Malajzia - Historia e përhapjes së Islamit në Malajzi

Pozita gjeografike

Të dhëna statistikore (1):

• Emri ndërkombëtar në anglisht: Malaysia.
• Emri zyrtar: Malaysia.
• Sistemi i qeverisjes: Mbretëror, kushtetues, federal, parlamentar dhe demokratik.
• Sipërfaqja: 330,803 km².
• Numri i banorëve: 28.334.135 (2010).
• Dendësia: 86 banorë në 1 km².
• Feja: myslimanë 60.4% (sunitë), budistë 19.2%, të krishterë 9.1%, hindusë 6.3%, fetë tradicionale kineze 2.6%, të tjera a të panjohura 1.5% dhe pa fe 0.9%.
• Kryeqyteti: Kuala-Lumpur (konsiderohet qyteti më i madh i vendit).
• Qytete të tjera: Johor-Bharu, Kajang, Ipoh, Klang, Subang Jaya, Kuching, Petaling Jaya, Seremban, Georgetown, Malacca Sity dhe Kota- Bharu.
• Grupet etnike: malajë 50.4%, kinezë 23.7%, etni autoktone 11%, indianë 7.1%, etni të tjera 7.8%.
• Gjuhët kryesore: malai (zyrtare), anglishtja, dialektet e ndryshme kineze, tamil, telugu, malayalam, panxhabi dhe thai.
• Njësia monetare: Malaysian Ringgit, (1.00 MYR = 0.249 EUR).
• Data e pavarësisë: 31 gusht 1957 (nga Britania).
• Festë kombëtare: 31 Gusht 1957 (Shpallja e pavarësisë).


Malajzia shtrihet në një rreth afër ekuatorit, në mes të rrugës detare ndërmjet Indisë dhe Kinës, konkretisht në juglindje të kontinentit të Azisë. Vendi përfshin dy zona, që janë:
1) Siujdhesa Malaj (siujdhesa Malajzia), që sot quhet Malajzia Perëndimore.
2) Zona e Bregdetit Verior, në perëndim të ujdhesës Borneo, që kufizohet me rajonin indonezian Kalimantan.
Ndarjen e dy zonave të sipërpërmendura e bën Deti Jugor i Kinës, me një gjerësi/gjatësi afërsisht 650 km. Malajzia ka pozitë shumë të favorshme gjeografike; sipërfaqja e vendit arrin afërsisht 329.750 km2, nga të cilët 328.550 km2 i takojnë zonës tokësore dhe 1.200 km2 i takojnë zonës ujore. Gjatësia e përgjithshme e kufijve tokësorë të vendit arrin deri në 2669 km.
Malajzia kufizohet me 3 shtete fqinje: nga jugu kufizohet me Indonezinë me një gjatësi prej 1782 km, nga veriu me Sulltanatin e Bruneit me gjatësiprej 381 km dhe me Tajlandën në një gjatësi deri në 506 km. Vija e përgjithshme bregdetare arrin gjatësinë deri në 4675 km; 2068 km i takojnë ujdhesës perëndimore të Malajzisë dhe 2607 km i takojnë ujdhesës lindore të vendit. Pika më e ulët në shtetin e Malajzisë u takon zonave të vendit që bien në Oqeanin Indian, dhe është në nivelin e detit, kurse ajo më e larta bie në majat e malit Kinabalui, që arrin lartësinë deri në 4100 metra mbi nivelin e detit.(2)
Malajzia Perëndimore është një hapësirë me fusha të gjera bregdetare dhe në brendi me zona të larta malore, ku rrjedhin disa lumenj dhe ka liqene. Ndërkaq, në veri të Malajzisë Lindore shtrihen fushat e gjera bregdetare, të cilat fillojnë të ngushtohen në verilindje, derisa të afrohen me malet që shtrihen nëpër zonat jugore, ku rrjedhin edhe lumenj.(3)
Bazuar në të dhënat e vitit 2007, shteti i Malajzisë ka gjithsej 116 aeroporte, prej tyre 36 të asfaltuara dhe 80 të paasfaltuara. Në vend ka edhe një numër të konsiderueshëm të porteve detare, prej të cilave më kryesoret janë; Bintulu, Johor-Bahru, Kuantan, Labuan, etj.(4)
Malajzia ka një numër të konsiderueshëm institucionesh të larta arsimore. Prej universiteteve më të njohura në vend janë: Universiteti Ndërkombëtar Islamik, Universiteti Kuala-Lumpur, Universiteti Malajzia i Shkencës dhe Teknologjisë, Universiteti i Administratës dhe Shkencës, Universiteti i Multimedias, Universiteti Tun Hussein, Universiteti Ndërkombëtar i Mjekësisë etj.(5)

Kuala-Lumpur: Si kryeqytet i Malajzisë dhe qyteti më i madh i vendit, zë një zonë të konsiderueshme të vendit, që përfshin më shumë se një të tretën e sipërfaqes së Malajzisë.
Fjala Kuala-Lumpur domethënë grykëderdhja e lumit baltor, që rrjedh nga pozita e qytetit ku bashkohen dy lumenj - Kilang dhe Gumbik. Kuala-Lumpur, sipas statistikave të vitit 2010, ka një popullsi rreth 1.600.000 banorë. Ky qytet bie në luginën Kilang, në mes të rrugës që lidh qytetin George Town dhe Singaporin. Ky qytet u themelua fillimisht si një koloni, për nxjerrjen e kallajit në vitin 1859, dhe lulëzoi për shkak të rëndësisë së tij në nxjerrjen e kallajit dhe plantacioneve të gomës. Pastaj u bë një qendër e tregtisë dhe transportit, për se fitoi famë botërore. Qyteti Kuala-Lumpur u zhvillua edhe në aspektin administrativ, dhe në vitin 1957 u bë kryeqytet i Fedaratës së Malajzisë, kurse në vitin 1996 në Kuala-Lumpur u bë përurimi i rrokaqiejve më të mëdhenj në botë, kulla Petronas Tower, e cila përbëhet prej dy ndërtesave gjigante. Kuala- Lumpur ka disa vendbanime të lashta, si Kibong, Gumbik dhe Sangay Bessie. Shumica e malajëve autoktonë në Kuala-Lumpur janë myslimanë. Në një pjesë të kryeqytetit gjenden tri ndërtesa, që demonstrojnë stilin e arkitekturës islame, që karakterizohet nga harqe të lakuara dhe kupola e minare. Këto ndërtesa përfshijnë edhe sallën e vjetër të mbledhjeve, e cila është ndërtuar në vitin 1976.

Historia e Malajzisë

Malajzia që nga kohët e lashta ka qenë udhëkryq i civilizimeve të shumta dhe popujve të ndryshëm dhe ka shërbyer edhe si një vendtakim i tregtarëve indianë dhe kinezë, të cilët bënin udhëtime të tregtisë detare. Malaka (Malacca) në shekullin XV ka qenë nga qytetet më të famshme tregtare në Malajzi e më gjerë. Ajo ishte edhe qendër e tregtisë detare dhe kishte tërhequr shumë tregtarë nga shumë vende aziatike. Ndërkaq, në fillim të shekullit XVI në Malaka arritën tregtarët portugezë. Për shkak të pozitës gjeografike shumë të përshtatshme, Malajzia ka qenë gjithnjë në shënjestër të shumë vendeve të tjera. Portugezët në vitin 1511 pushtuan Malakan, kurse në fillim të shekullit XVII anijet holandeze erdhën dhe filluan të sistemoheshin në këto zona. Mandej, në vitin 1641, holandezët i sulmuan portugezët në Malacca, dhe kështu kontrolli mbi Malackan kaloi nga portugezët tek holandezët, të cilët do të vendoseshin dhe të qëndronin aty përgjatë dy shekujve. Pastaj, në vitin 1819, britanezët pushtuan Singaporin, për të marrë më pastaj edhe Malaccan pas nënshkrimit të Traktatit Britanezo Holandez në vitin 1824, kur u bë ndarja e arkipelagut Malaj në dy pjesë, pjesa në veri të ekuatorit ra nën kontrollin britanez dhe mbi pjesën jugore morën kontrollin holandezët. Më pastaj, në vitin 1941, edhe Japonia bëri përpjekje për të pushtuar Malajzinë, dhe nga mesi i janarit të vitit 1942 nën pushtimin e japonezëve ranë dy zona të Malajzisë: Sarawak dhe Sabah, prej nga ata do të tërhiqeshin në vitin 1945. Ndërkaq, më 31 gusht 1957 u themelua shteti i Malajzisë, i cili sot quhet Gadishulli Malajzian. Kurse, më 9 korrik 1963 u themelua Federata e Malajzisë, e cila përfshinte shtetin Malaja, dy ishujt Sabah dhe Sarawak, si dhe Singaporin, i cili, më 9 gusht 1965, doli nga kjo
Federatë(7).

Historia e përhapjes së Islamit në Malajzi

Teoritë e studiuesve rreth hyrjes së Islamit dhe mënyrës së arritjes së tij në Malajzi, janë të ndryshme. Ato mund t’i përmbledhim si vijon:
1) Disa prej tyre thonë se ardhja e Islamit në këto zona është rezultat i kontributit të myslimanëve arabë, të cilët kishin arritur aty nga Gadishulli Arabik dhe, përmes udhëtimeve të tyre tregtare, bënin thirrje në Fenë Islame.
Transmetohet se një anije e myslimanëve arabë nga Xheda kishte arritur në Malaka në vitin 675 h / 1276 m, dhe ata i kishin bërë thirrje për të pranuar Islamin mbretit të Malakas, i cili, pasi përqafoi Fenë Islame, mori ofiçin Sulltan Muhamed Shah dhe i tërë populli ndoqën veprimin e tij drejt Islamit dhe e përqafuan atë. Kështu qe themeluar Mbretëria e parë Islame në ato zona, dhe ajo kontriboi në përhapjen e Islamit në Malajzi dhe në zonat përreth.
2) Disa të tjerë theksojnë se Feja Islame ka arritur në Malajzi përmes Indisë, kurse marrëdhëniet në mes këtyre zonave dhe Indisë kanë qenë të vjetra. Kjo teori thekson se Islami në botën malajas kishte arritur përmes pedagogëve myslimanë indianë.
3) Të tjerët mendojnë se Islami në këto rajone ka arritur nga Kina, gjegjësisht përmes rrugës tokësore.
Ekzistojnë zbulime të gjurmëve historike, të cilat tregojnë praninë e hershme islame në këto rajone, prej tyre edhe mbishkrimi i një v arri të quajtur Shejh “Abdul Kadir ibn Husjen”, nga viti 291 h, që korrespondon afërsisht me vitin 903 m.. Gjithashtu ka një zbulim në rajonin Terengganu, që përfshin një gur të madh, të gdhendur me mbishkrimin “El Xhavij-jetu”, i cili është në gjuhën malaje me shkronja arabe, që sqaron dispozitat e Sheriatit islam në fushën e jurisprudencës së transaksioneve, si: borxhet (kreditë); të së drejtës penale, si: ndëshkimi për prostitucion dhe për shpifje. Këto mbishkrime tregojnë për praninë e një shoqërie islame dhe të një sulltanati që zbatonte Sheriatin Islam. Këto mbishkrime datojnë rreth vitit 702 h / 1303 m.. Marrëdhëniet e Arkipelagut Malaja me Jugun e Indisë kanë qenë të ngushta, sikur ishin të ngushta edhe me disa pjesë të Gadishullit Arabik, prej nga depërtoi Feja Islame, kurse, përmes rrugës paqësore të zbatuar nga tregtarët dhe pedagogët myslimanë, arriti edhe në juglindje të Azisë. Mirëpo, prestigji islam në Malajzi u bë i fuqishëm sidomos me paraqitjen e Sulltanatit Islam Malaka në shekullin VI hixhri, që korrespondon me shekullin XIV miladi. Në fund, mund të themi se Feja Islame nuk arrinte tek një popull dhe nuk përhapej në një shtet përmes një rruge të vetme, po depërtonte edhe përmes rrugësh tjera. Është e rëndësishme të theksohet se arritja e Islamit në Azinë Jugore – ndër to edhe në Malajzi – ka edhe një karakteristikë të veçantë, e cila na bën me dije se Islami në këto zona kishte arritur dhe ishte përhapur me paqe e siguri dhe se historia nuk njeh të ketë ndodhur ndonjë betejë apo luftë për këtë qëllim. Pikërisht kjo ka ndikuar që edhe populli autokton, duke qenë i lirë dhe i kënaqur në vendimmarrje, përqafoi Islamin me vetëdëshirë dhe pa kurrfarë presioni.(8)

Klima

Në Malajzi kryesisht gjatë tërë vitit mbizotëron një klimë tropikale, e nxehtë dhe me lagështi, me përjashtim të vendeve malore. Temperaturat ditore sillen prej 21 deri në 32 gradë celsius. Shumica e reshjeve atmosferike bien të shoqëruara nga era jug-perëndimore,në stinën që shtrihet nga muaji prill deri në muajin tetor. Klima në vend cilësohet relativisht e thatë. Ndërkaq, era stinore veri-lindore shtrihet në kohën nga mesi i muajit tetor deri në shkurt, që karakterizohet e ngopur me lagështi nga Deti i Kinës Jugore, duke çuar drejt shirave të dendura në bregdetin lindor. Edhe pse klima në Malajzi specifikohet me lagështi dhe me të reshura gjatë tërë vitit, zonat e mesme dhe të larta, gjatë verës, anojnë nganjë klimë e butë, kurse gjatë dimrit ajo është e ngrohtë. Pyjet gjatë verës ndikojnë në zbutjen e temperaturave(9)

Gjendja ekonomike

Ekonomia e Malajzisë ngrihet mbi baza të forta dhe mbështetet në mallrat kryesore që eksporton vendi. Përveç kësaj, Malajzia karakterizohet edhe nga një tokë bujqësore pjellore, e cila përfshin një të tretën e sipërfaqes së vendit. Prej kulturave më të rëndësishme që kultivohen në vend, janë: erëzat, orizi, bajamet, kallami i sheqerit, çaji, arrat, specat dhe kakao. Gjithashtu, në vend rriten edhe një numër kafshësh, si: lopë, dhi, dele, buallica, për mbajtjen e të cilave ka gjithandej kullosa të mira. Po ashtu në Malajzi nxirren minerale të rëndësishme, si: zinku, nafta, gazi natyror, hekuri. Ndërsa nga industritë, më të njohurat janë industria ushqimore, e përpunimit të mineraleve, e mjeteve elektrike, e mjeteve shtëpiake, e mjeteve të rënda, e veturave dhe e pjesëve montuese të tyre. Gjithashtu, në vend mund të gjenden edhe dru nga pyje tropikale, dhe janë të zhvilluara peshkimi, prodhimi i vajit dhe i gomave natyrore. Për nga prodhimi i gomave dhe eksportimi i tyre, Malajzia konsiderohet shteti numër një në botë, ashtu sikurse ajo eksporton edhe shumë lloje të tjera mallrash. Sektori industrial, për nga zhvillimi,konsiderohet sektori me ritmin më të shpejtë të ngritjes ekonomike të vendit.

1) Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f.553, 554. Mektebetul Adab, 2007 , Kajro. Amir B. Ahmeti; ATLAS I BOTËS ISLAME, f. 96, 97. Logos-a, 2009, Shkup. Vladimir Zoto; Enciklopedi gjeografike e botës, f. 144, 145. Dasara, 2007, Tiranë.
2) Dr. Muhammed Mahmud Es-serjani; El Vexhiz fi Gjugrafia El Alem El Islami, f. 196. Dar Alem El Kutub, 1997 Rijad. Umer ibn Jusuf (me mentorin: prof. Maahmud El Arnaut); El Islam fi Malajzia, f. 9. 2006 , Damask. (Temë diplome e pabotuar, e mbrojtur në Kolegjin El Fet’h El Islami).
3) Amine Ebu Haxher; Mewsuatu-l- Muduni-l- Islamij-jeti, f. 432. Daru Usame, 2010, Aman, Jordani.
4) www.moqatel.com
5) universities.roro44.com
6) www.marefa.org
7) www.marabi.com
8) www.malaysiaarab.com Dr. Muhammed Mahmud Es-serjani; f. 197. Umer ibn Jusuf; f:. 18, 19, 20, 23, 25, 27.
9) www.m-arabi.comAmine Ebu Haxher; f. 432.
10) Amine Ebu Haxher; f. 432, 433. Dr. Muhammed Mahmud Es-serjani; f. 200.



Mr. Samir B. Ahmeti


Artikulli i kaluar
Emirate e Bashkuara Arabe
Artikulli radhës
Afrika, toka e Islamit

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme