Qëndrimi i jobesimtarëve ndaj Shpalljes dhe Pejgamberit a.s., dhe kërcënimi i tyre për shkak të përgënjeshtrimit dhe mohimit
"Kështu, sa herë që një i dërguar vinte te popujt para tyre (mekasve), ata thoshin: "Është magjistar", ose "Është i çmendur!" Vallë, a mos ia kanë pasuar këtë njëri-tjetrit? Jo, por ata vetë janë popull që e kanë tepruar! Prandaj shmangu prej atyre; ti nuk do të qortohesh për këtë! Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve. Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. Vërtet Allahu është Furnizuesi i Vetëm, I Fuqishmi, I Plotpushtetshmi. Pa dyshim, ata që kanë bërë të këqija do të kenë pjesën e tyre të dënimit, të ngjashme me pjesën e shokëve të tyre (të mëparshëm), prandaj të mos e kërkojnë shpejtimin e tij. Dhe mjerë mohuesit nga Dita (e Gjykimit) që u është premtuar!" (Edh-Dharijat, 52-60)
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake
Pasi që në ajetet paraprake pamë argumente të qarta e të njëpasnjëshme për Njëshmërinë e Allahut, për Ringjalljen, për madhështinë krijuese të Allahut, dhe përmendjen e popujve të kaluar që u shkatërruan për shkak të mospërfilljes së udhëzimit hyjnor, tash, në këto ajete, shohim këshillën që i jepet të Dërguarit të Allahut, pra që t'u shmanget atyre njerëzve të pabindur, dhe të mos ua var veshin ironive dhe sarkazmave të tyre, por të përqendrohet në misionin e tij dhe të këshillojë besimtarët me këshilla të ngrohta, të cilat ua mbushin shpirtin dhe zemrat e tyre me besim. Ai duhej vetëm t'ua shpjegonte se qëllimi thelbësor i krijimit të tyre ishte të adhuronin Allahun Fuqiplotë e Mëshirëmadh.
Koment:
52. Kështu, sa herë që një i dërguar vinte te popujt para tyre (mekasve), ata thoshin: "Është magjistar", ose "Është i çmendur!"
Ky ajet, ka ardhur si qetësim për të Dërguarin e Allahut, që të mos dëshpërohej nga përgënjeshtrimi që po ia bënin mekasit, sepse edhe pejgamberët para tij kishin përjetuar të njëjtat mundime psikike e fizike. Pothuajse secili popull ku Allahu dërgoi pejgamberët e Tij etiketuan padrejtësisht të Dërguarit e tyre, me etike time si: "të çmendur", apo edhe "magjistar". Ata nuk po arrinin të kuptonin se Allahu xh.sh. i kishte dërguar ata si mëshirë, për t'i shpëtuar nga kthetrat e robërisë djallëzore...
53. Vallë, a mos ia kanë pasuar këtë njëri-tjetrit?! Jo, por ata vetë janë popull që e kanë tepruar!
Përgënjeshtrimi i të Dërguarve të Allahut, thuajse ishte përcjellë brez pas brezi dhe te popuj të ndryshëm. Këto qëndrime jonjerëzore nga ana e tyre janë si pasojë e verbërisë që e kishin në zemra. Ata nuk shihnin dritën e udhëzimit të tyre, sepse ishin mbështjellë me pëlhurën e injorancës, e cila sikur një koracë e vrazhdët nuk i lejonte ta shihnin realitetin e mirëfilltë. Edhe vetë ajeti ka ardhur në formë të një pyetjeje retorike, me qëllim të vetëdijesimit të atyre njerëzve, se veprimet e tyre ishin jologjike dhe të pakuptimta.
54. Prandaj shmangu prej atyre; ti nuk do të qortohesh për këtë! 55. Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve.
