Martesa dhe pengesat në rrugë të saj

Dr. Jusuf El-Kardavi

Prej problemeve më të theksuara të të rinjve dhe të rejave, është ajo që ndërlidhet me martesën, sepse njerëzit kanë futur komplikime të shumta në jetën e tyre; Allahu xh.sh. e ka lehtësuar martesën, po njerëzit e vështirësojnë; Sheriati e ka thjeshtëzuar martesën, po shoqëria e ndërlikon; Krijuesi e ka lejuar martesën, po krijesat e ndalojnë atë.
Allahu ka përligjur martesën dhe ka ndaluar murgërinë. Pejgamberi a.s. ishte martuar; edhe shokët e tij ishin martuar, saqë njëri prej tyre kishte thënë: “Sikur të kishin mbetur vetëm dhjetë ditë nga jeta ime, gjatë atyre ditëve do të martohesha, kështu që të mos e takoja Allahun xh.sh. beqar-i pamartuar”.
Njeriu nuk mund të jetojë vetëm, dhe kur Allahu e krijoi Ademin, për të krijoi një bashkëshorte, sepse nuk ka kuptim që njeriu të jetojë pa shoqërues, pa atë tek i cili do të gjejë prehje, për këtë arsye Allahu xh.sh. për Ademin krijoi bashkëshorte, tek e cila ai do të gjente prehje. Madje, martesa është natyrë e të gjitha gjërave që janë të natyrshme në këtë gjithësi; çdo gjë në këtë gjithësi është çift, qoftë në botën shtazore, qoftë në botën bimore, ose edhe në trupat e ngurtë, rryma ka polin pozitiv dhe atë negativ, madje edhe atomi ka polin elektrik pozitiv dhe atë negativ (elektronet dhe protonet).
Islami nxit për martesë, në mënyrë që me martesë të qëndrojë lloji njerëzor dhe të vazhdojë ngritja e jetës me këtë lloj të ndershëm, siç ka dëshiruar Allahu xh.sh.. Pejgamberi a.s. urdhëronte për martesë dhe ndalonte beqarinë rreptësisht.

Martesa shkak i shumimit

Martesa është ajo me të cilën vazhdon të ekzistojë lloji njerëzor, pa martesë ky lloj nuk mund të ekzistojë. Islami këtë jetë e sheh si të mirë që e ka dëshiruar Allahu për t’u ngritur ajo dhe për të vazhduar lloji njerëzor, prandaj njerëzit duhet të martohen, t’i martojnë ata/ato që I dashurojnë dhe që lindin. Një njeri erdhi te Pejgamberi a.s. dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, jam njohur me një femër që ka pozitë dhe pasuri, porse ajo nuk lind, a ta marr grua”? Pejgamberi a.s. ia ndaloi të martohej me të. Ai erdhi edhe për herë të dytë, dhe Pejgamberi a.s. ia tha fjalën e njëjtë. Kur erdhi për herë të tretë, Pejgamberi a.s. i tha: “Martohuni me shpirtmirat (që ju dashurojnë) dhe me ato që lindin, sepse unë do të krenohem (shumohem) me ju para popujve (pejgamberëve) të tjerë”. (Ebu Davudi, Nesaiu dhe Hakimi nga Ma’kil ibn Jesari r.a.).
Martesa është bazë për formimin e familjes; me të formohen dhe shtohen ndjenjat e mira, ndjenjat fisnike njerëzore, ndjenjat e atësisë, amësisë, bijësisë, vëllazërisë dhe farefisnisë, ndjenjat e dashurisë, bashkëpunimit, mëshirës dhe mirëkuptimit; nën hijen e familjes formohen këto ndjenja, e ajo që e krijon familjen, është martesa. Nën hijen e familjes gjenden qetësia, dashuria dhe mëshira. Prej fakteve të Madhërisë së Tij, siç është krijimi i qiejve dhe i Tokës, është edhe që të bashkojë mashkullin me femrën dhe anasjelltas, e prej tyre të formohet fara dhe bërthama e parë e kësaj shoqërie. Pastaj zgjerohet rrethi, rrethi i dashurisë, i afërsisë, i solidaritetit dhe i përkrahjes nëpërmjet miqësisë. Gjithashtu, martesa është mbrojtje për njeriun nga rënia instinktive. Nuk është mëkat të kënaqet njeriu me këtë instinkt në kufijtë e lejuar nga Allahu: “Gratë tuaja janë vendmbjellje juaj, afrojuni vendmbjelljes suaj si të dëshironi”. (El-Bekare, 223).
Sheriati nuk kufizon një gjë të tillë, madje lejon dhe është i gjerë, saqë Pejgamberi a.s. i ftonte të rinjtë në përgjithësi duke u thënë: “O ju të rinj, kush ka mundësi (materiale) për martesë, le të martohet, sepse ajo ndikon mjaft në (ndalon) shikimin si dhe (konsiderohet) preventiva më e madhe jashtëmartesore)”. (Buhariu dhe Muslimi nga Ibn Mes’udi r.a.).

Pengesat materiale dhe shoqërore në rrugën e martesës

Myslimanët e parë i përgjigjeshin ftesës për martesë; e lehtësuan martesën, saqë përgatitja për martesë ishte prej gjërave më të lehta në atë kohë, por më pastaj (sidomos në kohën tonë), njerëzit e kanë vështirësuar atë që Allahu xh.sh. ka lehtësuar, e kanë kufizuar atë që Allahu ka zgjeruar. U kanë bërë presion vetjeve të tyre, saqë shohim shumë të rinj e të reja të pamartuar, shohim të ri e të re që kanë mbushur nga tridhjetë vjet e janë të pamartuar, ndoshta nuk martohen më, sepse njerëzit u thonë: “Të ka ikur treni”. Pse kjo? Ç’po ndodh? Pasi ka meshkuj e femra, të rinj e të reja, pse ata nuk martohen me njëri-tjetrin? Ku qëndron problemi?Problemin e kemi shkaktuar ne vetë dhe, po të vështrojmë këto shkaqe, do të shohim se njerëzit kanë vënë pengesa të shumta në rrugën e martesës. Ekzistojnë pengesa materiale, pengesa shoqërore dhe pengesa psikologjike-shpirtërore. I riu nuk mund të martohet veçse të ketë pasuri të mjaftueshme, kështu që ai nuk mund t’i sigurojë ato që kërkohen prej tij e që janë shumë. Kush janë ata që i kanë vënë këto gjëra të shumta? Sheriati nuk është ai që ka vështirësuar martesën. I riu ka nevojë të paguajë mehrin (prikën-shpërblimin e martesës), të cilin e kanë shtrenjtuar njerëzit, për se lavdërohen e mburren duke thënë: ‘Vajzës së filanit i është paguar kaq mehri, e tjetrës aq” – mehri sikur është bërë mjet për vlerësimin e njeriut apo për hyrjen në Xhennet? Ç’është vlera e tërë kësaj? Pejgamberi a.s. thotë: “Mehri më i mirë është ai që është më i liri”. (Ibn Maxhe dhe Hakimi nga Ukbeh ibn Amir r.a.).
Gjithashtu thotë: “Prej fatmirësisë së gruas është lehtësimi i fejesës së saj dhe lirimi i mehrit të saj”. (Ahmedi nga Usama ibn Zejd ibn Eslem r.a.).
Pejgamberi a.s. nuk i martoi vajzat e veta për mehr të madh. P.sh. mehri i Fatimes r.a., e cila u martua me Aliun r.a., ishte një parzmore, e ç’do të bënte Fatimja me parzmoren, a do të luftonte me të? Mehri i saj ishte një gjë simbolike. Sikur martesa të mjaftohej vetëm me mehr, por ja që në ditët e sotme ajo ka nevojë për dhurata e për ar. Në disa vende, nga ana e vajzës kërkohen ar, stoli të çmuara, shumica prej të cilave janë gjëra që nuk përdoren, sepse janë të mëdha, të rënda dhe modele të vjetra, nuk përshtaten me shijen e kohës sonë. Femra nuk i përdor ato, po i mban vetëm sa për lavdërim, të krenohet se ajo ka shumë gjëra që i janë dhënë në martesën e saj. Pse ndodhin këto gjëra?Dasmat që bëjmë për martesë, para dhe pastaj, priten pastërma, që hahen shumë pak, e shumica e tyre hidhet në kontejnerët e mbeturinave, sa kohë që ka vende të tjera në botë, ku njerëzit rënkojnë nga uria, e nuk gjejnë asnjë kafshatë për të ngrënë? Njerëzit u bëjnë trysni vetjeve të tyre, duke bërë kremtime për fejesë, kënaxheç, dasmë martese, – ç’janë gjithë këto?!Prej pengesave materiale konsiderohet edhe shtëpia dhe mobilimi i saj; duhet të kesh patjetër vilë, shtëpi ose apartament të mobiluar me mobiliet më moderne, ose diçka tjetër si këto. Pastaj, një risi tjetër që kanë shpikur njerëzit, pas martesës është “Muaji i mjaltit” dhe udhëtimi larg familjes për ta kaluar muajin e mjaltit! Njerëzit po shtojnë shpenzime të reja, të cilat në fund konsiderohen ngarkesë, barrë dhe pengesa në rrugën e tyre. Të gjitha këto gjëra ndërlikojnë dhe vështirësojnë martesën, e Allahu xh.sh. nuk i ka kërkuar ato prej nesh, dhe as Sheriati nuk na ka ngarkuar me to, po ne jemi ata që u kemi bërë trysni vetjeve tona. Për këtë arsye, i riu pret derisa të mund t’i përmbushë ato që kërkohen prej tij, ndoshta merr hua prej dikujt apo prej bankës me kamatë, dhe që prej fillimit të martesës ai është në konflikt me Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pse ndodhin këto gjëra? Këto pengesa i kemi vënë ne vetë, pengesat materiale që nuk kanë kuptim. Mbretërojnë disa konsiderata tek shumica e njerëzve. Të rinjtë u ofrohen atyre për martesë, po refuzohen. Athua pse? Për arsye se ai/ajo nuk i përket rangut të familjes së tyre, është nën kategorinë e tyre, dhe nuk përmbush kritere të tjera. Çdo periudhë kohore ka kriteret e saj. Disa jurist islamë thonë se duhet të ketë një përshtatshmëri të përafërt ndërmjet të riut e të resë në disa gjëra, sikur janë: prejardhja, pozita dhe zeja që ushtrojnë. Mirëpo ka disa juristë të tjerë islamë që i kanë refuzuar të gjitha këto kritere, duke thënë: “E s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi nga ju është ai që është ruajtur më tepër (nga të këqijat)”. (El-Huxhurat, 13).
Kriteri i vetëm duhet të jetë feja dhe morali, për se Pejgamberi a.s. thotë: “Nëse ju vjen dikush që i pëlqeni moralin dhe fenë e tij, martojuni me të. Nëse nuk e bëni këtë, dijeni se në sipërfaqen e tokës do të mbizotërojnë parregullsi dhe intriga të mëdha”. (Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Hakimi).
Juristët islamë thoshin gjithashtu: “Kur ta martosh bijën tënde, martoje me një fetar, sepse, nëse ai e do, do ta nderojë dhe respektojë atë, ndërsa nëse e urren, nuk i bën padrejtësi”, sepse ai I frikësohet Allahut xh.sh. prandaj ose e mban si duhet, ose e shkurorëzon si duhet, dhe nuk i harron mirësitë e kaluara. Duhet t’i rishikojmë këto kritere, në mënyrë që ato të mos bëhen pengesë për një jetë të lumtur të bijve dhe bijave tona. Pengesat psiko logjike-shpirtërore.
Disa të rinj, para tyre në imagjinatën e tyre krijojnë figurë ideale, imagjinojnë një femër ideale, të përkryer, që e dëshirojnë për grua të tyre, e shquar për bukuri e përsosmëri. Një femër të tillë në kohën tonë është vështirë ta gjesh, sepse ndonjë femër mund të jetë e bukur, tjetra e pasur, tjetra me pozitë, mirëpo tek njëra që të gjenden të gjitha këto gjëra, kjo është shumë gjë e rrallë. Për këtë arsye, Pejgamberi a.s. na ka këshilluar duke thënë: “Femra merret për grua për katër gjëra: për pasurinë, pozitën, bukurinë dhe fenë e saj, zgjidhe atë që është fetare që të jesh i lumtur”. (Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ibn Maxhe).
“Jeta e kësaj bote është kënaqësi-dëfrim (pasuri), ndërsa kënaqësia më e këndshme është gruaja e mirë”. (Ahmedi, Muslimi dhe Nesaiu nga Ibn Omeri r.a.).
Fetarja është ajo që të bën të lumtur kur ta shikosh, të dëgjon kur ta urdhërosh, e ruan pasurinë tënde kur të mungosh, I frikësohet Allahut për sa i përket nderit, fëmijëve dhe pasurisë sate. Shumë prej atyre që imagjinojnë idealin e jetës së tyre, rrallë që realizojnë atë që kërkojnë. Nuk ka nevojë për gjithë këto fantazi dhe ekzagjerime. I riu duhet të kërkojë grua fetare, grua të mirë, e cila do të ruajë nderin e saj dhe do të mund të jetojë me të një jetë të lumtur, nuk i intereson nëse është e varfër nga pasuria, po nëse është e pasur nga morali. Pejgamberi a.s. thotë: “Martohuni, sepse gratë ju sjellin pasuri”. (Bezzari nga Aisheja r.a.).
Gjithashtu, disa të reja fluturojnë, kalorësin e ëndrrave të tyre e shohin me tipare të paimagjinueshme, po rrallë të gjendet një i tillë. Kjo është feja jonë, feja jonë e ka lehtësuar, e pse ta vështirësojmë ne? Duhet t’i kuptojmë këto gjëra dhe t’ua sqarojmë bijve e bijave tona, derisa ta zgjidhim këtë problem, derisa të martohen të rinjtë dhe të rejat. Në vend që të shkojë i riu nëpër rrugë që i dini, ku gjen haramin e lehtësuar; ose në vend që të martohet me një të huaj dhe të lë një vajzë vendit të vet.



Përktheu: Mr. Faruk Ukallo,
(Burimi: “Predikimet e Shejh El-Kardavit”, përgatitur nga Halid Essa’d,
mektebetu vehbeh, Kajro, 1997, vëll. I). BY: DITURIA ISLAME 243