Tregim edukativ: Mendo mirë para se të nxjerrësh përfundime

 


Nëna ime, Allahu e mëshiroftë, më përkëdhelte kokën derisa më zinte gjumi. Çdo natë më tregonte një histori interesante.
Një natë më tregoi për një burrë, i cili kishte shkuar te një mik për t'i kërkuar hua. Miku i kërkoi falje, sepse edhe vetë ishte në gjendje të vështirë ekonomike, por e drejtoi te një burrë tjetër:
„Shko tek ai. Tek ai do ta gjesh atë që po kërkon!"
Burri shkoi në shtëpinë e tij për t'i kërkuar hua dhe e gjeti duke mjekuar një dele të sëmurë.
Mendoi me vete: „Çfarë koprraci! Ka kaq shumë dele dhe nuk dëshiron të flijojë as njërën prej tyre, edhe pse është e sëmurë. E si do të më japë mua para?!"
U kthye te miku i tij dhe i tregoi se çfarë kishte ndodhur.
Miku i tha: „Kthehu përsëri tek ai, nuk do të të refuzojë!"
Ai shkoi përsëri dhe dëgjoi se si burri po i urdhëronte djemtë e tij të mblidhnin çdo kokërr gruri që u binte rrugës për në mulli.
Mendoi me vete: „Një njeri që nuk lejon të humbasin as disa kokrra gruri, sigurisht që është koprrac dhe nuk do të më japë asgjë!"
Përsëri u kthye te miku i tij dhe i tregoi atë që kishte dëgjuar. Por, miku i kërkoi që të kthehej te ai, sepse ai nuk e refuzon askënd që i kërkon ndihmë.
Shkoi për herë të tretë dhe dëgjoi se si burri po u thoshte vajzave të tij që ta ulnin dritën e llambës, në mënyrë që vaji në të të zgjaste sa më shumë.
Ndërsa në vete po thoshte: „Pasha Allahun, ky njeri po më duket gjithnjë e më shumë koprrac", i zoti i shtëpisë e hapi derën dhe e gjeti atë përballë vetes.
E pyeti: „Çfarë të solli këtu?"
Ai u përgjigj: „Do të ta them të vërtetën, sepse nuk gënjej. Kam rënë në gjendje të vështirë ekonomike dhe shkova te një mik, por edhe atë e mundon e njëjta gjë që më mundon mua. Ai më drejtoi tek ti që të më ndihmosh.
Kjo është hera e tretë që vij këtu. Herën e parë të pashë duke mjekuar një dele të sëmurë. Mendova me vete: Ke kaq shumë dele dhe, megjithatë, nuk dëshiron të heqësh dorë as nga njëra prej tyre, edhe pse është e sëmurë. Kjo më bëri të mendoj se je koprrac.
Herën e dytë dëgjova se si i këshilloje djemtë e tu që t'i mblidhnin kokrrat e grurit që u binin rrugës për në mulli. Mendova: Ke shumë grurë, e megjithatë sillesh kështu - me siguri je koprrac!
Tani po u thua vajzave të tua ta ulin dritën e llambës për të kursyer vajin, prandaj jam edhe më i bindur se je koprrac!"
Burri buzëqeshi dhe i tha mysafirit:
„Sa i përket deles, ajo ishte e fortë dhe për një kohë të gjatë kemi pirë qumështin e saj. Ku do të ishte besnikëria jonë nëse do ta braktisnim sapo u sëmur?
Djemve u thashë t'i mblidhnin kokrrat e grurit të derdhura, në mënyrë që të mësojnë ta respektojnë begatinë. Njeriu nuk e di se në cilën pjesë të ushqimit të tij gjendet bereqeti.
Ndërsa vajzave u thashë ta ulnin dritën e llambës dhe ta kursenin vajin, sepse po i mësoj të jenë kursimtare dhe të dinë ta menaxhojnë mirë pasurinë. Unë jam njeri i pasur, por ato së shpejti do të shkojnë në shtëpitë e bashkëshortëve të tyre, e ndoshta ndonjëri prej tyre do të jetë i varfër. Dëshiroja t'i përgatitja për jetën."
Mysafiri i kërkoi falje të zotit të shtëpisë për mendimin e keq që kishte pasur për të.
I zoti i shtëpisë i tha: „Mos u shqetëso. Tani më trego se për çfarë ke nevojë."
Ai ia tregoi nevojën e tij, burri i dha atë që kërkonte dhe ai vazhdoi rrugën e vet.


Nga kjo histori mësova se disa virtyte fisnike nuk dallohen lehtë, se nuk duhet t'i gjykojmë gjërat vetëm nga ajo që shohim në pamje të parë dhe se disa njerëz kanë një largpamësi shumë më të madhe se të tjerët.
Mendo pak për këtë besnikëri, miku im! Ai nuk e braktisi as delen, me të cilën e lidhte një histori e bukur e së kaluarës!
A mendon se një njeri i tillë do t'i braktiste njerëzit kaq lehtë?!
Miku im, gjërat e vogla të tregojnë shumë për ato të mëdhatë. Veprimet e thjeshta dhe hollësitë ndoshta nuk të duken të rëndësishme. Por, sikur të ndaleshe e të mendoje thellë rreth tyre dhe t'i shikoje me një sy më të mprehtë, do t'ia kurseje vetes mundimin për t'i njohur njerëzit nga afër!


 


Ed'hem Sharkavi


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

“Origjina e numrave” – arti, matematika dhe shpirtërorja në një ekspozitë