Ashtu siç kemi përmendur në fillim të sures, për këto dy ajete ka shkaqe të zbritjes. Në lidhje me këtë transmetojnë Ibën Muni'ë, Ibën Rehavije dhe Hejthem bin Kulejbi, në Musnedet e tyre, nëpërmjet rrugëve të transmetimit që shkojnë deri te Muxhahidi, e ky nga Aliu r.a., të ketë thënë: "Kur pati zbritur (ajeti i 54-të): "Prandaj shmangu prej atyre, ti nuk do të qortohesh për këtë!", nuk mbeti askush prej nesh që të mos ishte bindur se shkatërrimi ishte afër, pasi që i Dërguari i Allahut ishte urdhëruar të largohej prej nesh, por menjëherë zbriti (ajeti i 55-të): "Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve!", dhe shpirtrat tanë u qetësuan."(1)
Gjithashtu, transmeton Ibën Xheriri nga Katadeja, të ketë thënë: "Na është përcjellë neve se, kur kishte zbritur ajeti: "Prandaj shmangu prej atyre...!", kjo gjë i kishte shqetësuar e frikësuar sahabët e Resulullahit s.a.v.s., sepse ata mendonin se Shpallja do të ndalej, dhe ndëshkimi ishte afër, por kishte zbritur ajeti: "Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve!".(2)
Porosia e këtyre dy ajeteve na rikthen në një pikë mjaft të rëndësishme, prej së cilës kuptojmë se të Dërguarit e Allahut nuk ishin dërguar për të mallkuar apo luftuar popujt e tyre, përkundrazi kishin ardhur si mëshirë dhe udhërrëfyes. E, meqë sfera e besimit është një liri tjetër individuale, si dhe veçanti e krijesës njerëzore, atëherë mesazhi është më se i qartë. Kjo porosi i drejtohet Pejgamberit a.s. në kuptimin që, nëse ata besojnë, kjo është në të mirën e tyre, por nëse ata të mohojnë dhe nuk të përfillin, atëherë shmangu nga ata sepse nuk do të jesh i qortuar nga Zoti i botëve për këtë veprim. Feja apo besimi nuk imponohet me dhunë apo vrazhdësi. Besimi në Zotin e kësaj ekzistence thjesht është dhuratë dhe ndjesi lumturie që e pushton vetëm atë zemër a shpirt që e pranon çiltërsinë e imanit në Krijuesin e tij.
Edhe porosia tjetër për të Dërguarin a.s., që t'i këshillonte vëllezërit e motrat e tij, ka një domethënie të veçantë, sepse këshillat e tij janë më se të dobishme për ta, si në atë kohë ashtu edhe për ne sot. Këshillat e ngrohta e të sinqerta na ndërgjegjësojnë që të jemi të kujdesshëm në raport me Zotin xh.sh., me rrethin, shoqërinë dhe familjen, por mbi të gjitha na japin vetëdije për amanetin që e kemi marrë përsipër qysh në Ezel.
Disa dijetarë kanë shkuar nga mendimi se fjala përkujto, apo këshillo, nënkupton ndërgjegjësimin e besimtarëve për pësimet që kishin përjetuar popujt jobesimtarë para tyre, pra si shkak i rebelimit ndaj urdhëresave hyjnore.
56. Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.
Ajeti i 56 i kësaj sureje sqaron njërin nga sekretet më madhështore të kësaj ekzistence, urtësinë e krijimit të njerëzve dhe xhindeve nga ana e Allahut Fuqiplotë. E kjo urtësi është adhurimi, respektimi dhe nënshtrimi ndaj Krijuesit tonë të Gjithëpushtetshëm. Allahu i Lartmadhërishëm së pari e krijoi ekzistencën, yjësitë, galaktikat dhe trupat e tjerë qiellorë, të cilët i shpërn dau nëpër gjithësi, pastaj zgjodhi Tokën, nga elementet e së cilës na krijoi edhe ne, duke na bërë mëkëmbës dhe zotërues të saj.
Prandaj, edhe ardhja jonë në këtë botë, dhe mëkëmbja që na është dhuruar nga Fuqiploti, pra e ka një qëllim, e ai është adhurimi-ibadeti. Pikërisht adhurimi është ai që i lidh xhindet dhe njerëzit me ligjin e jetës, dhe është ndjenjë e cila pushton qenien e çdo besimtari, përderisa kryhet konform porosive hyjnore. Sepse, nëpërmjet adhurimit ne afrohemi pranë mëshirës së Allahut, I Cili, pra, na krijoi për këtë qëllim fisnik...
57. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. 58. Vërtet Allahu është Furnizuesi i Vetëm, I Fuqishmi, I Plotpushtetshmi.
