Ata të cilët dëshirojnë të kuptojnë se si jetojnë myslimanët në Rusi, është mirë që të premten pasdite të shkojnë në xhaminë më të madhe në Moskë.
Por, në këtë kohë, pothuajse fare nuk mund t'i afrohesh kësaj shtëpie të Zotit, në afërsi të Stadiumit Olimpik. Besimtarët qysh para portës dëshirojnë të shfrytëzojnë çdo centimetër të lirë të tokës.
Meshkuj të të gjitha moshave, disa prej tyre me tipare kaukaze, por shumica me tipare nga Azia Qendrore, fillojnë të falën, menjëherë pas thirrjes së myezinit.
Në Moskë ekzistojnë vetëm katër xhami, për rreth dy milionë myslimanë në këtë qytet. Hapësira është e pamjaftueshme për besimtarët. Në mesin e tyre ka disa vjet që është edhe Eshati, një mashkull i ri nga Republika e Dagestanit. Ai në Moskë, si shumë të tjerë, ka shkuar për të gjetur punë. Ai nuk dëshiron të zbulojë mbiemrin e tij, me gjasë për faktin se punon ilegalisht.
"Nuk është aspak e denjë mënyra se si në lutemi këtu", ankohet ai. Ka tashmë kohë që myslimanët në Moskë kanë kërkuar ndërtimin e xhamive tjera, rreth 40 prej tyre, por as qyteti, e as qeveria qendrore nuk kanë dhënë deri me tani leje për ndërtimin e tyre.
"Ata premtojnë në vazhdimësi, por ne nuk po shohim rezultate", thotë imami Chassan Chastrat. Ky 75 vjeçar me mjekër ka tashmë mbi 20 vjet, që nga shembja e Bashkimit Sovjetik, që punon si imam në Moskë. Ai thotë se në qytet ekzistojnë me mijëra kisha ortdokose, ndërsa në krahasim me to, numri i xhamive është qesharak.
Dimrin e kaluar, ishte paraparë fillimi i një xhamie, e cila mund të pranonte deri 3 mijë besimtarë. Komuniteti mysliman kishte siguruar të gjitha dokumentet e nevojshme. Por, një lëvizje qytetare pak para fillimit të ndërtimit, nxiti banorët. Ata demonstruan dhe tubuan nënshkrime kundër ndërtimit të xhamisë.
"Ne myslimanët jemi pjesë e këtij shteti", thotë Chasrat me hidhërim. Nuk mund të ndryshohet fakti se ka kundërshtarë të islamit, por së paku shteti duhet të jetë në anën e myslimanëve.
Një njëri, të cilin imami e cilëson si kundërshtar të islamit, është Michail Butrimov. Organizata e tij, Moi Dvor, ka ndalur ndërtimin e xhamisë dhe ai krenohet për këtë.
"Atje prapa, ku gjendet garazhi, ishte paraparë ndërtimi i xhamisë", thotë ai. "Me rastin e festave të myslimanëve, vendi këtu do të kishte qenë i stërmbushur, nuk do të kishin mundur të depërtojnë as zjarrfikësit", thotë Butrimov dhe shtoi se banorët kanë qenë të interesuar që të ruhet parku në këtë pjesë të qytetit.
Ai mohon se është nacionalist apo se ka urrejtje ndaj të huajve. Por, sipas informatave të qendrës Sova, e cila hulumton rastet raciste, Butrimov megjithatë ka kontakte me ultranacionalistët nga radhët e partisë "Vullneti i Popullit".
Butrimov gjithashtu vë në dyshim edhe numrin zyrtar të banorëve myslimanë në Moskë. Askush nuk i ka numëruar, prandaj askush nuk mund të thotë se katër xhami nuk mjaftojnë në Moskë, thekson Butrimov.
Dhe më të vërtetë nuk është e qartë se sa myslimanë jetojnë në Rusi. Në regjistrimin e fundit të popullsisë në Rusi, në vitin 2002, janë regjistruar 14.5 milionë myslimanë. Duke pasur parasysh shkallën e lartë të natalitetit dhe migracionin e punëtorëve myslimanë, demografët tani theksojnë se numri i tyre është rritur në 20 milionë. Pjesa më e madhe prej tyre jetojnë në Kaukazin e Veriut, ku përbëjnë 90 për qind të popullsisë.
Në Rusi nuk ekziston islami unik postsovjetik. Në Volgë qysh para 1500 viteve janë vendosur tatarët, të cilët u nënshtruan nga Cari i Rusisë në vitin 1552. Tatarët jetojnë në paqe me fqinjët e tyre dhe ata praktikojnë islamin e moderuar, të ngjashëm me atë në Turqi. Në kryeqytetin e Tataristanit, Kazan, është normale që femrat të studiojnë dhe të dalin të pambuluara në qytet.
Në fillim të viteve të 90-ta, në këtë republikë arritën misionarët nga Arabia Saudite, për të joshur të rinjtë me versionin e tyre më radikal të islamit, por pa ndonjë sukses. Një pamje krejt tjetër mbretëron në rajonin e Kaukazit, rajonin më të varfër të Rusisë, ku në një territor tejet të ngushtë jetojnë me dhjetëra popuj. Ky rajon ju bashkua në shekullin e 19-të përfundimisht perandorisë ruse. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, këta popuj synuan që të pavarësohen. Përderisa lufta e parë në Çeçeni, në vitin 1994, ishte një luftë klasike për pavarësi, në vitin 1999 filloi lufta me motive religjioze, për krijimin e një shteti islam.
Me kalimin e kohës, rajoni filloi të islamizohet gjithnjë e më shumë. U shpeshtuan sulmet terroriste edhe brenda territorit të Rusisë, madje edhe në Moskë. Së fundi në janar, kur një sulmues vetëvrasës nga Ingushetia hodhi vetën në ajër në aeroportin Domodedovo në Moskë, duke vrarë 36 persona. Për këtë arsye, myslimanët nga shumica e rusëve shihet dhe vlerësohen si "terroristë".
Nga kryesia zyrtare e bashkësisë myslimane terrori cilësohet si një krim. Zyrtarët e nënvizojnë natyrën paqësore të religjionit të tyre. Megjithatë, kryetari i Këshillit të myftinjve, Ravil Gainutdin, thotë se ekstremizmi dhe armiqësia kundër të huajve janë pengesa më të mëdha për zhvillimin e vendit, se sa terrori nga Kaukazi. Sipas tij, kërcënimi më i madh sot nuk vjen nga Kaukazi, por nga Moska, ku me mijëra të rinj radikalë kanë brohoritur parulla kundër myslimanëve nga Kaukazi. Ka tashmë disa vjet që në Rusi është regjistruar një shtim i dhunës me motive raciste. Megjithatë, shteti rus në vazhdimësi flet për harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore mes religjioneve.
Presidenti Dimitri Medvedev, pas sulmit në Domodedovo, kërkoi që islamit paqësor t'i ofrohet një mundësi, në mënyrë që ai të fitojë luftën kundër islamit radikal. Gainutdin është i bindur se sjelljet e shumicës ruse dhe qeverisë ndaj myslimanëve po nxisin një konflikt të rrezikshëm, i cili herët a vonë do të shpërthejë.
"Islami ka arritur në tokë, para se rusët të bëheshin të krishterë. Por, për fat të keq, shumë ortodoksë besojnë, vetëm për faktin se janë shumicë, se Rusia është shtet ortodoks", thotë ai. /Neue Zurcher Zeitung/