Xhami Ar-Rahman, e cila u hap në vitin 1975 është vend adhurimi më i vjetër muslimanë në Orlando. Por, me kalimin e kohës struktura e anëtarëve ka ndryshuar, sot numri në rritje i latinoamerikanëve, siç është Jezus Marti, po bëhen anëtarë të rinj të xhematit.
"Kjo është mënyrë e saktë e adhurimit të Perëndisë, prandaj unë e dua Islamin. Prej tij kam mësuar shumë", thotë Jezus Marti.
Jezusi është portorikan i cili jeton në Florida. Në Islam është konvertuar vetëm një vit më parë. Ai është njëri nga dhjetëra mijëra latinoamerikanë në Shtetet e Bashkuara të cilët janë konvertuar në Islam. Sipas vlerësimeve numri i tyre sillet nga 70.000 deri në 200.000.
"Islami nuk është i lidhur me asnjë vend. Islami është fe. Islami është mënyrë e jetës që e ndjek duke u përpjekur t’i gjesh gjërat më pozitive në veten tënde, në familje dhe në shoqëri si tërësi. "
Liderët muslimanë thonë se Jezus Marti dhe latinoamerikanët tjerë e zgjedhin islamin për shumë arsye. Ata thonë se muslimanët dhe latinoamerikanët përballen me probleme të ngjashme për të gjetur veten e tyre në një vend të ri dhe të panjohur. Një ndër faktorët është edhe prania e Islamit në media pas 11 shtatorit.
Imam Muhamed Musri është kryetari i Bashkësisë Islame të Floridës Qendrore. Komuniteti ka rreth 40,000 anëtarë. Musri thotë se latinoamerikanët dhe muslimanët kanë shumë gjëra të përbashkëta.
"Ka shumë ngjashmëri midis muslimanëve dhe emigrantëve latinoamerikan, të tilla si politika e emigracionit, vendpunimi, ruajtja e vendëpunimit, blerja e shtëpive, të gjitha këto probleme janë të ngjashme për të dy grupet, përmes së cilave janë krijuar marrëdhënie të ngushta midis tyre”, thotë Musri.
Qindra muslimanë mblidhen në xhaminë e imamit Musri. Kërkesa për literaturë fetare në gjuhën spanjolle është në rritje. Imami përmend marrëdhëniet historike të Spanjës me Islamin, prandaj shumica e latinoamerikanëve në Islam gjejnë vlera të ngjashme.
"Shumë njerëz që vijnë nga Amerika Qendrore dhe Jugore kanë vlera konservatore, ashtu si edhe muslimanët, e këtu në SHBA shohin se këto vlera rrezikohen. Është e zakonshme t’i shohësh latinoamerikanët dhe muslimanët duke punuar në projekte të ngjashme, në çështjet familjare dhe të edukimit për t’i mbrojtur vlerat e tyre. Vlerat e tyre konservatore që ata i kanë. "
Për Jezusin dhe bashkatdhetarët e tij vendimi për konvertim është i një natyre të ngjashme, por në të njëjtën kohë është edhe pjesë e trendit të gjerë. Ai shpreson se diversiteti mes muslimanëve amerikanë do të ndihmoj që shoqëria e gjerë amerikane ta kuptoj Islamin sa më mirë.