Presidenti i Këshillit musliman francez Dalil Boubakeur në takimin vjetor të Unionit të Organizatave Islame në Francë ka kërkuar dyfishimin e numrit të xhamive në vend brenda dy vjetësh, me qëllim që të plotësohen kërkesat e miliona muslimanëve francezë, njofton France 24
"Ne kemi 2.200 xhami, por kemi nevojë edhe për dy herë më shumë", tha ai në takimin vjetor të Unionit të Organizatave Islame në Francë (UOIF), i cili konsiderohet takimi më i madh i muslimanëve në Evropë. Gjatë manifestimit katër-ditore aty mblidhen 250 organizata muslimane dhe mbi 17 000 njerëz.
Presidenti i Unionit të Organizatave Islamike (UOIF) Amar Lasfar me këtë rast ka thënë se numri i xhamive duhet të pasqyrojë numrin e muslimanëve, dhe se për këtë gjithnjë e më shumë është duke gjetur mbështetje nga autoritet lokale. "Për shtatë milionë muslimanë të Francës xhamitë ekzistuese nuk janë të mjaftueshme", tha me këtë rast Boubakeur.
Kërkesën për ndërtimin e më shumë xhamive në Francë e mbështeti edhe imzot Ribadeau-Dumas, zëdhënës i Konferencës së Peshkopëve francezë, duke thënë se kjo është një kërkesë legjitime.
"Muslimanëve, sikur krishterëve dhe hebrejëve, duhet t’ju mundësohet praktikimi i besimit të tyre", tha Monsinjor Ribadeau-Dumas për radio stacionin francez Evrope 1.