I.
Medreseja u themelua, e nisi rrugëtimin, u reformua, u avancua në rrethana e kushte jashtëzakonisht të vështira, duke filluar prej atyre të kohës së ashtuquajtur të Rankoviqit.
Hapja dhe ngritja Medresesë së Prishtinës në vitin 1951, nuk ishte një
gjë e rastit, por nevojë e kohës dhe e hapësirës, vazhdimësi e traditës shekullore të arsimit islam te ne. Medreseja e Prishtinës filloi punën në godinën e ndërtuar në haremin e xhamisë ''Alaudin'', prandaj edhe Medreseja, më pas, u bë e njohur me këtë emër që e bart edhe sot.
Natyrisht, hapja e medresesë së Prishtinës nuk ishte një punë e lehtë, sidomos kur kemi parasysh rrethanat shoqërorepolitike që mbretëronin në atë kohë. Medreseja lindi si rrjedhim i vizionit, këmbënguljes, urtësisë dhe angazhimit të udhëheqësve të Bashkësisë Islame të kohës me Hafëz Bajram ef.Aganin në krye. Vlerësuar nga kontributi që do të jepte më vonë Medreseja, hapja e saj del të jetë ndër punët më të mira dhe ndër të arriturat më të mëdha të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Tre vjet para se të hapej, përkatësisht më 1948, pushteti i asaj kohe kishte mbyllur të gjitha medresetë klasike që kishin vepruar në Kosovë, përfshirë
edhe çerdhen e arsimit fetar e kombëtar Medresenë "Mehmet Pasha" në Prizren. Prandaj, para prijësve islamë para se gjithash, po edhe besimtarëve myslimanë, u shtrua detyra dhe u rrit nevoja për të hapur një shkollë, e cila, në përputhje me kërkesat e kohës, do të përgatiste kuadrin, i cili me nivelin profesional dhe me shkallën e arritur të kulturës dhe arsimit islam do t'i përgjigjej shkallës përkatëse të shkollës sonë në përgjithësi. Medresetë klasike të kohës, megjithë traditën e begatë të tyre, dorën në zemër, nuk i plotësonin këto kërkesa të kohës. Ato kishin mbetur të pareformuara, sa kohë që tani pas Luftës së Dytë në Kosovë u krijuan rrethana të reja.
Po ashtu, hapjen e një shkolle, të një medreseje, ku do të përgatiteshin kuadrot islame, Bashkësisë Islame ia lejonte, ia njihte dhe ia kërkonte edhe statuti i saj i vitit 1948, ku në Art. 44, thuhej: "Bashkësia islame mund të ketë shkolla të veta fetare: shkollat e ulëta, të mesme dhe shkollën e naltë fetare".
Prandaj, zgjidhja e këtij problemi u gjet në hapjen e Medresesë së Ulët Shqiptare, ku do të mësoheshin edhe lëndët fetare edhe ato botore.
Por sigurisht Medreseja e Ulët Shqiptare e Prishtinës në fillimet e saj, madje edhe pasi ishte ngritur në nivelin e shkollës së mesme, në kryerjen dhe përmbushjen e detyrave dhe realizimin e qëllimeve, ishte mbështetur pikërisht në përvojën e studentëve që kishin dalë nga medresetë e mëhershme, por që kishin dëshmuar aftësi në mësimdhënie, kurse më pastaj edhe në përvojën e studentëve të kthyer nga Medreseja e Sarajevës dhe në përvojën e mësuesve nga shkollat e tjera publike që vepronin në Prishtinë, e më vonë edhe nga studentë që kishin diplomuar në Universitetin e Prishtinës dhe në universitetet e botës islame, si në Libi, Egjipt, Jordani, Arabi Saudite, Bagdad dhe në qendra të tjera.
Planprogrami i medresesë ë do të pësojë ndryshime varësisht siç e kërkonte nevoja dhe koha dhe varësisht nga ndryshimi i nivelit dhe rangut të Medresesë. Në fillimet e saj, u mësuan këto lëndë: Kuran, gjuhë shqipe, matematikë, akaid, fikh, ahlak, histori islame, gjeografi, botanikë, vizatim, bukurshkrim, gramatikë arabe, edukatë fizike, gjuhë serbe, imamat, fizikë, higjienë, paraushtarak, kurse me kalimin e kohës u bënë ndryshime dhe reforma në planprogramin e Medresesë, sidomos pasi që ajo u bë nga e ulët në të mesme. Kështu që u shtuan edhe lëndët: tefsir, hadith, pedagogji, husnihat, retorikë etj.
Në rrethana të reja, edhe planprogrami mësimor do të pësojë ndryshime, gjithnjë duke iu përshtatur nivelit të mesëm. Planprogrami i lëndëve jofetare kryesisht ka qenë i njëjtë me atë të shkollave të tjera të mesme e në veçanti me atë të gjimnazit, gjë që është një veçori e Medresesë, sepse krahas lëndëve fetare mësoheshin edhe lëndët e gjimnazit.
Nga viti 1961 e deri më 1983, mësimi në Medrese ka zgjatur pesë vjet, kurse nga viti 1983 do të ulet në katër vite shkollore. Me rastin e këtij ndryshimi, në veçanti gjatë ndryshimeve në planprogramin mësimor, pedagogët e medresesë kanë bërë përpjekje që, programin e mëparshëm të Medresesë pesëvjeçare, ta harmonizojnë dhe ta përfshijnë gjatë katër viteve mësimore, natyrisht me pak ndryshime, të cilat tashmë ishin të nevojshme.
