"Gjithë ç'jemi shqiptarë,
Jemi një fis e një farë,
Besë kemi perëndinë,
Dhe ligë vëllazërinë,
Mëm' e atë perëndinë,
Se asaj i prumë besë,
Të gjith' atje kemi pjesë."
Nga vargjet e shkëputura të Naimit kuptojmë qartë se besimi në Zot është element kyç për t' i bashkuar njerëzit, ngase secili është i krijuar nga Ai, dhe të gjithë atje kanë pjesë. Elementi fetar ka qenë dhe do të jetë dalluesi i njerëzimit, ashtu siç edhe e dëshmojnë zbulimet shkencore; se njerëzimi gjithnjë ka besuar në Zot, pavarësisht etapës apo mënyrës së besimit. Gjithsesi, edhe shqiptarët kanë gjurmët e besimit në Zot, dhe atë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Ekzistojnë shumë gjurmë të tilla, arkeologjike, kulturore dhe gjuhësore.
Feja si domosdoshmëri
"Nëse Zoti nuk ekziston, atëherë çdo gjë është e lejueshme", është shprehur Dostojevski. Fjala "religjion" (lat. religio-nis) ka shumë domethënie dhe kuptime, si: rrugë për te Zoti, besim, etj. Oratori i famshëm romak, Ciceroni, fjalën" religio" e derivoi nga folja latine "religere" (kam kujdes, kam konsideratë etj. ), dhe e përkufizoi si "të pasurit kujdes ndaj të gjitha atyre (gjësendeve, vendeve, personave etj. - E. M. ) që kanë të bëjnë me kultin e perëndive. "(1,2)
Kulti i të besuarit zë fill që në hapat e parë të jetës së njeriut, e duke kërkuar kushtet e stimulimet e të jetuarit ai kërkon të gjejë edhe Krijuesin-Zotin. Feja është e lindur së bashku me njeriun, dhe pavarësisht zhvillimeve të mëtutjeshme, njerëzimi që në lashtësi kishte besimin dhe ngriti tempujt fetarë. "Në të kaluarën por edhe sot, edhe pse mund të has et në njerëz që nuk kanë pranuar ndonjë fe, nuk mund të haset edhe në shoqëri jofetare. "(3)
Zoti e ka krijuar njeriun, dhe ky i fundit gjen qetësinë vetëm kur i beson Atij, kur i lutet dhe i përmbahet disiplinës që ka porositur Ai. Në të kaluarën dhe në të sotmen mund të gjenden shoqëri njerëzore që nuk kanë as shkencë, as art, as filozofi, por nuk ka pasur kurrë shoqëri pa fe".(4) "Historia nuk njeh asnjë popull, i cili ka qenë tërësisht i shkëputur nga feja" Feja apo religjioni janë jo vetëm shumë të rëndësishëm në jetën e njeriut, por janë edhe natyrshmëri e pashmangshme e njeriut.(5)
Në shkrimet e të hershme janë zbuluar dokumente që vërtetojnë se bashkë me fillet e zhvillimit të njerëzimit ka filluar edhe ndjesia fetare e llojllojshme. "Po të shfletoj më faqet e historisë së jetës së popujve, nuk ndeshemi në asnjë periudhë ku populli të mos ketë qenë i ushqyer me ndjenja fetare (besim). "(6)
Nga ana tjetër, gjurmët më të theksuara janë të atyre që besuan, ngase feja apo besimi në Zot stimulon besimtarët me diçka të shenjtë dhe më të madhe sesa interesi i jetës, për dallim nga ideologjitë njerëzore që ofrojnë diçka më të ngushtë e më minore. Bindja fetare ofron edhe amshueshmërinë.
Ndikimi i fesë te njeriu
S'ka dyshim se feja ka ndikuar edhe në zhvillimin e kulturës, qytetërimit dhe formimit të identitetit, andaj fusha e ndikimit është e dukshme në çdo kohë. "Feja si botëkuptim shoqëron të gjitha periudhat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Ajo ka ndikuar dhe ndikon te njeriu në formimin e identitetit personal dhe atij kombëtar."(7)
"Përvoja historike e pjesës më të madhe të popujve dëshmon se njësia e fesë ishte ndër faktorët e rëndësishëm në procesin e integrimit të perandorive mesjetare, kurse roli i feve në integrimin e njësive etnokulturore e gjeopolitike kombëtare do të shfaqet në fillet e kohës së re, në periudhën e Renesancës, me një rëndësi të shtuar gjatë humanizmit, iluminizmit dhe Rilindjes kombëtare."(8)
Nga historia dihet se shumë figura që lanë gjurmë në jetën shoqërore shqiptare ishin të nxitur nga bindja në amshueshmëri, apo edhe nga obligimi që njeriut t'i ofrohet e drejta liria, informimi e integrimi, duke qenë ky edhe mision i krijimit nga Zoti. Zakonisht, fetarët apo prijësit e feve ndodhen edhe në ballë të revolucioneve, luftërave për liri.
Populli besimtar
Shqiptarët njihen si popull fisnik dhe shumë besimtar, dhe kjo gjatë gjithë historisë. Ky popull ka nxjerrë njerëz të mëdhenj e atdhedashës, por që ishin edhe krerë fetar. Adhurimi fetar i pellazgëve të hershëm nuk kishte ndonjë paraqitje material të perëndive të tyre, as imazhe, as idhuj, as statuja, as skulptura e as piktura. Në periudhat më të vonshme këto vinin nga grekët.
Si çdo popull, edhe ilirët kishin bindjen dhe besimet e tyre të ndryshme, që lindën në ndjenjën fetare: nga Homeri ata quheshin hyjnorë.?
Identifikimi si popull i besimeve nuk është i rastësishëm, dhe këto gjurmë shihen edhe te zhvillimet e mëvonshme të këtij populli. "Simbolizmi religjioz është njëri ndër burimet kryesore për njohjen e jetës shpirtërore të ilirëve".(10)
Roli i besës dhe vlerave morale dhe kontraktuale që lidhen me të duhet të analizohet jo vetëm në historinë e ideve dhe praktikave fetare, por edhe në sistemet e marrëdhënieve familjare e farefisnore, si edhe në traditat gojore. Për të shprehur nocionet e nderit dhe të besimit, shqiptarët kanë jo vetëm simbolet por edhe traditat gojore, për të cilat duhet një qasje krahasuese historike dhe gjuhësore. Kështu, te shqiptarët besimi dhe feja shfaqen si virtyte të nderit, ndërsa pesha e besimit-croyance dhe e besimit-confiance qëndron në bindjen se besnikëria ndaj fjalës së dhënë është themeli i besës-foi.(11)
Qëndrimi në fe
Me gjithë përpjekjet e bëra që njerëzimi të largohet nga feja ai prapë qëndron në natyrshmërinë e tij, edhe pse ndoshta jo më publikisht natyrshmëria e tyre nuk pranon pabesimin. "Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dalin në skenë dy fuqi të dalluara, që pretendonin ta prezantonin veten e tyre si simbolet "e vërteta" të botës së lirë."(12)
Ishte Reformacioni dhe Iluminizmi, që luftuan ndikimin e kishës dhe bënë ndarjen e fesë nga shteti, por edhe studiues bashkëkohorë vërejnë se ndikimi i fesë prapë mbetet në skenë.
"Në Gjermani p.sh., shteti është i ndarë nga religjioni, mirëpo prapëseprapë aty mund të gjenden festa fetare që shteti i mbron, mblidhen tatime për kishën, mbahen mësime fetare në shkollat shtetërore dhe mësuesit fetarë paguhen nga buxheti shtetëror. Në gjyq dhe në ushtri njerëzit betohen në Zot, ashtu sikurse titullohet edhe Kushtetuta Federale. Në ushtri janë të punësuar edhe priftërinj ushtarakë, në muret e shkollave të tyre qëndrojnë të varur kryqet ..."(13)
Edhe populli ynë shikohet si besimtarë. Kështu, italianët e dinin se shqiptarët janë popull besimtarë dhe të ndershëm, prandaj gjenerali Badolio, në ditën e dytë të pushtimit të Shqipërisë ishte shprehur: "Duhet shumë dinjitet e shumë stil nga ana jonë, sidomos respekt absolut për gratë e për fetë". "Shumë xhami u restauruan e u ndërtuan në gjithë Shqipërinë me paratë e qeverisë së Romës, ashtu sikurse edhe kisha të të dy riteve.
Në një shkrim nga komandanti i Vermahtit thuhej: "Shqipëria në kuadrin e politikës tërësore islamike të Gjermanisë, dhe sidomos me lidhjet me Turqinë, kërkon një trajtim të posaçëm politik. Kurse serbët, ata kishin një pretendim krejt ndryshe, sa i përket propagandës politike rreth posedimit të "Tokës së shenjtë", Kosovës, pra përmes gjeostrategjisë politike si dhe trysnive ndaj feve shqiptare: Islamit dhe katolicizmit.
Fryma ateiste ishte ndër më të fortat rreth përpjekjeve për të etiketuar popullin shqiptar si të pafe, mirëpo dokumentet historike, arkeologjike, por edhe ato gjuhësore, argumentojnë të kundërtën. Me gjithë trysninë institucionale të komunizmit ateist në Shqipëri e më gjerë, propagandat e vazhdueshme e elementit fetar kanë qëndruar gjithnjë në shpirtrat e njerëzve. Periudha midis 1968 dhe 1991, shumë shqiptarë i mbajti besimtarë dhe praktikues të riteve fetare, qoftë edhe në mënyrë të fshehtë.(14)
Elementi fetar në gjuhën shqipe
"Gjuha është ndër elementet themelore të paraqitjes së jetës së një populli. Prandaj, në parahistorinë e një populli hyn edhe parahistoria e gjuhës së tij".(15) Sa i përket nocionit të "besimit fetar" (croyance), në shqip ai shprehet me termin besë dhe derivatet e tij; kuptimi i fjalës besë, së pari është "besim" dhe "bindje" në besnikërinë dhe sinqeritetin e ndershëm dhe të nderuar të dikujt, ose në besnikërinë dhe saktësinë e diçkaje.
Shumë gojëdhëna e shprehje popullore, që i përdorim edhe sot, argumentojnë besimin, duke filluar që më shprehjen" Zot" apo "Perëndi", që janë fjalë origjinale shqipe. Pastaj togfjalëshi "ndërroi jetë" - që përdoret kur dikush vdes, e që nënkupton se ka besim në jetën tjetër, të amshueshme. etj. Kurse, fjala "besë", që është veçori e njohur për shqiptarët, është e pandashme nga shprehja"be", që është pohimi ose mohimi i vërtetësi së të diçkaje para dikujt, "betimi" ose "beja" për dikë ose diçka të konsideruar si të shenjtë ose të çmuar, ashtu si "besimi", "bindja e plotë". I njëjti kuptim shfaqet edhe në kuptimet e prejardhura, si te fjalët "betoj", "betohem", "betim", ose fjalët e përbëra" përbej", "përbe-hem", "përbetoj", "përbetohem": p.sh.: "I përbetohej për çka kishte më të shtrenjtën".(16)
Në fillet buzukiane, që filologët e konsiderojnë si dokument i parë i shqipes, vjen emri Zot, që na jep të kuptojmë se paraardhësit paskan besuar. Megjithatë, letërsia e vjetër shqiptare konsiderohet të ketë filluar në shekullin XV, në bazë të dokumenteve dhe shkrimeve që ne i njohim sot. Etapat e para i quajnë: Letërsia e humanizmit, pastaj Letërsia filobiblike, kurse kur vijnë te vargjet e prijësve e shkrimeve islame, quhen Letërsia jofetare, laike (e bejtexhinjve) ...
Ideja e startuar nga rilindësit nuk kishte tendencë për laicitet kombëtar, por shikimin e kombit nëpërmjet besimeve të ndryshme, e që në këtë rast na del si identitet i larmishëm fetar. Edhe letërsia e Rilindjes është me plot e përplot elemente fetare, e sa për ilustrim po i përkujtojmë ca vargje të Naimit, ku përveç dashurisë ndaj atdheut, shprehet edhe nënshtrimi ndaj Zotit, përulja dhe lutja drejtuar vetëm Atij: "Zot! Falna vëllazërinë! Begatoje, o Zot, ti këtë vend!"
__________________
(1) Dr. Ekrem Murtezai. "Fjalor i feve (-sektet,rendet, bashkësitë, lëvizjet, doktrinat e fenomenet-)" Prishtinë, 2000, f. 403.
(2) Ekrem Sarëkçëogllu, "Historia e feve-Prej fillimit deri sot", Prishtinë, 2010, f. 27.
(3) Henri Bergson, "Burimet e moralit dhe fesë", Përkth. Erion Kristom, Tiranë, 2001, f. 82.
(4) Dr. Zija Abdullahu "Studim krahasimtar i feve", Prishtinë, 2010, f. 19.
(5) Hafiz Ali Kraja, "A duhet feja-A e pengon bashkimin kombëtar", Shkup, 1999, f. 21.
(6) H. Bushati dhe B. Bajraktari "Roli i muslimaneve shqiptare ne formimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar "Në: "Integrimi i shqiptarëve në Evropë dhe vlerat që Islami i përcjell në këtë integrim", Tiranë, 2008, f. 234.
(7) Dr. Muhamet Pirraku "Roli i Islamit në Integrimin e Shqipërisë Etnike dhe të Kombit Shqiptar", Në "Feja. kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët", Prishtinë, 1995, f. 41.
(8) Neriman Vlora "Pellazgët ilirët etruskët shqiptarët", Prishtinë, 2002,
f. 213.
(9) Stipqeviq, 460
(10) Albert Doja, "Nderi, besa dhe besimi: qasje gjuhësore antropologjike ndaj vlerave morale dhe fetare", Tiranë, Libër Elektronik.
(11) Prof. dr. H. Ferat i. E cit. 179.
(12) Sinani, E cit. 147.
(13) Schmitt, intervistë e dhënë për "Gazetën Shqiptare", 10 shkurt 2013. (14) Prof. Selman Riza, "Studime Albanistike", Prishtinë, 1979 f. 5.
(15) Doja, E cit.
(16) Prof. S. Riza, E cit. f. 8.
Ma. Sci. Refik Gërbeshi