Ndikimi i Kuranit në jetën kulturore te shqiptarët (4)

"Dialogu ndërkulturor vetëm se kontribuon drejt mirëkuptimit të faktit se pavarësisht veçantive tona, ndajmë vlera pozitive dhe ballafaqohemi me sfida të ngjashme.”

Para fundit të dekadës së KB-së për dialog midis civilizimeve, dhe dekadës për kulturën e paqes, në kushte kur procesi i globalizmit gjithsesi se na bashkon, me rëndësi esenciale është që të mos lejojmë që religjioni dhe kultura të shndërrohen në forca që çojnë drejt konflikteve dhe ndarjeve. "Prej atje del edhe fuqia e madhe e liderëve të bashkësive fetare dhe të tjera, që pozitivisht të ndikojnë për mirëkuptim dhe bashkëjetesë të ndërsjellë, si dhe të kontribuojnë në edukimin e të rinjve në këtë drejtim, posaçërisht në rajonet shumë kulturore dhe shumë konfesionale, siç është rajoni i Evropës Juglindore," thotë drejtoresha e përgjithshme e UNESKO-së, Irina Bekova.(1)
Identiteti ynë kombëtar ndikon me siguri mbi natyrën se si ne e shohim botën dhe komunikojmë me njerëz të kombësive tjera. Ashtu sikurse njëri prej studentëve tanë nënvizoi: "Sa më shumë zgjeroj horizontin kulturor, aq më i mrekulluar jam nga mënyra se si e shikoj jetën si rezultat i të qenët amerikan. Ka kaq shumë gjëra që ne i marrim të mirëqena, si mënyra e vetme për të bërë diçka apo për të menduar, ashtu si e gjithë ajo që ka të bëjë me individualizmin dhe sjelljet, vlerat e lidhura me të. Ka kaq tipa njerëzish dhe personalitetesh që nuk i kisha imagjinuar kurrë më parë.”(2)

Përmasat shpirtërore dhe shoqërore të Kuranit (Islamit)

Tashmë është e domosdoshme njohja e përmasave shpirtërore dhe shoqërore të Islamit. Islami përbëhet nga shtatëdhjetë e më shumë degë, të cilat në vete ngërthejnë tokën dhe qiellin, ato e përkufizojnë raportin e njeriut me Zotit e tij, me vetveten, familjen dhe shoqërinë, ato flasin për doktrinat e besimit, vlerat morale, marrëdhëniet ndër njerëzore, si dhe dispozitat me të cilat detyrohet, dhe ritet të cilat duhet t'i kryejë secili mysliman. Islami nuk është programi i një partie politike që e merr pushtetin në dorë, e pastaj dështon ose edhe ka sukses! Islami, para se gjithash, është fe që mbështetet në baza të shëndosha e të qarta, është rrugë në të cilën ec njeriu që di se si të krijojë marrëdhënie të mirëfillta me të afërmit dhe ata që janë më larg, me armikun dhe me mikun. Degët e besimit (imanit) që janë më shumë se shtatëdhjetë, janë përmbledhje të tëra, ndërsa secila prej tyre e ka boshtin rreth të cilit sillet. S'ka dyshim se pjesët e suksesit që i takojnë çdo njërës përmbledhje nuk janë të barabarta, veçoritë e besimit shkëlqejnë me rreze të tevhidit. Po kështu janë edhe përmbledhjet e ibadeteve dhe vlerave të tjera fetare. Ndodhë që këto t'i godasin disa risi ose shtrembërime që nuk e prekin thelbin.(3)
Islami, nëpërmjet Kuranit dhe Sunetit, ofron shtegdalje cilësore, si për nevojat shpirtërore ashtu edhe për ato materiale, sidomos në pikëpamjen gjithëpërfshirëse mbi botën, duke ofruar monoteizmin e pastër, legjislacionin gjithë hapësinor dhe gjithë kohor (sheriatin), synimin dhe qëllimin e dobishëm që njëson të gjitha dëshirat, ngritjen dhe avancimin e fjalës së Zotit, pasqyrën e qartë mbi njeriun dhe misionin e tij si mëkëmbë s i Zotit në tokë, në qiej dhe midis tyre, në zanafillën dhe krijimin e qiejve, tokës, botës bimore, shtazore dhe vetë njeriun, lëvizjen e trupave qiellorë, dritën dhe terrin e saj. Këtë po e ilustroj më me fjalët e një udhëtari nga shkencëtarët anglezë: "Islami, vërtet është feja që pastron tokën prej idhujve. E ndalon flijimin e njeriut dhe ngrënien e mishit të tij. U garanton të drejta femrave, e kufizon poligaminë, i forcon lidhjet familjare. Robi dhe i robëruari bëhet një prej anëtarëve të familjes, u hapin atyre rrugë e dyer për shpëtim dhe liri. Moralin e përgjithshëm e pastron me forcën e themeleve të tij, si namazi, zekati, nderimi i mysafirit dhe siguria e udhëtarit. Parinë e mëson se kanë detyra sikurse populli. Këto janë një pjesë nga begatitë e shumta që gjithmonë e përcjellin Islamin me rastin e pushtimit të popujve të paqytetëruar." Prandaj, me të drejtë pohon historiani tjetër evropian, Stavrijanosi, se "feja ka qenë faktor i rëndësishëm në përhapjen e Islamit."(4)

