Zgjedhja e Omerit Halif - (III)

Kur Ebu Bekri ndjeu se po i afrohej vdekja, ai filloi të konsultohej me sahabët, se cilin do të linin si halif të myslimanëve pas tij.

Omer Faruku ishte personi më i afërt për Ebu Bekrin. Ai ishte njeriu i dytë në umet pas Ebu Bekrit. Kur Pejgamberi alejhi selam ishte në xhami dhe sahabët ishin aty, ai pyeti se ku është Ebu Bekri dhe Omeri. Ata shkuan që të dy te Pejgamberi alejhi selam; Ebu Bekri në anën e djathtë dhe Omeri në anën e majtë. Pejgamberi alejhi selam i mori për dore që të dy dhe tha: “Kështu do të ringjallemi në Ditën e Kiametit.” Sahabët rrinin në xhami dhe Pejgamberi alejhi selam ishte në mesin e tyre. Ata pyetnin se kush është njeriu më i mirë pas Pejgamberit alejhi selam. Ata thoshin herë Ebu Bekri e pastaj Omeri, kurse Pejgamberi alejhi selam buzëqeshte në shenjë aprovimi për atë që thoshin. Pejgamberi alejhi selam thotë: “Burri më imirë është Ebu Bekri dhe burri më i mirë është Omeri.” Kur e pyetën Muhamedin alejhi selam se kush është njeriu më i dashur për të, ai tha: “Aishja.” I thanë: “Jo prej grave, por prej burrave.” Ai tha: “Babai i saj.” Pastaj kush?” Pejgamberi alejhi selam tha: “Omeri.” Vdiq Ebu Bekri dhe Omeri mori halifatin në dorë. Kur u bë halif ai, njerëzit menduan se ai do të ishte i ashpër, ngase e dinin se Omeri ishte i vrazhdë dhe i ashpër në kohën e Pejgamberit alejhi selam dhe se u bë edhe më i ashpër në kohën e Ebu Bekrit. Po tani, si do të jetë halli kur të jetë halif? Njerëzit u frikësuan nga Omeri, princi i besimtarëve, e filluan t’i shmangen rrugëve e mos t’i dilnin përballë në javën e parë të halifatit. Me Ebu Bekrin ishte e kundërta; edhe fëmijët i shkonin mbrapa dhe luanin me të në rrugët e Medinës, i ngjiteshin pas rrobave dhe i thoshin “O baba, o baba”. Kur Omeri u bë halif, pleqtë dhe të rinjtë e anashkalonin dhe fshiheshin nga ai kur ecte në rrugë. Kur Omeri e ndjeu këtë, ai u ngrit në mesin e njerëzve dhe mbajti një ligjëratë, ku paraqiti kuptimin e thellë të tij ndaj Islamit. Ndër fjalët që Omeri tha në këtë ligjëratë janë edhe këto: “O ju njerëz! Jam informuar se ju frikësoheni prej meje. Dëgjoni fjalën time. Kur isha me Pejgamberin alejhi selam isha robi dhe shërbëtori i tij dhe Pejgamberi alejhi selam ishte njeriu më i butë dhe xhentil. Mendova ta vendosja ashpërsinë time pranë butësisë së Pejgamberit alejhi selam, të isha shpatë e zgjatur në dorën e tij; nëse dëshironte, më nxirrte nga këllëfi e nëse donte, më linte. Ai veproi si deshi dhe unë isha ashtu tërë kohën pa ndryshuar, derisa e mori Allahu. Ai vdiq i kënaqur me mua. Pas tij erdhi Ebu Bekri. Unë isha shërbëtori dhe krahu i tij. Thashë të bashkoja ashpërsinë time me butësinë e tij. Këtë e bëra qëllimisht. Isha shpatë e zgjatur në dorën e tij; nëse dëshironte, më nxirrte nga këllëfi e nëse dëshironte, më shtinte në këllëf. Isha kështu derisa e mori Allahu e ai ishte i kënaqur me mua. Kurse tani, kur unë jam halifi juaj, dijeni se ajo ashpërsi është dobësuar, por duhet ta dini se këtë ashpërsi timen do ta tregoj sërish kundër të gjithë mizorëve dhe të padrejtëve. Nuk do t’u hap rrugë të padrejtëve mbi të dobëtit. Pasha Allahun, nëse dikush nga të padrejtët cenon dikë nga të drejtët dhe fetarët, do ta vendos faqen e tij në dhe, pastaj do t’ia vë këmbën time mbi faqen e tij derisa të marrë hak. Pastaj do ta vendos faqen time në dhe, që mbi të të shkelin të drejtët, fetarët dhe të dobëtit si mëshirë e butësi ndaj tyre. Ju keni tek unë çështje për të cilat e kam kushtëzuar veten në dobinë tuaj. Së pari, të mos marr prej jush pasuri për vete dhe për familjen time. Së dyti, t’ua shtoj pasurinë dhe riskun. Së treti, të mos ju dërgoj shpesh në luftëra. E nëse ju dërgoj, unë do të jem në vend të babait të fëmijëve tuaj dhe të familjeve tuaja. Së katërti, ju mund të më urdhëroni në të mirë e të më ndaloni nga e keqja. Më këshilloni, ngase do të ankohem tek Allahu në Ditën e Kiametit!”
Në këtë çast të gjithë ata që ishin në xhami thanë “Allahu Ekber”. Kjo ligjëratë vuri baza të rëndësishme. Pika e fundit në ligjëratën e tij ishte se nëse nuk e urdhëronin në të mirë, nuk e ndalonin nga e keqja dhe nuk e këshillonin, do të ankohej tek Allahu xh.xh.. Për Omerin të ishte halif nuk ishte thjesht post udhëheqës, pasi tek ai ekzistonte frika se të qenët halif dhe përgjegjës i myslimanëve mund të ishte pengesë për të hyrë në xhenet. Këtë parim shumë fisnik e shpirtëror ua urojmë dhe shpresojmë udhëheqësve myslimanë. Le të bashkëpunojmë që të hyjmë në xhenet.

