Regjisorja franceze, me prejardhje serbe, Isabelle Matic në profilin e saj në Facebook ka shkruar për konvertimin e saj në fenë Islame.
Këtë ajo e bërë vetëm disa ditë pas sulmeve ndaj gazetarëve të revistës satirike ‘Charlie Hebdo’, raporton onislam.net.
“Sot, unë pranova shtyllën e parë të Islamit. Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi a.s., është i Dërguari i Tij”, tha Matic në një mesazh të postuar më 11 janar në faqen e saj në Facebook.
Ajo, në mesazhin e saj përmend edhe vendimin e saj për t’u konvertuar në fenë Islame. “Unë e pranova Islamin në kohën kur ndodhi masakra në ‘Charlie Hebdo’. Por, unë vazhdoj të mbroj lirinë e shprehjes”.
Ajo më tej tha se përgjigjja më e mirë ndaj provokimeve të ‘Charlie Hebdo’ është urtësia.
“Publikimeve të tyre ju nuk duhet t’ju kushtoni vëmendje, mos bini në provokime dhe mos u jepni rëndësi.”
"Ata mundohen të bëjnë shaka me Muhamedin, por ata nuk e dëmtojnë Muhamedin. Ata bëjnë shaka me një karakter që ata e kanë imagjinuar dhe të cilit ata i kanë dhënë emër. Por, ky nuk është Profeti ynë”, vazhdon shkrimin e saj Matic, e cila përmes Facebookut, falënderoi artistin maroken Hisham Bahloul që publikoi lajmin në gazetat marokene për konvertimin e saj në Islam.