Ideali i edukimit dhe mirësjelljes, pa dyshim ka lënë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në kulturën shqiptare

Morali i individit sendërtohet dhe dëshmohet në bashkësi, ku individi e pohon dhe manifeston lojalitetin e vet, të Allahut dhe amanetin e pranuar. "Ne u ofruam amanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë, u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete, dhe ai i bëri padrejtë vetes, dhe ishte i padijshëm." (El Ahzabë, 72).
Këtë amanet ai duhet ta zbatojë në vete, në familje, në rreth më të ngushtë (xhemat) dhe bashkësi më të gjerë, heterogjene sipas prejardhjes dhe bindjeve. Motoja që për myslimanin paraqet simbol "jepni përparësi vëllait tënd para vetvetes", hap një kapitull të ri në raportet njerëzore, që konsiston se myslimanët çdo gjë e mbështesin në dashuri, harmoni, drejtësi, barabarësi dhe solidarizim reciprok. Kurani refuzon kriteret tjera jo të qëndrueshme dhe paganiste, si racën, ngjyrën ose gjuhën dhe vendos një kriter jashtë barrierave hapësinore e kohore, kriterin e takvallëkut (devotshmërisë)."(5)
"O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë." (El Huxhuratë,13).
Krahas konfirmimit që i bën Islami vlerave të larta sociale që ka shoqëria shqiptare, këto vlera po rrezikohen nga antivlera që kanë vërshuar mbi trupin e kulturës shqiptare.
Një nga problemet themelore në epokën tonë është mbijetesa e kulturave autentike përballë këtij civilizimi perëndimor hegjemonist-monopolist. Kjo sfidë perëndimore, duke kufizuar kulturat autentike dhe civilizimet, të çon drejt një mënyre uniforme, mendimi dhe stili të jetës në të gjithë botën, dhe kjo na duket të jetë një kërcënim real ndaj ndryshueshmërisë së trashëgimisë historiko-kulturore të qenies njerëzore.
Më 1930, A. Toinbi argumentoi që nga njëzet e gjashtë civilizime, jo më pak se gjashtëmbëdhjetë prej tyre janë të vdekura dhe të varrosura, përfshirë atë egjiptian, andean, sinik, minoa, aumeras, maja, indian, hitit, siriak, helenas, babilonas, meksikan, arab, jukatek, spartan dhe atë osman. Ai përfundoi që dhjetë civilizimet e mbetura, kristian i lindjes së afërt, islam, kristian rus, hindu, kinez i lindjes së largët, japonez, polinezian, eskimez dhe nomadic, janë tani në agoninë e tyre të fundit, duke qenë nën kërcënimin e të dyjave, si shfarosjes, ashtu edhe të asimilimit nga civilizimi perëndimor. Kjo gjendje agonie u intensifikua nga zhvillime të shpejta teknologjike të komunikimit. Sa për ironi, për arsye të erozionit të themeleve të veta ontologjike, epistemologjike dhe aksiologjike, përtej supermacisë
së vet gjigante materiale dhe teknologjike, civilizimi perëndimor, në vetvete, ndodhet në mënyrë të veçantë në gjendje akute krize. Sipas Toinbit, megjithatë nuk ishte i mjaftueshëm perceptimi në të identifikuarit e kësaj krize të fshehtë.
Karakteri universal i uniformitetit të stilit të jetesës perëndimore, është duke shkatërruar të gjithë shumëllojshmërinë e kulturave autentike dhe është një pasojë përfundimtare e varësisë së kulturës dhe politikës nga ekonomia. Supozimi kryesor i mentalitetit ekonomik perëndimor, është që çdo gjë e prodhuar duhet të konsumohet dhe kjo ka krijuar një psikologji dëshirash, rezultuese në një kulturë konsumi. Pararendësja specifike ekonomike, prapa këtij pluralizmi socio-ekonomik, i cili shkaktoi monizëm kulturor, është divorci i ekonomive normative dhe pozitive.
Nëse problemi i mbijetesës së kulturave autentike dhe civilizimeve nuk është i lidhur me një kuadër gjithëpërfshirës teorik dhe praktik, njeriu do të humbë kujtesën e vet kulturore e qytetërimore, dhe mënyra e tij e jetesës do të kontrollohet nga kompanitë shumëkombëshe, që synojnë të vendosin një kulturë uniforme konsumi. Kështu, bota jonë do të bëhet një muze i madh i hapur i kulturave të vdekura dhe civilizimeve, ndërkohë që jeta jonë dhe mendimet reale do të formësohen nga një forcë ekonomike transnacionale moderne, leviathanike (përbindësh) dhe nga lidhjet telekomunikuese.
Kjo prije monopolizuese nga ana e fuqive hegjemoniste për të kufizuar kulturat e tjera është gjithashtu një aspekt i globalizimit të ekonomisë ndërkombëtare. Ky nocion është shumë i rëndësishëm nga perspektiva e krizave qytetërimore, sepse ajo parandalon çdo përpjekje për të injektuar vlera të reja nga civilizimet e tjera. Është e rëndësishme për ne, që të ritheksojmë se, civilizimi perëndimor në përpjekjet e tij për të globalizuar dhe imponuar modelin e vet hegjemonist, efektivisht ka kufizuar kulturat tjera. Nëse ky proces nuk ndalet, ne mund të shohim avullimin e paevitueshëm të kulturave dhe civilizimeve të tjera.(6)


Rezyme
1. Kurani, gjegjësisht Islami nuk zbehu dhe nuk humbi kujtesën kulturore e qytetërimore të kulturës sonë.
2. Frymëzuar nga mësimet kuranore shoqëria jonë islame si shumicë absolute ndikoi t'i rezistojë ekspansionit kolonial të shekujve XIX-XX dhe më herët, ndërkohë që shumë shoqëri tjera me lehtësi pranuan supermacinë kulturore të shteteve tjera.
3. Modeli islam i jep një kundërpërgjigje gjithëpërfshirëse krizës qytetërimore, duke theksuar vlerën ontologjike të ekzistencës njerëzore me anë të pavarësisë nga çdo mekanizëm artificial në kuptimin e strukturës ekonomike, sociale dhe politike.


_________________
(1) www.yllpress.com, 7 Maj 2010.
(2) Judith N. Martin, Thomas K. Nakayama, Ibid. f. 124.
(3) Muhamed el Gazali, "Pesë temat e arta të Kuranit Famëlartë", përktheu nga arabishtja Sadush Tahiri, Logos-A 2009, Shkup, f. 181.
(4) Nexhat Ibrahimi, Historia dhe kultura islame shqiptare, Logos-A,Shkup,2009, f. 94.
(5) Ibid, f. 100.
(6) Ahmet Davutogllu,Transformim.i qytetërimor dhe bota myslimane, përktheu nga anglishtja Olsi Jazexhi & Redi Shehu, Logos-A, 2009, Shkup, f. 73-74.



Rexhep Suma (PHDc)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani