Kush është sot në Bedër

Sot në vitin 1437 hixhrijj kur e kujtojmë Bedrin dhe porositë e tij dhe evokojmë kujtime për betejën e madhe, në të gjitha anët kudo nëpër botën islame, vriten dhe vdesin njerëz, persekutohen, torturohen, bëhen shkatërrime, djegie, përdhunime ...

Vetëm Zoti e di çdo ditë sa njerëz vdesin që janë me shehadet në zemër. Është një njohje fatale kur e kupton se këta vëllezërit tanë vriten nga vëllezërit tanë. Kjo që po ndodh në Siri, Irak, Libi, Jemen, Somali, Nigeri ..., është larg nga porositë e Bedrit. Në Bedër ndodhi përplasja e dy koncepteve, besimit dhe mosbesimit, tevhidit dhe idhujtarisë. U përplasën rendi dhe jo rendi (anarkia), drita dhe errësira. Në Bedër Fjala e Zotit iu kundërvu thirrjes së djallit. Të gjithë ata muslimanë të cilët sot mbajnë armë dhe me të godasin anën tjetër, e shkrepin armën mbi muslimanët, atë e bëjnë me thirrjen e Bedrit. E përmendin emrin e All-llahut. Brohorisin All-llahu është më i madhi, por nuk janë në Bedër. Asnjëri prej tyre nuk është në Bedër. As nuk janë afër porosive të Bedrit. Ata në fakt ato mesazhe nuk i kuptojnë fare. Në Bedër nuk u përplasën, nuk luftuan muhaxhirët dhe ensarët, veçse bashkërisht luftuan kundër armikut të përbashkët.
Sot përplasen dhe luftojnë muslimanët dhe muslimanët, ky fis kundër atij fisi, nga kjo xhami nisen për të vrarë në xhaminë tjetër....
Sot, kur evokojmë kujtimet e luftës së Bedrit dhe dëshirojmë t'i kujtojmë porositë e tij, pyesim: KUSH ËSHTË SOT NË BEDËR???
Sot, o vëllezër, do të ishte në Bedër ai që do të vendoste paqen dhe rendin në Irak dhe Siri. Në Bedër do të ishte ai i cili do t'i kthente refugjatët në shtëpitë e tyre, ai që do t'i shpëtonte nga vuajtjet ata që janë goditur nga fatkeqësitë. Porosia e Bedrit është shkollimi, arsimimi. Të gjithë e dimë që robërit e luftës së Bedrit ua mësuan shkrimin-leximin fëmijëve tanë në Medine. Bedri sot është t'i shkollojmë fëmijët tanë.
Sot kur e kujtojmë Bedrin 12 milion fëmijë në këtë Siri dhe Irak nuk shkojnë në shkollë. Çfarë do të na thoshte Pejgamberi (a.s.)? O ti që, kur e shkrep pushkën mbi vëllain tënd dhe thërret All-llahu Ekber, a e pyet veten se çfarë do të thoshte Pejgamberi (a.s.)? Ti e thërret emrin e Zotit, i Cili u tha njerëzve "IKRE' " “LEXONI”, e ti i vret ata që lexojnë-nxënësit, i mbyll shkollat, ia shkatërron ummetit të ardhmen. Të nxësh dituri dhe të jesh konkurrues në çdo fushë karshi të tjerëve, ky është sot Bedri. Të shkosh në fakultet, e jo në Siri, kjo do ta gëzonte Pejgamberin tonë (a.s.), e emri yt do të shkruhej në mesin e njerëzve, pjesëmarrësve të Bedrit. Vetëm në një krahinë në Afganistan 400.000 vajza nuk i ndjekin shkollat në të cilat mësohet matematika, sociologjia, biologjia... Ata shkojnë në shkollë ku mësohet vetëm Kur'ani. Pejgamberi dhe as'habët e tij e dinin Kur'anin dhe mund atë më mirë se kushdo tjetër t'ua mësonin fëmijëve të Medinës, dhe ua patën mësuar. Por, kjo nuk ishte e mjaftueshme. I solli Pejgamberi (a.s.) robërit e luftës, armiqtë e tij, që ata t'i mësojnë fëmijët tanë edhe për matematikën edhe biologjinë edhe gjeografinë, sepse si do të luftosh kundër atij që është i arsimuar përveç se të jesh në çdo gjë i barabartë më të, e edhe më i mirë se ai. Shkolla dhe libri sot janë Bedër. Ai që e hap një vend pune dhe kujdeset për një djalë të ri anë e kënd botës, por edhe në vendin tonë, ai është sot në Bedër. Ai që ua mundëson të rinjve dhe të rejave tona në mbarë botën islame që të martohen dhe të krijojnë familje, ai është sot në Bedër. Ai që bën çdo gjë me punën e vet që ta sigurojë jetën e vet, ai është sot në Bedër. Nuk është sot Bedër i askujt të mbajë pushkën nëpër vendin e Sirisë, Irakut apo Jemenit. Bedër është që me parmendë dhe shat në dorë të jesh në arën tënde. Nga gjithë ajo tokë pjellore në luginat e Nilit, Eufratit, Tigrist, Bosnjës, Kosovës (dhe trojeve tjera shqiptare- shën. yni), për shkak të të moskuptaurit të porosive të besimit tonë shumë muslimanë jetojnë nga ndihmat e huaja. O pasues krenar i Pejgamberit (a.s.), o pjesëtar i ummetit islam, shikojë veten tënde në pasqyrë dhe shiko, a po e sheh Ebu Bekrin, Omerin, Osmanin, Aliun, a po i sheh muhaxhirët dhe ensarët e bashkuar nga Bedri që i shërbejnë islamit dhe jo armikut të tij. Sot, kur e kujtojmë betejën e Bedrit dhe evokojmë kujtime për të, thërrasim: Sot në Bedër është ai që këtyre djemve të rinj nga e gjithë bota ua shpjegon ç'është jeta në të vërtetë? Kush ua prezanton vlerat universale dhe në zemër ua mbjellë dëshirën për sukses në të dyja botët, ai është në Bedër. Kush i shpjer nga kriza e identitetit drejt njohurive dhe rrugës së drejtë. Kush ua shpjegon atyre se nuk duhet të bëjnë tatuazhe, t'i shpojnë veshët, hundët dhe vetullat për të qenë përparimtar dhe të kulturuar, ai është në Bedër. Kush ua shpjegon atyre që nuk është patjetër të lëshohet mjekra dhe të shkurtohen pantallonat dhe të jesh kundër traditës së popullit tënd,që të jesh në rrugë të drejtë, edhe ai është në Bedër.
Në Bedër sot është ai, i cili punon pa pushuar në afrimin e njerëzve, duke e bërë ta njohin njëri - tjetrin dhe duke e larguar frikën prej njeri-tjetrit. Nuk është misioni e as detyra e asnjë feje që t’i përçajë njerëzit e vet me të tjerët. Të gjithë jemi këtu, sikurse na mësojnë shpalljet, që të jetojmë në paqe dhe të lumtur duke qenë të bindur ndaj Zotit dhe me jetën e tonë duke e merituar shpëtimin e përjetshëm.
O bota islame, o ummeti i Pejgamberit, shikoje veten në pasqyrë, shiko thellë në veten tënde. Mos i mbyll sytë! Shiko kolonën e atyre që i ka goditur fatkeqësia, të cilët udhëtojnë me muaj, ecin në këmbë, e kërkojnë dhe e ëndërrojnë lumturinë në rrugët e Munihut, Londrës, Parisit, Vjenës... Në atë rrugë për të shpëtuar shumë prej tyre vdesin. Janë të poshtëruar, sepse askush nuk i dëshiron dhe të gjithë kufijtë janë të mbyllur për ta. Imagjino vëlla musliman, ti që sot i kujton porositë e Bedrit, që ata vëllezërit tonë që kanë rënë në fatkeqësi, nuk e gjejnë lumturinë në rrugët e Bagdadit, të asaj kryeqendrës së dikurshme të dijes, kulturës dhe përparimit. Po, ata njerëz ikin prej rrugëve të Damaskut dhe Halepit, atyre margaritarëve të civilizimit dhe së kaluarës sonë të lavdishme. Imagjino, që ata nuk e kërkojnë lumturinë në rrugët e Kajros, Amanit, Bengazit, Tripolit, ata nuk duan të shkojnë në Mekke dhe Medine, por Në Budapest dhe Berlin.
O ummeti i Pejgamberit, dil në Bedër! Ktheu tek burimet e besimit tënd dhe nga ato burime të pastra, ushqeje dhe frymëzoje veten tënde më shpalljen dhe sunnetin, merr mësim dhe arsimohu, puno, ndërto dhe ndërtohu, rregulloje veten dhe përkushtoju edukimit dhe arsimimit të fëmijëve dhe të rinjve. Qëndro i fuqishëm në mbrojtje të vlerave islame të cilat reflektohen në familje, në xhemat, në bashkësi, në harmoni, në dëlirësi, në drejtësi, në ekuilibrin social... Gjithçka tjetër, sot nuk është Bedër. Në ditën e sotme të Bedrit, ja ku jemi o Zoti ynë. Siç u lut Pejgamberi(a.s.) në çadrën e tij në natën e Bedrit: "Na ndihmo o Zot që të kesh dikë për të të bërë sexhde", edhe ne të lutemi, na ndihmo dhe na bashko që të mund edhe ne të të bëjmë sexhde në paqe. AMIN.



Izet ef. Čamdžić
Përktheu: MuhidinAhmeti
http://akos.ba/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme