Pozita gjeografike
Republika e Sierra-Leones, një shtet i vogël afrikan, shtrihet në perëndim të kontinentit, përkatësisht në mes shteteve Guineja dhe Liberia, me shtrirje në brigjet e oqeanit Atlantik. Sierra-Leone kufizohet me vetëm dy shtete fqinje, nga veriu dhe lindja kufizohet me Guinenë në një gjatësi deri në 652 km, nga juglindja dhe nga jugu me Liberinë, në një gjatësi prej 306 km dhe nga perëndimi e nga jugperëndimi me oqeanin Atlantik në një gjatësi prej 402 km. Emri Sierra-Leone është i përbërë prej dy fjalësh (Sera) që d.m.th. ‘diçka e lartë, majë’, si dhe (Leone) që d.m.th. ‘luan’. Pra, Sierra-Leone d.m.th. “maja e luanit”, për shkak të ngjashmërisë së zërit të ushtimës së bubullimës që gjëmon nëpër malet e vendit, dhe gjëmimit të luanit. I pari që e quajti këtë vend me këtë emër, ishte udhëpërshkruesi portugez Pedrosintra.
Sipërfaqja tokësore e vendit përbëhet prej kodrave të vogla, të prera nga disa lumenj që shkojnë në drejtim të oqeanit Atlantik, si dhe lumenj të tjerë që burojnë nga kodrat e sipërpërmendura e që shtrihen në drejtim të rrjedhës së lumit Niger. Po ashtu, në brigjet e vendit ka këneta të shumta, që janë pasojë e shirave(2).
Në Sierra-Leone mbizotëron klimë tropikale, e nxehtë dhe me të reshura atmosferike përgjatë tërë vitit. Siç është nxehtësia e madhe në vend, po ashtu edhe shkalla e lagështisë është e ngritur. Gjatë verës bien rrebeshe shiu, ndërsa gjatë dimrit temperaturat janë mesatare, po të shoqëruara me riga shiu, për shkak të pozitës gjeografike që hyn në kuadër të rajonit tropikal(3).
Fritaun: Si kryeqytet i Sierra-Leones dhe qyteti më i madh i shtetit, ndodhet në pjesën perëndimore të vendit, përkatësisht në bregdetin e oqeanit Atlantik.
Fritaun konsiderohet edhe port i rëndësishëm detar në bregdetin Atlantik, i cili shfrytëzohet për eksportimin e artikujve vendorë, si: ullinj, oriz, kafe, mango, kakao, hekur, boksit, krom, diamant, ar etj.. Mendohet që zona e këtij qyteti ka qenë një treg i vjetër, ku bëhej shitja e robërve. Mirëpo në vitin 1787 kjo zonë u banua prej 400 personash, skllevër të liruar dhe amerikanë
me ngjyrë. Numri i banorëve të këtij qyteti sot arrin afërsisht 1.070.200 (sipas vlerësimeve statistikore të vitit 2004)(4).
Përhapja e Islamit
Transmetimet nëpër libra të historisë bashkëkohore kryesisht pajtohen rreth depërtimit të Islamit në Afrikën Perëndimore, përkatësisht rreth informacioneve që kanë të bëjnë me depërtimin e Islamit në Sierra-Leone. Pra, Feja Islame në Sierra- Leone si një ide sublime u njoh dhe u dëgjua përmes kontributit të prijësve të fiseve të vendit, diku në shekullin XVI, edhe pse që nga ajo kohë Islami nuk aplikohej në praktikë si fe, besim, bindje dhe punë.
Ka qenë e njohur në të kaluarën e Sierra-Leones, kur dikush donte ta pastronte veten e tij nga ndonjë akuzë, të thoshte: “Unë jam musliman”, që d.m.th. unë nuk veproj keq, ashtu siç nuk vepron keq muslimani.
Kjo traditë vazhdon të jetë e përhapur edhe sot në gjithë komunitetin në vend, që nga kohët e hershme.
Njohja e prijësve të fiseve të vendit me Fenë Islame ka qenë me rastin e ardhjes dhe kontaktit me tregtarët muslimanë të devotshëm nga Guineja, Senegali, Nigeria dhe nga Mauritania në qytetet bregdetare të Sierra-Leones. Pastaj, në në qytetet e këtyre viseve u vendosën shumë muslimanë dhe, përmes tregtisë, filluan të kontaktonin me vendësit nëpër qytete dhe fshatra të afërta, gjersa kryenin ritualet e tyre fetare, si: namazi, agjërimi dhe leximi i Kur’anit. Kjo atmosferë mbresëlënëse bëri që disa nga idhujtarët vendës të Sierra-Leones të përqafonin Islamin, një gjë kjo në përputhshmëri të plotë me natyrshmërinë e njeriut, dhe ai u komunikohej nga muslimanë të devotshëm që vinin nga Guineja. Më pastaj, ata besimtarë të rinj do të fillonin të praktikonin Islamin sikur vëllezërit e tyre muslimanë, si namazin, ashtu edhe të gjitha ritualet e tjera fetare, dhe kështu do të forcoheshin edhe lidhjet në mes tyre, derisa po krijonin besim të plotë reciprok, sidomos për shkak se muslimanët i ndihmuan vendësit kundër çdo okupatori kolonialist të huaj. Kjo besueshmëri që ishte shtrirë në mes të myslimanëve të vjetër të Guinesë dhe muslimanëve të rinj të Sierra-Leones tashmë do të hapte një rrugë të re kontaktesh në mes vete, që rezultoi me ardhjen e disa mijëra muslimanëve guinejan për të jetuar në Sierra-Leone.
Kështu Feja Islame u përhap nëpër fshatra dhe rajone të Sierra-Leones dhe Islami po linte gjurmë kudo që depërtonte përmes muslimanëve të sipërpërmendur.
Gjithashtu, prijësit e fiseve të vendit deklaronin Islamin e tyre, duke i thirrur bashkëvendësit në Islam, pavarësisht nga trysnia e madhe që bëhej dhe vazhdon të bëhet ende nga organizata krishtere misionare, për t’i tërhequr e joshur këta prijës fisesh(5).
Historia
Kolonialistët e parë që erdhën në Sierra-Leone, ishin portugezët, të cilët arritën aty në vitin 1460. Aty gjetën fiset Temni që banonin në ato vise dhe
konsideroheshin vendës. Mandej, në shekullin XVI arritën edhe britanikët në Sierra-Leone, për t’u pasuar edhe nga evropianë të tjerë, që filluan të merrnin padrejtësisht banorë vendës dhe t’i dërgonin si skllevër në Botën e re – në Amerikën Veriore dhe në atë Jugore. Kjo tregti me njerëz vazhdoi derisa Britania bëri ndalimin e skllavërimit dhe tregtimin e tyre.
Pastaj, në vitin 1787, një britanik, i quajtur Granville Sharp, vendosi afërsisht 400 skllevër të liruar nga Amerika në një vend që sot quhet Fritaun – Qyteti i lirë ose Qyteti i të liruarve –. Ky qytet, si zonë bregdetare që ishte, më pastaj u bë vendstrehim për të gjithë zezakët e liruar nga shërbimi i forcave të armatosura britanike dhe për skllevërit e tjerë të mbetur. Ndërkaq, në vitin 1808 Britania njoftoi se rajoni Sierra-Leone ishte një koloni britanike, kurse në vitin 1896 Britania vendin e shpalli protektorat britanik.
Republika e Sierra-Leones u bë shtet i pavarur brenda federatës britaneze vetëm në vitin 1961. Më vonë, në vitin 1978 vendi, përmes një referendumi të përgjithshëm, miratoi sistemin njëpartiak, dhe kështu u krijua një stabilitet politik, ndonëse ekonomia e vendit karakterizohej për keqmenaxhim dhe korrupsion. Në shtator të vitit 1985 Dr. Stevens zgjodhi pasuesin e tij, Gjeneralmajor Saidu Momoh, i cili u zgjodh President i Republike(6).
Gjendja ekonomike
Prodhimi bujqësor në Sierra-Leone karakterizohet nga një llojllojshmëri e madhe, pavarësisht nga toka e varfër dhe stina e thatë e vendit. Kjo llojllojshmëri e prodhimit erdhi duke u mbështetur në metodat tradicionale bujqësore të vendit, por, me gjithë këta faktorë të mundshëm, prapëseprapë prodhim bujqësor është shumë i ulët. Shumica e popullsisë në vend punojnë në bujqësi, peshkim dhe në prerje drunjsh.
Të lashtat më të rëndësishme që prodhohen në këtë vend, janë: orizi, misri,kafeja, kakao, xhenxhefili dhe disa drunj të rrallë. Prej pasurisë nëntokësore të vendit, mund të veçojmë mineralet: diamanti,
ari, margaritarët, boksiti dhe hekuri. Nga pjesët më të zhvilluara ekonomike të vendit është rajoni perëndimor, ngase aty kolonialistët kanë aktivizuar lëvizjet e misionarëve të krishterë. Nga bagëtitë këtu kultivohen lopët, dhentë dhe dhitë(7).
(1) Vladimir Zoto, Enciklopedi gjeografike e botës, f. 206. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame f. 98, 99. Logos-a, 2009, Shkup. Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 386. Mektebetul Adab, 2007, Kajro.
(2) Dr. Muhammed Mahmud Es-serjani; El Vexhiz fi Gjugrafia El Alem El Islami, f.246. Dar Alem El Kutub, 1997, Rijad. Amine Ebu Haxher; Mewsuatu-l- Muduni-l- Islamij-jeti, f. 317, 318. Daru Usame, 2010, Aman, Jordani. .
(3) Amine Ebu Haxher; f. 318.
(4) Amine Ebu Haxher; f. 321. http://www.marefa.org.
(5) http://main.islammessage.com.
(6) Muhammed Atris; f. 386.
(7) http://www.marefa.org.
Samir B. Ahmeti