Besimtarët në një xhami të Amanit mbetën të habitur kur në minber panë një djalosh të moshës gjashtë vjeçare, i veshur me veshje tradicionale të ulemave.
Djaloshi morri mikrofonin nga imami i xhamisë dhe mbajti hutben e xhumasë ashtu siç e mbajnë edhe hatibët dhe dait e mëdhenj. Foli për respektimin e prindërve, citoi shembuj nga jeta e Omer ibn Hattabit r.a dhe përmendi hadithe dhe ajete të shumta çka fitoi admirimin e njerëzve të cilët pas xhumasë e mbajtën në shpinë.
Përndryshe djaloshi i quajtur Isa tanimë një kohë mban hutbe nëpër xhamitë e Amanit, ndërsa shpesh xhemat i tij janë edhe njerëz të njohur si ministri i vakëfit si dhe muftiu ushtarak i cili edhe i ka dhuruar xhuben e gjelbër të ushtrisë.
Muhamed Sherif, babai i djaloshit thotë: “Talentin e tij e kemi zbuluar para shtatë muajsh kështu që kemi punuar mjaft në zhvillimin e talentit të tij. Ka mësuar sure kuranore, një numër hadithesh, si dhe hutbet më të rëndësishme të historisë islame.
Ai thotë se gjatë bërjes së umres, Isa u takua me imamin e xhamisë së pejgamberit a.s i cili e lejoi të mbaj ligjëratë në një pjesë të xhamisë. Ky djalosh edhe gjatë këtij viti ka udhëhequr namazin e natës në Natën e Kadrit në xhaminë Nablus të Amanit. Pas namazit ka mbajtur një ligjëratë për pendimin çka tronditi zemrat e të pranishmëve.
Isa është në shkollën fillore dhe në të ardhmen dëshiron të jetë një kardiolog, mirëpo në të njëjtën kohë dëshiron të jetë edhe një thirrës në islam. Ai gjithashtu shkon në shkollën për specializimin e Kuranit dhe hifzit.