Hamza gjashtë vjeçar, hafizi më i ri i Kur’anit në botë

Në kohën kur mediat janë pushtuar nga lajmet negative për islamin dhe muslimanët, gjithsesi ndihet nevoja që t’i përmendim ato pozitive dhe frymëzuese që t’i vlerësojmë më tepër të mirat me të cilat na ka nderuar Allahu.

Një histori e tillë na vjen nga Arabia Saudite, e cila ndërlidhet me memorizimin e Kur’anit.
Në qytetin e bekuar të Mekës jeton hafizi më i ri në botë i cili ka memorizuar Kur'anin në moshën gjashtë vjeçare!
Vitin e kaluar, Musab Amir Hamza, ka përfunduar hifzin e Kur’anit, çka është me të vërtetë një sukses i madh jo vetëm për prindërit dhe muhaffizët e tij, por për të gjithë muslimanët.
Ai, hifzin e përfundoi ende pa u regjistruar në shkollën fillore. Në ndarjen e diplomës për hifz ishte i pranishëm edhe drejtori i shkollës së tij të ardhshme.

"Jemi shumë të lumtur që do të kemi një nxënës kaq të talentuar. Ai e mësoi Kur’anin përmendësh para se të hyjë në shkollën tonë. Ne jemi shumë krenarë për të", tha Sejfullah El-Harbi, drejtori i shkollës ku do të mësoj Musabi.
Padyshim se ky tregim duhet të na frymëzoj, dhe të punojmë sa më tepër në këtë drejtim, t’i regjistrojmë fëmijët tanë në kurse të mësim besimit dhe t’i nxisim ata që të shoqërohen me Kur’anin.