Teologe, oratore, motivuese, frymëzuese dhe tashmë edhe autore e librit të parë. Ende nuk e njihni Lejla Tutiç?
Nga traumat e luftës në një figurë frymëzuese për muslimanet e Ballkanit. Njihuni me muslimanen boshnjake me mijëra ndjekës!
Lejla Tutic (Kokanovic) nga Livno është imazhi i ri i grave muslimane në Bosnje dhe kohët e fundit është bërë shumë e njohur në internet. Lejla është shumë aktive në rrjetet sociale, shkruan artikuj por mbi të gjitha është bërë akoma më e njohur falë kanalit të saj në YouTube ku ajo poston video motivuese të ndërthurura me mesazhe dhe këshilla islame.
Lejla ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë dhe gjithashtu një trajnim në lidhje me programin NLP (neuro-linguistik). Ndër të tjera, ajo ka marrë pjesë dhe në shumë trajnime dhe seminare në lidhje me fushën e saj, sidomos është fokusuar në temën e vetëzhvillimit apo rritjes personale. Ndër to mund të përmendim një trajnim nga oratori Smiljan Mori, i cili njihet botërisht për fjalimet e tij frymëzuese.
Ajo është gjithashtu autorja e librit “Život sa svrhom/Një jetë plot qëllim”, libër i cili synon të sjellë njerëzit sa më pranë mësimeve të Kuranit, për një jetë më të mirë dhe më të lumtur. Në këtë libër, autorja përpiqet të japë disa këshilla personale duke ndarë nga eksperienca e saj momente të rëndësishme, të cilat mund të jenë të dobishme për lexuesin gjatë procesit të përmirësimit të jetës së tyre.
U takuam një ditë në Ankara, tek Kampingu Vjetor i Studentëve të Ballkanit ku ajo arriti të shkundte skenën me zërin e saj të fuqishëm, tonin e saj të vendosur dhe fjalimin motivues.
Nuk e njihni ende Lejlën? Dëgjojeni pra rrëfimin e saj motivues, në një intervistë ekskluzive për revistën “Familja”:
“Pasi përfundova studimet e mia në fushën e teologjisë, u martova dhe u zhvendosa në Jemen ku bashkëshorti im ishte ende duke kryer studimet atje. Gjatë asaj kohe kam punuar si mësuese e gjuhës angleze. Me t’u kthyer në Bosnje fillova punë si mësuese e lëndës fetare në një shkollë të mesme publike. Një ditë vendosëm të organizonim një aktivitet, të cilin e quajtëm “STOP Nacionalizmit!”, ku kishim për qëllim të afronim nxënës nga nacionalitete dhe komunitete të ndryshme për të luftuar urrejtjet raciale, ndëretnike dhe për të ndërgjegjësuar mbi dëmet e nacionalizmit ekstrem. Ky aktivitet më frymëzoi që të thellohesha më shumë në fushën e lidershipit dhe të qenit trajnuese. Para një viti vendosa të inçizoja një video, të cilën e hodha në Youtube dhe pati shumë shikueshmëri. Pas 8 vjetësh punë disiplinuese me veten duke marrë mësime nga trajnues të njohur, si Tony Robbins, Lisa Nichols, Robin Sharma etj. vendosa se kishte ardhur koha që të jap atë që kam marrë. Dëshira ime e vetme nuk ishte të bëhesha e njohur, por të shpërndaja sa më shumë njohuritë e mia të përgjithshme të ndërthurura me njohuritë islame.”
Lejla, për çfarë flitet në videot e tua dhe si i zgjedh temat për to?
“Zgjedhja për temat më vijnë nga vetë shikuesit. Shpeshherë më vijnë mesazhe duke më bërë pyetje apo duke më sugjeruar se është nevoja të flitet për një temë të caktuar, që prek shoqërinë në përgjithësi apo komunitetin tonë në veçanti. Shumica e njerëzve në ditët e sotme, e sidomos muslimanët, janë të interesuar në lidhje me mënyrën se si mund të vendosim një balancë midis jetës tonë të përditshme dhe asaj shpirtërore. Më së shumti, unë jam e përqendruar tek çështja e grave muslimane, të cilat përballen me depresion dhe probleme me shëndetin mendor, si frikëra apo ankthe lidhur me ndonjë sprovë që i kaplon dhe nuk dinë se si ta trajtojnë atë.”
Ajo çfarë mundohem të shpjegoj në videot e mia është fakti se, të flasësh për ndryshime pozitive dhe të ndryshosh pozitivisht janë dy gjëra të ndryshme (pra nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë). Personalisht mendoj se kur dikush e do me gjithë shpirt ndryshimin, ndryshimi do të vijë. Por vetëm dëshira nuk mjafton, duhet të punojmë fuqishëm për ta arritur atë. Vetëm atëherë jemi të gatshëm për të kërkuar këshilla dhe udhëzime nga të tjerët. Sepse ti mund t’i ofrosh botës vetëm atë çka je. Bota sot ka nevojë për origjinalitet dhe sinqeritet, për talentin dhe forcën tënde. E që të jesh në gjendje që t’i ofrosh botës të gjitha këto, duhet më parë të jesh i/e tillë. Një shprehje thotë “Nuk del diçka prej brendësisë sonë, vetëm se ajo çka gjendet vërtet aty”. Ditët e sotme njërëzit vuajnë nga forma të ndryshme depresioni, të cilat e kanë burimin tek mosnjohja e vetes dhe tek mungesa e shpirtërores, gjë që të çon tek mosnjohja e të tjerëve apo të asaj çka na rrethon dhe na ndodh.”
E dashur Lejla, jam e bindur se muslimanet shqiptare dëshirojnë të dinë (dhe kanë nevojë të dinë) nëse gjatë procesit tënd drejt rritjes dhe suksesit ka patur ndonjë motër muslimane e cila të ka frymëzuar, por në të njëjtën kohë edhe të ka mbështetur dhe promovuar.
“Mendoj se si muslimane, pak rëndësi ka nëse jemi shqiptare, boshnjake, serbe, kroate etj. duhet të jemi të vetëdijshme se i Gjithëfuqishmi na ka furnizuar me talent, burime dhe forcë në mënyrë që të bëhemi dhe të arrijmë çfarëdo që ne dëshirojmë. Si muslimane ne e dimë se e kemi të drejtën dhe lirinë për të ngritur zërin tonë dhe duhet ta çojmë atë aty ku duhet dhe atëherë kur duhet, sidomos kur bëhet fjalë cënimi i imazhit të njëra – tjetrës apo imazhit të Islamit në përgjithësi.
Ka plot gra muslimane fantastike në të gjithë botën që mbështesin dhe fuqizojnë njëra-tjetrën dhe ne duhet të marrim shembull prej tyre.
Shumë muslimane kanë kontribuar në rritjen time dhe më kanë mbështetur vazhdimisht. E para prej tyre është nëna ime Nerminka. Ajo më mësojë gjatë kohës më të vështirë dhe traumatike të jetës time, gjatë luftës së Bosnjës, se jeta është e bukur çfarëdo që të ndodhë.
Një motër muslimane e cila më ka dhënë një mbështetje kolosale ka qenë Hasena Kavazovi?, shoqja ime e ngushte. Kur botova librin tim, më ka mbështetur shumë sipërmarrësja dhe shkrimtarja Adisa Tufo. Edhe psikologia e njohur Aida Tule më ka dhuruar mbështetjen e saj dhe së fundmi edhe e dashura jonë (mikja jonë e përbashkët) Zehra Adilovi? dhe shumë e shumë të tjera, të cilat fatkeqësisht nuk mund t’i përmend dot të gjitha këtu.”
Tani, na trego pak më shumë në lidhje me librin tënd: kur është publikuar; a mendon ta përkthesh dhe në gjuhë të tjera, dhe si të erdhi kjo ide për të shkruar një libër të llojit motivim dhe vetëdijesim?
“Libri im i parë ‘Život’ u publikua vjet në vitin 2017. Libri përqendrohet më së shumti tek kuptimi i jetës: përse jetojmë dhe cili është qëllimi ynë në këtë botë. Një thënie që më pëlqen shumë është “Dy ditët më të rëndësishme të jetës tënde janë dita kur ke lindur dhe dita kur ke kuptuar përse ke lindur.” Mendoj se, kur ti e di se kush je dhe e kupton përse ke ardhur në këtë botë, atëherë je në gjendje të arrish gjithçka. Më kujtohet kur para 8 vitesh isha në dhomën time në konvikt. Isha shumë e mërzitur dhe në këto raste zakonisht lexoj Kuran. Rastësisht e hapa tek surja “Raad”, tek ajeti që flet për faktin se Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata t’i ndryshojnë vetet e tyre. E kam lexuar disa herë këtë ajet, por ashtu siç ndodh me mrekullitë e Kuranit, këtë herë mu duk sikur po e lexoja për herë të parë dhe sikur ajo thirrje më ishte drejtuar mua. Aty e kuptova se, nëse doja të dilja nga kjo gjendje, duhej së pari të ndryshoja këndvështrimin tim për jetën; se nëse unë dua të bëj ndryshe, duhet që unë të jem vetë ndryshimi. Që nga ai moment fillova të punoja me veten duke mësuar, studiuar dhe fuqizuar veten në fushën time dhe në atë që e kisha pasion. Ndërsa po përvetësoja njohuritë e mia dhe po mundohesha të praktikoja ato që dija, vendosa se këto lloj mënyrash duhet patjetër t’i ndaj dhe me të tjerët që të lë një shenjë në një farë mënyre.
Kam dëshirë dhe në plan që libri im të përkthehet në anglisht, gjermanisht, turqisht dhe në shqip gjithashtu, në mënyrë që të mund të arrij tek sa më shumë njerëz dhe të ndikoj sa më shumë në jetët e tyre për t’i ndihmuar ata në arritjet e tyre.”
Përsa i përket femrave muslimane, cili është shqetësimi yt dhe ku mendon se duhet të përqendrohemi më shumë?
“Në Bosnje ka shumë pak autore dhe folëse femra në përgjithësi dhe muslimane në veçanti. Këtë e kam parë si shqetësim. Një nga barrierat më të mëdha të kohës tonë është pikërisht se duhet një angazhim dhe preokupim më i madh nga ana e femrave muslimane për të punuar sa më shumë në rritjen e tyre personale dhe kontributin e tyre ndaj komunitetit dhe mbarë shoqërisë.
Nada Dosti
Revista “Familja”, Korrik 2018