Arritjet e Omerit

Omer Faruku ishte i pari që u quajt “emirul muminin”, princi i besimtarëve, prej halifëve të drejtë. Ebu Bekri quhej halifi i Pejgamberit alejhi selam dhe njerëzit nuk dinin si ta quanin Omerin. Ta quanin halifi i halifit të Pejgamberit alejhi selam? Në këtë kohë erdhi Ahmed bin Kaisi me një delegacion nga Iraku. Ata dëshironin të takonin Omerin. I thanë Amr bin El-Asit që t’u merrte leje nga princi i besimtarëve që ta takonin. Ai ua ktheu: “Kush është princi i besimtarëve?” I thanë: “Princi i besimtarëve! A nuk është Omeri princi ynë?” Tha: “Po, si jo.” I thanë: “A nuk jemi ne besimtarë?” Tha: “Po, si jo.” Atëherë, Amri hyri tek Omeri dhe i tha: “Selamu alejkum, o princi i besimtarëve!” Omeri tha: “Kush është ai?” Amri i tha: “A nuk jemi besimtarë dhe ti je princi i besimtarëve?” Që nga ajo ditë u përdor titulli princi i besimtarëve për halifin e myslimanëve. Omeri ishte i pari që u quajt princi i besimtarëve.

Kalendari sipas hixhrit

Gjatë halifatit të Omerit vinin letra e shkresa nga vendet e ndryshme, por ishin pa data. Omeri deshi ta sistematizonte këtë çështje, të dinte se si t’i gjente këto letra kur t’i duheshin. Atëherë ndjeu se kishte nevojë për një kalendar. I thanë të përdorte kalendarin romak ose persian, por ai refuzoi. Ai deshi që ky umet të kishte kalendarin e vet të pavarur dhe të diferencuar nga kalendarët e tjerë. Dikush i tha që të merrej ditëlindja e Pejgamberit alejhi selam si kalendar i myslimanëve, ose Israja dhe Miraxhi. Ai refuzoi dhe zgjodhi hixhretin. Kjo tregon se sa largpamës ishte Omeri. Ai mendonte se kalendari mysliman duhet të fillonte me themelimin e shtetit mysliman.

I pari që patrullonte i vetëm natën

Omeri bin Hatabi ishte qeveritari i parë në histori që ditën kalonte rrugëve të Medinës që të njihej me gjendjen e myslimanëve nga afër. Kur kalonte natën në patrullim dhe dëgjonte për ndonjë problem në atë shtëpi, vendoste një shenjë tek ajo shtëpi. Kështu, një natë, kur po kalonte në rrugë, dëgjoi dialogun mes një bije dhe një nëne që shitnin qumësht. Omeri më parë e kishte ndaluar që të përzihej qumështi me ujë, ngase kjo ishte mashtrim për konsumatorin. Omeri dëgjoi nënën duke i thënë së bijës: “Përzieje qumështin me ujë”, ndërsa e bija i tha nënës së saj: “Omeri, princi i besimtarëve, e ka ndaluar një gjë të tillë!” Nëna i tha: “Por Omeri nuk po na sheh”, ndërsa bija e saj me plot besim të sinqertë i tha: “Por Allahu na sheh!” Omeri e admiroi imanin e vajzës, prandaj vendosi një shenjë para asaj shtëpie. Shkoi te fëmijët e tij dhe u tha: “Kush prej jush po martohet me vajzën e shitëses së qumështit?” Tek ajo vajzë ai kishte parë besim, sinqeritet dhe devocion. Nëse askush nga djemtë e tij nuk do ta merrte për grua, atëherë ai vetë do të martohej me të. Djali i tij Asimi u martua me të. Princi i besimtarëve e martoi djalin e tij me bijën e shitëses së qumështit dhe nga pasardhësit e tyre më vonë vjen halifi i pestë i drejtë, Omer bin Abdulazizi. Omeri mbante konferenca vjetore për valitë, komandantët dhe udhëheqësit myslimanë nga vendet e territoret e ndryshme për të llogaritur dhe përcjellë punën e tyre si dhe për të dëgjuar mendimet e tyre. Ai i mblidhte në Mina, në muajin e haxhit, të gjithë valitë, komandantët si dhe të gjithë ata që ai kishte emëruar me ndonjë përgjegjësi. Omeri ishte i pari që mbajti një shkop. Ai kishte një shkop të shkurtër me të cilin i edukonte njerëzit. Ai ecte me shkop në dorë dhe kur shihte dikë duke bërë ndonjë gabim, e ndëshkonte. Një sahab thotë: “Shkopi i vogël i Omerit ishte më madhështor se shpatat tuaja. Shkopi nuk i sillte Omerit madhështi, por duke qenë se ishte në dorën e Omerit, shkopi merrte madhështi.”

Planifikimi i qyteteve

Omeri ishte i pari që planifikoi ndërtimin e qyteteve. Në kohën e tij u ndërtua qyteti i Kufës, në qendër të të cilit ai kishte menduar xhaminë. Pastaj ai planifikoi Basrën dhe më vonë edhe Fustatin (në afërsi të Kajros).

Shtrimi i rrugëve

Omeri ishte i pari që rrafshoi rrugët dhe i drejtoi ato. Ai urdhëroi që rrugët të rrafshohen dhe të hiqen pengesat prej tyre. Ai është thënës i fjalëve të famshme: “Nëse një mushkë në Irak pengohet, Allahu do të më marrë në llogari për të.” Kujdesi i tij i kaloi kufijtë e kujdesit për njerëzit deri te kujdesi edhe për kafshët. Thuhet se një ditë e kishte marrë malli të hante peshk. Shërbëtori i tij mori kafshën e tij dhe shkoi në breg të detit, në një udhëtim prej katër ditësh, që të sillte peshk. Kur u kthye, Omeri e pa kafshën e lodhur dhe i tha: “Të shkosh për një ditë dhe të kthehesh për një ditë vetëm për oreksin e Omerit? E ke ndëshkuar dhe munduar kafshën për hir të oreksit të Omerit? Pasha Allahun, nuk e ha këtë ushqim, që të mos më llogarisë Allahu xh.xh. në Ditën e Gjykimit për lodhjen e kafshës!”

Arritjet e tij në sferën e adhurimeve

Në adhurim, Omeri ishte i pari që i mblodhi njerëzit në xhami për faljen e namazit të teravive. Në fakt, Pejgamberi alejhi selam fali një herë namazin e teravisë me myslimanët dhe njerëzit filluan të shtohen shumë. Kështu u falën për pesë ditë dhe në ditën e gjashtë Pejgamberi alejhi selam nuk doli për faljen e namazit të teravive me qëllim që të mos bëhej obligim për myslimanët. Pastaj njerëzit filluan t’i falin namazet e teravive në shtëpitë e tyre, por kishte prej tyre që e falnin edhe në xhami. Faleshin edhe grupe-grupe, secili grup e falte ndaras nga grupi tjetër, por kur erdhi Omeri, i bashkoi të gjithë në një namaz me një imam dhe kjo nuk është bidat në fenë e Allahut, ngase esenca e faljes së namazit të teravive është siç thamë më parë. Vetë Pejgamberi alejhi selam i fali me xhemat në xhami. Omeri e dinte se Pejgamberi alejhi selam e la faljen e namazit të teravive me xhemat vetëm se frikësohej se do t’u bëhej obligim myslimanëve. Nëse faleshin tani me xhemat, ky namaz nuk do t’u bëhej më farz, prandaj edhe Omeri i bashkoi myslimanët në namaz.

Namazi i xhenazes

Transmetohet se Pejgamberi alejhi selam e ka falur namazin e xhenazes me katër, me pesë dhe gjashtë tekbire, por më shumë me katër tekbire, prandaj Omeri i tuboi myslimanët në këtë formë të faljes së namazit të xhenazes. Omeri kishte dëshirë ta zgjeronte xhaminë e Pejgamberit alejhi selam, prandaj donte t’ia merrte shtëpinë Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të, por Abasi refuzoi dhe shkoi te gjykatësi, që në atë kohë ishte Ali bin Ebi Talibi. Gjykatësi vendosi se Abasi kishte të drejtë. Atëherë, Abasi tha: “Tani ta jap tokën dhe shtëpinë, o princi i besimtarëve, dhe këtë e bëj vetëm që të lartësohet sovraniteti i myslimanëve.” Omeri ishte i pari që u jepte shpërblime atyre që mësonin Kuranin përmendësh. Ai ishte i pari që e shtyu “Mekamu Ibrahimin”, vendin që Ibrahimi alejhi selam e përdorte për ndërtimin e murit të Qabesë. Mekami në atë kohë ishte thuajse i ngjitur me murin e Qabesë dhe kur myslimanët donin të bënin tavafin, largoheshin nga Mekami. Kur e pa këtë Omeri, e shtyu “Mekamu Ibrahimin” një distancë të shkurtër, në mënyrë që haxhilerët ta bënin haxhin më lehtë. Omeri ishte i pari që kufizoi numrin e këshillit legjislativ, që më parë ishte i hapur.

Marrëdhëniet e tij në sferën e trajtimit të jomyslimanëve Largimi i çifutëve nga Gadishulli Arabik

Prania e çifutëve në Gadishullin Arabik ishte e dëmshme për myslimanët. Pejgamberi alejhi selam i la çifutët e Hajberit me kusht që myslimanët të merrnin gjysmën e të lashtave të tyre në Hajber. Pejgamberi alejhi selam dërgonte Abdurrahman bin Oufin që të llogariste të lashtat e çifutëve dhe t’i ndante. Edhe Omeri dërgoi gjithashtu Abdurrahman bin Oufin. Një çifut shkoi tek Abdurrahmani dhe i tha: “O Abdurrahman, a do ndonjë llogari, ose përqindje më të mirë? Ti merr një të katërtën, ne të marrim më shumë se gjysmën, kurse pjesën tjetër t’ia japim Omer bin Hatabit.” Abdurrahmani menjëherë hoqi këpucën e tij dhe filloi ta godiste çifutin duke i thënë: “A do të më japësh ryshfet në nderin e Omerit dhe në nderin e Pejgamberit alejhi selam? Pasha Allahun, nuk ke prej meje diçka tjetër vetëm se këtë këpucë në fytyrë!” Kur lajmi i shkoi Omerit, ai tha: “U bekoftë ajo dorë që goditi me këpucë atë njeri!”, dhe dha urdhër të largohen çifutët nga Gadishulli Arabik.

Imponimi i xhizjes ndaj ithtarëve të librit sipas standardit të tyre ekonomik

Në kohën e Omerit i varfri dhe ai me pak të ardhura paguante xhizje të vogël, kurse i pasuri paguante më shumë. Omeri e anuloi xhizjen ndaj ithtarëve të librit që ishin shumë të varfër dhe nuk kishin mundësi ta paguanin. Një ditë, Omeri pa një çifut të vjetër që po lypte në rrugët e Medinës dhe e pyeti përse po lypte. Ai ia ktheu: “Që të paguaj xhizjen!” Omeri tha: “Pasha Allahun, nuk të kemi mëshiruar ty nëse e kemi marrë xhizjen në rininë tënde dhe në pleqërinë tënde.” Atëherë ia ktheu atij xhizjen dhe u dha urdhër valive të tij që ithtarëve të varfër të librit t’u kthehen xhizjet e marra. Të vjetërve dhe të varfërve nga gjiri i ithtarëve të librit Omeri u jepte nga buxheti i shtetit mysliman. Koha e sundimit të Omerit ishte kohë paqeje dhe tolerance me jomyslimanët. Kur ai shkoi në Kuds, i kërkuan që të falej në kishë, por Omeri tha: “Po falem jashtë kishe, pasi kam frikë se kur të vdesë Omeri, myslimanët do ta rrënojnë kishën e do të ndërtojnë në vend të saj xhami. Po falem në rrugë dhe le të mbetet kisha në vend.”

Arritjet e tij në sferën e politikës luftarake

Omeri qe i pari që organizoi kampe stërvitore të përhershme. Ai qe i pari që dha urdhër që ushtria të jetë e detyrueshme. Omeri qe i pari që caktoi se sa kohë ka të drejtë burri të rrijë larg gruas së tij. Sipas këtij urdhri, burri nuk kishte të drejtë të rrinte larg gruas më shumë se katër muaj. Ai qe i pari që themeloi forcat e rregullta rezerviste, për të cilat ai kishte mbledhur tridhjetë mijë kuaj. Omeri qe i pari që kishte vendosur pika kontrolli në pozicione të ndryshme. Ai qe i pari që kërkoi nga komandantët e tij raporte të detajuara për jetën e çdo ushtari. Ai i shkroi një letër Sad bin Ebi Vekasit, ku i shkruante: “Më shkruaj në detaje sikur t’ju shihja. Më shkruaj për gjendjen tënde dhe të ushtarëve të tu, më shkruaj për adhurimet (ibadetet) e tua dhe të ushtarëve.” Ai qe i pari që bëri dosjen e ushtarëve, ku regjistrohej çdo gjë që lidhej me ushtarët, si emrat, pagat etj.. Omeri qe i pari që u caktoi ushtarëve një rrogë fikse. Ai qe i pari që caktoi mjek, përkthyes, gjykatës dhe udhëzues për të shoqëruar ushtrinë dhe që krijoi departamentin e furnizimit të ushtrisë.

Arritjet e tij në arenën ndërkombëtare

Omeri ishte i pari që regjistronte në dosje çdo gjë. Ai ishte i pari që themeloi Ministrinë e Furnizimit dhe të Vakëfit Islam. Omeri qe i pari që ua llogariti të ardhurat dhe pasurinë valive dhe nëpunësve të tij dhe e urdhëroi secilin prej tyre të tregonte sa pasuri kishte. Omeri qe i pari që themeloi Ministrinë e Financave, që shtypi valutën e dërhemit dhe ia caktoi asaj vlerën në peshë. Omeri qe i pari që mblodhi zekatin e kuajve dhe që i caktoi taksa popullit. Ai qe i pari që vendosi se jetimët dhe të gjeturit në rrugë (fëmijët pa baba dhe nënë) do të mbaheshin nga buxheti i shtetit. Omeri qe i pari që vendosi sistemin e kadastrës, që për herë të parë të mateshin sipërfaqet e tokave dhe të shpallej pronari i tyre. Ai qe i pari që shpërndau ushqim në vende të ndryshme dhe që ndërtoi vendpritje për delegacionet dhe për udhëtarët në vendet myslimane. Omeri qe i pari që u huazonte nga suficiti i shtetit atyre që dëshironin të punonin në tregti dhe qe i pari që dërgoi në mërgim ata që bënin monopol të artikujve ushqimorë. Omeri qe i pari që caktoi dhe i mbrojti sipërfaqet e gjera në hapësirë dhe i quajti sipërfaqe të mbrojtura nga shteti. Si rezultat i kësaj u rrit numri i deveve dhe i dhive.

Çlirimet në kohën e Omerit

Iraku u çlirua i tëri në kohën e Omerit, ashtu si dhe Shami, Egjipti dhe Azerbajxhani. Omeri çliroi Kudsin dhe hyri në Mesxhidul Aksa. Gjithë këto arritje u realizuan për dhjetë vjet e gjashtë muaj.

Cilësitë e sundimtarit

Omeri kishte cilësi që askush përveç Pejgamberëve nuk i pati gjatë tërë historisë njerëzore. Njerëzit e dinë se ajo që sundon sot botën është forca dhe fuqia; ai që ka forcën, imponon vullnetin e tij te të tjerët, nënçmon të dobëtin dhe imponon mendimin e vet. Ai që sundon duhet të jetë i fortë, ndërsa i dobëti nuk ka kurrfarë zgjidhjeje në dorë. E vërteta është se personaliteti më adekuat jo vetëm për myslimanët por edhe për mbarë botën është Omer bin Hatabi. Ai ishte personi i vetëm në mesin njerëzor që posedoi fuqinë absolute njerëzore si dhe mëshirën absolute njerëzore. Omeri qe shumë i drejtë, shumë i fuqishëm si dhe shumë i mëshirshëm. Perëndimorët sot thonë se nuk ka mundësi që sot të bashkohen dy antagonizma, fuqia absolute dhe mëshira absolute. Nëse fuqia është në krahun e së drejtës, mirë, por nëse fuqia është në anën tjetër të së drejtës, atëherë fuqia duhet të sundojë e jo drejtësia. Personaliteti i Omerit ishte i vetmi pas Pejgamberëve që zotëronte fuqi, drejtësi dhe mëshirë në shkallën më të lartë njerëzore.

Fuqi dhe mëshirë

Omeri sundonte një pjesë të madhe të botës. Kufijtë e shtetit islam shtriheshin në Afrikë dhe në Azinë Qendrore deri në Azerbajxhan, duke përfshirë këtu Shamin e Persinë. Me gjithë pushtetin e tij, kur pa në rrugë një lypës çifut që lypte për të paguar xhizjen, Omeri e shikoi atë me mëshirë të madhe dhe i tha: “E kemi marrë xhizjen prej teje sa ke qenë i ri, pastaj të detyrojmë që të lypësh në moshën e vjetër? Jo, pasha Allahun!” Pastaj dha urdhër t’ia kthenin atë që kishte paguar dhe t’i jepej atij dhe të gjithë ithtarëve të varfër të librit pension nga buxheti i shtetit.

