Refleksione për të kaluarën dhe të tashmen tonë

Hyrje

Çdo vit flasim dhe shkruajmë me krenari për festat që na vijnë njëra pas tjetrës qofshin ato me frymë kombëtare apo fetare. Ato janë momente të kthesave të mëdha historike dhe sa herë që vijnë ngjallin emocione dhe shkaktojnë shpërthimin e ndjenjave të recipientëve të tyre, pastaj përfundojnë pa ndonjë qëllim dhe vizion të qartë për të tashmen dhe të ardhmen. Ne duhet të reflektojmë mbi të ardhmen duke e pasur parasysh kontekstin e së kaluarës. Raporti ynë ndaj të kaluarës duhet të jetë në mënyrë kreative, për dallim të shumë njerëzve të cilët këtë e bëjnë në mënyrë politike. E kaluara është e rëndësishme që të marrim mësim dhe të frymëzohemi prej saj me qëllim që në kohën e tashme ta projektojmë të ardhmen e fëmijëve tonë.
Në këtë shkrim nuk dëshiroj të shkaktoj shpërthim e ndjenjave në zemër as lotin në sy, por të provokoj mendimin në tru. Këtë e them për arsye se vetëm në këtë mënyrë ne mund "t'i amortizojmë lëndimet tona individuale/kolektive dhe t’i kanalizojmë ato përmes një plani afatgjatë dhe t'i evitojmë seancat standarde të mazohizmit emocional." (Edin Tule)

Folklorizmi dhe ekzibicionizmi në çështjet e kombit dhe të fesë

Qëllimi im është që të demaskoj një fenomen që dëmton shpesh si çështjen kombëtare po ashtu edhe atë fetare. Të demaskoj një patriotizëm të rrejshëm, folklorik, ekzibicionizëm kombëtar, i cili shfaqet gjatë ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë kombëtare që pastaj ditën e nesërme të harrohet çdo gjë. Gjithë substanca e identitetit tonë kombëtar dhe fetar, patriotizmit kombëtar dhe devotshmërisë fetare është shndërruar në një ndjenjë dhe emocion të thjeshtë që shpërthen për një moment dhe që nuk provokon të menduarit dhe të reflektuarit mbi atë ngjarje. Më duket se shpesh nuk i shohim gjërat në thelb, por vetëm në sipërfaqe dhe si rezultat i kësaj kemi një patriotizëm dhe fetarizëm të theksuar sipërfaqësor. Të punosh për fe dhe atdhe, të kontribuosh për kauzën kombëtare dhe fetare, të jesh besimtar dhe patriot është një proces që nuk pushon asnjëherë. Më shumë kemi patriotë aksidental dhe besimtarë sezonalë se sa patriotë të vërtetë dhe besimtarë konstantë. Më lehët është të festosh se të reflektosh, prandaj njerëzit më shumë janë të prirë për të festuar se për të menduar. Të festuarit u jep atyre kënaqësi dhe dëfrim, për dallim nga të menduarit dhe reflektuarit që kërkon mund dhe sakrificë.

Ndërsa këtë vit me krenari flasim dhe shkruajmë për 7 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, mund të imponohet një pyetje: A po përpiqemi ne gjeneratat bashkëkohore, të jetojmë nga „lavditë e vjetra“?

Janë interesantë këta përvjetor. Mbase duke fluturuar në të kaluarën ikim nga e tashmja dhe kemi frik nga e ardhmja duke u ushqyer me vlerat e atyre që sakrifikuan më të shtrenjtën për ta degraduar ne atë, në më të ultën. Festojmë ngjarjet që kanë ndodhur në akt apo që kanë ndodhur në kontinuitet, figurat e mëdha që janë të kontestueshme apo të pakontestueshme, të merituara, të cilit ishin gjoja, të atillë çfarë ne i imagjinojmë, ose të atillë çfarë dikush i ka përjetuar, asimiluar në shpirt, në zemër, në tru dhe në para-tru i ka transformuar dhe neve na i ka lënë si testimonium temporis... Kështu, na bjerë nganjëherë ndërmend, kur festojmë, mbase festojmë të vërtetën ose gjysmë të vërtetën apo madje edhe gënjeshtrën, një ngjarje apo fantazi, nderin apo turpin.

