Fillimi i ndërtimit të Qendrës Islame në Lubjanë, me ndërtimin e së cilës Sllovenia do të ketë xhaminë e dytë të saj, pasi që e para është rrënuar në përfundim të Luftës së Parë Botërore, është zyrtarizuar të mërkurën nga myftiu i Lubjanës Nexhad Grabus dhe prefekti i këtij qyteti, Zoran Jankoviç.
Sekretari i Bashkësisë Islame në Slloveni Nevezet Piviç, gjatë prezantimit publik të projektit tha se kjo qendër do të mbulojë hapësirën prej 13.000 metra katrorësh. Përveç xhamisë, ky objekt modern do të ketë pjesën arsimore, administrative dhe të banimit, pastaj një palestër sportive, restorant dhe hapësirat tjera të nevojshme për muslimanët në Slloveni.
“Sipas regjistrimit të vitit 2002, në Slloveni jetojnë afro 50.000 muslimanë. Regjistrime të tilla më nuk bëhen, por sipas të dhënave që i posedojmë, në këtë vend jetojnë afro 100.000 muslimanë. Vetëm në Lubjanë jetojnë rreth 40% të muslimanëve, afro 90% prej tyre janë boshnjakë, ndërsa një përqindje e vogël vijnë nga vendet tjera të rajonit”, tha Poriç.
Për blerjen e tokës, për nxjerrjen e të gjitha lejeve të nevojshme dhe për fillimin e ndërtimit të Qendrës deri më tani janë harxhuar afro tetë milion euro, por në fund qendra pritet të kushtojë afro 35 milion euro. Ndërtimi financohet nga shteti i Katarit, ndërsa mbështetjen e realizimit të këtij projekti e ka dhënë edhe administrata e qytetit të Lubjanës në krye me prefektin, Zoran Jankoviç.
“Ndërtimin e xhaminë e pres me gëzim dhe krenari. Pas 50 vitesh muslimanët në Slloveni, që janë qytetarët tanë, do të kenë objektin e tyre fetarë”, ka thënë Jankoviç gjatë prezantimit të ndërtimit të projektit në Sarajevë.
Gurthemeli për ndërtimin e Qendrës Islame në Lubjanë është vendosur më 14 shtator të vitit 2013.