Ismail Raxhepi e Sadik Mehmeti
Me ligjin e datës 3 tetor 1929, e tërë Mbretëria e Jugosllavisë (deri atëherë Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene) u nda në 9 banovina, në vend të 33 krahinave të ndarjes së mëparshme me 1922. Me këtë ligj territori i Kosovës u nda në 3 qendra administrative te banovinave kufitare: te Zetës, të Vardarit dhe të Moravës.(1)
Kjo nuk qe ndarja e fundit territoriale e Kosovës në atë kohë. Ndërrimet më të mëdha, për sa i përket territorit të Kosovës, u bënë me Ligjin e 9 shtatorit 1931, që nga shteti ishte proklamuar si Ligji për ndryshime dhe plotësime të ligjit për ndarjen e shtetit në banovina, dt. 3 tetor 1929.
Sipas ndarjes së vitit 1922 e pastaj edhe të asaj të vitit 1929, banovina e Vardarit, me qendrën në Shkup, nga territori i Kosovës përfshinte 9 rrethe, në mesin e tyre edhe rrethin e Gjakovës me seli në Gjakovë. Kurse sipas ndarjes së vitit 1931, me të cilën bëhej "korrigjimi" i kufijve te banovinave, pra edhe të territorit të Kosovës,
që qe edhe ndarja e fundit deri me 1941, banovinës së Vardarit iu morën dy rrethe: rrethi i Gjakovës dhe ai i Podrimës, të cilat iu bashkuan banovinës së Zetës, me qendrën në Cetine.(2)
Për sa i përket ndarjes administrative fetare, rrethi i Gjakovës, deri më 1925, i takonte myftinisë së rrethit të Gjakovës. Nga ky vit kjo myftini pati kaluar nën kompetencat e Drejtoratit të Vakëfit të Gjakovës, për të ndryshuar emrin më 1930 në Drejtorati i Vakëf – Mearfit të rrethit të Gjakovës, me seli po në Gjakovë, i cili së bashku me 10 drejtorate të tjera sa kishte gjithsej në Kosovë, ishte në varshmëri të Drejtoratit të Vakëfeve - Mearife në Shkup.
Kryetar i Drejtoratit... të Gjakovës nga viti 1929 deri më 1934 ishte Abdullah Shkaliç, boshnjak nga Rogatica e Bosnjës, i cili me 1925 kishte mbaruar shkollën për gjyqtar Sheriati në Sarajevë, ndërsa më pas Abdullah Veliç, edhe ky boshnjak nga Sarajeva, i cili po ashtu më 1919 kishte mbaruar shkollën për gjyqtar të Sheriatit.(3)
Në kompetencën e këtij Drejtorati hynte edhe Gjyqi i Sheriatit i rrethit të Gjakovës, me seli në Gjakovë. Paraqitja tradicionale e kadiut (gjyqtarit) si mbrojtës i vakëfeve kishte qenë bazë që neni 30 i Kushtetutës së Bashkësisë së Fesë Islame në Mbretërinë Jugosllave më 1930 të përcaktonte që gjyqtari i Sheriatit të ishte edhe anëtar i Drejtoratit të Vakëf-Mearifit të rrethit dhe sipas pozitës që mbante, edhe kryetar i atij drejtorati.(4)
Kështu, Abdullah Shkaliç, përkatësisht, Abdullah Veliç, kryenin edhe detyrën e gjyqtarit të Sheriatit të rrethit të Gjakovës.
Ç'është e drejta, më 21 mars 1929, u nxor Ligji mbi rregullimin e gjyqeve dhe gjyqtarëve të Sheriatit, me se
bëhej edhe suprimimi i myftinive të deriatëhershme, me punën e të cilave më tutje ngarkoheshin gjyqet e Sheriatit.
Meqenëse Prizreni paraqiste edhe më tutje qendrën administrative fetare ku mbaheshin evidenca të ndryshme për pjesën dërmuese të myslimaneve te Kosovës, madje edhe deri në fund të viteve 30, gjejmë të dhëna për ekzistimin e sërishëm të Myftinisë së Prizrenit, e cila tani nën administratën e vet, kishte një territor më të gjerë, që përfshinte gati tërë Kosovën, me përjashtim të rrethit të Kaçanikut, që i takonte Myftinisë së Shkupit.(5)
Myfti i Prizrenit. asokohe, ishte Nysret ef. Galibi, ndërsa zëvëndësmyfti Shaqir ef. Berbekiç.
Deri me suprimimin e Myftinisë së Gjakovës me 1929, myfti i Gjakovës ishte Ibrahim ef. Pallaska, kurse sekretar Hysni Mustafa.
Ne kuadër të myftinive dhe më pas edhe të drejtoratit të vakëfit të rrethit vepronin edhe imamatet e xhematit si njësi më të vogla administrative, të cilat udhëhiqeshin nga imamët ofiqarë, dhe të cilat llogariteshin si organe bazë të Bashkësisë Islame, përmes të cilëve organizohej dhe funksiononte jeta fetare ne vend.
Organet administrative fetare islame (myftinitë, imamatet e xhematit, drejtoratet e vakëfeve mearife, ulema mexhlisi, etj.) luanin rol shumë më rëndësi në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar dhe për krijimin e mundësisë për rezistencë të organizuar kundër pushtuesit serbomadh, sepse ato ishin të vetmet institucione që mund të quheshin organe institucionale legale për shqiptarët myslimanë të viseve të okupuara, ku ata mund të komunikonin jozyrtarisht në gjuhen amtare, shqip.(6)
Gjate hulumtimeve, në Arkivin e Kosovës kemi gjetur disa dokumente interesante dhe më rëndësi, të cilat bëjnë fjalë pikërisht për institucionet e përmendura të rrethit të Gjakovës. Këto dokumente, të cilat publikohen për herë të parë, na japin të dhëna me vlerë për Gjakovën me rrethinën dhe, përmes tyre, na bëhet i njohur funksionimi dhe organizimi i jetës fetare islame në këto anë.
Kështu, përmes një shkresë që Ministria e Fesë e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, nr. 2975, dt. 1 korrik 1925, seksioni i Fesë Islame në Beograd, ia kishte dërguar Myftinisë së Gjakovës, kërkonte që në afat prej pesë ditësh pas marrjes se kësaj shkrese t'i dërgohej asaj Ministrie lista e anëtarëve të Këshillit të Vakëfit të Gjakovës dhe lista e të gjithë nëpunësve të vakëfit që paguheshin nga arka e vakëfit, duke potencuar aty madje edhe rrogën vjetore, datën dhe numrin e aktvendimit, me të cilin ata qenë emëruar në shërbimet e tyre.(7)
Duke iu përgjigjur kërkesës së asaj ministrie, myftiu dhe drejtori i Drejtoratit të Vakëfit të Gjakovës, Ibrahim ef. Pallaska, njoftonte se Drejtorati që ai udhëhiqte, kishte 10 këshilltarë dhe 38 nëpunës që merrnin rrogat nga arka e vakëfit, përfshirë këtu edhe sekretarin dhe vete myftiun. Prej atyre nëpunësve, shkruan aty, 2 ishin vaizë, 6 imamë, 22 myezinë, 2 myderrizë, 4 shërbëtorë, 1 sekretar dhe 1 myfti.
Këshilltarët e Drejtoratit kane qene:
1. Aziz Ymer Mahmuti
2. Selim Begu
3. Said Hadri
4. Jakup Mustafa
5. Myrteza Dula
6. Selim Abdullahu
7. Osman Vula
8. Demlush Haliti
9. Aga Miftar Aga
10. Halim Hasani
Ndërsa nëpunës të Drejtoratit:
1. Haxhi Hafiz Miftari, imam ne" xhaminë e Hadum Agës, paguhej 3.000 din. ne' vit.
2. Islam ef. Jahja, vaiz në xhaminë' e Hadum Agës, 160din. ne vit.
3. Mulla Mehmed Domi, myezin në xh. Hadum Agës, 1.000 din.
4. Sejdi Fazliu, myezin në xh. e Hadum Agës, 1.540 din.
5. Shaqir Imami, mirëmbajtës në xh. e Hadum Agës, 100 din.
6. Islam ef. Jahja, myderriz ne Medresenë e Madhe, 2.330 din., i dekretuar me vendimin e Ministrisë së
Fesë, nr. 3942, dt. 14. 10. 1923.
7. Hasan Islam efendiu, myezin në Medresenë e Madhe.
8. Haxhi Jusuf efendiu, myderriz në Medresenë e Vogël, 2.080 din., i dekretuar me vendimin e Ministrisë së Fesë, nr. 4711. dt. 13. 11. 1923.
9. Asaf Haxhi Jusufi, myezin në Medresenë e Vogël, 320 din.
10. Hfz. Jusuf Doblibari, myezin në xh. e Islam Begut, 2.760 din.
11. Hazir Grubi, mirëmbajtës i xhamisë së Islam Begut, 120 din.
12. Mulla Selim Cana, myezin në xh. e Mulla Jusufit, 800 din.
13. Adem Ismail Kaqi, myezin, Mulla Jusufit, 2.300 din.
14. Jashqe Dula, mirëmbajtës i xhamisë së Mulla Jusufit, 600 din.
15. Murteza H. Ymeri, myezin në xhaminë e Hankës, 1.000 din.
16. Mahmud A. Ymeri, myezin në xh. e Gerçarit, 500 din.
17. Abdurrahman Junusi, myezin në xh. e Kusarit, 500 din.
18. Adem Hasan Arllati, myezin në xhaminë e Qylit, 900 din.
19. Mulla Syla, myezin në Xhaminë e Re, 1.500 din.
20. Hafz. Rushid Alushi, imam në xhaminë e Haxhi Ymerit, 2,500 din.
21. Hasan M. Hoxha, myezin në xhaminë e Haxhi Ymerit, 600 din
22. Hysni M. Hima, myezin në xhaminë e Haxhi Ymerit, 500 din.
23. Mulla Sadik Gllogjani, myezin në xhaminë e Mahmud Pashës, 800 din
24. Selim Emra, myezin në xh. e Mahmud Pashës, 800 din.
25. Ramadan Koja, mirëmbajtës në xh. e Mahmud Pashës, 240 din.
26. Haxhi Jusuf ef., vaiz në xhaminë e Mahmud Pashës, 100 din.
27. Mulla Murteza Beci, myezin në xhamine e Halil Efendiut, 1.140 din.
28. Haxhi Abdullah Haliti, imam në xh. e Halil Efendiut, 1.200 din.
29. Qamil Mulla Selimi, myezin në xh. e Halil efendisë, 600 din.
30. Said Nexhip Baraku, myezin në xhaminë e Gecajve, 840 din.
31. Hasan ef. Dashi, imam në xhaminë e Fetah Agës, 1.000 din.
32. Haxhi M. Haxhi Ymeri, myezin në xh. e Fetah Agës, 960 din.
33. Fahri lljazi ef., imam në xhaminë e Krye Pazarit, 1.000 din.
34. Rexhep Hasani, myezin në xh. e Krye Pazarit, 500 din.
35. Hfz. Jahja M. Aliu, imam në xhaminë e Sobës, 1.000 din.
36. Rasim Hasani, myezin në xh. e Sobës, 560 din.
37. Hysni Mustafa, sekretar i Drejtoratit, 9.600 din., i dekretuar me vendimin e Drejtoratit të Vakëfit të Gjakovës, nr. 98, dt. 27. 2. 1925.
38. Ibrahim ef. Pallaska, drejtor i Drejtoratit të Vakëfit të Gjakovës dhe Myfti i rrethit.(8)
Ndërkaq, Kuvendi i Ulemave në Shkup, përmes Myftinisë së Prizrenit, më 17 korrik 1931, u kishte dërguar të gjithë drejtorateve të vakëfeve të rretheve, që ishin në varshmëri të tij, pra edhe atij të Gjakovës, nga shtatë formularë blanko, të cilët duhej të plotësoheshin me të dhënat: për imamët zyrtarë, për imamët e tjerë, për myezinët, për numrin e sibjan-mektebeve, të medreseve, etj.(9)
Duke iu referuar këtyre formularëve të plotësuar nga Drejtorati... i Gjakovës dhe në bazë të dokumenteve të tjera te kohës, mësojmë për ndarjen administrative fetare islame sipas imamateve të xhematit te rrethit te Gjakovës, për numrin dhe vendin e xhamive që asokohe gjendeshin në kuadër të secilit imamat, për emrat e 10 imamëve ofiqarë së bashku me datën e lindjes së tyre, kualifikimin shkollor, dekretet me të cilat ata ishin emëruar në atë detyrë, etj.
Një e dhënë tjetër interesante që del nga këto dokumente, kujtojmë, është edhe viti i lindjes së atyre nëpunësve. Ndonëse për disa nëpunës shkruan se kishin kaq vjet, pa e thënë se në cilin vit ishin të lindur saktësisht, megjithatë në bazë të moshës së tyre mund të nxjerrim vitin e përafërt të lindjes së tyre. Të gjithë imamët zyrtarë, shkruan aty, kishin mbaruar apo kishin ndjekur për disa vjet shkolla fetare islame në vend dhe jashtë vendit. Gjithashtu të gjithë imamët zyrtarë ishin edhe imamë në xhamitë e xhemateve ku shërbenin, ndërsa disa të tjerë ishin edhe mësues të mësimbesimit në shkolla fillore të kohës.
Një e dhënë tjetër shumë me rëndësi që e japin këto dokumente, kujtojmë, është numri i shtëpive myslimane,
pastaj numri i banorëve myslimanë (veçan meshkuj dhe veçan femra) për secilin imamat veç e veç.
Në bazë të kësaj, dimë numrin e saktë të shtëpive dhe banorëve myslimanë të rrethit në fjalë. Kjo, sidomos, sepse regjistrim i popullsisë dhe statistikat e bëra në vitin 1921 e 1931, nga pushtetarët serbomëdhenj për shumë arsye nuk janë të sakta. Ata përmes këtyre farë regjistrimeve të falsifikuara kishin dashur që para botës të nxirrnin sa më pakë shqiptarë dhe sa më tepër sllavë (10), në njërën anë dhe, sepse regjistrat e imamëve ofiqarë për shumë arsye janë të saktë, në anën tjetër
Në bazë të këtyre të dhënave mësojmë, se qyteti i Gjakovës, pa rrethinën në vitin 1931 kishte gjithsej 4 imamate të xhematit, nën juridiksionin e të cilëve hynin 11 mëhalle të qytetit, 15 xhami dhe 1 mesxhid, 2.254 shtëpi myslimane, 11.749 banorë myslimanë, prej tyre 6.056 meshkuj dhe 5.693 femra.
Ndërsa rrethina e Gjakovës kishte gjithsej 10 imamate, nën juridiksionin e të cilëve hynin 98 fshatra, 21
xhami, 2.226 shtëpi myslimane, 21.745 banorë myslimanë, prej tyre 11.195 meshkuj dhe 10.550 femra.
Siç po shihet, rrethi i Gjakovës, në vitin 1931 kishte gjithsej 10 imamate të xhematit; katër në qytetin e Gjakovës dhe gjashtë në fshatrat e rrethinës së tij, nën juridiksionin e të cilëve ishin 11 mëhalle, 98 fshatra, 36 xhami dhe 1 mesxhid, 4.480 shtëpi myslimane, 33.494 banorë myslimanë, 17.251 meshkuj dhe 16.243 femra.
Në Gjakovë me rrethinë, shkruan në dokumente, në vitin 1931 punonin 10 paralele të shkollës fillore me 800 nxënës myslimanë. Ndërsa, deri më 1931 nuk qe hapur asnjë mekteb.
Në vazhdim po japim të dhënat për secilin imamat veç e veç, ashtu siç janë në dokumente, pa bërë ndonjë shënim plotësues:
1. Imamati i xhematit të Mulla Jusufit
Përfshin mëhallën e Mulla Jusufit, mëhallën e Gecajve dhe të Kusarit. Ka tri xhami - nga një në secilën mëhallë, dhe mesxhidin e Halil Efendiut. Ka gjithsej 433 shtëpi myslimane, me 2.152 banorë myslimanë, prej tyre 1.110 meshkuj dhe 1.042 femra. Imam zyrtar është hfz. Idris Shaqiri, vjeç 60. Ka mbaruar Darul-mualiminë në Shkup. Është i emëruar me dekretin e ish – Ministrisë së Fesë, nr. 3959, dt. 4.8.1928. Përveç detyrës së imamit zyrtar, është edhe imam i xhamisë së mëhallës (se Mulla Jusufit - ver. jonë).
2. Imamati i Mahmud Pashës
Përfshin mëhallën e Mahmud Pashës, të Sefës dhe të Haxhi Ymerit. Ka gjithsej 4 xhami: 1. Xhaminë e Mahmud Pashës, 2. Xhaminë e Sefës, 3. Xhaminë e Haxhi Ymerit dhe 4. Xhaminë e Re. Ka gjithsej 820 shtëpi myslimane me 2.126 meshkuj dhe 2.014 femra, gjithsej 4.140 banorë myslimanë. Imam zyrtar është Hasan Osman Dashi, lindur me 1894 në Gjakovë. Ka mbaruar Medresenë në Gjakovë dhe në Stamboll. Është emëruar me vendimin e ish-Ministrisë së Fesë, nr. 4722, dt. 14. 9. 1928. Është edhe imam në xhaminë e mëhallës (së Mahmud Pashës - ver. jonë).
3. Imamati i xhematit të Hadumit
Përfshin mëhallën e Hadumit, të Hankës dhe të Gërçarit. Ka gjithsej 5 xhami: 1. Xhaminë e Hadumit, 2. Xhaminë e Fetah Agës, 3. Xhaminë e Gërçarit, 4. Xhaminë e Kryepazarit dhe 5. Xhaminë e Halil Efendisë. Ka gjithsej 450 shtëpi myslimane, 2.700 banorë myslimanë, prej tyre 1.440 meshkuj dhe 1.260 femra. Imam zyrtar është Mustafë Jakup Canhasi, vjeç 40. Ai ka mbaruar ruzhdien dhe ka ndjekur medresenë në Gjakovë. Është emëruar me vendimin e ish - Ministrisë së Fesë, nr. 3953, dt. 4. 8.1928. Është edhe imam i mëhallës (së Hadumit - ver. jonë).
4. Imamati i xhematit të Qerimit
Përfshin mëhallën e Qerimit dhe të Qylit. Ka 3 xhami: Xhaminë e Qerimit, Xhaminë e Sobës dhe xhaminë e Qylit. Ka gjithsej 551 shtëpi myslimane, 2.757 banorë myslimanë, prej tyre 1.380 meshkuj dhe 1.377 femra. Imam zyrtar është haxhi Jusuf Jakup Çarkaxhiu, vjeç 60, i lindur në Gjakovë. Ka mbaruar medresenë ne Stamboll. Është i emëruar me vendimin e ish - Ministrisë së Fesë, nr. 3959, dt. 4. 8.1928. Përpos imam, është edhe myderriz në Medresenë e Vogël.
5. Imamati i xhematit të Ponoshecit
Përfshin fshatrat: Smolicë, Batushë, Molliq, Brovinë, Morinë, Nivokaz, Shishman, Popocë, Stubell, Berja, Babaj Bokës dhe Ponoshec. Ka gjithsej 6 xhami: nga një në fshatrat Brovinë, Molliq, Batushë, Smolicë, Babaj Bokës dhe Ponoshec. Ka gjithsej 356 shtëpi myslimane, 4.123 banorë myslimanë, prej tyre 2.147 meshkuj dhe 1.976 femra. Imam zyrtar është hfz, Ymer Mahmuti, vjeç 56, i lindur në Gjakovë. Ka ndjekur medresenë në Gjakovë. Është i emëruar me vendimin e ish-Ministrisë së Fesë, nr. 3959, dt. 4. 8. 1928. Është edhe imam i fshatit. Në këtë imamat vepron edhe një shkollë fillore me 3 paralele në 3 fshatra.
6. Imamati i xhematit te Junikut
Përfshin këto 12 fshatra: Junik, Hereq, Voksh, Dobrosh, Pacaj, Sheremet, Dallashaj, Rracaj, Rrypaj, Madanaj, Jasiq dhe Qade. Në këtë imamat gjenden 5 xhami, nga një në këtë fshatra: në Junik, në Voksh, në Dobrosh dhe në Rrypaj. Ka gjithsej 417 shtëpi myslimane, 3.665 banorë myslimanë, prej tyre 1.848 meshkuj dhe 1.817 femra. Imam zyrtar është Sadik Jusufi, i lindur në Brovinë, vjeç 38. Ai ka ndjekur medresenë në Gjakovë. Është i emëruar me vendimin e ish – Ministrisë së Fesë, nr. 3959, dt. 4. 8. 1928. Është edhe imam në xhaminë e fshatit Junik. Në këtë imamat vepron shkolla fillore me 2 paralele në 2 fshatra.
7. Imamati i xhematit te Skivjanit
Përfshin këto fshatra: Skivjan, Dujak, Osek Hilë, Osek Pashë, Planqor, Novosellë e Epërme, Novosellë e Poshtme, Trakaniq, Jaksh, Lumbardh, Zhdelle, Dobrobore, Vraniq, Bec, Moricë, Bardosan, Qerim, Mullehoxhaj, Romajë, Brekocë, Vogovë, Zhup, Devë, Guskë, Korenicë, Mejë, Jellacë, Firzë, Moglicë, Kosar dhe Krushec. Në këtë imamat gjendet vetëm një xhami; në fshatin Skivjan. Ka gjithsej 246 shtëpi myslimane, 2.336 banorë myslimanë, prej tyre 1.183 meshkuj dhe 1.153 femra.
Imam zyrtar është Asim haxhi Murtezani, i lindur në Gjakovë, vjeç 36. Ka ndjekur medresenë në Gjakovë dhe në Stamboll. Është i emëruar me vendimin e ish - Ministrisë së Fesë, nr. 6117, dt. 7.12.1928. Është edhe imam në xhaminë e Skivjanit. Në këtë imamat vepron edhe shkolla fillore me 3 paralele në 3 fshatra.
8. Imamati i xhematit të Deçanit
Përfshin këto 5 fshatra: Deçan, Carrabreg, Drenoc, Pobërxhe dhe Llogan. Ky imamat ka 3 xhami: një në Deçan, një në Carrabreg dhe një në Drenoc. Ka gjithsej 345 shtëpi myslimane, 3411 banorë myslimanë, prej tyre 1739 meshkuj dhe 1672 femra. Imam zyrtar është Ismail Abdurrahmani, i lindur në Pejë, vjeç 40. Ka mbaruar medresenë në Pejë. Është i emëruar me vendimin e ish-Ministrisë së Fesë nr. 3959, dt. 4.8.1928. Është edhe imam i xhamisë së Deçanit. Në këtë imamat vepron shkolla fillore.
9. Imamati i xhematit të Rizniqit
Përfshin këto 21 fshatra: Rizniq, Prilep, Prekollukë, Rastavicë, Babaj Lloçit, Glloxhan, Beleg, Kodrali, Pozhar, Lluke e Epërme, Llukë e Poshtme, Lumbardh, Maznik, Ratish i Eperm, Dashinoc, Vranoc, Dobrixhe, Firaje, Jasiq dhe Gramaçel. Ky imamat ka gjithsej 4 xhami, nga një në fshatin Rizniq, Prilep, Pozhar dhe Babaj Lloç. Ka gjithsej 543 shtëpi myslimane, 5.304 banorë myslimanë, prej tyre 2.716 meshkuj dhe 2.588 femra. Imam zyrtar është hfz. Bajram Boshnjaku, i lindur në Plavë, vjeç 35. Ka mbaruar medresenë e Gjakovës. Është i emëruar me vendimin e ish - Ministrisë së Fesë nr. 3959, dt. 4. 8. 1928. Është edhe imam në xhaminë e Rizniqit. Edhe në këtë imamat vepron shkolla fillore me 2 paralele në 2 fshatra.
10. Imamati i xhematit të Cërmjanit
Përfshin këto 15 fshatra: Cërmjan, Kralan, Jabllanicë, Zhabel, Bardoniçë, Gergoc, Radoniç, Rallace, Shaptejë, Rashkocë, Meqë, Llugaxhi, Rakovinë dhe Kodrali. Ky imamat ka vetëm 2 xhami: një ne fshatin Cërmjan dhe një në fshatin Radoniç. Ka gjithsej 319 shtëpi myslimane, 2.906 banorë myslimanë, prej tyre 1.562 meshkuj dhe 1.344 femra. Imam zyrtar është hfz. Halil Sylejmani, i lindur më 1872 në Gjakove. Ka mbaruar medresenë në Gjakovë. Është i emëruar me vendimin e ish – Ministrisë së Fesë nr. 3959, dt. 4.8.1928. Është edhe imam në xhaminë e Cërmjanit. Në këtë imamat vepron një shkollë fillore.(11)
Hasan Osman Dashi
Hasan Osman Dashi, u lind me 25.3.1894, në Gjakove. Kishte mbaruar mektebin iptidai dhe ruzhdien në Gjakovë, katër vjet të medresesë në Stamboll dhe tetë vjet të medresesë në Gjakovë. Fliste dhe shkruante shqip, arabisht, turqisht dhe serbisht. Nga viti 1919 e deri me 1932 kishte qenë mësues i mësimbesimit në shkollën fillore të Gjakovës, ndërsa me 29 dhjetor 1926 do të emërohej fillimisht imam zyrtar i imamatit të Sefës, i cili me 1928 fuzionohet në imamatin e Mahmud Pashës, imam zyrtar i të cilit me dekretin nr. 1667, dt. 27 gusht 1928 emërohet Hasan ef. Dashi. Me 1936 transferohet si imam zyrtar i imamatit të Hadumit, ndërsa me 1937 përsëri do të transferohej me të njëjtën detyrë në imamatin e Bistrenikut ne Kavadar (Maqedoni). Me vendimin e U. Mexhlisit, nr. 774/39, përsëri kthehet si imam zyrtar i imamatit të Mahmud Pashës në Gjakovë. Me 1931 qe emëruar anëtar i Drejtoratit të Vakëf Mearifit të rrethit të Gjakovës.(12)
Hfz. Halil ef. Sylejmani
Hfz. Halil ef. Sylejmani, u lind me 1872 në Gjakovë. Me 1933 qe emëruar imam zyrtar në Cërmjan. Shtatë vjet kishte mësuar në medresenë e Gjakovës dhe dy vjet për hafëz i Kur'anit po në Gjakovë. Fliste dhe shkruante shqip, arabisht, turqisht dhe serbisht.
Para se të emërohej imam zyrtar, kishte punuar si imam privat në Cërmjan.
Ishte edhe mësues besimi në shkollën fillore të Cërmjanit.(13)
Tahir Said ef. Sylejmani
Tahir Said ef. Sylejmani, u lind me 1899 në fshatin Brovinë. Është vëllai i mualimit të sibjan-mektebit të Brovines, Sait Sylejmani dhe nipi i imamit zyrtar të imamatit të Junikut, Sadik Jusufi. Kishte mbaruar medresenë e Madhe në Gjakovë. Fliste dhe shkruante shqip, arabisht, turqisht dhe serbisht. Ishte imam privat. Përkohësisht kishte punuar si imam zyrtar i imamatit të xhematit të Ponoshecit. Në vitin 1937 qe emëruar në këtë detyrë, meqë hfz. Ymer Mahmuti qe emëruar imam në imamatin e Hadumit, atëherë kur Hasan O. Dashi, qe transferuar si imam zyrtar në imamatin e Bistrenikut në Kavadar të Maqedonisë.(14)
- vijon -
Fusnotat:
1. Dr. Limon Rushiti, Ndarja territoriale dhe rregullimi administrate i Kosovës (1929 - 1941), "Vjetar" i Arkivit të Kosovës. nr. XII-XIII, Prishtinë, 1981, 48.
2. Po aty, 59.
3. Kasim Hadiae, Stogodisnjica seriatske sudcke skole (mektebi nubuvva) u Sarajevu, "Glasnik". VIS, br. 5, 1987. str. 657 - 658.
4. Fikret Kareiea, Seriatski sudovi u Jugoslaviji 1918 - 1941. Sarajevo, 1986, 73.
5. Mr. Haki Kasumi, Bashkësia Fetare Islame në Kosovë (1929 - 1941), "Vjetar" i Arkivit të Kosovës. nr. XVI-XVII, Prishtinë, 1983. 97.
6. Dr. Haki Kasumi, Gjendja organizative e Bashkësisë Islame te shqiptarët nën okupimin jugosllav 1912 -1941, Simpoziumi ndërkombëtar: Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët, Prishtinë. 1995, f. 462.
7. Arkivi i Kosovës, Fondi: Sresko Vakufsko Mearifsko Poverenstvo Dzakovica. k. 1, dok. 8, 1925.
8. Po aty.
9. Po aty. k. 1, dok. 68, 1931.
10. Dr. Hakif Bajrami, Kosova - njëzet shekuj të identitetit të saj, Prishtinë. 2001, f. 9.
11. Arkivi i Kosovës, F. Sresko Vakufsko Mearifsko Poverenstvo - Dzakovica, k 1, dok. 67, 68. 1931.
12. Po aty. k. 4. dok. 125. 1936.
13. Po aty, k. 2. dok. 213, 1933.
14. Po aty, k. 4. dok. 143, 1937.