Të festosh të kaluarën është e arsyeshme vetëm atëherë nëse ajo na stimulon në jetë. Do të thoja: kur prej saj rrjedh jeta. Po të mendonim dhe punonim ndryshe, zhdrivillimi i së kaluarës do të mund të ishte komik apo tragjikokomik. Të përkundësh në atë që ka kaluar, e të mos kërkosh në atë kalueshmëri rrënjë të thella nga të cilat do të mund të dilnin filizat – do të thoshte të këndosh dhe të brohoritësh mbi eshtrat e tharë që tashmë janë gjurmë trishtimi të asaj çfarë ka qenë dhe tashmë nuk është. Prandaj, të kujtuarit e së kaluarës, nganjëherë është si të shikuarit në një pasqyrë të mrekullueshme që në shikimet tona emeton imazhe të këndshme që në të vërtetë nuk ekzistojnë më, por që paraqiten në dëshirat tona për të na argëtuar apo për të përmbushur kureshtjen tonë që rënkon për të ditur atë që ka qenë dikur dhe –të mbetet në të.

Festimi i së kaluarës ka kuptim kur ajo e kaluar provokon për ta festuar, kur ajo jeton te gjeneratat bashkëkohore, të paktën edhe në mënyrë të fshehtë apo kur ajo bën që të shpërthejë jeta tek ato gjenerata, e kaluara nga energjia e së cilës lulet lulëzojnë, pemët ngjallën dhe rriten, burimet e ujit gurgullojnë, lumenjtë kullojnë dhe vadisin tokën, dielli ndriçon dhe ngroh i patrazuar, njeriu dhe populli ndjehen të lumtur që kanë dalë nga lëngjet e tilla të pasura dhe të shëndetshme jetësore që nuk iu duket as fundi.

E kaluara duhet të jetë paraardhësja e një të ardhmeje të ndershme, të shëndetshme dhe humane. Zoti e shpalli dhe e frymëzoi të vërtetën mbi njeriun i cili ekzistoi në të kaluarën dhe e braktisi të tashmen, u zhyt në të kaluarën. E keqja mund të ekzistojë dhe të sundojë, të përhapët dhe të shpërndahet, por njerëzimi, megjithatë, asnjëherë në parim nuk e nxjerr të keqen, krimin nga e kaluara për ta festuar. Të keqën, ecjen në rrugë të gabuar, dëshirojmë ta harrojmë, dëshirojmë ta fshijmë nga memoaret e historisë njerëzore. Sepse, njerëzimi nuk mund të rritet mbi të keqën. E vetmja gjë: në kujtesën e përjetshme do të jetë i drejti! Ai do ta trashëgojë këtë planet dhe vetëm atij i takon mëkëmbësia e trashëgimisë botërore.

Çfarë po ndodh me shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni? Përse ata nuk arrijnë të gjejnë forcë për të ndryshuar tërësisht rrethanat jetësore socio-politike? A nuk ka te shqiptarët energji të mjaftueshme të besimit, apo edhe më tej ata kërkojnë lumturinë e vërtetë? Benzhamin Konstan, shkrimtar politik, kishte thënë: “Ndryshimet politike nuk do të thonë pothuajse asgjë. Progresi i vërtetë historik është ai që zhvillohet në thellësitë e shoqërisë.”
D.m.th. nuk ka ndryshim thelbësor përderisa ai të mos ndodh në thellësinë e shpirtit. Shqiptarët janë njerëz të vuajtur, ndërsa me vite të tëra janë poshtëruar nga ana e regjimit. Prandaj, te shqiptarët duhet të forcohet dhe intensifikohet energjia e besimit që do ta forconte dhe nxiste një elitë të ndershme, të pakorruptueshme dhe të pathyeshme, që do të nisej në një manovrim vendimtar drejt një të ardhme më të mirë. Vetëm një elitë e tillë mund të sjell ndryshime thelbësore, e ato vijnë pas transformimeve në thellësinë e shpirtit të shqiptarit.
Një segment jashtëzakonisht i rëndësishëm i ndryshimeve progresive të çdo populli dhe bashkësie paraqet elita, e cila qëndron në krye të bashkësisë së gjithëmbarshme dhe e cila ose bëhet e suksesshme, ose humbet në mbizotërimin e pengesave që i dalin në rrugën e prosperiteti të shoqërisë. Elita paraqet një grup individësh, të cilët shquhen në mënyrë të veçantë në realizimin e së mirës së përgjithshme në kuadër të një bashkësie. Elita nuk duhet të ekzistojë vetëm për veten e saj, as vetëm për shkak të vetvetes, e në asnjë mënyrë për hir të privilegjeve që mbartë me vete elitizmi, statusi ekonomik, prestigji, vend i veçantë në shoqëri etj. Elita duhet të punojë për të mirën e popullit, për ruajtjen e interesave nacionale dhe fetare dhe të çdo gjëje që e bën bashkësinë të jetë bashkëkohore dhe një strukturë e përparuar qytetëruese. Mirëpo, sot kemi një paaftësi të tillë, madje pothuajse një letargji të plotë të elitës politike të shqiptarët për të gjetur përgjigje adekuate për sfidat bashkëkohore përballë të cilave gjendemi, para se gjithash në fushën e politikës, por edhe në udhëheqjen e ekonomisë, politikës sociale dhe kulturore dhe çështjeve të tjera të rëndësishme për ne shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve tjera shqiptare.

Çfarë është ajo që një popull duhet ta ndërrojë në shpirtin, personalitetin dhe karakterin e tij që ta lejojë All-llahu i Madhërishëm ndryshimin e gjithë atmosferës në një shoqëri?

Çfarë është ajo që institucionet në shoqërinë tonë (familja, mësuesit, mësuesit e fesë, sistemi arsimor, mediat, etj.) me këmbëngulësi e mospërfillin, dhe nuk arrijnë të skalitin në zemrën dhe shpirtin e popujve të tyre. Ato janë pesë ide dhe mendime të fuqishme, të cilat nuk kanë çmim dhe për të cilat nuk ka kompromise:

1. ideja e qartë mbi ruajtjen e pakompromisë të lirisë dhe mendjes individuale dhe kolektive = një kompleks emocionesh të krenarisë dhe trimërisë;
2. ideja e qartë mbi ruajtjen e pakopromisë të nderit individual dhe kolektiv = një kompleks emocionesh të krenarisë dhe xhelozisë;
3. ideja e qartë mbi ruajtjen e pakopromisë të jetës individuale dhe kolektive =një kompleks emocionesh të krenarisë dhe xhelozisë;
4. ideja e qartë mbi ruajtjen e pakopromisë të besimit (fesë) = një kompleks emocionesh të dashurisë, xhelozisë dhe krenarisë;
5. ideja e qartë mbi ruajtjen e pakopromisë të pasurisë/territorit = një kompleks emocionesh të dashurisë, krenarisë dhe xhelozisë;

Në qoftë se këto pesë tulla nuk janë vendosur drejtë në strukturën mendore të cilido individë apo kolektivë, atëherë do të ndodh shkatërrimi shpirtëror i të gjitha gjeneratave, të cilat përpiqen në mënyra të ndryshme alternative të mbrojnë botën e tyre të brendshme nga shkatërrimi. Kështu një pjesë e rinisë për shembull me anë të shpimit dhe tatuazheve përpiqet ta përforcojë botën e rrënuar të shpirtit të vet të lënduar nga sistemet e vrazhda të njerkës për shëmtinë e fytyrës së cilës akoma nuk janë të vetëdijshëm... E njëjta gjë mund të thuhet edhe për të rinjtë dhe familjet kosovare që po braktisin me të madhe këto ditë Kosovën. Reflektim i një zhgënjimi dhe një formë e veçantë e revoltës karshi një situate të pashpresë socio-ekonomike dhe moralo shpirtërore që ka përfshirë Kosovën.
Konfuzioni dhe vrasja e çdo dinjiteti nacional dhe fetar te popullit shqiptar është një konstante dhe vazhdimësi e skenës publike dhe shoqërore. Çfarë është njeriu pa dinjitet? Nëse personalitetit të njeriut ia vrisni krenarinë dhe dinjitetin, ju e keni vrarë njeriun në të.
Ajo çfarë ishte gjatë luftës, mund edhe të kuptohej si propagandë luftarake, artileri armiqësore verbale që plotëson efektet e tankeve dhe granatave, ngrit moralin dhe justifikon gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit. Mirëpo, si t'i thërrasim në kohën e paqes fushatat shkatërruese për manipulimin dhe hutimin e popullit, konstruksionin e së "vërtetës" për ngjarjet, degradimin e çdo vlere nacionale dhe fetare dhe vrasjen e dinjitetit indivídual dhe nacional? A do ta quajmë këtë një luftë speciale psikologjike, vazhdim të luftës së armatosur me mjete tjera në të cilat, mbase në mënyrë të pavetëdijshme, marrin pjesë shumë njerëz prej atyre që treguan rezistencë karshi armeve armiqësore dhe propagandës luftarake?

Kriteret për mbijetën dhe përparimin e një populli

Autori i njohur boshnjak Edin Tule lidhur me problematikën për të cilën po flasim shkruan. “Duke menduar a thua Zoti i botëve e përmend popullin tim dhe bashkësitë tjera të vogla muslimane (evropiane) kam kërkuar në Kur'an tre kritere të domosdoshme për ekzistencën dhe një progres të shëndosh të një populli, e ato janë: simbolet e fuqisë, simbolet e punës së zellshme dhe interpretuesit e realitetit në kohën e duhur, d.t.th. të tashmes dhe të ardhmes së afërt.”

Këto kritere i kam gjetur në ajetin tetëmbëdhjetë të kaptinës En-Neml që thotë:

"Deri atëherë kur arritën mbi luginën e buburrecave, një buburrec tha: “O ju buburreca, hyni në banimet tuaja që të mos u copëtojë Sulejmani dhe ushtria e tij duke mos ju vërejtur”. (En-Nemël (27): 18)

Ekzistojnë shumë paralelizma interesante ndërmjet këtij ajeti dhe gjendjes së boshnjakëve (të shqiptarëve shën. yni), sepse citati në fjalë ka në vete orientime për mbijetesën e popujve të vegjël evropian, sepse i përmend simbolet e domosdoshme dhe inteligjencën e cila me kohë e eviton të keqën kolektive duke e siguruar të mirën.

Vendbanimet e buburrecave që përmenden në ajet janë paradigma (shembull) për institucionet shqiptare në të cilat duhet të futemi edhe dhe të vigjilojmë mbi proceset e gjalla shoqërore. Sikurse buburreci i Sulejmanit (a.s.) i cili për bashkësinë e vet ka rol vendimtar duke i komentuar me kohë rrethanat jetësore, ashtu edhe në rastin tonë ato janë institucionet interpretueset e të tashmes dhe paranjohëset e reve të errëta të invazioneve ekonomiko-politike. A janë të tilla institucionet tona?A janë të afta ta largojnë një të keqe kolektive dhe të sigurojnë të mirën kolektive?!

Ky ajet na mëson që edhe ne të dimë në mënyrë institucionale, me kohë, qartësisht dhe zëshëm të artikulojmë zërin tonë nacional dhe interesat tona kombëtare. Këtë duhet ta bëjmë në mënyrë që të mos jemi viktimë kolaterale e qendrave dashamirëse të fuqisë, të cilët nuk do të arrijnë të dëgjojnë zërin tonë as të ta vërejnë hallin tonë.



Referencat:
1. www.slobodnaevropa.org/
2. Edin Tule, Kuranski tretaman stresa, Sarajevë 2011.
3. Edin Tule, Mentalni parkour, Sarajevë 2013
4. Glas islama, nr. 234, 2012 Sandjak


Artikulli i kaluar
Sfidat e njeriut modern
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi