Largimi nga jobesimtarët për shkak të mendjemadhësisë së tyre
"Edhe sikur të shihnin se po bie një copë nga qielli, ata do të thoshin: "Është veç një grumbull resh!" Prandaj, lëri ata të vazhdojnë kështu, derisa të ballafaqohen me ditën, në të cilën do të shtangen (nga frika), me ditën, në të cilën dinakëritë e tyre nuk do t'u bëjnë asnjë dobi dhe kur ata nuk do t'i ndihmojë askush. Në të vërtetë, për keqbërësit ka edhe një dënim tjetër para këtij, por shumica e tyre nuk e dinë. Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd, se me të vërtetë, ti je nën mbikëqyrjen Tonë! Lavdëroje duke e falënderuar Zotin tënd kur të ngrihesh, edhe gjatë natës lavdëroje Atë, si dhe pas perëndimit të yjeve!" (Et Tur, 44-49)
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake
Në ajetet paraprake, pamë se si Allahu xh.sh. i zhvlerësoi të gjitha pretendimet e marra të idhujtarëve rreth Njëshmërisë së Tij, ringjalljes, pejgamberisë dhe shpalljes që po i vinte Muhamedit a.s. nga Krijuesi i kësaj ekzistence, duke i vënë në pozitë inferiore për secilin ajet, pa ndonjë rrugëdalje a përgjigje, kurse tash në këto ajete vijuese, i Madhë ishmi dëfton se idhujtarët, pavarësisht se çfarë argumentesh lëndore t'u sjellësh, ata sërish do të preferojnë të qëndrojnë në errësirat e mosbesimit të tyre. Madje, edhe sikur ta shihnin ndonjë re teksa binte mbi ta, prapë nuk do të besonin. Për këtë arsye, në ajetet në vazhdim, Allahu xh.sh. ia bën me dije të Dërguarit të Vet, që t'i injoronte thëniet dhe shpifjet e tyre dhe të bënte durim, sepse gjatë misionit të tij do të ballafaqohej me intriga, shpifje e kurthe të ndryshme nga ana e tyre. Gjithsesi, Allahu do ta mbronte atë dhe do ta ngadhënjente mbi ta, duke rikonfirmuar se ndëshkimi i Tij mbi ta, do të ishte i rreptë dhe i dhimbshëm si në këtë botë, ashtu edhe në Ahiret. Ndërkohë, i Dërguari a.s. porositet që të ishte falënderues dhe ta madhëronte e lavdëronte Allahun xh.sh. në çdo kohë.
Koment:
44. Edhe sikur të shihnin se po bie një copë nga qielli, ata do të thoshin: "Është veç një grumbull resh!"
Se sa të errësuara ishin mendjet e idhujtarëve dhe sa insistonin ata në kufrin dhe mërinë e tyre ndaj besimit të pastër, më së miri dëshmon ky ajet, ku Allahu xh.sh. sqaron se ata edhe po ta shihnin duke rënë ndonjë copë nga qielli, nuk do të bindeshin se ai mund të ishte ndëshkim nga i Lartmadhërishmi, por do të thoshin, jo, kjo është vetëm ndonjë grumbull i reve, që do të na freskojë me shi.(1) Tërë kjo verbëri mendore dhe ndijore, ishte si rezultat i një kryeneçësie të pashpjegueshme dhe i një inati të qëllimshëm, pse pikërisht Muhamedi a.s. ishte i zgjedhuri i Allahut, e jo ndonjë nga paria e pasur kurejshite. Ata kishin frikë se nëse do ta pranonin Islamin, do të humbnin privilegjet që i kishin, përfshirë edhe jetën luksoze që e bënin. Në anën tjetër, ata nga injoranca e tyre e shtresuar për shekuj me radhë, nuk mund të bindeshin se ekziston një Zot "i padukshëm", të Cilin nuk mund ta shihnin e as ta preknin, siç bënin me idhujt e tyre që vetë i ndërtonin. Kurani famëlartë, na bën me dije se sytë e tyre ishin mjegulluar dhe ishin të bindur se kjo me çka kishte ardhur Muhamedi a.s. ishte një magji e fortë. Në lidhje me këtë Allahu xh.sh. në një ajet tjetër thotë: "Edhe sikur Ne t'u hapnim atyre një derë të qiellit dhe të ngjiteshin vazhdimisht nëpër të (e të shihnin engjëjt dhe fshehtësitë) ata me siguri do të thoshin: "Na janë mjegulluar (mpirë) sytë, ne vërtet jemi popull i magjepsur."(El Hixhr, 14-15).
45. Prandaj, lëri ata të vazhdojnë kështu, derisa të balla faqohen me ditën, në të cilën do të shtangen (nga frika).
Ajeti i radhës është një këshillë për Pejgamberin a.s., që të mos merrej shumë me idhujtarët dhe me inatin e tyre primitiv, por të vazhdonte misionin e tij, me të cilin ishte ngarkuar nga Fuqiploti. Allahu xh.sh. i thotë t'i linte ata në mugëtirën e kufrit të tyre, derisa të ballafaqohen me ditën e madhe të gjykimit, ku ata i pret shkatërrimi dhe ndëshkimi i përjetshëm. Sipas shumicës së dijetarëve, kjo ditë është Dita e Kiametit, e cila i përfshin me vdekje të gjitha krijesat.
Ndërkohë, në mesin e dijetarëve kemi edhe mendime se kjo ditë është dita e luftës së Bedrit, ku shumë prej idhujtarëve gjetën vdekjen, shkatërrimin dhe poshtërimin, mendim të cilin e ka përkrahur Bukai dhe disa të tjerë.(2)
46. me ditën, në të cilën dinakëritë e tyre nuk do t'u bëjnë asnjë dobi dhe kur ata nuk do t'i ndihmojë askush.
Dita e Gjykimit dhe e ballafaqimit të tyre me drejtësinë absolute të Allahut xh.sh. është dita kur idhujtarëve dhe mohuesve të Njëshmërisë, nuk do t'u bëjnë dobi dinakëritë dhe kurthet e tyre. Në atë ditë, askush nuk do t'u ndihmojë atyre nga rënia në ndëshkimin e Allahut. Ata do të përhumben përjetësisht në skëterrat e Xhehenemit, duke vuajtur dënimin e amshueshëm meritor, për shkak të ligësive dhe mohimit të tyre. Ata në këtë botë i kishin ngritur shumë kurthe Pejgamberit a.s., ashtu siç edhe sot jobesimtarët thurin intriga e komplote ndaj myslimanëve, për të dobësuar qenien e tyre. Lufta mes kufrit dhe imanit është e ndezur deri në Ditën e Kiametit, kur secili do të ballafaqohet me punët e veta para Allahut xh.sh., i Cili nuk i bën të padrejtë askujt, as sa grimca më e vogël e atomit.
47. Në të vërtetë, për keqbërësit ka edhe një dënim tjetër para këtij, por shumica e tyre nuk e dinë.
Ky ajet, sikur na rikthen edhe njëherë tek ajeti i 45-të, dhe te mendimi i dijetarëve që mendojnë se ndëshkimi u kishte arritur idhujtarëve edhe në këtë botë, në luftën e Bedrit, kur shumë prej krerëve të tyre kishin vdekur të poshtëruar në këtë fushëbetejë. Ky ajet, në një mënyrë konfirmon se idhujtarët apo jobesimtarët, kishin marrë ndëshkimin e merituar edhe në këtë botë, para ndëshkimit të përhershëm në Ahiret. Kjo vlen për çdo kohë dhe për çdo kategori jobesimtarësh, të cilët herët a vonë do ta marrin dënimin e merituar edhe në këtë botë, para botës tjetër. Allahu i gjithëmëshirshëm përgjatë historisë njerëzore, u dërgoi njerëzve të pabindur shenja dhe paralajmërime që të ndaleshin nga ligësitë dhe mosbesimi, duke u dhënë rastin të pendoheshin e të përuleshin, dhe vetëm atëherë kur shtereshin të gjitha mundësitë e udhëzimit të tyre, pa sonte ndëshkimi dhe shkatërrimi i tyre, siç pati ndodhur me popullin e Nuhut a.s., Hudit a.s., Salihut a.s., me Faraonin e kohës së Musait a.s. etj.
48. Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd, sepse me të vërtetë, ti je nën mbikëqyrjen Tonë, dhe kur të ngrihesh madhëroje me falënderim Zotin Tënd.
Ky ajet madhështor, i jep shpresën dhe qetësinë shpirtërore të Dërguarit a.s., nga ana e Allahut të gjithëmëshirshëm. Butësia dhe dhembshuria e shprehur me fjalët: "Duro për gjykimin e Zotit tënd, sepse vërtetë ti je nën mbikëqyrjen Tonë", nënkupton se ti o Muhamed vazhdimisht je nën kujdesin dhe vëzhgimin Tonë. Ne për asnjë çast nuk do të heqim dorë prej teje, por do të të ndihmojmë e fuqizojmë që ta kryesh me nder amanetin qa ta kemi ngarkuar në barrë.
Kur jemi te pjesa e parë e ajetit: "Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd, sepse me të vërtetë, ti je nën mbikëqyrjen Tonë", shohim në të madhështinë e shprehjes kuranore, mrekullinë e vlerësimit dhe të kujdesit hyjnor për pejgamberin e mëshirës. Kjo është një shkallë e lartë e nderimit, të cilën nuk e ka arritur asnjë qenie njerëzore nga ana e Fuqiplotit. Ndonëse në Kuranin fisnik shohim se Allahu xh.sh. i është drejtuar Musait a.s. me fjalët: "Unë të zgjodha ty (për pejgamber), prandaj dëgjo mirë se ç'po të shpallet!" (Ta Ha, 20); pastaj: "E nga ana Ime mbolla (në zemra të njerëzve) dashuri ndaj teje, e që të edukoheshe nën mbikëqyrjen Time"(Ta Ha, 39), gjë që dëshmon për pozitën e lartë të Musait a.s. tek Allahu xh.sh., si një prej elitës së "Ulul Azmit", megjithatë në fjalët drejtuar Muhamedit a.s. "ti je nën mbikëqyrjen Tonë" apo "ti je nën sytë Tanë", shohim një frazë që shpreh një dashuri tepër të veçantë, një ngrohtësi tepër të posaçme, e cila vështirë se mund të përshkruhet me fjalë njerëzore.(3) Ky është Muhamedi a.s., i veçanti, i dalluari, vula e krejt pejgamberëve, mëshira për botët, kandili ndriçues dhe shefatgjiu i krejt umeteve në Ditën e Gjykimit.
Kjo dashuri dhe ky kujdes hyjnor ndaj Muhamedit a.s., e vë në dijeni atë se, ne do të mbrojmë nga duart dhe dëmi i jobesimtarëve. Emri yt do të jetë i lartësuar dhe i ndershëm përjetësisht, andaj lavdëroje dhe madhëroje Zotin tënd me fjalët më kuptimplota dhe mëdomethënëse. Prandaj për këtë arsye, madhërimet dhe tesbihet janë pjesë përbërëse e namazeve tona ditore, të cilat i fillojmë me tesbih, duke e kënduar "Subhaneken": "Subhaneke Allahumme ve bihamdike, ve tebare kesmuke, ve teala xhedduke, ve la ilahe gajruke" - "I lavdishëm dhe i zhveshur nga çdo e metë je o Allah! Falënderimet të qofshin vetëm Ty. Emri Yt është i bekuar. Madhëria Jote është e paarritshme. Përveç Teje nuk ka zot tjetër!"
Është transmetuar nga Abdullah ibën Mesudi, të ketë thënë: "I Dërguari i Allahut na urdhëronte që kur t'ia fillonim namazit, të thoshim: "Subhaneke Allahumme ve bihamdike, ve tebare kesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke."(4) Transmetime të ngjashme për ligjësimin e këndimit të'subhanekes' në fillim të namazit kemi edhe nga Omeri r.a., nga Aliu r.a dhe shumë të tjerë.
49. Edhe gjatë natës lavdëroje Atë, si dhe pas perëndimit të yjeve!
S'ka dyshim, se koha e natës, është koha kur njeriu lodhet dhe ka nevojë për gjumë, por besimtarët e devotshëm, ngrihen në një pjesë të saj (koha më e vlefshme është pjesa e dytë apo e tretë e natës) dhe falin namaz nafile, duke e madhëruar dhe falënderuar Allahun e gjithëmëshirshëm. Ky namaz i natës është me vlerë të lartë, sepse është traditë e pejgamberëve të Allahut, dhe falja e tij forcon besimin, kthjell mendjen dhe kalit shpirtin si shenjë respekti ndaj të Madhërishmit.
