Zoti është drita e qiejve dhe e tokës

 


"Allahu është drita e qiejve dhe e tokës. Shembull i dritës së Tij, një fole me kandil, kandili është në një llambë të kristaltë, llamba e kristaltë, si një yll shndritës, ndizet nga një pemë e bekuar ulliri, pa lindje e perëndim, vaji i të cilit bën dritë thuajse nuk e ka prekur ndonjë zjarr. Dritë mbi dritë. Zoti drejton te drita e Tij atë që do. Zoti u sjell shembuj njerëzve. Zoti është për çdo gjë dijeplotë." (En-Nur, 35)


Në këtë ajet metaforik që ka tërhequr ndër shekuj vëmendjen e teologëve islamë, mistikëve dhe poetëve, llamba e kristaltë e cila shndrit pa e prekur zjarri, me një flakë të kaltër si ajo e drurit të ullirit, që merr dritë mëngjes e mbrëmje, është frymëzimi i Zotit në folenë e zemrave të njerëzve, ku ndriçon kandili i besimit dhe dashurisë për Zotin.
Abdullah ibën Abasi përcjell nga Muhamedi a.s., lut jen që bëri kur u ngrit për t'u falur pas mesnate: "O Zot! Bëj në zemrën time dritë dhe në sytë e mi dritë dhe në dëgjimin tim dritë dhe nga e djathta ime dritë dhe nga e majta ime dritë dhe sipër meje dritë dhe poshtë meje dritë dhe para meje dritë dhe pas meje dritë dhe bëj për mua shumë dritë." (Buhariu nr. 6316, Muslimi nr. 763)


Sipas komentit (tefsirit) të Ibën Abasit r.a.:


"Drita e Zotit është udhërrëfyese për banorët e qiejve dhe të tokës, dhe se Allahu ndriçon me të zemrat e besimtarëve. Drita e Zotit është në zemrat e besimtarëve, si "fole me kandil, si një llambë e kristaltë, që ndriçon si ylli shndritës që është simbol i dritës së Zotit. Besimtarët janë si pema e bekuar e ullirit, që rritet në një vend të lartë, ku si bie hija e lindjes apo hija e perëndimit (janë besimtarë të vendosur që nuk anojnë nga një anë ose tjetra), dhe si vaji që rrezaton dritë është besimi në zemrat e njerëzve, dhe se Zoti i madh, me fenë e Tij bën dritë atje ku do Ai."
Gjithashtu, Ibën Abasi e shpjegon këtë ajet me dritën e dijes që solli Kurani në errësirën e padijes dhe idhujtarisë.
Nga një tjetër këndvështrim, drita është dukuria që manifeston të padukshmen.
Zoti quhet "drita e qiejve dhe e tokës", sepse Ai i sjell ato në ekzistencë dhe i bën të dukshme.
"Mishkât", këtu: "fole", një kamare në mur, ku vihej kandili ose llamba për të bërë dritë në dhomë, është ven di prej nga Islami përhap rrezatimin e tij në botë. Llamba e kristaltë është qelqi që mbron kandilin të mos e fryjë era. Prandaj, Zoti thotë në Kuran: "Duan të shuajnë me gojën e tyre dritën e Zotit, por Zoti e plotëson dritën e Tij edhe pse e urrejnë mohuesit."(Saf, 8)
Pema e bekuar e ullirit është simbol i Islamit, që nuk i takon lindjes (judaizmit) apo perëndimit (krishterimit), por është feja e vërtetë që do të triumfojë në botë.
Gjithashtu, fjala "dritë" është edhe për Profetin e shenjtë, Muhamedin a.s., sepse Zoti ka mishëruar në personin e tij dritë, sepse kur drita e shpalljes së Kuranit zbriste tek ai, reflektohej në dritë, sepse i Allahu i Madhërishëm thotë në Kuran: "O Pejgamber! Ne të dërguam dëshmues, përgëzues e paralajmërues, ftues te Zoti, me lejen e Tij dhe pishtar ndriçues." (ElAz'hab, 45-46)
Mistikët shkojnë më tej në interpretimin e fjalës "dritë", siç është në Kuran, kur Zoti bën urdhër krijimin e diçkaje dhe thotë: "Ji", (qun), këtu, me shkronjën "q" ose "k" e butë, nënkuptohet "kemal" (i plotë), nga "ekmele, ikmálen" (plotëson, kryen plotësisht) dhe, me "n", "nur" dritë, që manifeston krijimin. Për krahasim si valët elektromagnetike që përshkojnë eterin dhe shfaqen në ekran me dimensione e tipare të kapshme nga shqisat tona.
Fjala "dritë", arabisht: "núr", vjen nga tri germat (n, v, r) si derivat me fjalën "nár" (zjarr) dhe, në Kuran përdoret kryesisht në kuptimin e dritës që përfton një burim natyror dhe dritës metaforike, të besimit, dijes, përparimit, dritës së Zotit, si dritë universale, jetëdhënëse, udhërrëfyese etj. Shumësi i saj është "envár" ose "nírán", porse Kurani e përmend vetëm në njëjës, ndërsa të kundërtën e saj e përdor gjithnjë në shumës: "dhulumát" (errësirat), për të treguar se burimi i dritës (së vërtetës) është vetëm një dhe ai është Zoti, ndërsa errësira ka shumë burime e faktorë, siç janë: e pavërteta, padija, mosbesimi, dhuna etj, si dhe dukuritë natyrore në bashkëveprim.
Fjala "núr" (dritë) përmendet në Kuran 43 herë: përkundër errësirës, për profetët dhe librat e shenjtë, për fenë dhe besimin, si drejtim (udhë rrëfimi), për dritën e hënës, etj. Po sjellim disa shembuj:
Drita, përkundër errësirës: "Ose si (dikush në) errësirat në një oqean të thellë: e mbulojnë dallgë mbi dallgë dhe, përsipër, retë; errësirë mbi errësirë; nxjerr dorën dhe zor se e sheh. Kujt s'i bën Zoti dritë, nuk ka për të dritë." (En-Nur, 40)
Për Kuranin dhe Muhamedin a.s.: "...Ju erdhi dritë nga Zoti dhe një libër i qartë." (El-Maide, 15) Për Teuratin: "Ne e zbritëm Teuratin me drejtim e dritë..." (El-Maide, 44)
Për profetin Isa a.s. dhe Ungjillin: "Pasuam në gjurmët e tyre Isanë, birin e Merjemit, që vërteton Teuratin para tij dhe i dhamë Ungjillin me drejtim e dritë, që vërteton Teuratin para tij, drejtim e këshillë për të devotshmit." (El-Maide, 46)
Për fenë dhe besimin: "...dhe thonë:"Zoti ynë, plotësona dritën tonë dhe falna!" (El-Tahrim, 8)
Si drejtim: "Nuk ka shtrëngim në fe. Është dalluar e drejta nga e shtrembra. Kush mohon djajtë dhe beson Zotin, është kapur te një nyje e fortë që s'kë putet. Zoti është dëgjues, dijeplotë. Zoti është kujdestari i besimtarëve, i nxjerr nga errësirat në dritë. Mohuesit kanë për kujdestarë djajtë, i nxjerrin nga drita në errësira. Ata janë banorët e zjarrit, përgjithmonë." (El-Bekare, 256-257)
Për dritën e hënës: "Bëri Hënën me dritë dhe Diellin një llambë." (Nuh,16)
Me shprehjen: "Zoti është drita e qiejve dhe e tokës," drita është atribut i Zotit, një nga emrat e Tij në Kuran. Por, siç vë në dukje Maududi, sipas komentatorëve më të hershëm, drita nuk është vetë Zoti. Gjithashtu, drita që shohim në natyrë nga burimet e ndryshme, nuk është drita e Zotit, porse efekti i saj dhe, si e tillë pasqyron më së miri dritën e Zotit. Valët e dritës përhapen me shpejtësinë limit 300 mijë kilometër në sekondë, ku koha është mjaft relative dhe e shkurtër, krahasuar me lëvizjen e rëndomtë në tokë. I Madhi Zot thotë në Kuran, në vetën e tretë, njëjës thotë: "Ngjiten drejt Tij engjëjt dhe shpirti në një ditë sa pesëdhjetë mijë vjet." (El-Mearixh, 4) Me shprehjen: "Ngjiten drejt Tij", tregohet lëvizje, ndërsa engjëjt dhe shpirti (engjëlli Xhibril-Gabriel) janë krijesa drite.
Në kontekstin e relativitetit të kohës dhe hapësirës, është shumë domethënëse përgjigja e Muhamedit a.s. kur, pas ajetit : "Konkurroni për falje nga Zoti juaj dhe parajsë, e gjerë sa qiejt e toka...,"(Ali Imran, 42) shokët e pyetën se ku mbetet vend për skëterrën dhe ai tha: "Madhëruar qoftë Zoti! Kur vjen dita, ku është nata?" Me kuptimin që parajsa dhe skëterra nuk janë gjendje fizike tokësore, por dukuri metafizike që shëmbëllejnë (Shih ajetin 25 në suren El-Bekare).
Së fundi, me lavde për Allahun xh.sh, le të sjellim para nesh këtë ajet kuptimplotë: "Zotit i përulen ç'janë në qiej e në tokë, me dashje e pa dashje, edhe hijet e tyre, mëngjes e mbrëmje."(Er-Rad, 15).


 


* Sipas shqipërimit të Kuranit të Shenjtë nga myfti Salih Ferhat Hoxha


 


Kudret Salih Hoxha
Dituria Islame 314


Artikulli i kaluar
Kafshët e prera (2)
Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Përurohet projekti i mobilimit të bibliotekës së Xhamisë “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë