Haxhi Faik Hoxha Myftiu i parë i Shkodrës pas shpalljes së demokracisë

Islam Dizdari

Haxhi Faik Hoxha ka lindur në Shkodër, në lagjen “Parrucë” më 14.4.1930. Është i biri i Sheh Qazim Hoxhës, njëri ndër predikuesit dhe dijetarët më të shquar islamë.
Mësimet i filloi në “Shkollën e Kuqe” të Tiranës që e përfundoi në vitin 1939. Mësimet e para fetare i mori në shtëpi nën kujdesin e babës së vet dhe të rrethit familjar. Ky mjedis familjar, dëshira e të atit për t’i dhënë dije fetare djalit të vet dhe sidomos vizitat e shumta të dijetarëve dhe hoxhallarëve më të shquar të kohës në shtëpinë e tij, nxitën interesimin për arsimimin fetar. Ai vazhdoi shkollën e mesme në “Medresenë e Përgjithshme” në Tiranë, të cilën e përfundoi në vitin 1948 me rezultate të shkëlqyeshme.
Në këtë vit Sheh Qazimi dëbohet nga Tirana dhe e gjithë familja, me të edhe Haxhi Faiku vjen në Shkodër.
Në vitin 1950 emërohet profesor në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë ku dha lëndë fetare dhe të përgjithshme. Në këtë detyrë u tregua i aftë, i dashur, u nderua nga nxënësit dhe u vlerësua nga eprorët. (Foto Faik Hoxha mes profesorëve në Medresenë e Tiranës)
Në vitin 1954 kryen shërbimin ushtarak dhe menjëherë filloi punën në Kooperativën e Artizanatit të Shkodrës si llogaritar, detyrë që e vazhdoi deri në vitin 1966, kur e arrestojnë dhe vuan vitet e burgimit deri në 1989. Për 23 vite rresht vuajti dënimin si i burgosur nga regjimi komunist.
Ndryshimet shoqërore që ngjanë pas viteve ’90 me proceset demokratike, krijuan mundësi të reja për Haxhi Faikun. Ai u angazhua me të gjithë energjitë për rizgjimin e ndjenjave të qytetarëve në besimin te Zoti i madhërishëm dhe për hapjen e xhamive të reja në Shkodër.
Në mbledhjen e parë të përfaqësuesve të rretheve të vendit tonë, në shkurt të vitit 1991, Haxhi Faiku u emërua Myfti i Shkodrës, ndërkohë ai ka kryer edhe detyrën e imamit dhe të vaizit në xhamitë e Plumbit, Parrucës dhe Ebu Bekër (Në Fushë Çelë).
Me organizimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të këtij Komuniteti, tarikati Tixhani e zgjodhi në kryesinë e tij në detyrën e Zv. Shehut. Kur vdiq Sheh Qazim Hoxha në vitin 1959 me ixhazet të posaçëm ai i lë djalit të tij, Faikut, detyrën e kryesisë së tarikatit.
Në të gjitha këto detyra Haxhi Faiku është shquar në këto drejtime:
-Institucioni i Myftinisë u ripërtëri, funksionoi me të gjitha organizmat e veta, iu përshtat nevojave të kohës që për momentin ishin tepër të vështira, filloi të ecë në rrugë të mbarë sipas rregullores së Komuniteti Mysliman të Shqipërisë. Kjo myftini u bë krahu i djathtë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe qe në ballë të të gjitha përpjekjeve për përhapjen e Islamit.
-Për një veprimtari të dendur dhe të dobishme për gjallërimin e fesë Islame. Gjatë periudhës kur ishte Myfti Haxhi Faik Hoxha, u ndërtuan 9 xhami në qytet dhe 38 në fshatra, u vunë në funksionim xhamitë që kishin mbetur pa u shkatërruar nga diktatura komuniste, u hap Medreseja “Haxhi Sheh Shamia”, në lagjen Dudas si dhe u ndërtuan dy godina madhështore, në lagjen Perash, dega e Vajzave aty ku ishte shtëpia e “Daut Boriçit”, e ajo e Djemve në truallin e Xhamisë së Haxhi Bajramit. Në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” Haxhi Faiku dha mësimin e besimit duke u bërë kështu një ndër aktivistët kryesorë dhe shembull i përhapjes së Islamit në fëmijët e këtyre shkollave. (Foto: Haxhi Faik Hoxha gjatë një vizite në Medresenë e Dudasit si Myfti i Shkodrës)
-Për shumë nga nxënësit e Medresesë, Haxhi Faiku u interesua që të vazhdonin studimet e larta në shumë vende të botës Islame, si: në Turqi, Egjipt, Siri, Arabi Saudite, etj.
Qe nismëtar i hapjes së kurseve për fëmijët për edukimin Islam të tyre dhe për kualifikim fetar të rinisë. Disa prej tyre, studentë të universiteteve dhe të kurseve fetare, më vonë do të bëheshin myezinët, imamët dhe hatibët e ardhshëm të xhamive që u hapën në Shkodër.
-U dallua për sigurimin e qetësisë, humanizmit, bashkimit të qytetarëve dhe tolerancës fetare. Haxhi Faiku në detyrën e Myftiut punoi për bashkimin dhe vëllazërimin ndërmjet besimtarëve. Interesimi i tij ka qenë më i madh pas viteve 1991 dhe sidomos në vitet 1997 dhe 1998 për të kapërcyer problemet e hasura e jo pak të vështira. U tregua tolerant dhe bashkëpunoi vazhdimisht me komunitetet fetare, atë katolik dhe ortodoks, me përfaqësuesit e këtyre komuniteteve, Arqipeshkëvinë e Shkodrës dhe Famullinë Ortodokse të Shkodrës. Bashkëpunoi ngushtë edhe me organet e pushtetit vendor me Bashkinë dhe Prefekturën.
-U angazhua direkt në organizimin e festave fetare dhe të veprimtarive të shumta kulturore dhe shkencore për njohjen dhe promovimit e personaliteteve të fesë dhe të kulturës në Shkodër. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunimi me redaksitë botuese, me institucionet kulturore arriti suksese të papara gjë që nxiti shumë veprimtari artistike edukative me vlera estetike të paçmuara. Mes tyre mund të përmendim dy koncertet madhështore të Bajrameve më 1995 dhe 1996, këndimin e mevludeve në shumicën e xhamive të Shkodrës dhe të fshatrave për rreth, veprimtaritë kulturore në xhaminë “Ebu Bekër” dhe në shumë tjera, u gjallërua jeta kulturore në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, u zhvilluan shumë veprimtari shkencore për dijetarët dhe hoxhallarët më të nderuar të Shkodrës, u bënë shumë botime në kujtim të tyre ku u shpalos veprimtaria, jeta dhe vlera e tyre në shërbim të Islamit, të kulturës dhe të diturisë.
-Myftiu i Shkodrës, Faik Hoxha qe nismëtar i organizimit të ceremonive të martesave fetare në xhamitë e Shkodrës dhe sidomos në xhaminë “Ebu Bekër”. Të gjitha martesat dhe ceremonitë e tyre fetare ishin një kujtim i rrallë për jetën e çifteve të reja. Të gjitha martesat u regjistruan në një libër të veçantë.
-Gjatë luftës në Kosovë, me ardhjen e refugjatëve kosovarë, Faik Hoxha do të jetë në ballë të organizimit të ndihmave dhe të sistemimit të familjeve kosovare në kampet e refugjatëve të ngritura nga shoqatat e ndryshme dhe në familjet shkodrane. Qe pranë tyre që ata njerëz të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre, ta ndienin veten sa më të qetë në strehimet e reja të përkohshme dhe të kishin mundësitë e një jete sa më normale. Në çdo kamp u ngritën në baza vullnetare organizmat për ceremonitë fetare, u caktuan imamët dhe myezinët provizorë dhe filloi jeta e rregullt fetare në kushtet e kampeve të improvizuara në zona të ndryshme të qytetit.
Haxhi Faiku shkoi tri herë në Mekë, në vitin 1991, në vitin 1997 dhe në vitin 2001. Ai që në vitin 1991 është një nga haxhitë e parë të Shqipërisë pas hapjes së saj drejt demokracisë. Në haxh Faik Hoxha qe një udhëheqës i shquar, një drejtues i aftë dhe një këshilltar i denjë për çdo problem që u dilte haxhilerëve shqiptarë. Edhe në kushtet e haxhit gjente kohën e takimeve dhe bisedave me miq të tjerë, me vëllezërit kosovarë dhe me autoritetet fetare të vendit.
Veprimtaria e Haxhi Faikut u nderua dhe u vlerësua nga institucionet shtetërore dhe fetare. Mes tyre i është dhënë titulli “Qytetar Nderi” i Shkodrës, i është dhënë dekorata e lartë “Pishtar i Demokracisë” nga Presidenti i Republikës Sali Berisha dhe së fundmi është mbajtur një veprimtari shkencore dhe është botuar libri “Nderim për Shejh Qazim Hoxhën dhe trashëgimtarin e denjë të tij Haxhi Shejh Faik Hoxha” (Foto: pamje e kopertinës së librit)
Tek Faik Hoxha kemi parë njeriun e veprimit e të sakrificës, i cili me entuziazëm dhe pa përtesë dhe me besim të madh tek Zoti, nuk e ndjeu as moshën as peshën e mundimit të viteve e të burgjeve komuniste por gjithnjë me karakteristikat e një kuadri, kleriku dhe intelektuali të formuar e të talentuar në misionin e Islamit, u tregua shembullor. Me sa e njohim të gjithë edhe ky klerik, duke ecur në gjurmët e babës së vet, me shembullin e tyre të një përkushtimi të lartë, në fushën e besimit islam dhe të atdhedashurisë, historia i radhit si figurat model cilësish mendore, shpirtërore, humane e qytetare... /kmsh/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi