Burimet e miratuara (1)


"Kurani Fisnik dhe Suneti i Pejgamberit a.s., janë burimi i çdo myslimanit për t'i njohur dispozitat e Islamit. Kurani kuptohet sipas rregullave të gjuhës arabe pa kurrfarë vështirësie dhe mundimi. Kuptimi i Sunetit bëhet me ndihmën e dijetarëve të sinqertë të hadithit".


Ky fondament trajtohet kështu:


1- Burimi i parë-Kurani Fisnik.
2- Burimi i dytë- Suneti i Pejgamberit a.s.
Kur themi ne: Islami është fe, e cila merret me çështjet e fesë dhe të shtetit. Patjetër për këto fjalë duhet të ketë argument që i vërteton dhe i mbron. Çdo fjalë që flitet për çështjet e fesë së Allahut, e që nuk e ka si burim librin e Allahut dhe Sunetin e Pejgamberit a.s është fjalë e pa vend dhe e refuzuar. Për këtë, fondamenti i dytë është baza në të cilën përcaktohen burimet e miratuara të sheriatit. Kurani dhe Suneti janë dy burimet kryesore të sheriatit, janë dy burime në të cilat gjenden tekstet e sheriatit që i përcaktojnë dispozitat e përgjithshme. Sa i përket buri meve tjera të sheriatit ato nuk sjellin dispozita të reja në sheriat, por se ato ndihmojnë në nxjerrjen e normave të sheriatit nga Kurani dhe Suneti. Me këto burime nuk mund të vendoset diçka që është në kundërshtim me Kuranin dhe Sunetin, ngase këto burime bazohen dhe mbështetën në tekstet e dy burimeve themelore.(1)


Cili është burimi i parë?


Kurani është burimi i parë. Kurani është fjalë e Allahut i pa konkurrent, i shpallur Pejgamberit të Tij, Muhamedit a.s., i shkruar në mus'haf, i transmetuar me besnikëri (tavaturen) dhe me leximin e tij bëhet ibadet.
Të gjithë myslimanët janë unanim se Kurani është prej Allahut, dhe se i Lartësuari kërkon që doemos t'i nënshtrohemi Atij. Andaj Kurani është argument për çdo mysliman dhe myslimane dhe se ndjekja dhe zbatimi i dispozitave të tij është obligim pavarësisht llojit të dispozitës.


Dispozitat e Kuranit


Dispozitat e Kuranit janë dy lloje:
1. Dispozitat që kanë të bëjnë më çështjet e fesë. Në këto dispozita përfshihen dispozitat që kanë të bëjnë me çështjet e besimit dhe të ibadeteve (adhurimeve).
2. Dispozitat që kanë të bëjnë me çështjet e sistemimit të shtetit, shoqërisë, sistemimin e marrëdhënieve të njerëzve mes vete. Në këto dispozita përfshihen dispozitat që kanë të bëjnë me veprimet për koekzistencë (muamelat), për ndëshkimet (ukubat), për kurorëzim dhe shkurorëzim, për kushtetutën shtetërore etj.
Këto dispozita janë zbritur me qëllim të futjes së lumturisë te njerëzit në këtë botë dhe në botën tjetër (ahiret). Ai i cili u përmbahet ajeteve që kanë të bëjnë me dispozitat i ka dy shpërblime: shpërblimin në këtë botë dhe shpërblimin në botën tjetër (ahiret).
Nuk janë përcaktuar kot ajete që flasin për dispozitat, e të cilat kanë të bëjnë me çështjet e kësaj bote dhe të botës tjetër. Logjika e sheriatit është se kjo botë konsiderohet si kalimtare dhe sprovë, ndërsa ahireti konsiderohet i përhershëm dhe vend shpërblimi apo ndëshkimi, njeriu konsiderohet përgjegjës për veprat e tija në këtë botë, dhe se do të shpërblehet apo ndëshkohet në botën tjetër. Nëse njeriu vepron mirë ai me këtë i bën mirë vetes, e po qe se vepron keq e bën kundër vetës, dhe se ndëshkimi në këtë botë nuk e pengon ndëshkimin e botës tjetër, përveç nëse njeriu pendohet dhe kthehet kah rruga e Allahut.


Dispozitat e Kuranit janë një dhe të pandashme


Dispozitat e sheriatit nuk pranojnë ndarje që disa të zbatohen, e disa të braktisen, ngase tekstet (ajetet dhe hadithet) nuk lejojnë që disa dispozita të zbatohen e disa të braktisen, po ashtu është e ndaluar që disa dispozita të besohen e disa të mohohen dhe se zbatimi i të gjitha dispozitave dhe besimi i tërësishëm në to është obligim. "A besoni një pjesë të librit, e tjetrën e mohoni. Ç'mund të jetë ndëshkimi ndaj atij që punon ashtu prej jush, pos poshtërim në jetën e kësaj bote, e në ditën e gjykimit ata hidhen në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju". (El Bekare, 85).
Sheriati Islam dallohet nga ligjet njerëzore me veçori të mëdha si: dispozitat e sheriat kanë të bëjnë me çështjet e kësaj bote dhe botës tjetër (ahiretit), sikur që kemi thënë më herët. Ky është shkaku i vetëm i cili ndikon që myslimani t'i nënshtrohet dhe ta zbatoj sheriatin kur është në vetmi apo para tjerëve, në begati apo në fatkeqësi. Arsyeja është se të tillët besojnë se nënshtrimi ndaj Allahut është një lloj ibadeti-adhurimi, me të cilin afrohen tek Ai, do të arrijnë shpërblimin për shkak të nënshtrimit-adhurimit. Nëse ndonjëri prej këtyre ka mundësi ta bëjë ndonjë krim dhe po ashtu pas krimit ka mundësi të shpëtoj nga dënimi në këtë botë, i tilli nuk do të bëjë krim nga frika që ka ndaj Allahut dhe dënimit të Tij.(2)
Për këtë arsye sheriati islam e obligon myslimanin që të pajiset me moral fisnik, ai i cili pajiset me moral fisnik rrallë here bën ndonjë krim. Tjetra është se myslimanët e dinë se Allahu është Ai, i cili i mbikëqyrë dhe e di se çka veprojnë ata. Të tillët e dinë se sa do që të jenë të fshehur prej njerëzve nuk mund të fshihen prej Allahut, dhe se Ai është me ta kudo që të jenë ata. Mu për këtë arsye krimet janë të pakta, ruhet siguria, mbrohet shoqëria dhe i jepet përparësi interesave të përgjithshme shoqërore. E kundërta ndodhë në ligjet të cilat janë vendosur nga njerëzit, ngase në shpirtin e këtyre personave nuk ekziston ndjenja e nënshtrimit real ndaj këtyre ligjeve. Andaj, ai i cili ka mundësi të bëj ndonjë krim dhe se është i sigurt se ligji nuk do ta kap, atëherë të tillin s'ka gjë që e ndal në bërjen e krimit. Për këtë arsye vijnë duke u shtuar krimet në ato shtete, në të cilat sundon ligji njerëzor dhe ku morali është i ulët. Vjen duke u shtuar numri i krimineleve për arsye të mungesës së moralit dhe mundësisë së shpëtimit nga dënimi i ligjeve njerëzore.
Sheriati islam është prej Allahut, është sistemi më i mirë, më i përsosur, më i drejtë dhe gjithëpërfshirës. Sheriati islam është i arsyeshëm për çdo kohë dhe hapësirë, i cili dallohet me veçorinë e gjithëpërfshirjes si për çështjet e njeriut, kozmosit dhe jetës.
Besimi islam është i tillë, nga i cili del në shesh uniteti i ndjenjave, ibadetet zbatohet me rituale unike, sistemi i sheriatit është unifikues i të gjitha ligjeve. Bashkëdyzimi i dispozitave të sheriatit që kanë të bëjnë me këtë botë, me çështjet e fesë dhe të besimit të myslimanëve është arsye se sheriati është i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm dhe se në mesin e besimtarëve myslimanë ka përhapur shpirtin e nënshtrueshmërisë dhe kënaqësisë. Po ashtu sheriati islam i thërret pjesëtarët e vetë që të pajisen me moral fisnik. Sheriati islam ka forcë për vetëpërmbajtje, që asnjë ligj tjetër njerëzor pavarësisht se sa është i mirë nuk e ka një forcë të tillë.(3)


Dispozitat që i përfshin Kurani


Kurani Fisnik i përfshin në vete të gjitha bazat dhe rregullat e sheriatit që kanë të bëjnë me hallallin dhe haramin. Shumica e dispozitave kuranore janë të pa detajuara, e të cilat japin sinjal për qëllimet e sheriatit. Nga këto dispozita të pa detajuara dijetarët dhe muxhtehidët nxjerrin rregulla dhe dispozita, me qëllim që t'i zgjidhin problemet dhe çështjet që paraqiten në çdo kohë dhe vend. Në këtë është fshehtësia e përhershmërisë së sheriatit dhe veçoria e gjithëpërfshirjes se të gjitha rregullave me të cilat i zgjidh problemet e njerëzve sa herë që paraqiten në mesin e tyre.
Kurani disa dispozita i ka sjellë në mënyrë të detajuar hollësisht, për arsye të mos ketë divergjenca dhe polemika rreth disa çështjeve si p.sh. çështjet e besimit (akides) dhe adhurimit (ibadetit). Këtë e ka bërë për arsye se këto çështje nuk i nënshtrohen ndryshimeve të kohës dhe vendit. Si dispozita të këtilla mund të përmenden edhe dispozitat që kanë të bëjnë me trashëgimin (mirathin), ndalesat e martesës dhe ndëshkimi i disa krimeve.(4)
Kurani në vete përfshinë ajetet mekase, ajetet medinase, ajetet me kuptim të përgjithshëm, të specifikuar, ajetet që janë të qarta në përcaktimin e normës dhe të paqarta, ajetet deroguese dhe të deroguara, ajetet që janë të pa detajuara dhe të vështira për t'u kuptuar, ajetet të cilat kanë shkaqe të zbritjes dhe shumë rregulla tjera të cilat i njohin dijetarët e shkencave kuranore.
Për këtë arsye komentuesi i Kuranit patjetër duhet t'i njoh disa shkenca, si më të rëndësishmet janë:
1. Gjuhën arabe dhe gjinitë e saj. Për këtë shkak disa sekte të devijuara islame i kanë ndryshuar kuptimet e ajeteve duke i komentuar pa u bazuar në rregullat dhe kuptimet gjuhësore, si p.sh. ata të cilët e kanë komentuar Kuranin duke u thelluar në kuptimin e brendshëm dhe atë sipërfaqësor. Të vërtetën e ka thënë Umeri r.a. kur ka thënë: "Përmbajuni divanit (rregullave gjuhësore) nuk do të devijoni". Muxhahidi ka thënë: "Nuk i lejohet atij që beson në Allahun dhe ditën e fundit që të flet për librin e Allahut nëse nuk e njeh gjuhën e arabëve";
2. Morfologjinë dhe sintaksën;
3. Letërsinë arabe dhe shkencat e elokuencës;
4. Shkencat kuranore;
5. Shkencën që merret me çështjet e besimit (akiden);
6. Shkencën e cila merret me bazat dhe metodologjinë e jurisprudencës islame (Usuli Fikh);
7. Hadithin e Pejgamberit a.s., jurisprudencën islame dhe historinë e Pejgamberit a.s;
8. Shkencat tjera si: sociologjia, historia, gjeografia etj. Për këtë arsye shokët e Pejgamberit a.s. janë dalluar rreth kuptimit të Kuranit, varësisht nga aftësitë e tyre rreth gjuhës dhe letërsisë dhe rreth njohjes së shkaqeve të zbritjes së ajeteve.
Ibën Abbasi r.a. komentatori i Kuranit shprehet kështu: "Unë nuk e kam ditur kuptimin e ajetit: (Ai i Cili u ka vënë zanafillën qiejve), përderisa erdhën tek unë dy nomad arab që ishin në grindje për një pus, ku njëri prej tyre tha: - "Unë e kam filluar për herë të parë hapjen e pusit."
Përmendet në një transmetim se Ebu Bekri r.a. nuk e ka ditur kuptimin e fjalës kuranore "eba". E në këtë rast ka thënë: "Cili qiell më bën hije dhe cila tokë më mbanë nëse u flas rreth Kuranit sipas mendimit tim."(5)
Atë që duam ta potencojmë kalimthi është çështja e disave, të cilët pretendojnë se Kurani është i mjaftueshëm dhe në të njëjtën kohë e refuzojnë sunetin e Pejgamberit a.s. Imam Shatibiu për të tillët shprehet kështu: "Men dimi se duhet të përqendrohemi vetëm në Kuran është mendim i atyre që nuk e pranojnë sunetin. Këta janë mbështetur në atë se Kurani është sqarues i çdo çështje, dhe i kanë hedhur dispozitat e dala nga suneti. Ky veprim ata i shpije nga largimi i rrugës së shumicës myslimane dhe deri te komentimi i Kuranit në mënyrë të devijuar".(6)
Nga e gjithë kjo shihet se Kurani është burimi themelor i fesë, burimi kryesor i sheriatit dhe argumenti më i fortë i Allahut për çdo kohë dhe vend, e të cilin ua ka transmetuar Pejgamberi a.s. umetit të tij, e i cili e ka zbatuar urdhrin e Zotit të tij: "O ti i dërguar! Komunikoje atë që t'u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk e bën (kumtimin në tërësi), atëherë nuk e ke kryer detyrën (revelatën-risalen). Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve (prej armiqve). Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin që mohon". (El-Maide, 67).
Ne na ka urdhëruar Zoti ynë që këtë ta ndjekim (Kuranin). "Përvetësoni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj, e mos zini miq (përkrahës) pos Tij. Pak është ajo që po merrni përvojë". (El-Earaf, 3). Kryejeni atë që është hallall, ndalojuni prej asaj që është haram, veproni sipas dispozitave të tij, besoni në ajetet të cilat krejtësisht nuk janë të qarta, dhe merreni mësim nga shembujt që u sjell Kurani.
Dijeni se Pejgamberit a.s. i ka ardhur Kurani dhe ai që është i ngjashëm më të (Suneti), e që ai është burimi i dytë i sheriatit.



_____________________________________
(1) Abdul Kadir Aude "Et-Teshriul Xhinaiju" vol. I. fq.165.
(2) Abdul Kadir Aude "Et-Teshriul Xhinaiju" vol. I. fq.171.
(3) Abdul Kadir Aude "Et-Teshriul Xhinaiju" vol. I. fq.173.
(4) Mennaul Kutan "Et-Teshriu vel Fikhu fil Islami tarihan ve minhaxhen" fq. 48.
(5) Sujutiu "El-Itkan" vol. I. fq. 113, Zerkeshiu "El-Burhan" vol. II. fq. 162.
(6) Shatibiju "El-Mu vafekat" vol. I. fq. 120.


 


Xhumah Emin Abdulaziz
Përktheu nga gjuha arabe: Mr.sci. Flamur Sofiu


Dituria Islame 314


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Njihuni me hafëzin fitues që e vendosi Kosovën numër 1 në garat ndërkombëtare të Kuranit