ka ndaluar kamatën" (El Bekare, 276), tregtinë e lirë e ka pranuar si një autoritet legjitim për lirinë e shitësve dhe blerësve. Pejgamberi a.s. ka këshilluar dhe ka mbikëqyrur tregun gjatë kohës së tij, për të siguruar një tregti të lirë duke i shtuar edhe anën etike të biznesit. Kjo lloj mbikëqyrjeje e tregut është bërë përmes institucionit të Hisbah ut, i cili nuk e kontrollonte vetëm tregun, po çdo gjë që kishte të bënte me aktivitetet ndërnjerëzore.3
Tregu i lirë mund të jetë mjet i padrejtësisë, nëse nuk kontrollohet me shumë kujdes dhe me drejtësi; padrejtësia bëhet duke krijuar mungesë në mënyrë artificiale përmes monopoleve të krijuara dhe spekulatorëve të pakujdesshëm. Ibn Tejmije, kur është pyetur se a është e drejtë a e padrejtë ngritja e çmimeve, është përgjigjur se ngritja a zbritja e çmimeve nuk ndodh gjithmonë për shkak të padrejtësisë. Kjo mund të ndodhë edhe për shkak të mungesës në prodhim dhe furnizim të produkteve të caktuara.
Ai ka përmendur disa raste kur ngritja e çmimeve konsiderohet padrejtësi dhe kur për këto raste kërkohen politika korrektuese nga shteti. Prandaj shteti ka një rol të rëndësishëm në rregullimin e sjelljeve në treg përmes politikave ekonomike, nëse e kërkon nevoja. Hisbah ka qenë një institucion rregullues shumë i rëndësishëm në historinë islame. ai monitoronte dhe rregullonte sjelljet në treg në baza ditore. Për më shumë, bazuar në parimet islame, një shtet në raste të veçanta mund të përdorë politika për të influencuar në strukturën e burimeve shtetërore përmes taksave dhe subvencionimeve. Për shembull, duke subvencionuar gjërat në mungesë, të cilat janë të domosdoshme dhe të nevojshme dhe duke i tatimuar gjërat luksoze.
Vendimi i menaxhmentit (si të prodhohet)
Kjo pyetje përfshin në vete çështje të ndryshme në lidhje me organizimin e prodhimit, pjesëmarrjen e faktorëve, financimin dhe teknologjinë. Organizimi i prodhimit zakonisht lidhet me organizimin e disa faktorëve në një firmë dhe angazhimin e tyre në prodhim. Në ekonominë e rëndomtë ekzistojnë tre faktorë kryesorë të prodhimit: puna, kapitali dhe vendi/ trualli, shpeshherë shtohet edhe faktori tjetër - 'ndërmarrësi'. Ndërmarrësi i projektit është të shumtën e rasteve pronar dhe menaxher i kompanisë, i cili i angazhon shërbimet e faktorëve të tjerë me çmime të caktuara (pagat për punëtorë, kamatën për kapitalin dhe qiranë për truallin) për të prodhuar një produkt të caktuar dhe për ta shitur atë me një çmim rentabël. Objektiv i ndërmarrësit është ta shesë produktin final duke siguruar një fitim maksimal. Me një përshkrim të shkurtër, kjo është struktura e organizimit konvencional në botën moderne industriale: korporata publike, kompani private dhe shoqëri me përgjegjësi të kufizuara dhe partneritete.
Tregu i kapitalit luan një rol të rëndësishëm në ekonominë islame, ndalesa e kamatës (riba) ka bërë që investimet të bëhen në formën e partneritetit përmes modelit të mudaraba dhe musharaka, duke zëvendësuar financimin bazuar në kamatë. Mudaraba bëhet e mundur kur ai që siguron kapitalin (rabbul mal), financon palën tjetër mudarib në ndonjë projekt fitimprurës. Në vend që të vendoset një çmim fiks për kthim për kapitalin e financuar, kontrata e mudarabas tregon se ata do të ndajnë përqindje të caktuar në fitimin që parashihet të realizohet. Një alternativë tjetër nga kjo është musharaka, një koncept sipas të cilit dy a më shumë partnerë participojnë me kapital për të bërë një biznes dhe pajtohen për përqindje të ndarjes së humbjes dhe të fitimit, në varësi nga përfundimi i projektit për të cilin janë dakorduar.(4)
Organizimi, financimi dhe teknologjia janë shumë të ndërlidhura. Kompanitë e organizuara mbi parimet konvencionale të ekonomisë, mbështeten kryesisht në tregun e kapitalit të bazuar në kamatë, ndërsa ato të organizuara sipas parimeve të ekonomisë islame, bazohen kryesisht në partneritet me bartje rreziku dhe ndarje fitimi. Kjo tregon se kompanitë konvencionale janë më agresive dhe më destabilizuese kur kemi të bëjmë me angazhimin e fuqisë punëtore se ato kompani të bazuara në partneritet sipas parimeve ekonomike islame.
Vendimi për shpërndarje(për kë?)
Faktori i kompensimit dhe vëmendja për drejtësi socio-ekonomike ndërlidhet kryesisht me këtë pyetje. Është e rëndësishme të përkufizohet drejtësia si "trajtim i barabartë për gjëra të barabarta dhe trajtim jo i barabartë për gjëra të pabarabarta". Është e padrejtë të paguhen dy punëtorë ndryshe, nëse kanë dhënë mundin e njëjtë në punën e njëjtë. Gjithashtu, është e padrejtë të paguhen njësoj dy punëtorë nëse nuk kanë dhënë mundin e njëjtë në punën e njëjtë. Drejtësi nuk do të thotë të kërkohet çmim i njëjtë për artikuj të ndryshëm (shembull: grurë, mjaltë, gjëra elektronike). Prandaj, tregu duhet të funksionojë nën një monitorim të vazhdueshëm për t'u mbrojtur nga manipulimi i çmimeve, krijimi i mungesës në mënyrë artificiale dhe nga padrejtësi të çdo lloji.
Shpërndarja në treg reflekton kompensimin e faktorëve që kanë kontribuar për të prodhuar produktin e caktuar sipas strukturës që i bashkon faktorët e prodhimit. Në konceptin konvencional, kompensimi i tregut përfshin katër kategori: pagat e punëtorëve, kamatën mbi kapitalin për investim, qiranë për vendin/ truallin dhe fitimin për ndërmarrësin e projektit. Meqenëse sipas parimeve islame kamata është e ndaluar, korporata duhet të ketë vetëm tri kategori: pagat, qiranë dhe fitimin. Investuesi i kapitalit me ndërmarrësin e ndajnë fitimin sipas konceptit të mudarabas, duke i lënë hapësirë më shumë distribuimit më të këndshëm dhe angazhimit më të favorshëm të teknologjisë për punëtorët.
Nëse diskutohet kjo temë edhe më ngushtë, tregu nuk është mjeti ideal për të afektuar të ardhura dhe shpërndarje të pasurisë në mënyrë të drejtë. Në njërën anë, tregu sjell artikuj privatë/individualë, siç janë: ushqim, rroba, këpucë etj., dhe nuk sjell artikuj që janë për t'u konsumuar nga të gjithë në mënyrë kolektive, siç janë: mbrojtja nacionale, shërbimet policore, shëndetësia publike etj.. Mekanizmi i tregut është i pafuqishëm për t'i rregulluar këto çështje, por i jep të drejtë forcës shtetërore për të siguruar shërbimet publike, luftimin e varfërisë dhe shpërndarjen e pasurisë. Në aspektin konvencional, kjo është një punë e financave publike, për se qeveritë mbështeten në armën e taksave dhe politikave fiskale, për të siguruar shërbimet publike dhe për të zgjidhur problemin e varfërisë dhe rasteve sociale.(5)
Një shtet i ndërtuar mbi parimet islame mund të ketë politika të ngjashme për stabilizimin dhe rregullimin e shërbimeve publike përmes taksave dhe politikave fiskale, duke u bazuar në dy shtylla të nxjerra nga mësimet kuranore. Shtylla e parë është funksionimi i zekatit, i cili është edhe shtyllë e Islamit, që i qarkullon fondet nga të pasurit tek të varfrit dhe të nevojshmit. Shtylla e dytë është funksionimi i institucionit të vakëfit. Taksat kishin një rëndësi jo shumë të madhe për shkak se, për të luftuar varfërinë dhe për financimin e shërbimeve publike, rolin kryesor e luanin institucionet e vakëfit. Mobilizimi i donacioneve të mëdha që ishin në shkallë të madhe, bënin të mundur financimin e projekteve shumë të mëdha publike, që tani financohen nga taksat dhe shpenzimet fiskale, si për shembull, ndërtimi i shkollave, spitaleve, rrugëve, ndriçimi i rrugëve, etj.. Roli i vakëfeve në historinë e shtetit islam ka dëshmuar moralin e besimtarit në aktivitetet ekonomike për shpenzim në udhën e Zotit. Institucioni i vakëfit dhe rëndësia e tij është e njohur në mbarë Botën Islame edhe sot e kësaj dite.
Dituria Islame 269