Se në këtë ajet, me namaz të natës, është synuar namazi nafile, si dëshmi përforcuese kemi edhe ajetin tjetër kuranor, ku Allahu xh.sh. thotë: "Dhe kaloje një pjesë të natës me lutje-namaz shtesë vetëm për ty, është e sigurt se Zoti yt do të ngre ty në një vend të lavdëru ar." (El Israë, 79).
Ndërsa, me pjesën e dytë të këtij ajeti: "... si dhe pas perëndimit të yjeve!" dijetarët janë të mendimit se mekëtë synohet falja e sunetit të sabahut. Ky është mendim i Ibën Abasit, i cili thotë se ky namaz nënkupton dy rekatet sunet që falen para farzit të sabahut.(5)
I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Dy rekate sunet të namazit të sabahut janë më të mira sesa dynjaja dhe çka në të"(6)
Po ashtu, është transmetuar nga Aisheja r.a. të ketë thënë: "I Dërguari i Allahut a.s. nuk ka qenë më i përkushtuar në ndonjë namaz vullnetar ashtu siç ishte në dy rekatet (sunet) të sabahut."(7)
Porosia e ajeteve (44-49)
- Jobesimtarët të shtyrë nga mllefi dhe mëria e tyre ndaj besimtarëve nuk pranonin argumentet për Njëshmërinë e Allahut e as vërtetësinë e shpalljes. Ata, madje edhe po t'u binte ndonjë pjesë nga qielli, do ta shtrembëronin këtë fakt duke thënë se ajo mund të jetë ndonjë grumbull i reve dhe asgjë tjetër.
- Allahu xh.sh. i kërcënoi idhujtarët me shkatërrim dhe dënim, e njëkohësisht e porosit të Dërguarin e Vet, që të mos shqetësohej shumë për mosbesimin e tyre, sepse ata së shpejti do të ndëshkoheshin në betejën e Bedrit, e pastaj i pret edhe ndëshkimi në Ahiret.
- Në ditën kur idhujtarët-jobesimtarët do të përballen me veprat e tyre para Allahut fuqiplotë, atyre nuk do t'u bëjë dobi asnjë kurth dhe asnjë dinakëri, sepse ndëshkimit të Tij nuk mund t'i ikë askush prej mëkatarëve.
- Jobesimtarët do të përballen me dënime të njëpasnjëshme si në këtë dynja, ashtu edhe në varr e pastaj edhe në botën tjetër, në Xhehenem.
- Sprovat në këtë dynja për besimtarët janë kalitje dhe testim i imanit të tyre, ndërkohë që durimi-sabri është një prej çelësave të largimit të çdo brenge dhe shqetësimi. Durimi është rrugë të cilën e kanë trasuar të Dërguarit e Allahut nëpër kohë, gjatë kumtimit të misionit të tyre profetik.
- Nënshtrimi ndaj urdhrave të Allahut me ibadet të sinqertë, është kulminacioni i devotshmërisë, ndërsa në mesin e adhurimeve të cilat na afrojnë te Krijuesi ynë është namazi, sidomos ai i natës, kur njeriu e prish gjumin dhe rehatinë e tij, vetëm për ta lavdëruar, madhëruar e falënderuar Allahun Mëshirëplotë.
- Lutja, duaja dhe namazi nafile, janë të ligjësuara në çdo kohë, natën apo ditën.
-Fund-
____________________________
(1) Tefsiri i Meragiut, vëll. XXVII, f. 37.
(2) Bukai, Nadhmu durer fi tenasubilajatives suver, Kajro1984, vëll. 19, f. 35.
(3) Sejjid Kutbi, Fi Dhilalil Kuran, vëll. VI, f. 3402.
(4) Taberaniu në El Mu'xhemul Kebir, nr.10280.
(5) Fi Rihabit Tefsir, vwll. XXVIII, f. 5984.
(6) Muslimi, nr. 1316, Tirmidhiu 103, Nesaiu 654, Bejhekiu 729.
(7) Muslimi, nr. 725.
Sabri Bajgora