Numri i përgjithshëm i banorëve në Kolumbi është afërsisht 44 milionë, kurse numri i përgjithshëm i myslimanëve në këtë shtet është afërsisht 80.000.
Krishterimi është feja zyrtare e këtij shteti, ata përbëjnë 90% të popullatës dhe janë nga romakët katolikë.
Fetë tjera përbëjnë 10% të popullatës, përqindja e myslimanëve në këtë 10% është 0.1%. Gjuha spanjolle është gjuhë zyrtare e shtetit.
Grupet etnike:
58% të popullatës janë spanjollë dhe portugezë, 20% janë të bardhë, 14% janë mjulato (racë aziatike), 4% zezakë, 3% të përzier (në mes zezakëve dhe indianëve amerikanë). Qendra e parë islame në këtë shtet u themelua në vitin 1993; e themeloi dr. Hulian Eberturuza Ebata, i cili është drejtor i qendrës. Qendrën e themeloi tre vjet pasi pati pranuar fenë Islame.
Xhamitë dhe institucionet ilame:
Në Kolumbi ka një numër të madh institucionesh bamirëse, organizatash islame dhe xhamish, si p.sh. Xhamia e Bilalit, Xhamia e shoqatës humanitare islame në Prankia, Xhamia dhin-nurejn Uthman ibn Afan, Shoqata humanitare në Beidybar dhe Xhamia Miyako.
Xhamia e dytë më e madhe në Amerikën Latine. Xhamia Omar Ibn Al-Hattabi në Maicao, Kolumbi.
Shkollat Islame:
Shkolla darul-erkam, shkolla arabokolumbiane dhe shkolla Miyako. Vlen të përmendet fakti se myslimanët në ato shtete janë të pranishëm për një periudhë të gjatë dhe prania e tyre kishte nisur që nga udhëtimet e myslimanëve të Kordovës përmes (oqeanit Atlantik), nga të cilat (udhëtime) kishte përfituar edhe Kristofor Kolombo. Më pastaj këto i kishte përmendur dijetari el-Mesudij në librin e tij (Muruxhudh-Dheheb) në vitin 956h (1546) dhe aty kishte theksuar se feja islame kishte arritur në Amerikën Latine, ku bënë pjesë edhe Kolumbia, që nga koha e zbulimit të saj, në shek. XV. Kishte arritur së bashku me skllevërit që ishin sjellë nga Veriu dhe Lindja e Afrikës dhe prej tyre më së shumti ishin vendosur në Brazil, për t’u shpërndarë më pastaj në shtetet e tjera të Amerikës Veriore dhe Jugore.
Shumica e atyre skllevërve ishin myslimanë të cilët më vonë ishin detyruar të braktisnin fenë e tyre për shkak të kërcënimit dhe torturave.
Një pjesë e madhe e tyre ishin asimiluar në këtë kontinent dhe disa të tjerë ishin bërë të krishterë nën trysninë fizike, psikologjike dhe morale, prandaj feja islame në këtë kontinent kishte ngecur të përhapej.
Gjatë shekullit të gjashtëmbëdhjetë atje ishte bërë një përpjekje e dytë për shpërngulje pas çlirimit të skllevërve dhe rikthimit të shumicës së tyre në këto troje, përveç shpërnguljeve të shumta që ndodhën në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar nga India, Pakistani, Libani dhe Siria në përgjithësi. Shumica e emigrantëve që vinin nga viset e Shamit ishin myslimanë e të krishterë dhe nuk e dinin gjuhën spanjolle (gjuhën e Kolumbisë), dhe kjo përbënte shumë pengesa për dialog dhe bashkëveprim në mes tyre dhe popullit të Kolumbisë. Shumica e këtyre emigrantëve u vendosën në Brazil, Argjentinë, Venezuelë e Kolumbi, dhe kështu kishte arritur feja Islame në një botë të re shumë herët, siç edhe kanë treguar shumë historianë të mirëfilltë dhe korrektë.
Shumica e komuniteteve myslimane jetojnë në Bukato, kryeqyteti i vendit dhe në qytetet Brankilja e Kali. Ndërkaq, numri më i madh i komunitetit mysliman të Kolumbisë jetojnë në qytetin Mikau. Me gjithë jetesën e thjeshtë që bëjnë njerëzit në këtë qytet, aty jetojnë më shumë se 5 mijë arabë myslimanë, 80% myslimanë sunitë dhe 20% shiitë, shumica e tyre vijnë nga Siria e Libani, kështu që qyteti duket sikur të jetë një fshat arab.
Kur flasim për vuajtjet dhe problemet e komunitetit mysliman në Kolumbi, nuk mund të anashkalojmë bisedën rreth tregtisë me narkotikë dhe kokainë (të cilat konsiderohen prej burimeve esenciale për shumë të rinj kolumbianë dhe prej problemeve akute me të cilat ballafaqohet qeveria kolumbiane), për të përmendur me çdo keqardhje dhe pikëllim se në këtë lloj tregtie të ndaluar, edhe sipas ligjeve islame dhe vendore, janë futur shumë myslimanë në Kolumbi dhe janë zhytur thellë në të, dhe kjo u ka sjellë mjaft telashe dhe probleme atyre dhe fëmijëve të tyre dhe ka ndikuar negativisht tek shumica e komunitetit mysliman, sidomos kur dihet se kjo tregti sponsorizohet dhe mbështetet nga banda të fuqishme e me ndikim të madh, të cilat kanë organizma politikë e ushtarakë dhe mbështeten nga zyrtarë të lartë të shtetit.
Gjithashtu një problem tjetër, i cili është për keqardhje, është çështja e asimilimit dhe zhdukjes që kërcënojnë komunitetin mysliman në Kolumbi për shkak të martesave të myslimanëve me jomyslimane dhe për shkak të armiqësisë nga disa konfesione fanatike fetare.
Edhe pse në Kolumbi mbizotëron sistemi demokratik dhe, falë tij, shumë myslimanë
kanë arritur poste të lakmueshme në qeveri, megjithatë shumica e tyre janë asimiluar në këtë shoqëri dhe shumë prej tyre kanë ndërruar fenë dhe nuk kanë kurrfarë lidhjesh me fenë Islame.
Për mungesë të arsimimit islam, të xhamive, hoxhallarëve dhe literaturës Islame, shumë të rinj nuk kanë njohuri për fenë dhe besimin e tyre, veçanërisht për shkak se shumica e tyre pasojnë traditat e nënave të tyre - shkojnë në kisha dhe manifestime të ndryshme fetare. Kjo është një sfidë e madhe për myslimanët e Kolumbisë dhe, në përgjithësi, për myslimanët e Amerikës Latine.
Për ta ruajtur dhe mbrojtur komunitetin pakicë mysliman në Kolumbi, ekspertët dhe hulumtuesit vlerësojnë se duhet të mbështeten projektet dhe programet e thirrjes-da’ves, të mbulohen nevojat e tyre në atë vend, të fillojnë projekte investuese që do të hapnin vende pune për të rinjtë e komunitetit mysliman.
Gjithashtu ata kanë propozuar edhe themelimin e shkollave dhe instituteve shkencore Islame, qëllimi i të cilave duhet të jetë mësimi i gjuhës arabe, mësimi përmendsh i Kur’anit, njohuri elementare rreth fesë Islame për jomyslimanët dhe përkthimi i librave fetarë e botimi i tyre në gjuhën spanjolle. Ata gjithashtu kanë kërkuar themelimin e një rrjeti elektronik për përhapjen e parimeve dhe mësimeve të fesë Islame përmes internetit, dhe kërkimin e mundësive për hapjen e një kanali televiziv në Amerikën Latine në gjuhën arabe dhe spanjolle, ose hapjen e një dritareje të informimit përmes ndonjë televizioni në Kolumbi për disa orë të caktuara, me qëllim të paraqitjes së fesë Islame dhe parimeve të saj në formën e tyre reale dhe të vërtetë.
Vedat Shabani