Takimi i krerëve të bashkësive islame të shteteve të Ballkanit, i organizuar nga Dijaneti i Turqisë, mbahet në qytetin turk Edirne.
Pjesëmarrësit nga të gjitha trevat e Ballkanit diskutuan mbi situatën dhe pozitën e muslimanëve në këtë Gadishull si dhe mbi nevojën imediate për të përcjellë dhe kultivuar islamin burimor, islamin e pastër, atë islam që e porosity Kur’ani Madhështor dhe që e praktikoi vetë Pejgamberi, Muhamedi a.s. duke u bërë burim drite për mbarë njerëzimin.
Në fjalën e tij të hapjes, Kryetari Dijanetit të Turqisë, Mehmet Gormez, komentoi çështjen e urrejtjes, por edhe nevojën e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të shteteve të Ballkanit dhe Turqisë.
"Vlerësoj se mënyra e vetme për ta luftuar islamofobinë është përgjigjja e urrejtjes me dashuri dhe dhembshuri. Urrejtjen nuk mund të largoj urrejtja. Kjo kërkon gjuhën e urtësisë", tha Gormez.
Ai tha se midis Turqisë dhe shteteve të Ballkanit, si në të kaluarën, duhet të iniciohet uniteti dhe bashkimi.
"Rivendosja e marrëdhënieve mes bashkësive islame të Turqisë dhe shteteve të Ballkanit është e rëndësishme për të gjithë botën muslimane. Për këto arsye, ne detyrohemi që të takohemi më shpesh. Dijaneti i Turqisë është në shërbim të vëllezërve tanë në Ballkan. Duke thelluar miqësinë ekzistuese, bashkëpunimi ynë duhet të marrë karakter sistematik ", tha Gormez.
Takimi i këtij viti i përfaqësuesve të bashkësive islame të Ballkanit do të zgjasë tri ditë. Përveç përfaqësuesve të bashkësive islame të shteteve të Ballkanit, në takim marin pjesë edhe myftitë nga pjesët e ndryshme të Turqisë.