Gjurmëve të veprimtarisë kombëtare të ulemave në Betejën e Lumës me 1912

Me plot të drejtë është konstatuar se me fillimin e lëkundjes së themeleve të shtetit osman, kreri fetar myslimanë u përball me fillet e shekullarizimit të shoqërisë. Porosia fetare e barazisë njerëzore tashmë gjendej përballë dallueshmërisë, nivelizimeve dhe lartësimeve të etnive, gjegjësisht kombeve.

Në këtë mjedis është tejet i rëndësishëm fakti që kreu fetar myslimanë shqiptar nuk ndoqi rrugën e mbrojtjes së interesit, autoritetit dhe pushtetit vetjak. Ata arritën që në mesin e mentaliteteve të reja, para çdo gjëje të vënë të mirën e përbashkët shoqërore. Qëllim kryesor i tyre mbeti vetëdijesimi dhe ngritja e nivelit shoqëror të shqiptarëve. Një mungesë e leximit të këtij qëllimi ka promovuar një histori të mangët të konsolidimit modern të shoqërisë sonë. Bashkë me këtë vazhdimisht diskursi politik shqiptar ndër vite ka anashkaluar të mirën e fesë, në dobi të shekullarizmit. Kreu fetar dhe aktivitetet, veprat dhe rezultat e tij janë neglizhuar ose injoruar nga mjedisi publik mbarëshoqëror. Vitet e fundit, falë përpjekjeve të studiuesve, shumë personalitete dhe pjesë të kreut fetar myslimanë janë bërë të njohur për masat. Me këto përpjekje zbardhen personalitete të shquara dhe na mundësohet të shohim dualitetin e inteligjencës shqiptare, intelektuali përballë ulemasë. Kjo vijimësi vazhdon edhe pas një periudhe të lindjes së shtetit shqiptar. Shfaqet në viset e tjera ku jetojnë shqiptarët dhe është pjesë e debateve të ditëve të sotme(1)
Ndër ndihmuesit e klerit mysliman në dobi të komunitetit ku jetonin dhe vepronin, si në aspektin shpirtëror, por edhe në atë kombëtar, janë edhe krerët fetarë të Krahinës së Lumës(2), të cilët përkundër kontributit të tyre të gjithanshëm në këtë krahinë, ata u lanë dhe ende Vazhdojnë të mbesin në margjinë.
Njëra nga sprovat gjatë historisë së kësaj krahine, ku krerët fetarë myslimanë do të japin provimin e tyre para popullatës dhe xhematit, në aspektin shpirtëror e kombëtar, duke marrë pjesë në betejë por edhe duke mobilizuar masat e njerëzve për këtë betejë, pra është edhe ajo e vitit 1912, e njohur në histori si ” Beteja e Lumës”, e zhvilluar aty nga 15-18 nëntori i vitit 1912, ndërmjet banorëve të Lumës dhe të rrethinave të saj dhe ushtrisë pushtuese serbe, e cila pas shpërthimit të luftërave ballkanike u dynd në tokat shqiptare. Ndër udhëheqësit kryesorë në këtë betejë dallohen Islam
Spahi e Ramadan Zaskoci, Qazim Lika etj.

