Hafizi tetovar dhe tregtari shkodran, që i shpëtoi jetën…

Po të më kërkohej të bëj një listë me emrat e hoxhallarëve të shquar të Shkodrës, në gjysmën e parë të shekullit 20, natyrshëm që emri i tetovaliut, Hafiz Qamil Tresi (Abdyli), mund të renditet në mesin e talebeve të rrethit të fundit të këtyre hoxhallarëve, pas së cilit, kolera komuniste i ndërpreu me diktatin e dhunës dhe terrorit ateist!

Ai u lind në Tetovë, më 06.12.1922. Ishte i biri i Hafiz Abdylgafarrit dhe i Hamidijes. I ati i tij ishte Hafiz i Kur’anit, siç e pohon edhe studiuesi Dr. Feti Mehdiu, në botimet zinxhir me titull: “Hafizët tanë gjatë historisë”, përmbledhur në një libër bibliografik.
Mësimet e para fetare, pas familjes, i mori në medresenë e Sarajevës, të cilën nuk e përfundoi dot për shkak të luftës. Ixhazetin e mori në Shkodër, në vitin 1952, nga H. Muhamed Bekteshi (1883-1958), një Hoxhë i shquar popullor në Shkodër.
(Njëherazi, nga duart e H. Muhamed Bekteshit është diplomuar edhe H. Sabri Koçi dhe shumë talebe të tjerë, që i kam sqaruar në monografinë me titull: “Hafiz Qamil Tresi- në gjurmët e një biblioteke, që sfidon heshtjen e kohës”, Shkodër, 2006, si dhe në botimin tjetër monografik, me titull: “Hafiz Musa Hoxha- vaizi besnik i qitabeve të vjetra”, Shkodër, 2009).
Thuhet se pasardhësit e fisit të tij jetojnë edhe sot në Tetovë, pranë Xhamisë së Larme, edhe pse nuk i kam takuar ndonjëherë. Ndërsa familja e tij, jetojnë në Shkodër dhe Tiranë.
Gjuha amtare e familjes së tij, ku ka lindur, ka qenë turqishtja. I biri, Taxhudini, teksa përgatitesha për botimin e monografisë, më ka shpjeguar, se: “Shpesh baba thoshte se ne jemi turqeli Tetove. Madje halla e jonë, që akoma rron në Tetovë, e flet shqipen me shumë vështirësi.”
Detaji, për të cilin iu riktheva sërish kujtimit të Hafiz Qamil Tresit, është mikpritja dhe sakrifica e shkodranëve muslimanë, për ta mbrojtur të riun tetovar nga një tragjedi e madhe kombëtare, për të cilën, historia duket se i ka mbyllur dyert e saj…
Të afërmit e Hafizit në Shkodër tregojnë se bëhet fjalë për masakrën e Tivarit të vitit 1945, ku mesa duket edhe i riu Qamil Tresi (Abdyli) bënte pjesë në atë grup shqiptarësh, kryesisht nga trevat kosovare, që më pas u masakruan barbarisht nga ushtarët serbo-malazezë. Për këtë ngjarje shkruhet se me 2 prill të viti 1945, në Tivar, 3760 shqiptarë u vranë, u masakruan dhe u dogjën të gjallë nga xhelatët serbo-malazezë. (Për këtë tragjedi kombëtare ka shkruar edhe Azem Ajdini, “Masakra e Tivarit”, Sh.B. “Besa”, redaktoi Luan Xhafa, gusht 1998).
Ata pohojnë se ndërsa grupi po kalonte në Shkodër, djali i ri (Qamil Tresi) ishte futur tinëz në një dyqan për të pirë ujë dhe aty, i zoti, një tregtar shkodran i quajtur Shyqyri Behri, e kishte strehuar për disa ditë derisa jeta e tij nuk ishte më në rrezik. Familjarët e Hafizit në Shkodër, vazhdojnë ta përmendin me shumë respekt emrin e tregtarit që u bë shkak për strehimin e të dashurit të tyre dhe shpëtimin e jetës së tij!
Hafiz Qamil Tresi ndërroi jetë në Shkodër, më 05.10.1988, pas 42 vitesh nga largimi i tij nga vendlindja e shtrenjtë, i dëshiruar për të parë, qoftë edhe një herë të vetme pjesëtarët e familjes së tij; nënën e përmalluar, babain e dashur, vëllezërit, motrat…
All-llahu e mëshiroftë hafizin tetovar, tregtarin shkodran që i shpëtoi jetën dhe i bëftë këto shembuj të përkryer të traditave dhe cilësive më fisnike islame ndër shqiptarë, udhërrëfim për brezat që vijnë…



Imam Muhamed B. Sytari


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë