Gjendja e përgjithshme
Në Arabinë para-islame sundonte rendi fisnor si një sistem shoqëror, në të cilin fise të ndryshme, të mëdha e të vogla, lidhnin pakte e aleanca me njëri-tjetrin. Fiset që mbeteshin jashtë ndonjë aleance, u nënshtroheshin zakonisht sulmeve dhe grabitjeve të fiseve me të cilat nuk kishin aleanca të këtilla. Kjo ishte edhe arsyeja e luftërave që zgjatnin edhe me qindra vite.
Qyteti i Mekkes nuk ishte i kursyer nga këto luftëra, mirëpo meqë ishte në kryqëzimin e dy rrugëve të mëdha tregtare të Arabisë: Rrugës së Hixhazit e cila kalonte përgjatë bregut lindor të Detit të Kuq dhe lidhte Jemenin në jug me Shamin (Libanin, Sirinë, Jordaninë dhe Palestinën) në veri dhe Rrugën e Nexhdit që e lidhte Jemenin me Irakun(1), për dallim prej qyteteve dhe vendbanimeve të tjera, kishte një vigjilencë dhe kujdes më të madh që këto të reduktoheshin në minimum. Një qytet të cilit i mungonin pasuritë natyrore dhe që ishte i lidhur me blegtorinë dhe më shumë me tregtinë e jashtme, ishte më se e nevojshme që të kishte një stabilitet dhe siguri politike.
"Qytetit të kurejshitëve (Mekkes), që sipas Kur'anit ndodhej në "një luginë, ku nuk ka bimë"(2), i mungonin kulturat (bujqësore) dhe për të mbijetuar kishte nevojë për çfarëdo malli të importuar(3). Nëse shikojmë më mirë, me të kaluarën e tij beduine (endacake) populli kurejshit që zhvillonte një jetë shumë të gjallë, përgjithësisht kishte nevoja të vogla; mirëpo vërejmë se prapëseprapë në krahasim me njerëzit tjerë që banonin në të gjitha viset tjera të Hixhazit, këta kishin një standard më të lartë jetese. Mekka nuk mund të furnizohej nga burimet e veta, prandaj ishte e detyruar t'i importonte edhe produktet më të vogla si drithërat, hurmat, pemët, perimet, verën etj. Duke qenë se Mekka në këtë kohë kishte afro 20-25 mijë banorë, bashkë me të gjitha dymbëdhjetë fiset e "konfederatës" kurejshite, me të besatuarit, me skllevërit e me refugjatët, i bie që Mekka kishte nevojë për 2-3 tonë furnizim në ditë, respektivisht 20 deve të ngarkuara me mall."(4)
Në mënyrë që në qytetet e Gadishullit Arabik të asaj kohe të mund të tërhiqeshin sa më shumë të huaj si blerës të mundshëm, ishte ngulitur zakoni i respektimit të muajve të paqes së Zotit. Panairet mbaheshin, natyrisht, gjatë kohës së haxhit ose të datave të shenjta fetare. Për shkak të rivalitetit ndërmjet fiseve, secila krahinë respektonte muaj të ndryshëm. Kështu për shembull në muajin rexheb sundonte paqe e plotë në viset ku jetonte fisi Mudar, ndërkaq në muajin ramazan viset e fisit Rebi' shndërroheshin në strehë për tregtarët e huaj. Në këtë mënyrë sundonte paqja në Gadishullin Arabik: njerëzit e fisit Mudar tregtonin te ata të fisit Rebi' në muajin ramazan, kurse ata të fisit Rebi' tregtonin me ata të fisit Mudar gjatë muajit rexheb. Në një pozitë më të lakmueshme ishte trekëndëshi Mekke-Medine-Taif, sepse në këto anë sundonte paqja përgjatë katër muajve, prej të cilëve tre njëri pas tjetrit*. Kjo ua mundësonte atyre të merrnin edhe rrugë më të gjata për tregti dhe të ktheheshin rehat në shtëpi.(5)
Luftërat e Fixharit
Megjithëse ekzistonte një farë kompromisi i këtillë i pashkruar, kohë pas kohe edhe në këta katër muaj që njiheshin si të shenjtë dhe paqësorë, shpërthenin luftëra ndërmjet fiseve të ndryshme edhe atë për arsye banale. Këto pastaj vazhdonin me vite të tëra si pasojë e mendësisë së gjakmarrjes dhe ruajtjes së nderit familjar dhe fisnor. Historia njeh katër luftëra të këtilla të kësaj periudhe. Ato quheshin "luftëra të fixharit (mëkatit, shkeljes)", për shkak të shkeljes dhe prishjes së paqes. Me shumë gjasë Muhammedi a.s. ka marrë pjesë në të katërtën prej këtyre luftërave, si një djalë 20 vjeç, e cila u zhvillua midis fisit Kinaneh dhe Kajs. Një person i shthurur i fisit Kinaneh e kishte vrarë një person të familjes Amir nga fisi Havazin (Kajs) i Nexhdit. Sipas rendit tanimë standard të hakmarrjes, fisi i viktimës e sulmoi fisin e vrasësit. Meqë fisi Kurejsh ishin në aleancë me fisin Kinaneh, pak si me pa dashje, iu desh të involvohej në këtë luftë, që në fakt s'ishte e vetja. Ky konflikt zgjati tre deri katër vjet, mirëpo luftë aktivisht është zhvilluar vetëm pesë ditë gjatë gjithë kësaj kohe. Roli i Muhammedit a.s. në këtë luftë ishte të mblidhte shigjetat e kundërshtarëve që dilnin huq dhe t'ua ofronte axhallarëve të tij Zubejrit dhe Ebu Talibit, që të mund ata të gjuanin armikun me shigjetat e tyre.(6)
Pas kësaj lufte të fundit të Fixharit, në Mekke dhe rrethinë tanimë ishte shembur tej mase siguria e njerëzve. Në veçanti tregtarët e huaj që vinin në Mekke, po edhe të dobëtit dhe fukarenjtë vendas, gjithnjë u nënshtroheshin shkeljeve dhe dhunës së paparë dhe këta nuk kishin kujt t'i drejtoheshin për mbrojtje dhe rikthim të të drejtave të tyre.(7) Kjo situatë kontribuoi në përhapjen e pakënaqësisë gjithnjë në rritje kundrejt ligjit të shkretëtirës që akoma sundonte te bashkësia e ngulitur mekkase. Shumica e krerëve të fisit Kurejsh tanimë e kishin vizituar disa herë Shamin dhe kishin pasur mundësinë ta përjetonin vetë drejtësinë relative që sundonte në perandorinë romake. Po ashtu edhe në Abisini, të cilën gjithashtu e kishin vizituar disa herë për arsye tregtare, mund ta fitoje të drejtën pa pasur nevojë të zhvillosh ndonjë luftë. Në Arabinë e asaj kohe mungonte një sistem i këtillë i drejtësisë. Prandaj, këto luftëra të Fixharit dhe sidomos situata e pasigurt që u krijua pas kësaj të fundit, i nxiti disa njerëz të mendoheshin mirë se si t'i pengonin këto gjakderdhje, që në të shumtën e rasteve nisnin për arsye fëmijërore. Kësaj radhe kjo nuk mbeti vetëm në mendime dhe fjalë: nga ana e fisit Kurejsh shumica ishin të gatshëm edhe të vepronin. Ky të kuptuar i drejtësisë vetëm disa javë pas luftës së fundit të Fixharit u vu në provë nga një aksident skandaloz që ndodhi në Mekke.
Shkaqet e themelimit të Hilfu'l-fudulit
Një tregtar nga qyteti bregdetar Zebid i Jemenit i kishte shitur ca mallra të vlefshme një fisniku të Mekkes, të quajtur As bin Vail nga fisi Sehm. Mirëpo ky, duke parë se tregtari ishte i huaj dhe se nuk kishte asnjë aleancë e as ndonjë mbrojtje në Mekke, refuzoi t'ia paguante mallin e blerë. Tregtari nuk u tremb nga ky rast, por guximshëm u ngjit në kodrinën e Ebu Kubejsit dhe iu drejtua zëshëm fisit Kurejsh për të kërkuar ndihmë prej tyre për ta rikthyer pagesën ose mallin. Shumica e fiseve që nuk kishin aleancë tradicionale me fisin Sehm, reaguan menjëherë. Fisi Kurejsh dëshironte të ruante unitetin midis fiseve të ndryshme. Një ndër personat më të pasur dhe më me autoritet në Mekken e asaj kohe dhe i pari i fisit Tejm, i quajtur Abdullah bin Xhud'an, e hapi shtëpinë e tij të madhe për të gjithë ata që e donin drejtësinë. Këtu morën pjesë disa fise me nam, ndër ta të përfaqësuar mirë ishin fiset Hashim, Muttalib, Zuhrah, Esed dhe Tejm. Pas një ushqimi të begatë dhe pas një diskutimi të gjatë ata vendosën të krijonin një grup a komitet që do të kujdesej për ruajtjen e rendit, të qetësisë dhe në veçanti për mbrojtjen e tregtarëve të huaj dhe të tjerëve që u shkeleshin të drejtat. Ata shkuan pastaj te