Organizata Humanitare “El Hilal” në Shkup ndanë bursa për 38 studentë

Organizata Humanitare “El Hilal” në Shkup, organizoi evenimentin tradicional të fundvitit për ndarjen e bursave për vitin akademik 2015/2016 për 38 studentë. Përveç mysafirëve, donatorëve dhe aktivistëve të “El Hilal”-it morën pjesë edhe studentët, fitues të bursave në konkursin e sivjetmë.

Shpërndarja e bursave për studentë, realizohet për 12 vjet me radhë. Ky është njëri ndër projektet e shumta programore të kësaj organizate humanitare, me anë të të cilit ndihmohen studentët nga familjet me nevojë si dhe studentë të dalluar.
Në këtë eveniment morën pjesë edhe prorektori i UT-së, Reshat Qahili, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, kryetari i nderit i “El Hilal”-it, prof.dr. Abdurauf Pruthi, etj.
Kryetari i “El Hilal”-it, Behixhudin Shehabi, në fjalimin e tij theksoi se ndarja e bursave për studentët është një shembull i mirë, me të cilin krahas aktiviteteve humanitare kontribuohet edhe për të ardhmen. “Ndihma ndaj studentëve, që janë ardhmëria e shoqërisë, ngrit te ata motivacionin dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj familjes dhe shoqërisë në përgjithësi”, tha ai.
Në emër të Komisionit për shpërndarjen e bursave të “El Hilal”-it, një retrospektivë për këtë aktivitet të realizuar ndër vite dha Etem Xheladini, i cili theksoi se për këto 12 vite, nga bursat për studentë kanë përfituar rreth 500 studentë nevojtarë dhe të dalluar.
Mirënjohje e veçantë u përcoll për donatorët nga diaspora shqiptare, të cilët kontribuan për fondin e bursave studentore.
Moderatorja e kësaj ngjarjeje, Sadije Aliti, e cila është aktiviste e “El Hilal”-it dhe njëkohësisht poete, lexoi disa vargje nga libri i saj i fundit.
Në fund, me një program të shkurtër artistik, u prezantuan katër studentë të Fakultetit të Muzikës nga UT-ja, të udhëhequr nga profesori, Blerim Grubi.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Video nga vizita e imamit të Qabesë në Kosovë