Roli i krerëve fetarë në këtë betejë

Nuk dua të flas për rrjedhojat e mëtejshme të kësaj beteje, po rrjedhimisht edhe pasojat, sepse këto gjera janë venë në dukje dhe janë shpjeguar në mënyrë të drejtë e me kompetencë nga studiues shqiptarë.(3)
Prandaj, ne në këtë punim, duke anashkaluar renditjen kronologjike të ngjarjeve dhe të rrethanave që sollën deri te këto përleshje, luftimet, masakra, etj., ne kemi venë në spikamë rolin e krerëve fetarë të kësaj ane në këtë betejë. Luma është krahinë ku popullsia e saj janë të konfeksionit mysliman, një shtrirje të konsiderueshme në këtë krahinë ka Islami tradicional syni; janë prezentë bektashizmi dhe disa tarikatet të tjera. Duke e pasur parasysh konfiguracionin konfesional të kësaj krahine, edhe ne me këtë punim mëtojmë të paraqesim kontributin e disa hoxhallarëve dhe shehlerëve të kësaj krahinë në këtë beteje.
Në vitin 1912 popullata e krahinës së Lumës dhe rrethinës u mobilizuan kundër forcave serbe, e shtrohet pyetja se çfarë bëri kreu fetar i Lumës në këtë kohë: qëndroi duarkryq kundruall asaj që po ndodhte në Lumë?
Janë kontribute të çmuara që janë shkruar për këtë krahinë dhe për këto ndodhira, pra për krerët fetarë të Lumës, sidomos nga studiues si; Shefqet Hoxha(4), Isa Halilaj(5), Qemal Mataj(6), Shaban Brahaj(7) etj. Por, sado që është shkruar për krerët fetarë myslimanë në Lumë, kontributet përball veprimtarisë së tyre shpirtërore dhe kombëtare ende janë të mangëta.
Në betejën e Lumës të vitit 1912, hoxhallarët dhe shehlerët e Lumës jo që nuk pranuan të rrinë duarkryq dhe t'i mbyllin sytë përball mizorive që po bënin shtet e Aleancës ballkanike, por veprimtaria shpirtërore e tyre u vu në dispozicion të udhëheqësve të kësaj beteje, kundër forcave sllave. A thua në këtë momente kaq të vështira për popullin shqiptar në përgjithësi, dhe për krahinën e Lumës në veçanti, a kishte edhe momente shpirtërore? Padyshim se po, dhe kjo u vërtetua se edhe krerët myslimanë të Lumës ditën të qëndrojnë pranë figurave të rëndësishme kombëtare të kësaj ane, dhe jo rastësisht prijësit me zë në betejën e Lumës, si: Ramadan Zaskoci, Islam Spahia, Ramadan Ceku, Qazim Lika etj., në mesin e tyre kishin ofruar afër vetës edhe figura shpirtërore të kësaj ane, disa prej të cilëve iu besua edhe udhëheqja në këtë betejë, si: Hoxhë Mehmetit të Shtiqenit. Ndër figurat kyçe në këtë betejë ishin; Hoxhë Mehmeti i Shtiqenit, Mulla Rasim Zapodi i Zapodit të Gorës, Sheh Salihi, Sheh Ibrahimi, Hoxhë Novesej etj.
Hoxhallarët dhe shehlerët e Lumës, pjesa më e madhe e tyre, jo rastësisht u gjenden në ballë të malësorëve edhe atëherë kur ishte në pyetje jeta e tyre, sepse ata kishin marrë dije shpirtërore dhe kombëtare te medresetë e njohura të kohës në Prizren, ku për mësues kishin pasur figurat e njohura shpirtërore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si: Myderriz Ymer Prizrenin, kryetarin e njohur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Halim Gjergjizin, kryetarin e Lidhjes së Prizrenit, dega në Prizren etj. Ngjarjet e rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare që ndodhën në Lumë gjatë formimit të tyre, dhe kontributi i mësuesve të tyre më medresetë e Prizrenit, pa dyshim se do të kenë ndikim në formimin e personalitetit të tyre shpirtëror dhe kombëtar.
Në Betejën e Lumës të vitit 1912 janë me dhjetëra krerë fetarë myslimanë të rrethinës së Lumës që në një formë apo tjetër po e jepnin kontributin e tyre, duke u ndihmuar kolegëve, nga Prizreni, ndihma në mobilizimin e masave në këtë betejë. Ndihmat po u vinin nga Rrystem ef. Shporta, Musa Sheh Zade etj., kurse në inkuadrim të drejtpërdrejtë, edhe si udhëheqës, ishte Sheh Hasani (Plaku) i Prizrenit.

Pjesëmarrja e drejtpërdrejt e hoxhallarëve në luftë

Nga rajoni i Opojës dhe Gorës së bashku me popullatën e kësaj ane po u vinte në ndihmë Mulla Eshref Krusha e Nail Dana, udhëheqës shpirtërorë të dalluar të kësaj ane. Për të bëmat e tyre, fetare, arsimore në gjuhën shqipe, pjesëmarrjen në luftëra të drejtpërdrejta në Lumë, popullata i përjetësoj edhe në kujtesën e tyre. U thuren këngë dhe vargje që edhe sot e kësaj dite janë ruajtur, ku shprehet karakteri i tyre prej fetari e kombëtari. Ata paraqiten si krah i rezistencë kombëtare shqiptare në Lumë dhe rrethinë, duke u angazhuar në forma të ndryshme si: udhëheqës, për bashkimin kundër çdo armiku.
Është për t'u theksuar se në vitin 1937, revista "Zani i Naltë", Organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar, me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë boton një numër të veçantë kushtuar udhëheqësve fetarë myslimanë që kanë dhënë kontribut në aspektin fetar dhe kombëtar, e aty përmend me dhjetëra hoxhallarë e shehlerë gjithandej hapësirës shqiptare, por kjo revistë në theks të veçantë i përkujton krerët fetarë myslimanë të Lumës, si: Hoxhë Brrutin, për të Cilin mes tjerash shkruan: "Hoxhë Brruti, me qi ishte edhe nji pris fetar, mundi me i mbushë menden xhematit të vet e krah për krah me ta luftoj pa pra: me Serbie me 1912 te Kulla e Lumës, ke Ura e Vezirit". Revista gjithashtu përmend edhe krerët e tjerë myslimanë lumosë, të dalluar për veprimtari kombëtare, si: Sheh Selimin e Hoxhë Mehmetin nga Shtiqni, Sheh Jeminin nga Cajea, Sheh Remin nga Kalisi, Mulla Islamin nga Novoseji, Sheh Mahmutin nga Cerni etj.(8)
Si përfundim mund të thuhet se krerët fetarë myslimanë në Lumë dhe rrethinë, në Betejën e Lumës, por edhe më parë, ishin krah i fortë i veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare në këtë krahinë. Ngjarjet e Lëvizjes Kombëtare lanë mbresa te ata, po aq sa edhe mësuesit e tyre në medresetë e Prizrenit, ku ata morën dije. Ata jo vetëm që u angazhuan drejtpërsëdrejti në betejë, por mobilizuan masa, e madje edhe faltoret e tyre i shndërruan në vende ku mbaheshin tubime për të mirën e popullit. Është për t'u habitur se si kjo brigade e terë e udhëheqësve fetarë myslimanë të krahinës së Lumës, angazhuar katërçipërisht në shërbim të çështjes kombëtare, në fjalorin Enciklopedik Shqiptar, në tre vëllime nuk mundi të jetë në asnjë rresht.
Vlera dhe rëndësia e tyre nuk qëndron vetëm në veprimtarinë dhe punën e tyre vetanake, por në trashëgiminë e vazhdueshme që lanë pas jetës së tyre. Këta krerë fetarë të mirën shoqërore shqiptare e bënë pjesë të misionit fetar për gjeneratat pasardhëse të udhëheqësve myslimanë shqiptarë. Mungesa enjë copëze në mozaikun e madh të historisë sonë kombëtare, sado që e vogël t'i duket dikujt, e bën ngjarjen historike të paplotë. Janë ndoshta këto aspekte, në dukje të vogla, por që mund të bashkohen për të ndihmuar që pamja të qartësohet gjithnjë e më shumë.


_______________________
(1) Kushtrim Shehu, Mobiliteti shoqëror i krerëve fetarë mysliman tek shqiptarët, në: "Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identiteti kombëtare”, BIK, KMSH, BFIRM, Tiranë, 2013, f. 214-222.
(2) Luma- krahinë gjeografike dhe etnografike në rr. E Kukësit..., shih: Fjalori Enciklopedik Shqiptar, ASI-ISI-I, Tiranë, f. 1571-1572.
(3) Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 ( dokumente), IAP, Prishtinë, 1996; Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare (1844- 1990), Lumi-T, Gjakovë, 1991.
(4) Shefqet Hoxha, Luma në luftërat për liri, Geer, Tiranë, 2002; Shefqet Hoxha, Kërkime për besimet fetare në Lumë, Geer, Tiranë, 2005.
(5) Isa Halilaj, Pesha e përfaqësimit, Tiranë, 2004; Isa Halilaj, Në kujtesën e historisë, Geer, Tiranë, 2004; Isa Halilaj, Sheh Coban Baba Alia, Geer, Tiranë, 2009.
(6) Qemal Mataj, Mulla Rasim Zapodi, Prizren, 2002; Qemal Mataj, Hoxhë Meh- meti( 1867- 1927), Kukës, 2002.
(7) Shaban Braha, vep., e cit. (8) "Zani i Naltë", Nr. 11, viti XII, nanduer, 1937, Tiranë, f. 359-361.



Dr. Nuridin Ahmeti