Përurohet projekti i mobilimit të bibliotekës së Xhamisë “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë

 


Në ambientet e kompleksit të Xhamisë "Sylejman Hadum Aga" në Gjakovë u mbajt ceremonia solemne e përurimit të projektit të mobilimit të bibliotekës së këtij kompleksi, një investim me rëndësi të veçantë për zhvillimin e veprimtarisë arsimore, kulturore dhe fetare në kuadër të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës.
Ceremonia u moderua nga imami Atdhe ef. Xhiha dhe nisi me lexim nga Kurani Famëlartë, të cilin e interpretoi hafizi Safet Hoxha.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, dr. Valon Myrta, e vlerësoi realizimin e këtij projekti si një kontribut të çmuar në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e dijes, duke theksuar se biblioteka do të shërbejë si një hapësirë studimi dhe leximi për të gjithë dashamirët e librit.
Më pas, të pranishmëve iu drejtua Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili nënvizoi rëndësinë e investimeve në institucionet e dijes dhe edukimit, duke theksuar se bibliotekat janë qendra të formimit intelektual e shpirtëror dhe një garanci për ruajtjen e identitetit fetar e kulturor të shoqërisë.
Pas tij, fjalë rasti mbajtën komandanti i Kontingjentit Turk në kuadër të KFOR-it, Harun Elitaş, ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, dhe zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fikrim Damka, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij projekti si një investim në dije, kulturë dhe edukim, duke theksuar njëherazi bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.
Ceremonia u përmbyll me fjalën e donatorit të këtij projekti, Kryetari i 29-të i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Prof. Dr. Mustafa Şentop, i cili shprehu kënaqësinë për realizimin e projektit dhe vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, duke ritheksuar gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e projekteve që kontribuojnë në zhvillimin e arsimit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Në fund, pas lutjes së rastit të bërë nga imami Atdhe ef. Xhiha, u bë prerja solemne e shiritit, me ç'rast u vu zyrtarisht në funksion biblioteka e mobiluar.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve fetare, shtetërore, diplomatike dhe ushtarake, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, pjesëtarë të KFOR-it turk dhe mysafirë të shumtë.
Pas përfundimit të ceremonisë u organizua një koktej rasti, ku të pranishmit patën mundësinë të vizitonin ambientet e bibliotekës së re dhe të bashkëbisedonin në një atmosferë miqësore.