Mirë se vjen muaji i madhërishëm i Ramazanit
Muaji i Ramazanit është muaji i mikpritjes Hyjnore, ai është muaji në të cilin i zbriti Kur’ani i nderuar Pejgamberit të Islamit (a. s.). Muaji i Ramazanit është një sofër e hapur që është shtruar për të gjithë besimtarët. Përfitimi ynë nga begatitë e këtij muaji varet nga shkalla e fisnikërisë së shpirtrave tanë dhe fuqisë shpirtërore që zotërojmë.
Po na vjen edhe një Ramazan. Tani është koha që insani të mendojë për veten e tij. Edhe një vit na u shtua në moshën tonë dhe tani për një vit jemi më të vjetër. Jemi më afër udhëtimit, të cilin nuk mund të shtyjmë as nuk mund ta shlyejmë (anulojmë). A po përgatitemi për këtë udhëtim?! Ai është i gjatë, i mundimshëm dhe i pasigurt. Prandaj, All-llahu (xh. sh.) e ka dhënë tërë dynjallëkun që të përgatitemi për këtë udhëtim. A nuk është absurde dhe për t’u qeshur të ndërtosh shtëpinë në të cilën do të qëndrosh shkurtë si një kalimtar rasti, apo si një musafir?! “Puno për dynjallëkun aq sa do të banosh në të, e për ahiretin aq sa do të qëndrosh atje!” (hadith). Në qoftë se dëshirosh ta dish se çfarë të pret te All-llahu, mendo çfarë do t’i çosh ti Atij”! Ky është edhe një rast tjetër. E Islami vazhdimisht ofron raste, sepse xhehenemi është vendbanim i tmerrshëm. A po mendon ti o vëlla për këtë?! Çfarë ke planifikuar të bësh për këtë Ramazan?
Mirësitë e muajit të Ramazanit
Ramazani gjithnjë ka sjell me vete të mira të mëdha për ummetin mysliman. Në Ramazan është shpallur Kur’ani: “Dhe Ne ua shpallem Librin i cili flet për ju”! A e kemi gjet veten në Librin tonë?! Ta kërkojmë atje? Ç’do të thotë për ne Kur’ani?! Në Ramazan është bërë obligim agjërimi si mjet, e jo si qëllim. As namazi nuk është qëllim, por mjet. As zekati nuk qëllim, as haxhi nuk është qëllim. Këto janë mënyrat e arritjes së qëllimit. Këto janë ibadetet me të cilat arrihet kënaqësia e All-llahut. U bëhet obligim agjërimi: “Leal’lekum tettekun”! Që të jeni të ndershëm. Që të mbroheni nga ajo që shkakton urrejtjen e All-llahut. Që të mbroheni nga zjarri i xhehenemit. Që të mbroheni nga sëmundja. Organike dhe shpirtërore. Sëmundjet e individit dhe të ummetit. Që të mbroheni nga njeri- tjetri. Që ta mbroni shoqërinë, familjen. Të riun, vajzën, djalin. Që të mbroheni nga instinkti dhe epshi. Nga shfrenimi dhe fesadi. “Sumu tesihu”! “Agjëroni, do të jeni të shëndetshëm”! Kështu thotë Pejgamberi ynë Muhammedi (s). “Agjërimi është mbrojtje”! Mendim shumë i shkurtër, por me shumë përmbajtje i Pejgamberit (s). Të mendojmë për të gjitha ato gjëra prej të cilave mbrohemi me agjërim.
Të nderuar besimtarë, po fillon muaji i ditëve të bekuara dhe netëve të mëdha, muaji i zgjimit të muslimanëve dhe ndërgjegjësimit të rinisë muslimane, muaji i përparimit, ngritjes shpirtërore dhe afrimit të muslimanëve nga Burimi i udhëzimit, fuqisë dhe mirësisë.
Që në fillim të këtij muaji, të nderuar besimtarë, po japim mesazhin e All-llahut xh.sh. për këtë Ramazan:
“ O ju që keni besuar, agjërimi është bërë obligim për ju sikurse ishte obligim edhe për ata para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm. Jeni të obliguar ditët e caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëron), atëherë ai (le të agjërojë aq ditë më vonë). E ata që i rëndon (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim ditor i një të varfëri e ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është më mirë për të. Mirëpo, po që se e dini, agjërimi është më mirë për ju. (Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit, që në të filloi të shpallet Kur’ani, i cili është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë si dhe dallues (i së vërtetës nga e pavërteta). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë në ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim e jo ngarkim për ju. T’i agjëroni ditët e lëshuara, që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun dhe për atë që ju udhëzoi ta falenderoni.” (El-Bekare: 183-185).
Të nderuar vëllezër, thonë që brenda vitit më shumë njerëz vdesin nga vetëvrasjet se në luftëra për një përgjigje të vetme në pyetjen përse jetoj. Ai që ka zemër dhe që dëgjon me vëmendje e di përgjigjen – unë jetoj që të njoh dhe të takojë të Vërtetën Absolute dhe t’i shërbej Krijuesit të çdo gjëje që ekziston, i cili është i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdijshmi, i Gjithëmëshirshmi, i Gjithëmiri dhe i Gjithëurti All-llah, i cili e mëson njeriun që në shehadet është fati dhe lumturia, që në namaz është shpëtimi, që në agjërim është urtësia, që në zekat është ndihma dhe në haxhxh është falja. Po, pikërisht ashtu, në agjërim është urtësia, e cila e lidh dynjanë me ahiretin. E lidh zemrën dhe mendjen. Në agjërim është urtësia që butësisht e edukon trupin dhe shpirtin e njeriut. Trupi nuk mundet pa shpirt, por edhe shpirti nuk mundet pa trup. Këto janë dy anë të jetës së tërësishme të njeriut. Në trupin e fuqishëm mund të jetë shpirti i fuqishëm, por në shpirtin e dobët nuk mund të ketë trup të fuqishëm. Në këtë aspekt, Ramazani është koha më e mirë kur mund ta mësojmë trupin që ta dëgjojë shpirtin e shëndosh dhe fisnik, në të cilin është fuqia e trupit të njeriut.
Agjërimi është mënyra më e mirë, e ramazani është koha më e mirë që të njihemi me shpirtin tonë individualisht dhe kolektivisht. Agjërimi është mënyra më e mirë që shpirti të pushojë nga barra e trupit që e mbart. Shpirti ka sy dhe vesh. Shpirti ka shije, aromë dhe prekje (kontakt). Edhe më shumë se kjo – shpirti e ka atë lidhjen e padukshme të jetës të cilën e frymëzon Zoti i Lartësuar dhe të cilën e kultivon deri në exhelin e caktuar. All-llahu, pra, e përcakton agjërimin, siç ua ka përcaktuar atyre para nesh, që njeriu ta heq cipën (pëlhurën) nga sytë me të cilët shpirti e shikon botën, t’i pastrojë veshët me të cilët shpirti dëgjon, që shpirti ta mpreh aromën e vet dhe shijen e vet, që shpirti të përjetojë kontaktin e dy botëve – dynjasë dhe ahiretit.
Njeriu në jetë ka dy cipa të holla të cilat njërën duhet ta shqyejë në këtë botë e tjetrën në atë botë. Kështu në Ramazan njeriu ka mundësinë që ta heq atë cipë nga syri tij që shpirti ta shikojë botën...
Periudha e Ramazanit është koha më e mirë për përparimin shpirtëror. A ka kënaqësi më të madhe se të bësh një hap përpara në botën tënde shpirtërore. Çfarë kënaqësie njeriu përjeton kur bën një hap përpara në botën tij materiale...
Ramazani është një periudhë në të cilën shpirti zgjohet dhe e pastron veten nga papastërtitë e kohës dhe vetëdijesohet në shkallën sa të jetë në gjendje të dallojë të mirën nga e keqja dhe të ngritët në mbrojtje të së vërtetës dhe drejtësisë.
Ramazani është koha e takimit më të dashur të Qiellit dhe Tokës, sepse aty rrodhi lumi i urtësisë nga Burimi qiellor dhe duke rrjedhur arriti të derdhet në zemrën tokësore. Në këtë muaj melaqet zbresin në Tokë si asnjëherë më parë dhe bashkë me ne e presin atë natën e madhe që është më e mirë se një mijë muaj.
Çdo musliman kudo në botë i gëzohet muajit të Ramazanit dhe e pret me padurim ardhjen e tij. Muslimanët e presin me padurim Ramazanin, sepse në të qëndron fuqia e besimtarit, forca pushtuese e atyre që i janë dorëzuar All-llahut (xh.sh.), qetësia e të devotshmëve, shpresa e gjynahqarëve, çlirimi i të nënshtruarve.
Kur afrohej muaji i Ramazanit Pejgamberi (a. s.) thoshte:
“O njerëz, u afrua muaji i Ramazanit, muaji i bekimeve e i bereqetit, muaji i lumturisë e përparimit, muaji në të cilin gjendet nata e Kadrit, që është më e mirë dhe më e vlefshme se një mijë muaj! All-llahu ju ka urdhëruar të agjëroni çdo ditë të Ramazanit, kurse netët e tij t’i kaloni në ibadete vullnetare (nafile). Kush fal nafile në Ramazan, është sikur të falë farz në ndonjë muaj tjetër, ndërsa kush fal një farz në Ramazan është sikur t’i falë 70 farze jashtë Ramazanit. Ramazani është muaji i durimit, e shpërblimi për durim është xhenneti. Ky është muaji i ndihmës së ndërsjellë të muslimanëve, muaji në të cilin besimtarit i shtohet furnizimi (rrizku), kush e ushqen (jep iftar) një njeriu që është agjërueshëm, kjo për të është falje e gjynaheve të tij dhe shpëtim nga dënimi me zjarr të xhehennemit.” (Ibni Huzejme)
Ramazani, të nderuar besimtarë, është rasti më i mirë për ne që ta pastrojmë zemrën dhe ta përtërijmë shpirtin, të forcojmë trupin dhe t’i bëjmë më të mprehta kualitet tona. Ky muaj është i mirëseardhur për ata që janë të sëmurë fizikisht dhe në shpirt. Agjërimi, gjatë një muaji të tërë, i mjekon ata duke u shëruar edhe trupin edhe shpirtin e tyre. Ai bën kurban kënaqësitë e trupit për t’ia bërë dhuratë shpirtit. Për ata që e kanë harruar Zotin, Ramazani do t’ua përkujtojë kontratën që shpirtrat e tyre e kanë lidhur në Ezel me Krijuesin e tyre. Kush e ka humbur durimin, do ta gjejë në këtë muaj, të forcuar e të shumëfishuar. Ata që kanë filluar të tërhiqen nga rruga e drejtësisë, Ramazani do t’ua kthejë qëndrueshmërinë. Në qoftë se në shoqëri është futur virusi i përçarjes, në Ramazan do të fitojë rëndësia e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, solidaritetit dhe ndihmës reciproke të njerëzve, pavarësisht nga dallimet dhe diversiteti i tyre.
Në kopshtin e All-llahut nuk ka asnjë pemë tjetër që i afrohet, që mund të krahasohet me pemën e jetës ramazanore, sepse, ndonëse është një pemë, frytet e saja nuk janë të njëllojta, por pafundësisht të ndryshme dhe të shumëllojshme.
Ramazani është epiqendër për forcimin e fuqisë shpirtërore, psikike e morale në jetën e popullit e të individit... Ky na rikujton të vërtetën e qiejve dhe të tokës, na armatos me fuqi ngadhënjyese, na nxit ta duam lirinë, prej së cilës varet nderi dhe dinjiteti i njerëzimit. Ramazani, pra, na dhuron “të vërtetën”, “fuqinë” dhe “lirinë” gjatë ditëve të urisë dhe etjes... Kushdo që e kupton urtësinë dhe filozofinë e agjërimit, lufton me bindje të plotë për të vërtetën, ngadhënjen dhe arrin qëllimin më fisnik të lirisë, përkatësisht refuzon nënshtrimin dhe robërinë.
Vetëm në pranverën e Ramazanit shpirti musliman kalitet dhe mpreh shkëlqimin e fisnikërisë vetjake në dritën e pastër të Fjalës së All-llahut, të asaj Fjale që kaloi nëpër të gjitha periudhat e historisë së shenjtë dhe erdhi te i Dërguari i fundit tek Muhammedi (s) në Ramazan, në natën e Kadrit.
Vetëm në natën e Ramazanit është nata e 27. Nata e dritës mbi dritat. Nata më e shndritshme se çdo ditë, më e vlefshme se një mijë muaj, më e gjatë se çdo jetë njerëzore. Nata që bëri pajtimin e Qiellit me tokën, Nata e fatit të botës dhe Nata e shkëlqimit të diturisë.
Vetëm në Ramazan ndodh Bedri. Bedri i shpirtit tonë dhe trupit tonë, Bedri i së mirës dhe i së keqes, Bedri i së vërtetës dhe gënjeshtrës, Bedri i jetës dhe vdekjes, Bedri i lirisë dhe robërisë.
Muaji Ramazanit, krijon një atmosferë shpirtërore kolektive. Të gjithë agjëruesit e ndiejnë se në këtë muaj po lind një jetë e re, një mënyrë tjetërndryshe e jetës, një frymë e re ripërtëritëse ramazanore, botëkuptim dhe botë e re e pa parë më herët. Ai është kriteri më i mirë i kohës në vitin ku shpirti mund të disiplinojë trupin që të pushojë nga lakmia e tij keqe. Këtë padyshim e mundëson elementi i parë dhe më i rëndësishëm i Ramazanit, e ai është agjërimi. Agjërimi është faktor i pazëvendësueshëm në edukimin e brezit të ri dhe në formimin e personalitetit të njeriut.
Pejgamberi (a.s.) thotë:
“Kur vjen muaji i Ramazanit, hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e Xhehennemit dhe pengohen shejtanët”.
Ramazani është edhe muaji i zekatit e zekatu’l fitrit, muaji i flijimit të pasurisë në rrugën e All-llahut për të mirën e përgjithshme.
“Ata të cilët pasurinë e vet e shpenzojnë në rrugë të All-llahut i ngjajnë shembullit të një kokrre prej së cilës mbijnë shtatë kallinj, e në secilin kalli nga njëqind kokrra. All-llahu ia shumfishon kujt do Ai. All-llahu ka horizont të gjerë të dijes.” (El-Bekare, 261).
Ramazani është muaji i teravi namazeve, ligjëratave e vazeve, qëndrueshmërisë, gatishmërisë e forcës. Muaji i dashurisë, vëllazërimit, unitetit e solidaritetit: “O agjërues, mos e shuaj vetëm urinë dhe etjen tënde, por shuajë urinë dhe etjen edhe të tjerëve!” Ai është muaji i ibadeteve të shumta, muaji i Kur’anit, Lejletu’l-Bedrit e Lejletu’l-Kadrit. Muaji i ngjarjeve të rëndësishme nga historia islame, datave të shënuara e përkujtimeve të paharruara.
Ramazani është muaji i ndryshimeve
Imani i dobët bëhet më i fuqishëm. Atje ku nuk ka, ramazani është rast që e bën të lind. Flaket negativja, aplikohet e mira. Ngritët niveli i dijes. Përtacinë dhe neglizhencën e zëvendëson kujdesi për veten, për ummetin e vet. Çdo ditë gjak i derdhur musliman, eshtra dhe kafka të nxjerra, persekutime, varfëri, mjerim, uri, sëmundje, lëmoshë. A nuk është kjo arsye e mjaftueshme për të mos fjetur.?! Vëlla dhe motër a mendoni për këtë? A mund të flini të qetë?
Ramazani është muaj i aksionit, veprës, planit dhe dëshirës për “përpjetë”
- Prandaj, ta zgjojmë imanin në vete. Mu’mini është çelës i çdo të mire, ai duhet të pengojë çdo të keqe. Nuk duhet të jetë indiferent apo pjesëmarrës.
- Qëllimi ynë është me ibadet të arrijmë kënaqësinë e All-llahut. Prandaj, çdo gjë shndërrojë në ibadet.
- Syno gjithmonë nga qëllimi më i lartë. Firdevsi është i lartë! Xhenneti është së tepërmi i pastër. Huritë janë tepër të bukura. Pemët tepër të ëmbla.
- Lexo për historinë tënde, mbi Pejgamberet, as’habët, njerëzit me ambicie, lexo për gjeneratën e Salahudin Ejjubit, Muahmmed fatihut.
- Shfrytëzojë çdo minutë për imanin. All-llahu me të betohet.
- Shiko me kë je në shoqëri. “Njeriu e merr fenë e atij me të cilin shoqërohet, le të shikojë ,pra me kë po shoqërohet”! Shtëpinë e viziton vetëm i ndershmi dhe ushqimin e ha vetëm i ndershmi!
- Mos e harro namazin e natës, lutjen, dhikrin. Kujtojë namazin e natës të Pejgamberit.
- Çdo ditë lexim (vird) Kur’ani. Studimi i secilës fjalë, kërkimi i vetes në Kur’an.
- Da’weja. A ke vëlla, motër, babë, nënë, djalë, vajzë. Aman sa janë!
- Vëllezër e motra: All-llahu do të na pyet për jetën, për rininë, për shëndetin, për pasurinë, për diturinë, për çdo gjë që është dashur ta ruajmë dhe të vëmë në shërbim të islamit. E gëzofshi Ramazanin!
O All-llahu Gjithëdijshëm, e dëgjuam urdhrin Tënd të agjërimit në muajin e Ramazanit. Ne i përgjigjemi me sinqeritet dhe modesti dhe të lutemi që t’u ndihmosh të paaftëve, t’ua falësh gjynahet gabimtarëve dhe t’ua pranosh pendimin të penduarve.
O All-llahu i Gjithëmëshirshëm, afroi zemrat tona në ibadet dhe na ndihmo të jemi mirënjohës ndaj begative hallall dhe të largohemi nga rreziku i haramit. Amin.