Të dashur vëllezër e motra,
Vendimi i sotëm i Dhomave të Specializuara të Tribunalit në Hagë është juridikisht i kontestueshëm, i ndikuar politikisht dhe, sipas vlerësimit tonë, në mospërputhje të plotë me standardet e një procesi të drejtë, të paanshëm dhe të barabartë ligjërisht.
Ky vendim, vlerësojmë se rrezikon të shërbejë si një mjet për relativizimin e krimeve të kryera nga Serbia në vendin tonë, krime këto që përbëjnë një kapitull të pashlyeshëm dhe të dokumentuar të historisë sonë të afërt.
As vendimi i sotëm, e asnjë vendim tjetër në të ardhmen, nuk mund ta tjetërsojë të drejtën tonë legjitime për të mbrojtur të vërtetën historike, dinjitetin e viktimave dhe epopenë e luftës sonë për liri dhe pavarësi, e as nuk mund ta zbehë sakrificën sublime të atyre që kontribuuan për çlirimin e Kosovës.
Të dashur qytetarë,
Në këto momente të rëndësishme, si çdo herë tjetër, ne qëndrojmë palëkundshëm në mbështetje të çlirimtarëve tanë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë pjekuri qytetare dhe përgjegjësi të lartë, të ruajnë qetësinë dhe dinjitetin, të jenë pranë çlirimtarëve dhe në krah të vlerave të luftës, dhe të kontribuojnë në forcimin, konsolidimin dhe funksionalizimin e shtetit tonë.
Beteja jonë për drejtësi dhe për mbrojtjen e dinjitetit dhe pafajësisë së çlirimtarëve tanë nuk përfundon këtu. Ne besojmë në pastërtinë e luftës sonë çlirimtare të prirë nga UÇK-ja, besojmë në kontributin dhe integritetin e prijësve dhe udhëheqësve të saj, si dhe në të drejtën e tyre për një proces gjyqësor të drejtë, objektiv, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta universale të drejtësisë.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!
Myftiu i Kosovës
Naim ef. Tërnava