Kjo është historia e besimtarit nga surja Ja-Sin, të cilin populli i tij e mbyti për shkak të besimit të tij, por fjalët e të cilit Allahu i ruajti, që të lexohen deri në Ditën e Gjykimit.
Teksa e lexoja këtë histori, me gjithë qenien time e përjetoja çastin e atij besimtari që nxitoi të vinte nga skaji i qytetit, për të qëndruar i vetëm në anën e së vërtetës.
Isha me të teksa përpiqej të kalonte pranë rojeve për të arritur te sundimtari dhe për të mbrojtur të dërguarit - i vetëm.
Isha me të teksa, duke mbrojtur të dërguarit, tërhiqte mbi vete zemërimin e sundimtarit - i vetëm.
Dhe pastaj isha me të teksa, përsëri i vetëm, po paguante çmimin e besnikërisë së tij ndaj fesë.
E përfytyroja teksa e kapnin.
Ai ishte një, ndërsa ata ishin të gjithë rreth tij.
I thoshin: "Edhe ti po e kundërshton fenë tonë?"
Pastaj të gjithë u sulën mbi të dhe e mbytën.
Ibn Mesudi ka thënë se e shkelnin me këmbë derisa ia nxorën organet e brendshme.
E përfytyroja suitën e sundimtarit duke qeshur me të ndërsa ai shtrihej i rrahur përtokë; e përfytyroja se si, me neveri, shikonin trupin e tij të masakruar dhe organet e brendshme që i kishin dalë jashtë.
I vdekur
E përfytyroja krejtësisht të vetëm, pa asgjë tjetër përveç krenarisë që i përkiste fesë së tij dhe gatishmërisë për ta lidhur fatin e vet me fatin e saj.
Ai ishte i vetmi besimtar mes popullit të tij dhe i vetmi që u ngrit në mbrojtje të asaj në të cilën besonte.
Atëherë kuptova se Allahu nuk e bën të përjetshëm kujtimin e atyre që qëndrojnë mënjanë. Allahu, përgjatë shekujve, ruan kujtimin e atyre që dallohen dhe i përkushtohen plotësisht fesë së tyre.
Ai bëri gjithçka që bëri, pa e ditur se çfarë do të bënte Allahu për të për këtë dhe çfarë i kishte përgatitur në Xhenetin e Tij.
Po sikur ta kishte ditur!
Pastaj i përfytyroja banorët e qytetit që qeshnin duke parë trupin e tij të masakruar, si dhe ushtarët që me kënaqësi e rrihnin derisa e mbytën.
U gëzuan për pak.
Pastaj, shumë shpejt, edhe vetë u shkatërruan.
Dënimi i tyre erdhi shumë shpejt.
Dhe çfarë mund t'i bënte dëm besimtarit nga familja Ja-Sin fakti që njerëzit qeshnin me të ndërsa ai shtrihej i vdekur para tyre, kur vetëm pak më vonë ai, i gjallë, dhe do të gëzohej në Xhenet?
Pastaj e përfytyroja në Xhenet teksa na thërret, dhe zëri i tij përmes mijëra vitesh arrin deri në veshët tanë:
"Dhe atij iu tha: 'Hyr në Xhenet!' Ai tha: 'Ah, sikur ta dinte populli im se përse më fali Zoti im dhe më bëri prej të nderuarve!'"
(Ja-Sin, 26-27)
Sikur, me zërin e tij u bën thirrje popujve të shkujdesur dhe thirrësve pasivë në fe.
Të dyja palëve u nevojitet kjo thirrje: si njeriut që mëkaton dhe jeton në pakujdesi, ashtu edhe atij që i fton njerëzit drejt Allahut, por mbetet pasiv, pavarësisht se sheh se sa shumë është larguar populli i tij nga Allahu.
Sikur Allahu i Lartësuar, përmes këtij ajeti, përcjellë zërin e tij deri në Ditën e Gjykimit te çdokush që dëshiron ta dëgjojë.
Sikur këto dy ajete të jenë një altoparlant që besimtari i sures Ja-Sin e mban në duar dhe përmes të cilit na thërret:
"Ndihmojeni fenë e Allahut, edhe nëse ju shkelin me këmbë, edhe nëse jua copëtojnë trupin. Sepse pas pamjes së frikshme të vdekjes në këtë botë vjen pamja madhështore e jetës në botën e përtejme."
Pastaj, sikur t'u drejtohej edhe atyre zullumqarëve që buzëqeshin përballë veprave të çdo keqbërësi, që tallen me çdo besimtar dhe heshtin përballë padrejtësisë që u bëhet të shtypurve:
"Ah, sikur ta dinit sa e shkurtër është e qeshura e kësaj bote, sa të parëndësishme janë kënaqësitë e saj dhe sa shpejt zhduken ato përballë begative të përjetshme që unë i pashë!"
O besimtar i sures Ja-Sin!
Sa shumë dëshmi ke lënë pas vetes dhe sa shumë ke bërë me zërin tënd që të dëgjojnë edhe ata që nuk donin të dëgjonin.
Për këtë arsye, Ibn Abbasi ka thënë për të: "Ai e këshilloi popullin e tij për hir të Allahut, si gjatë jetës së tij, ashtu edhe pas vdekjes së tij."
Kurani nuk pushon së zbuluari kuptime të reja, edhe kur i lexojmë ajetet e tij një mijë herë.Thesaret e tij nuk shterojnë.
Veçanërisht për ngjarjet të cilave u dëshmojmë sot, i lidhim me dhimbje të ngjashme të së kaluarës. Sepse ngjarjet përsëriten. Vetëm emrat ndryshojnë.
Halid Hamdi