Të drejtojmë me shpatat tona

Një ditë, Omeri i tuboi myslimanët në xhami dhe u tha: “O ju njerëz, çfarë do të bëni nëse dynjaja ma lakon kokën time kështu?” Njerëzit heshtën. Pastaj ai e përsëriti sërish dhe askush nuk foli. Pastaj e përsëriti për herë të tretë dhe atëherë doli një nga të pranishmit dhe tha: “Nëse dynjaja ta lakon kokën ashtu, atëherë do të ta drejtojmë me shpatat tona.” Atëherë, Omeri tha: “Elhamdulilah që në umetin e Muhamedit alejhi selam ka njerëz që e drejtojnë Omerin nëse shkon në rrugë të shtrembër!” Kush është Zoti juaj, cila është feja juaj dhe çfarë thoni për këtë njeri që është dërguar në mesin tuaj? Pejgamberi alejhi selam ishte ulur një ditë në mesin e sahanëve dhe i pyeti: “Çfarë do t’u thoni dy engjëjve kur të vijnë në varret tuaja dhe t’i hapin ato me dhëmbët e tyre?” Omeri i tha: “O i Dërguari i Allahut, a do ta kem mendjen atëherë?” Pejgamberi alejhi selam i tha se po. E, Omeri ia ktheu: “Atëherë do t’ju mjaftojë atyre o i Dërguari i Allahut (do të di si t’u përgjigjem).” Pejgamberi alejhi selam buzëqeshi dhe tha: “A e di o Omer se çfarë do t’u thuash dy engjëjve?” Omeri i tha Pejgamberit alejhi selam: “Çfarë do t’u them dy engjëjve?” Pejgamberi alejhi selam ia ktheu: “Kur të vijnë dy engjëjt e do të të pyesin kush është Zoti yt, ti do t’u thuash: “Mirë, po kush është Zoti juaj?” Kur të thonë cila është feja jote, ti do t’u thuash: “Jo, cila është feja juaj?” Do të thonë se çfarë thua për burrin që është dërguar në mesin tuaj, e ti do t’u thuash: “Po ju çfarë thoni për atë burrë që është dërguar në mesin tuaj?”

Që të mos pyetem nga Allahu në Ditën e Kiametit!

Një natë, Omeri ishte duke ecur në rrugët e Medinës dhe dëgjoi një fëmijë që qante. Ai i foli nga jashtë nënës së fëmijës: “Për Allahun, vëre fëmijën të flejë!” Pas pak ai dëgjoi sërish zërin e fëmijës dhe tha: “Për Allahun, vëre fëmijën të flejë!” Pastaj e dëgjoi për herë të tretë zërin e fëmijës dhe i tha: “Vërtet qenke nënë e keqe, vëre fëmijën të flejë!” Nëna e fëmijës iu përgjigj: “Më lër të lirë, sepse Omeri nuk kadhënë ushqim. Fëmija nuk po mëson të hajë, e unë po mundohem ta mësoj të hajë.” Atëherë Omeri qau dhe shkoi në xhami. Ishte koha e namazit të sabahut. Ata që ishin në xhami thanë: “Për Allahun, për shkak të të qarit të shumtë, nuk mundëm të kuptonim se çfarë lexoi Omeri.” Pasi përfundoi namazin, Omeri tha: “Mjerë Omeri në Ditën e Kiametit! Sa fëmijë të myslimanëve i ke vrarë, o Omer!” Pastaj tha: “O ju njerëz, për Allahun, prej sot mos u ngutni që t’i mësoni fëmijët tuaj të hanë. Unë do t’ju furnizoj për të gjithë fëmijët tuaj të lindur dhe të rritur, që mos të pyetem në Ditën e Kiametit.”

Sundove dhe ishe i drejtë, i sigurove dhe fjete

Pas humbjeve të shumta të bizantinëve në luftë kundër myslimanëve, pasi Herakliu ndjeu se mbretëria e tij ishte duke u rrënuar, ai dërgoi një lajmëtar tek Omeri që t’i dërgonte një mesazh. Misionari i Herakliut hyri në Medinë dhe filloi të pyeste për Omerin. Një njeri i tregoi se ai person që po flinte nën atë hije ishte Omeri, princi i besimtarëve. Atëherë lajmëtari u habit dhe tha thënien e tij të njohur: “Sundove dhe ishe i drejtë, i sigurove të tjerët dhe fjete i sigurt, o Omer! Ne mbretëruam dhe bëmë padrejtësi, mbetëm natën pa gjumë duke u ruajtur e prapë ndihemi të frikësuar, prandaj na mundët ju o myslimanë.”

O Zot, më shto madhështinë!

Omeri ishte duke ecur një ditë dhe pas tij ecnin edhe disa myslimanë. Kur Omeri u ndal, u ndalën edhe ata. U kthye Omeri drejt tyre dhe u tha: “Përse u ndalët?” Thanë: “U frikësuam nga madhështia jote, o Omer!” Omeri u tha: “A ju kam bërë ndonjë të padrejtë?” I thanë se jo. Atëherë ai tha: “O Zot, ma shto madhështinë (hibetin)!” Një ditë, Omeri shkoi te berberi dhe kur ishte aty u kollit. Berberit nga frika i ra gërshëra nga dora, madje në disa transmetime të tjera thuhet se gati sa nuk e humbi vetëdijen nga frika.

Ëndrra e Pejgamberit alejhi selam

Pejgamberi alejhi selam thotë: “Pashë në ëndërr se në Ditën e Kiametit dikush prej njerëzve e kishte këmishën e tij deri në gjoks, dikush e kishte këmishën deri te kocka më e lartë në gjoksin e tij (afërsisht në qafë), e dikush e kishte edhe më pak se ajo. E pashë Omerin se e kishte këmishën të gjatë dhe e tërhiqte zvarrë. A e dini se ç’është ajo këmishë?” Thanë: “Jo, o i Dërguari i Allahut.” Ai tha: “Ajo është simbol i fesë.” Sikur ta kisha në dorë, do të të zgjidhja ty në vend të Omer bin Hatabit! Siç ishte traditë e tij, Omer bin Hatabi natën patrullonte rrugëve të Medinës. Ai pa një zjarr diku larg dhe shkoi drejt e atje tek ata njerëz. Aty pa një grua dhe fëmijët e saj që qanin. Gruaja kishte vënë një enë në zjarr dhe vlonte ujë në të, kurse fëmijët qanin. Omeri u kollit, u afrua dhe tha: “O pronarët e dritës, a mund të afrohem?” Gruaja i tha se po. Omeri e pyeti: “Çfarë keni, përse qajnë fëmijët tuaj?” Tha: “Pasha Allahun, nuk kemi ushqim dhe jemi në udhëtim.” Omeri tha: “Po çfarë ka në atë enë në zjarr?” Gruaja ia ktheu: “Mundohem t’i mashtroj e t’i vë në gjumë.” Omeri i tha: “Përse ka ndodhur kjo?” Gruaja i tha: “Sikur Omeri ta dinte, kjo nuk do të na ndodhte!” Omeri i tha: “Më prit këtu, oj grua!” Omeri mori me vete shërbëtorin e tij që quhej Jarfe dhe u nis drejt shtëpisë së financave të myslimanëve. Jarfeja tregon se Omeri vraponte aq shpejt, saqë nuk mund ta arrinte. Omeri arriti para tij dhe mori një thes me miell, e vuri mbi shpinën e tij, mori edhe ushqime të tjera dhe pak elb. Shërbëtori i tha: “Ma jep mua, o princi i besimtarëve!” Omeri i tha: “E kush e mban këtë në Ditën e Kiametit? Largohu prej meje, o Jarfe, se do ta mbaj vetë, ngase nuk dua që Zoti të më llogarisë në Ditën e Kiametit.” Omeri nisi të përgatiste ushqimin dhe ndihmonte në ndezjen e zjarrit duke i fryrë atij, derisa zjarri i preku mjekrën. Omeri i ushqeu fëmijët dhe i tha nënës së tyre: “Nesër në mëngjes eja në shtëpinë e princit të besimtarëve, ndoshta më gjen atje”, kurse gruaja i thoshte: “Pasha Allahun, ti je më i mirë se Omer bin Hatabi. Sikur të ishte në dorën time, do të të zgjidhja ty në vend të Omerit!”

Druajtja e sundimtarit

Omeri ishte ulur një ditë pas një muri dhe po qante. Një sahab e pa tek qante dhe kapte mjekrën e tij dhe thoshte: “O Omer biri i Hatabit, princi i besimtarëve, bravo bravo!” Ky sahab pastaj tregon se Omeri nisi të qante edhe më shumë, prandaj ai iu afrua dhe u përpoq t’ia zbuste gjendjen duke e pyetur: “Ç’të
bëri të qaje, o princi i besimtarëve?” Omeri ia ktheu: “Po qaj ngase kam dëgjuar Pejgamberin alejhi selam kur tha: ““Nuk ka ndonjë njeri që obligohet me ndonjë çështje të myslimanëve e nuk mundohet dhe lodhet për ta, vetëm se ai person nuk do jetë me ta në xhenet.” I tha: “Përse po qan atëherë, o princi i besimtarëve?” Tha: “Kam frikë se myslimanët do të hyjnë në xhenet dhe Omeri do të hyjë në zjarr, ngase nuk jam përpjekur e lodhur sa duhet për ta.”

Kur i robëruat njerëzit, ndërsa nënat e tyre i kanë lindur të lirë?

Pasi myslimanët çliruan Egjiptin, Omer bin Hatabi e emëroi Amr bin El-Asin mëkëmbës të Egjiptit. Në Egjipt po mbaheshin garat e vrapimit të kuajve dhe i biri i Amr bin El-Asit po garonte me një egjiptian. Garën e fitoi egjiptiani, prandaj i biri i Amrit e goditi me kamxhik në kokë egjiptianin dhe i tha: “Më munde mua, djalin e më të ndershmëve?!” Egjiptiani shkoi në Medinë që t’i ankohet princit të besimtarëve për rrahjen, ngase e njihte drejtësinë e Omerit dhe e dinte se në sundimin e tij nuk i bëhet askujt e padrejtë. Kur Omeri u njoftua për këtë, i dërgoi mesazh Amr bin El-Asit që të vinte në këmbë me gjithë të birin në Medinë. Omeri ia dha kamxhikun egjiptianit dhe i tha: “Merre dhe rrihe birin e më të ndershmëve.” Egjiptiani e goditi birin e Amrit dhe mori hakun, pastaj Omeri i tha: “Drejtoja tani kamxhikun kokës së babait të tij1” Egjiptiani i tha: “Unë rraha atë që më rrahu.” Omeri i tha: “Ai të ka rrahur me pushtetin e babait të vet.” Pastaj iu kthye Amrit dhe i tha: “O Amr, kur i keni skllavëruar njerëzit, ndërsa nënat e tyre i kanë lindur të lirë?!”

Jo në zjarr, por në xhenet

Omeri ishte ulur e tek ai erdhi një arab me dy vajza dhe me gruan e tij. Arabi i tha princit të besimtarëve: “O Omer, mirësi, u shpërblefsh me xhenet! Vishi vajzat e mia dhe nënën e tyre. Të përbej në Allahun ta bësh këtë!” Omeri deshi të komentonte më shumë këtë rast dhe e pyeti arabin sërish, duke i thënë se ç’bëhej nëse nuk vepronte ashtu. Arabi i tha: “Atëherë po largohem, o baba i Hafsës.” Pastaj arabi e pa dhe shtoi: “Pasha Allahun, atëherë do të përgjigjesh para Allahut atë ditë kur dhuratat janë mbulesë, atë ditë që do të tërhiqesh ose në zjarr, ose në xhenet.” Omeri hyri në shtëpinë e tij duke qarë dhe tha: “Pasha Allahun, do t’ju jap tërë atë që kam në shtëpi.” Doli nga aty, sepse nuk gjeti asgjë që mund t’ua jepte, prandaj hoqi këmishën e vet, ua dha dhe u tha: “Pasha Allahun, nuk kam gjë tjetër përveç kësaj këmishe. Ndoshta në ahiret do të jetë dhuratë e xhenetit e të dërgohem në xhenet e jo në zjarr.” Një ditë, Omeri shkoi te gruaja e tij dhe me vete kishte disa parfume. Ai kërkoi prej bashkëshortes së tij që t’i ndante në disa shishe të vogla që t’ua shpërndante myslimanëve të varfër. Duke e ndarë parfumin në shishe të vogla, disa pika ranë në rrobat e saj. Kur Omeri shkoi sërish tek ajo, nuhati erën e parfumit dhe menjëherë i tha: “Ç’është kjo?” Ajo ia ktheu: “Më ranë disa pika në rroba teksa e hidhja parfumin në shishe të vogla. Ç’të bëj?” Omeri i mori rrobat e saj dhe lau e fërkoi fort. Pastaj i nuhaste erën derisa era e parfumit nuk u ndie më. Pastaj Omeri tha: “Ky parfum ishte me paratë e zekatit të myslimanëve!”

Nuk i respekton ato vetëm se fisniku

Njëri nga myslimanët një ditë u hidhërua sepse gruaja e tij kishte ngritur zërin ndaj tij. Deshi të ankohej te princi i besimtarëve, Omeri, por kur u afrua te dera e shtëpisë së Omerit dëgjoi se zëri i gruas së Omerit ishte më i lartë se zëri i Omerit. Atij i erdhi keq të trokiste në derë dhe u kthye. Kur donte të kthehej, del Omeri nga dera, e sheh dhe i thotë: “Ndoshta erdhe për ndonjë nevojë.” Ai ia ktheu se po. Omeri e pyeti se përse po largohej, atëherë dhe ky burrë i tregoi: “Erdha të ankohem se gruaja ime po e ngre zërin ndaj meje, por dëgjova se zëri i gruas tënde ishte më i lartë se zëri yt, prandaj u ktheva.” Omeri tha: “Më ka duruar dhe ka pastruar rrobat e mia. Më ka përgatitur shtratin e fjetjes dhe më ka rritur fëmijët. I bëri të gjitha këto dhe më duroi, e përse mos ta duroj atë kur ngre zërin?”

A është gjykimi ndryshe?

Në Medinë jetonte një çifut që kishte një stallë kuajsh. Omeri një ditë deshi të blinte një kalë. Ai kërkoi nga çifuti një kalë dhe ai i dha një kalë me të meta. Omeri e mori ta provonte, por kalit iu thye këmba. Çifuti kërkoi nga Omeri çmimin e kalit, por Omeri i tregoi se nuk e kishte blerë ende. Çifuti këmbëngulte të merrte paratë. Shkuan te kadiu Shurej, i cili i tha Omerit: “O princi i besimtarëve, ose merre atë që ke blerë, ose ktheje ashtu siç e ke marrë!” Omeri buzëqeshi dhe tha: “Si është ndryshe gjykimi?” Pastaj shtoi: “Po e marr! Falënderimi i takon Allahut për drejtësinë në umetin e Muhamedit alejhi selam!” Ibni Mesudi ka thënë: “Pasha Allahun, ende ishim të nënçmuar derisa Omeri u bë mysliman! Pasha Allahun, nuk mund të faleshim para Qabesë prej mosbesimtarëve kurejshë derisa Omeri u bë mysliman! Pasha Allahun, sikur shoh mes syve të Omerit një engjëll që e forcon dhe e drejton. Besoj se edhe shejtanët ishin prangosur në kohën e Omerit.”


- vijon -


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Program fetar dedikuar ardhjes së Muhamedit a.s. si mëshirë për botën