Domethënia e këtij ajeti fisnik na rikujton edhe një herë qëllimin e lartë të krijimit tonë. I Gjithëmëshirshmi nuk na ka krijuar që Ai të ketë ndonjë dobi prej nesh (I zhveshur është I Madhërishmi nga të tilla mangë si!). Por, Ai dëshiron që nëpërmjet ibadetit ta njohim madhështinë dhe mëshirën e Tij të pakufishme.
Në ajetin e 58-të është përmendur edhe një prej emrave të bukur të Allahut "Er-Rrezzak-Furnizuesi", i cili emër nënkupton se vetëm Allahu është furnizuesi i të gjitha nimeteve, mirësive e begative, si për njeriun ashtu edhe për çdo krijesë. Pikërisht kjo është një nga arsyet kryesore që njeriun duhet ta bëjë të vetëdijshëm për mangësi dhe dobësi të tij në raport me Krijuesin, I Cili furnizon çdo krijesë me pjesën e riskut që ia ka caktuar. Ne nuk duhet të hutohemi e të ngarendim pas pasurisë dhe iluzioneve të rreme të kësaj bote, e as të mburremi me pasuri, sepse tërë atë çka e posedo jmë është dhuratë nga I Madhi, Zoti, e të cilën na e ka lënë nën administrim dhe shfrytëzim të përkohshëm në këtë botë.
Transmetojnë Imam Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe, nga Ebu Hurejra r.a., të ketë thënë: "Ka thënë i Dërguari i Allahut: "Allahu xh.sh. thotë: O biri i Ademit, përqendrohu dhe përkushtoju adhurimit Tim, sepse do ta mbush zemrën tënde me pasuri dhe do t'i mbylli dyert e varfërisë, por nëse nuk e bën këtë, do ta mbush zemrën tënde me preokupime (të dynjasë) dhe nuk do të t'i mbylli dyert e varfërisë!"(3)
59. Pa dyshim, ata që kanë bërë të këqija do të kenë pjesën e tyre të dënimit, të ngjashme me pjesën e shokëve të tyre (të mëparshëm), prandaj të mos e kërkojnë shpejtimin e tij.
Ata njerëz që i bënë zullum dhe padrejtësi vetvetes, duke mohuar, apo duke i bërë shirk Allahut, duke mohuar Ringjalljen apo jetën pas vdekjes, apo duke përgënjeshtruar mësimet e të Dërguarve të Allahut, do ta kenë pjesën e tyre të ndëshkimit ashtu siç e kanë edhe të gjitha ato gjenerata apo breza para tyre, e që do ta kenë edhe ata që vijnë me të tilla bindje të mbrapshta e të çoroditura. Madje, ajeti në fjalë, u drejtohet këtyre grupeve të mëkatarëve, që të mos kërkojnë përshpejtimin e këtij ndëshkimi, sepse ai sigurisht që do të vijë, por do të vijë vetëm atëherë kur edhe është përcaktuar nga I Gjithëdijshmi. Për një gjë të tillë na flet edhe ajeti i 1-rë i sures "En-Nahl", ku I Lartmadhërishmi thotë: "Erdhi (është afruar) caktimi i Allahut (Kiameti), prandaj mos kërkoni përshpejtimin (ardhjen para kohës) e tij!"
Idhujtarët, por edhe jobesimtarët, nëpër kohë të ndryshme i sfidonin haptazi të Dërguarit e Allahut, kur në formë talljeje e ironie u thoshin: "Na e sillni atë ndëshkim apo ditë të gjykimit me të cilën po na kërcënoni!" Në lidhje me këtë flasin shumë ajete ku ranore, si këta: "... Kur do të realizohet ky "premtim" (kërcënim), nëse e thoni të vërtetën?" (El-Mulk, 25); dhe: "...Atëherë na e sill që të na godasë ajo me çfarë na kërcënon, nëse thua të vërtetën!" (Hud, 32).
60. Dhe mjerë mohuesit nga Dita (e Gjykimit) që u është premtuar!
Surja "Edh-Dharijat", përfundon me këtë ajet, i cili dëfton për mjerimin dhe dëshpërimin me të cilin do të ballafaqohen mohuesit në Ditën e Gjykimit. Atë që deri dje e kishin mohuar me ngulm, duke pretenduar se me vdekje përfundon çdo gjë për njeriun, tash do ta shohin në realitetin e mirëfilltë kur të ringjallen. Por, tashmë ka marrë fund çdo gjë. As pendimi e as keqardhja nuk mund t'i shpëtojë nga dënimi i dhimbshëm që do t'i godasë ata. Por, kjo ishte zgjedhja e tyre e lirë, kjo ishte rruga e tyre, që e kishin ndjekur dhe që i kishte shpënë në devijim e humbje të përjetshme, andaj në Ditën e Gjykimit nuk kanë arsye ta akuzojnë e qortojnë askënd përveç vetvetes... Allahu i Madhërishëm na ruajt nga një përfundim i tillë!
Porosia e këtyre ajeteve: (52-60)
- Përgënjeshtrimi i të Dërguarve të Allahut ishte një praktikë e popujve të mbrapshtë e të devijuar. Ata i quanin ose të çmendur ose magjistarë. Madje, në këtë rast Kurani famëlartë ka përdorur shprehje alegorike, thuajse popujt e kanë këshilluar njëri-tjetrin që ta mbanin këtë qëndrim fyes, nënçmues e përqeshës ndaj të Dërguarve të Allahut. Ky ajet synon ta qetësojë të Dërguarin a.s. që të mos preokupohet e as të dëshpëro het nga injorimi i ftesës së tij nga ana e kurejshëve, por të vazhdojë i pathyeshëm misionin e tij të shenjtë.
- Allahu xh.sh. e porositi që, madje as të polemizojë me idhujtarët nga populli i tij, por të këshill ojë besimtarët me këshilla të mira, të cilat u bëjnë dobi për jetën e tyre por edhe për ahiretin. Disa dijetarë në lidhje me këtë kanë thënë se këshilla u drejtohej edhe atyre njerëzve që hëpërhë ishin idhujtarë, por të cilët sipas Dijes paraprakë të Alla hut xh.sh. në një të ardhme të afërt do të bëheshin myslimanë të devotshëm.
- Qëllimi i të përkujtuarit dhe këshillimit të besimtarëve ishte ndërgjegjësimi i tyre për qëllimin e krijimit të tyre, që të adhuronin Allahun Fuqiplotë. Zaten të Dërguarit i kishin dy synime parësore: adhurimin e Allahut, dhe udhëzimin e njerëzve në rrugën e vërtetë.
- Allahu i Lartmadhërishëm nuk ka nevojë për adhurimin e krijesave, as për namazin, lutjet, agjërimin etj., por ne jemi të nevojshëm për mëshirën e Tij. Ai është Furnizuesi, Fuqiploti, I Panevojshëm për asgjë, sepse është Vetë Krijuesi i çdo gjëje në këtë ekzistencë.
- Idhujtarët mekas do të ndëshkohen për ligësitë e tyre, ashtu siç do të ndëshkohen edhe popujt jobesimtarë para tyre, pra për të njëjtat qëndrime ndaj udhëzimit hyjnor.
- Jobesimtarët do të jenë në mjerim të madh në Ditën e Gjykimit, kur do ta shohin realitetin e asaj dite të vështirë, duke u marrë në llogari, të cilën ata gjatë jetës në këtë botë e kishin refuzuar dhe injoruar me tallje e përbuzje. (Fund)
________________________________________________
(1) Lubabu-n-nukulifiesbabi-n-nuzuli, f. 245. Shih po ashtu: Isam bin Adulmuhsinel-Humejdan, Es-Sahihumines babi-n-nuzuli, f. 300. Ndonëse në isnadin e këtij hadithi ka shkëputje mes Aliut r.a. dhe Muxhahidit, megjithatë, ky had ith arrin gradën "sahih" i asistuar nga transmetime të tjera të ngjashme, siç është ai që e përcjell Ibën Xheriri nga Katadeja.
(2) Lubabu-n-nukulifiesbabi-n-nuzuli, f. 245. Shih po ashtu: Es-Sahihuminesbabi-n-nuzuli, f. 300.
(3) Vehbeez-Zuhajli, Et-TefsirulMunir, vëll. XXVII, f. 52.Tirmidhiu e konsideron hadith "hasen"
Sabri Bajgora