Gjendja dhe sfidat e të rejave tona

Dr. Jusuf El-Kardavi

Tek ne myslimanët, vajzat tona gëzojnë statusin e njëjtë si djemtë tanë, ato kanë të drejtat e njëjta si djemtë. Gratë janë gjysma e shoqërisë. Një shoqëri nuk do të jetë e dobishme, nëse në të nuk bëhet e dobishme gruaja. Nuk mund të përmirësohet gjendja, përveçse me përmirësimin e gjendjes së grave. Për këtë arsye, jemi të obliguar të flasim për të rejat e kohës sonë, sepse ato tek ne i kanë të garantuara të drejtat, qofshim prindër, edukatore ose misionare.


E reja e sotme, nënë e së nesërmes

Ajo është faktor i së ardhmes, sepse është prodhuese e gjeneratave. Nënë e mirë është ajo që lind fëmijë të mirë, lind thesarin e gjinisë njerëzore. Prandaj, kur të lëmë pas dore udhëzimin e të rejave, dhe t’i lëmë ato të marrin udhëzime të helmuara, që helmojnë mendimet, ndjenjat, prishin mendjet, traditat dhe vlerat, - atëherë ajo nuk do të rritet veçse si një e prishur dhe që prish të tjerët.Vërtet Islami kujdeset për gruan, e nderoi atë si femër, si grua, si nënë, e para së gjithash, e nderoi si njeri. Ai ia përcaktoi obligimet dhe përgjegjësitë njësoj si burrit. Allahu xh.sh. thotë: “Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri”. (Ali Imran, 195).
Duke u nisur nga kjo, rëndësia e udhëzimit islam të gruas është që të edukohet mirë që nga vegjëlia, të edukohet me edukatë islame të vërtetë, që ta mësojë bërjen e veprave të mira, të rritet me adhurime, në zemrën e saj të mbillet dashuria për të mirat dhe urrejtja e të këqijave, t’i mësohet namazi që nga mosha shtatë vjeç, t’i shpjegohen hallalli dhe harami, të mësojë të dallojë gabimin prej së saktës, dhe të vërtetën prej së pavërtetës.


Kujdesi ndaj të rejave

Prindërit duhet të përpiqen të ndajnë një pjesë të kohës së tyre me vajzat e veta, derisa të rriten me një edukatë të mirë. Ky është obligim i familjes. Gjithashtu, obligim i shkollës, universitetit dhe i institucioneve arsimore është që t’i mësojnë të rejat se cilat janë detyrat e tyre ndaj Zotit ndaj vetvetes, ndaj familjes së tyre , ndaj shoqërisë së tyre dhe ndaj ymetit islam.
Duhet ta kryejnë obligimin e tyre në këtë aspekt, edhe institucionet e medieve, si: gazetat, revistat, radiot, televizionet, teatrot, kinematë, këto mjete të reja të cilat kanë një shkallë rrezikshmërie. A thua e kanë kryer obligimin e vet për udhëzimin e të rejave, të gjitha këto institucione? A e kanë kryer obligimin e tyre familja, shkolla, universiteti dhe institucionet e medieve? Ka prej tyre që kanë kryer një pjesë të obligimit, kurse, në anën tjetër, ka prej tyre që kanë bërë të kundërtën dhe nuk janë mjaftuar vetëm me qëndrimin negativ, por janë përpjekur të prishin udhëzimin e të rejave.Të rejat tona marrin udhëzime që i prishin mendjen e saj, fenë dhe sjelljet e saj. Shikoni se ç’po ndodh në dynja? Ç’na ofrojnë mjetet e ndryshme, gazetat dhe revistat? Këto gazeta, me fotografi të cilat paraqesin fotografi të zhveshura a gjysmë të zhveshura, gruan e kanë marrë si mënyrë të inkurajimit të epshit dhe të reklamimit. Ato paraqesin foto të gruas duke pirë duhan, ose grua që ekspozon diçka të caktuar që ndoshta ka lidhje me gjërat e veçanta të mashkullit, ose paraqitet fotoja e gruas gjysmëlakuriqe. Këto reklama fokusohen vetëm tek femrat, dhe në veçanti tek gruaja e bukur. Shikoni temat që shkruhen, çfarë tematike kanë? Tematika e tyre është vulgare, e ndyrë dhe e prishur. Ç’janë këto gjëra që emetohen në ekrane: filmat, serialet, tregimet, edukata e zhveshur që na lufton djathtas e majtas, këtu e aty? Ç’na shfaqin teatrot, radiot dhe televizionet? Këto gjëra i emetojnë ata që janë të zbrazët prej vlerash, moralit dhe fesë?


Çfarë i intereson së resë myslimane sot?

A i intereson së resë së sotme myslimane ajo që u interesonte të rejave myslimane, të cilat kishin vënë vetjet e tyre në shërbim të Allahut dhe të fesë së Tij, dhe kishin kryer obligimin e tyre në përhapjen e kësaj feje? A i intereson asaj ajo që u interesonte grave të ndershme myslimane të gjeneratave të para, të cilat ishin të kujdesshme për kërkimin e hallallit dhe largimit prej haramit? Aq sa gruaja, kur dilte punë burri i saj për të kërkuar, i thoshte: O ti, ki kujdes nga fitimi i ndaluar, sepse ne mund të durojmë urinë e varfërinë, por nuk mund të durojmë nxehtësinë e zjarrit dhe hidhërimin e të Gjithëfuqishmit?! Së resë myslimane sot i intereson leximi i atyre revistave me foto, titujt dhe emrat e të cilave i dini.
Ato revista shpërndahen në të gjitha vendet dhe shiten me dhjetëra mijëra, e ato i lexojnë të rejat tona në të gjitha vendet islame. Vallë, a ekziston në to orientimi islam në ato revista bosh, që nuk përmbajnë asgjë të vlefshme dhe as me kuptim? A veprojnë në përputhje me edukatën islame dhe vlerat e saj? Jo, për Zotin. Të rejat tona janë të zëna duke dëgjuar këngë të pavlefshme. Sado që të lejojmë e të tolerojmë dëgjimin e këngëve (unë jam prej atyre që më së shumti tolerojnë në këtë aspekt), megjithatë shumica e këngëve që dëgjohen në këtë kohë, sillen rreth një teme, që është: dashuria dhe takimet. Thuajse nuk ka asgjë tjetër në këtë botë përveç dashurisë! Kështu insistojnë për këtë dukuri natyrore, për instinktin që nuk ka nevojë për insistim, veçse ata dëshirojnë të ndezin zjarrin, dëshirojnë t’i afrojnë të riun dhe të renë, duke thënë: Lërini të provojnë njëri-tjetrin, lërini t’i zbulojnë vetjet e tyre, shkatërroni këto barriera ndërmjet të rinjve dhe të rejave. Ç’është kjo prapambeturi? Ç’janë këto pengesa? Hiqini pengesat, hiqini kufizimet, lërini të rinjtë e të rejat që të takohen ashtu sikur dëshirojnë! Këtë e kanë bërë në Perëndim: i kanë hequr kufizimet, i kanë thyer barrierat, e ia kanë lejuar të riut që të takohet me të renë, dhe anasjelltas, ua kanë lejuar të puthen nëpër rrugë dhe të bëjnë nëpër rrugë e parqe atë që feja dhe tradita jonë nuk e pranojnë. A thua i kanë zgjidhur problemet me këtë veprim? Jo, për Allahun, madje nga dita në ditë ato po shtohen edhe më shumë. Në shtetet ku sundon liria seksuale, vrasjet janë të shumta, sepse të renë e bukur e dëshirojnë më shumë sesa një njeri, pas saj synojnë dhjetëra të rinj, madje për shkak të saj edhe vriten. Ndërsa një të reje së cilës nuk i është dhënë shumë bukuri, nuk i afrohet askush, e për këtë shkak ajo hyn në prostitucion, e shet veten e saj në çdo mënyrë, dhe gjurmon personin për ta vënë vetveten e saj në duart e tij. Atëherë, pra, problemi nuk është zgjidhur. Mendimtarët, kritikët dhe intelektualët e tyre akoma ankohen prej kësaj prishjeje morale. Islami i ka përcaktuar kufijtë e ndarjes ndërmjet mashkullit e femrës. Të resë myslimane sot i intereson të shohë filma, seriale televizive, premiera kinemash, po çfarë paraqesin ato? Ato paraqesin një pjesë të përcaktuar të jetës, të një shtrese të veçantë të njerëzve, dhe atë e paraqesin sikur të ishte realiteti i tërë shoqërisë, dëshirojnë që ky aspekt i shtrembëruar të bëhet gjithëpërfshirës dhe të bëhet si një rregull, megjithëse ai vetë është devijim. E reja e gjorë, mbetet e lidhur për këto gjëra dhe iluzione, i mendon ato si të vërteta, ndonëse nuk kanë të bëjnë fare me realitetin.
Të resë myslimane sot i intereson moda bashkëkohore, risia e këtij shekulli, që ndryshon nga viti në vit, madje nga stina në stinë. Kështu luajnë modelistët e veshjeve, shumica prej të cilëve janë hebrenj ose nxënës të tyre, me kokat e grave në tërë botën. Si mund të jenë të rejat myslimane pasuese e tyre, pasuese e atyre gjërave që ata i disenjojnë për to?! Atë e drejtojnë vlerat, ligjet dhe feja.
Atëherë, si mund të pranojë që ata të luajnë me të?! Jemi bërë, ashtu siç ka paralajmëruar Pejgamberi a.s.: “Me siguri do t’i pasoni adetet e popujve që kanë qenë para jush pëllëmbë pas pëllëmbe dhe llërë pas llëre, saqë, po të hynin në vrimë të hardhucës, do të hyni edhe ju atje. I thamë: O i Dërguari i Allahut, a i ke ndërmend çifutët dhe të krishterët? Tha: E kë tjetër nëse jo ata”. (Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Seid El-Hudriu r.a.).
Vrima e hardhucës merret si shembull për aromën e keqe, për vendin e ngushtë dhe të errët që ka. Megjithëkëtë, sikur ata të hynin në vrimën e hardhucës, hyrja në vrimën e hardhucës do të bëhej modë që do të quhej “Moda e vrimës së hardhucës”! Ata do ta ndiqnin, dhe do ta reklamonin gazetat dhe mediet.


Ndikimi dhe shembulli për myslimanen

Sa mund të ndikojë fjala e një dijetari karshi këtyre programeve të shumta që paraqesin: pasion, epsh, stimulim me zë e me foto dhe me fjalë të falsifikuara, muzikë, dialog dhe drama? Ç’mund të bëjë? A mund të përfundojë ndonjë ditë ndërtimi i një godine, nëse ti e ndërton atë, e të tjerët e rrënojnë?! Ç’bën xhamia? Ç’bën shkolla? A u përmbahet mësuesja rregullave të Sheriatit? A ekziston shembulli që do ta merrte e reja në shkollë ose në shtëpi? Nëna, a është shembull për vajzën e vet?
Nënat janë prej atij grupi që qëndrojnë para pasqyrës një kohë të gjatë, kur dëshirojnë të dalin jashtë shtëpisë, e përtojnë të qëndrojnë disa minuta të caktuara para Allahut xh.sh.?! A e gjen e reja shembullin në shtëpinë e saj, në shkollë, në universitet, kur të dalë në rrugë ose kur të shkojë në vendet publike?! Fatkeqësisht, në disa qytete rrugët janë zhytur në lakuriqësi. Nuk lejohet që tërë jeta të bëhet argëtim, dhe e reja t’i ndjekë të gjitha kanalet, frekuencat dhe stacionet televizive, e tërë ditën të dëgjojë këngë, e po, atëherë, ku është serioziteti? Ku është e drejta e Allahut, e drejta e jetës, e drejta e familjes dhe e drejta e shoqërisë? Duhet të jemi vetëkritikë, edhe shoqëria duhet të jetë vetëkritike. Të gjitha institucionet udhëzuese duhet të kontrollojnë punën e vet. E reja myslimane duhet të marrë edukatë islame të mirë, edukatë me të cilën do t’i dijë të drejtat dhe obligimet e saj, të ndalojë te kufijtë e Allahut, pa tolerancë dhe pa ekstremizëm. E reja myslimane nuk duhet ta dorëzojë vetveten në duart e laikëve-ateistëve, që udhëhiqen nga njerëz të ndyrë, që nuk ua dëshirojnë të mirën të rinjve dhe të rejave tona, po dëshirojnë vetëm çrregullim e shkatërrim. E reja jonë nuk duhet ta ketë model të renë perëndimore, evropiane dhe amerikane. Jo, por ajo duhet t’i ketë shembull: nënat e besimtarëve (gratë e Pejgamberit a.s.: Hadixhen, Aishen, Ummu Selemen, Zejneb bint Xhahshin r.a., etj.), bijat e Pejgamberit a.s. (Fatimen r.a. dhe motrat e saj), gratë e ashabëve (Esman, Ummu Sulejmen, Ummu Amareh Nesibeh bint Ka’b r.a., etj.). Këto gra duhet t’i ketë në mendjen e saj. Dhe jo t’i ketë shembull këngëtaret nga Lindja e Perëndimi. Kjo gjë është poshtërsi për të.
Vëllezër myslimanë, prindër, edukatorë, gazetarë, mësues, misionarë, funksionarë, të gjithë ju, o njerëz: Ruhuni prej këtyre rrymave shkatërruese të importuara, që dëshirojnë të na shkatërrojnë nga rrënjët tona, nga themeli, dëshirojnë të na i zhdukin të gjitha gjërat që kanë vlerë për ne.



Përktheu: Mr. Faruk Ukallo
(Burimi “Predikimet e Shejh El- Kardavit”, përgatitur nga Halid Essa’d, mektebetu vehbeh, Kajro, 2001, vëll. 4.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë