Pas ardhjes në Prizren, të sulltan Fatih Mehmetit të II-të i cili qëndroi nga qershori gjer në shtator të vitit 1455 në Kosovë, me ç’rast në atë kohë në qytetin e Prizrenit ekzistonin 8 kisha ortodokse serbe dhe 2 kisha katolike, urdhëroi që njëra nga kishat ortodokse serbe, kisha e Shën Premtes (Bogorodica Ljevishka) e ndërtuar nga mbreti Millutin në vitin 1307 në bazamentin e bazilikës bizantine të mëparshme, e cila ishte në atë kohë,kisha qendrore ortodokse e ipeshkvisë serbe(mitropolisë) së Prizrenit të shndërrohet në xhuma xhami(1).
Në këtë xhami u fal edhe xhumaja e parë, e cila në Prizren më tutje do të njihet dhe quhet xhuma xhami, dhe me këtë emër njihet edhe në ditët e sotshme në Prizren. Kjo xhami shërbeu dhe funksionoi si xhami gjer në vitin 1918, kur ushtria serbe pas Luftës së parë Botërore riokupoi për herë të dytë Prizrenin, dhe më në fund e rikthye përsëri në kishë, ndërsa në vitin 1923, saktësisht me datë 17 qershor 1923 ia rrënuan edhe minaren dhe e ringritën kambanën e saj. Këtu, sa për kuriozitet do të përmend, se në kishën e Shën Premtes është varrosur edhe gjenerali austriak Pikolomini pas pushtimit dhe rrënimit të qytetit të Prizrenit nga ushtria austriake, i cili vdiq nga sëmundja e murtajës me 9 nëntor 1689(2).
Xhuma xhaminë e përmend edhe myftiu i Prizrenit gjatë shekullit XIX-të, Mehmet Tahir efendiu në kronikën e tij të shkruar dhe titulluar “Menakib”, në të cilin cek se “sulltan Fatihu e ka shndërruar në xhami, dhe ka gjallëruar shumë vakëfe përreth saj”(3).
Është karakteristike se sikurse edhe për kishën e mëparshme gjersa ishte në funksionin e mëparshëm të saj, është quajtur me disa emërtime të ndryshme, sv.Bogorodica, sv. Petka, Ljevishka, Shën Premtja, ashtu pastaj edhe xhamia u quajt dhe ishte e njohur në popull me disa emërtime të ndryshme, sikurse ishte Xhuma xhamia, xhamia e Fatih sulltan Mehmedit të II-t, Atëk, xhamia e vjetër, xhamia e Fet-hisë.
Për xhuma xhaminë kemi tri mbishkrime të ruajtura, sipas renovimeve të kryera të xhuma xhamisë, mbishkrimi i parë daton nga viti 1275 hixhri/1858 gregorian, mbishkrimi i dytë gjendet në brendi të mihrabit dhe mbishkrimi i tretë i vitit 1328 hixhri/ 1910 gregorian. Në mbishkrimin e tretë të kësaj xhamie shkruan:” kjo është Fet-hije, xhami Atëk, për ibadet është bërë me kohë, këtë e ka themeluar ehli kuffar (i krishteri), prej dorës së tij është marrë me luftë nga Hunkar, hamd koftë “Fatihu” që e mori , dhe brendia e kësaj xhamie me islam u mbush”(4).
Në defterin(regjistrin) e përgjithshëm të sanxhakut të Prizrenit në vitin 1571, kemi edhe të dhëna për imamët dhe myezinët e mesxhideve dhe xhamive të caktuara të Prizrenit në atë kohë. Në disa raste kemi të cekura edhe të dhëna të sakta se në cilin mesxhid apo xhami kanë shërbyer, ndërsa në raste tjera kemi të dhëna se në atë kohë në cilët mahalla (lagje) të caktuara janë regjistruar imamët dhe myezinët sipas mahalleve(lagjeve) në të cilin kanë jetuar.
Kështu që në vitin 1571 kanë qenë të regjistruar në Prizren, si taksapaguesit e rregullt në atë kohë, këta imam dhe myezinët në Prizren: Ahmed imami, Mahmud imami, Budak hoxha, Hasan imami, Hysen imami, Hysam halifa imami, mulla Iba imami, Hysin hoxha, Hysam imami, Mustafa hatibi, si dhe myezinët, haxhi Ibrahimi, Murati, Ahmedi, Koxhamyezini, Daudi, Jusufi, Ahmedi, Ramazan halifa, Mustafa, Hajdari, dhe Ataullahu.(5)
Tani ish xhuma xhamia, kisha e Shën Premtes është në posedim të ipeshkvisë serbe ortodokse të Prizrenit, por në të nuk kryhen ritet fetare ortodokse, dhe është nën mbrojtjen e shtetit, ndërsa nga viti 2006 është vendosur edhe në listën e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-së si monument me rëndësi të veçantë kulturore me një lashtësi të ekzistimit të saj, të njohur gjer tani, njëmijëvjeçare.
_________________________
1. Катић, Татјана. “Oсманизовање српског средњовековног града: Призрен у XV и XVI веку“. У Живот на рекама југоисточне Европе: историјски аспекти планирања насеља и комуникација. Уредник Љубодраг П. Ристић. Београд: Балканолошки институт САНУ, Историјски институт, (у штампи)
2. Shukriu, Muhamed”Prizreni i lashtë…”Prizren, 2001, fq.352-353
3. Krasniqi Nehat:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, 1995, fq.96
4. Vırmiça,Raif:’’Kosova’da Osmanlı Mimari Eserleri I’’, Ankara, 1999, fq. 107-108
5. Т, Катић, Опширни попис Призренског санџака из 1571. године, Београд: Историјски институт, 2010, fq.51-56
Faik MIFTARI
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/foto-xhuma-xham_1465473201.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/1_1465472975.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/2_1465472987.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/3_1465472999.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/4_1465473013.jpg[/img]