Qabeja dhe duke lëshuar ujë të rridhte nga Guri i zi i Qabesë e mbushën një enë apo tas me ujë tanimë të bekuar, pinë nga ai ujë dhe me dorën e djathtë të ngritur drejt Qabesë u betuan në All-llahun se "në të ardhmen me rastin e çdo padrejtësie do të qëndronin si një trup gjithnjë në anën e të shkelurit kundër shkelësit, derisa ta marrë i shkeluri hakun e tij, pa marrë parasysh nëse bëhej fjalë për banorë të Mekkes apo për të huaj dhe se kjo do të vazhdonte kështu deri sa të thahej edhe pika e fundit e ujit në det dhe derisa të rrafshoheshin kodrat Hira dhe Thebir". Pastaj shkuan të gjithë së bashku te As bin Vaili dhe kërkuan prej tij t'ia paguante tregtarit jemenas çmimin e pajtuar më parë. Me rëndësi është të përmendet se As bin Vailit me këtë rast nuk i ofruan ndihmë dhe mbrojtje as edhe fiset që nuk morën pjesë në betimin e sipërpërmendur.
Përveç Abdullah bin Xhud'anit, në shtëpinë e të cilit u themelua kjo shoqatë, organizatë a aleancë, ndër më të njohurit dhe më aktivët, madje edhe iniciatori, në këtë punë ishte Zubejri, xhaxhai i Muhammedit a.s., i cili në këtë tubim dhe ceremoni betimi me vete e kishte marrë edhe nipin e tij, pra Muhammedin a.s.. Një tjetër që mori pjesë këtu ishte edhe Ebu Kuhafe nga fisi Tejm, kushëri i nikoqirit, i cili po ashtu me vete e kishte marrë të birin e vet Ebu Bekrin, i cili ishte dy vjet më i ri se Muhammedi a.s. dhe i cili më vonë do të jetë shoku më i ngushtë i Muhammedit a.s..(8) Kjo aleancë në historinë islame njihet me termin Hilfu'l-fudul ( حِلْفُ الْفُضُولِ ), që nënkupton "aleancën, paktin, betimin për virtytet ose të të virtytshmëve". Shumë më herët se ky pakt, në Mekke ishte lidhur edhe një pakt tjetër me emrin Hilfu'l-Mutajjebin ( حِلْفُ الْمُطَيَّبِينَ ), që nënkuptonte "betimin e të parfumosurve", pasi këta me rastin e betimit i kishin futur duart në një enë me ujë të parfumosur. Me këtë betim ishte bërë shpërndarja kryesisht e detyrave midis fisit Benu Abdiddar dhe atij Abdu Menaf si: shërbimi në Qabe, shërbimi me ujë për haxhilerët, bartja e flamurit në luftëra dhe mbrojtja e të dobëtëve në shoqëri.(9)
Ndikimet pozitive të Hilfu'l-Fudulit përgjatë historisë
Burimet dhe kronikat më të hershme të historisë islame flasin për ndikimin pozitiv që shkaktoi themelimi i kësaj organizate në shoqërinë e Mekkes dhe më gjerë. Po përmendim disa shembuj:
1. Një jemenas nga fisi Hath'am kishte ardhur për ta kryer umren ose haxhin (sipas riteve të xhahilijetit - R.N.) në Mekke bashkë me vajzën e tij. Nubejh bin el-Haxhxhaxhi, një person me nam në Mekke, ia kishte rrëmbyer me zor vajzën tregtarit jemenas. Njerëzit e këshilluan të shkonte te Hilfu'l-fuduli dhe të kërkonte ndihmën e tyre. Ai shkoi te anëtarët e këtij komiteti. Ata u mblodhën menjëherë, i ngjeshën shpatat dhe i shkuan Nubejhit te dera duke i kërkuar t'ua dorëzonte vajzën jemenase dhe duke ia bërë me dije se kush ishin ata. Ai u tha se do ta dorëzonte me kusht që së paku një natë të flinte me të. Kur ata e refuzuan rreptësishtë këtë kërkesë, ai s'pati çare tjetër pos se ta dorëzonte vajzën.(10)
2. Një person tjetër i huaj nga fisi Thumale i kishte shitur një mall Ubejj bin Halefit, që ishte po ashtu nga krerët e Mekkes dhe njihej për padrejtësitë që u bënte të dobëtëve. Edhe me këtë rast, ai refuzoi t'ia paguante mallin tregtarit të huaj. Ky shkoi te anëtarët e Hilfu'l-fudulit dhe i njoftoi për padrejtësinë që i kishte bërë Umejja. Ata i thanë: "Shko te Umejja dhe thuaji që ne të kemi dërguar tek ai. Nëse ta paguan mallin, mirë, nëse jo, eja prapë te ne!" Kur ky shkoi tek Umejja dhe i tregoi se kush e kishte dërguar, Umejja i nxori paratë dhe ia pagoi mallin.(11)
3. Një tregtar po nga fisi jemenas Zebid një herë sjell në Mekke tri deve të ngarkuara me mall. Ebu Xhehli, po ashtu nga krerët e Mekkes së asaj kohe, u mor vesh me blerësit tjerë të mundshëm që të mos ia blinin mallin jemenasit. Duke vepruar kështu dëshironte t'ia ulte çmimin mallit të tregtarit. Tregtari mbeti i habitur nga kjo sjellje. Më vonë shkoi te Muhammedi a.s. si një anëtar i Hilfu'l-fudulit dhe ia sqaroi rastin. Muhammedi a.s. ia bleu tregtarit të gjithë mallin me çmimin real të tregut, për çka tregtari u gëzua tej mase. Ky rast, nga ana tjetër, njihet si momenti i parë i zënkës së Muhammedit a.s. me Ebu Xhehlin, që do ta përcjellë atë deri në vdekjen e tij në luftën e Bedrit.(12)
4. Përsëri Ebu Xhehli, një herë bleu mall nga një arab i fisit Arash dhe nuk dëshironte t'ia paguante mallin. Tregtari i mërzitur nga ky rast shkoi pranë Qabesë. Kërkonte dikë, të cilit do t'ia qante hallin. Muhammedi a.s. sapo kishte nisur ta publikonte Islamin dhe Ebu Xhehli njihej si një ndër armiqtë e tij të përbetuar, armiqësi kjo që rrënjët i kishte - siç thamë më lart - qysh në kohën para Islamit. Një banor i Mekkes e drejtoi të shkonte te Muhammedi a.s. Historianët dyshojnë nëse ky mekkasi ishte i sinqertë se vërtet mund t'i ndihmonte Muhammedi a.s. apo, duke e ditur armiqësinë e tyre, dëshironte ta vinte në siklet Muhammedin a.s.. Sidoqoftë, tregtari shkoi te Muhammedi a.s. dhe ai reagoi menjëherë. E mori tregtarin me vete dhe shkoi te shtëpia e Ebu Xhehlit, të cilit ia mori paratë e të huajit. Kur morën vesh për këtë miqtë e Ebu Xhehlit, filluan të talleshin me të, si kishte guxuar ai Muhammedi i dobët t'ia merrte paratë. Ai u përgjigj: "Kur Muhammedi trokiti në derë e gjithë shtëpia u dridh sikur të bënte tërmet. Kur e hapa derën, pranë Muhammedit mu përfytyrua një deve e tërbuar që e kishte hapur gojën dhe sikur të isha vonuar në qetësimin e Muhammedit, ajo do të më kishte përpirë të tërin".(13)
5. Ndikimi i Hilfu'l-fudulit vazhdoi edhe në periudhën pas vdekjes së Muhammedit a.s. Historianët rrëfejnë rastin në kohën e Muavijes kur midis valiut (guvernatorit) të Medines, Velid bin Ukbe dhe Husejnit, djalit të hz. Aliut, lindi një mosmarrëveshje lidhur me një mall në fshatin Dhulmerve. Velidi, duke u mbështetur në autoritetin e valiut që ishte, donte t'i bënte presion hz. Husejnit. Me këtë rast ky i fundit i tha: "Të betohem në All-llahun, ose t'i ma jep hakun tim ose e ngjeshi shpatën dhe shkoj pra-në Xhamisë së Pejgamberit a.s. dhe i ftoj njerëzit të më ndihmojnë në emër të Hilfu'lfudulit." Në këto momente aty ndodhej edhe Abdullah bin Zubejri, i cili tha: "Betohem në Zot, se nëse Husejni kërkon ndihmë në emër të Hilfu'l-fudulit unë e ngjesh shpatën time dhe luftoj bashkë me të derisa t'i kthehet atij haku ose derisa të vdes bashkë me të". Kur për këtë situatë marrin vesh edhe Misver bin Mahreme nga fisi Benu Zuhra dhe Abdurrahman bin Uthman i fisit Benu Tejm, i përsërisin edhe këta fjalët e Abdullah bin Zubejrit. Velidi, i shtrënguar nga ky presion shoqëror që u krijua, mbeti t'ia kthente hakun hz. Husejnit dhe t'i kërkonte të falur.(14)
Ky rast tregon ndikimin psikik dhe social të Hilfu'l-fudulit që ishte ngulitur në shoqërinë arabe dhe më vonë islame. Edhe pse kjo shoqatë a aleancë me kalimin e kohës u zhbë, nga arsyeja se nuk pranonin anëtarë të rinj në të, prapëseprapë ndikimi psikik dhe social i saj vazhdoi edhe për një kohë të gjatë edhe pas vdekjes së Muhammedit a.s..
________________________________________
(1) Karen Armstrong, Muhamedi - një biografi e profetit, Tiranë 2006, f. 83.
(2) "(Ibrahimi a.s. tha:) Zoti ynë! Unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë, ku nuk ka bimë, e pranë shtëpisë Sate të shenjtë..." (Kur'ani, Ibrahim:37)
(3) "All-llahu sjell si shembull një fshat (vendbanim) që ishte i sigurt dhe i qetë, të cilit i vinte furnizimi nga të gjitha anët me bollëk, kurse ata (banorët) i përbuzën të mirat e All-llahut. Atëherë All-llahu, për shkak të sjelljes së tyre, ua veshi petkun e urisë dhe të frikës." (Kur'ani, en-Nahl:112); "Dhe kur Ibrahimi tha: "Zoti im, bëje këtë një qytet sigurie dhe banorët e tij, që besuan All-llahun dhe jetën tjetër, furnizoji me lloje të frutave!" Ai (All-llahu) tha: "Edhe atij që nuk besoi do t'ia mundësoj shfrytëzimin e frutave për një kohë të shkurtër..." (Kur'ani, el-Beka-ra:126)
(4) Joseph Chelhod, Introduction à la sociologie de l'Islam, Paris, 1958, në Izzet Er, Din Sosyolojisi, Ankara 1998, f. 130-131.
* Këtë do ta përmendë edhe Kur'ani fisnik po edhe Muhammedi a.s. më vonë në një hadith të tij të njohur. Kur'ani thotë: "Te All-llahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e All-llahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë..." (Teube:36), ndërkaq Muhammedi a.s. ka thënë: "Vërtet koha rrjedh ashtu siç e ka formuar Allahu kur krijoi qiejt dhe tokën. Viti i ka dymbëdhjetë muaj, prej tyre katër janë të shenjtë: tre vijnë njëri pas tjetrit: dhul-ka'de, dhul-hixhe dhe muharrem, kurse muaji rexheb është muaji i fisit Mudar..." (Buhariu, Muslimi etj.)
(5) Muhammed Hamidullah, Muhammed a.s. - Život, vëll. I, Sarajevë 1990, f. 79.
(6) Ibni Hisham, Siretu'n-Nebijj, vëll. I, Tanta 1995, f. 180-182; Ibni Sa'd, Tabekatu'l-kebir, vëll. I, Kajro 2001, f. 106-7; Hüseyin Algül, Islam Tarihi, vëll. I, Stamboll, pa vit botimi, f. 168-169; Martin Lings, Muhammad - sein Leben nach den frühesten Quellen, Kandern 2008, f. 49; M. Hamidullah, po aty, f. 79-80.
(7) H. Algül, po aty, f. 170.
(8) Ibni Hisham, po aty, f. 180; Ibni Sa'd, po aty, f. 106-7; M. Lings, po aty, f. 50-51; H. Algül, po aty, f. 170.
(9) Ibni Hisham, po aty, f. 177-9.
(10) Es-Suhejli, Er-Raudu'l-Unuf, vëll. I, Bejrut p.v., f. 243; Ibnu Habib el-Bagdadi, El-Munemmak fi ahbari Kurajsh, Bejrut 1985, f. 55.
(11) Ibnu Habib el-Bagdadi, po aty, f. 54; H. Algül, po aty, f. 171; M. Hamidullah, po aty, f. 81.
(12) M. Hamidullah, po aty, f. 81; H. Algül, po aty, f. 171-2.
(13) M. Hamidullah, po aty, f. 81-2; H. Algül, po aty, f. 172.
(14) H. Algül, po aty, f. 172-3.
Dirturia Islame 314