Kur jemi te planprogrami i Medresesë, nuk mund të mos përmendim
edhe ndryshimin tjetër që e ka pësuar kjo vatër arsimore, kur mësimin e ka bërë trevjeçar. Kjo, sepse, ndonëse e kishte themeluar dhe kujdesej për të Bashkësia Islame, Medreseja u përfshi në gjirin e shkollave të tjera të mesme të kryeqytetit në kuadër të Ministrisë së Arsimit, natyrisht nëpërmjet Drejtorisë së Arsimit të Komunës (DAK) së Prishtinës.
Një prej karakteristikave më thelbësore të Medresesë ka qenë edhe fakti se në bankat e kësaj çerdheje të kulturës dhe arsimit, përgjatë dekadave të veprimtarisë së saj, kanë qenë të përfshirë nxënës nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova Lindore (Lugina e Preshevës) dhe Sanxhaku. Madje, edhe dy nxënës nga Bosnja dhe Hercegovina e kanë mbaruar këtë medrese. Duhet përmendur edhe fakti se pas luftës së fundit në Kosovë, në gjirin e kësaj medreseje, ka pasur një numër të admirueshëm të nxënësve edhe nga Republika e Shqipërisë.
Prandaj, nuk është aspak e çuditshme pse edhe sot janë pikërisht nxënësit e kësaj medreseje që e bartin barrën kryesore dhe përgjegjësinë e organizimit fetar islam në vendet e përmendura më sipër.
Për më tepër, ishte pikërisht Medreseja e Prishtinës me suksesin e treguar të medresistëve nga Maqedonia dhe Sanxhaku ajo që bëri që në këto dy qendra të hapeshin medrese, përkatësisht Medreseja "Isa begu" në Shkup dhe Medreseja e Novi Pazarit. Prandaj, kjo tregon për një aspekt tjetër të Medresesë së Prishtinës në formimin e inteligjencies islame edhe përtej kufijve të Kosovës.
II.
Medreseja e Mesme ''Alaudin'' e kishte nisur punën në një periudhë në të cilën as që mund të flitej për tekste shkollore. Për më tepër, problem në vete paraqiste edhe mungesa e përpunimit të terminologjisë islame në gjuhën shqipe. Prandaj, para mësimdhënësve të Medresesë doli si detyrë që, krahas përdorimit të terminologjisë islame në gjuhën shqipe, t'u jepnin shënime nxënësve nëpërmjet metodës së diktimit. Kështu, për shkak të mungesës së teksteve, por edhe për arsye praktike.
Kur i shikojmë fletoret e ish-nxënësve të kësaj medreseje sot, përveç vlerës së tyre dokumentare, ato tregojnë edhe për nivelin e nxënësve në përvetësimin e gjuhës shqipe dhe në drejtshkrimin e saj, kurse bukurshkrimi, të cilit i kushtohej mjaft kujdes, tregon se pedagogët e medresesë kanë qenë të vetëdijshëm se janë duke përgatitur shërbyesit e ardhshëm në administratën e Bashkësisë Islame. Prandaj, ndonëse metoda e diktimit, nga këndvështrimi i sotshëm, nuk duket praktike, për kohën për të cilën po flasim kishte objektiva didaktikë, të cilët janë përmbushur me shumë sukses. Pikërisht nga këta nxënës, do të fillojë nxjerrja e fletushkës së medresesë "Nuru-l-Kuran", dhe më vonë, po nga këta, por tani në cilësinë e pedagogëve, do të botohen edhe dispensat dhe tekstet shkollore të Medresesë, që njëherësh për një kohë të gjatë ishin edhe literatura e vetme islame në gjuhën shqipe në Kosovë dhe më gjerë. Kur jemi këtu, duhet theksuar edhe fakti se ish-Medreseja "Alaudin" sipas vëllimit të ndikimit dhe rezultateve të saj, pastaj si institucion i parë dhe i vetëm i mesëm në gjuhën shqipe, ndikoi në formimin e inteligjencies islame në Kosovë dhe me gjere.
nxënësit e Medresesë do të bëhen edhe bartës kryesor të literaturës islame, periodikëve, deri në nivel akademik islam dhe jo vetëm, do të bëhen përkthyes të Kuranit famëlartë dhe haditheve të Pejgamberit a.s. dhe literaturës tjetër doktrinare në gjuhën shqipe konform medhhebit tradicional hanefi.
Duke lexuar tekstet e Medresesë (fletoret, dispensat dhe tekstet) ndër vite, vërejmë se ato ishin të konceptuara asisoj që nga ato të mësohej jo vetëm shkrim e lexim, por njëherësh ato duhej të ishin edhe bartëse të njohurive fetare e shkencore, të vlerave morale etike, të ndjenjave atdhedashëse dhe të ideve kombëtare, edukatës së përgjithshme, dashurisë ndaj atdheut, prindërve, farefisit, kujdesit ndaj kafshëve, natyrës, mjedisit etj ..
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i Medresesë në formimin e inteligjencies islame, është edhe fakti se në Medrese organizoheshin provimet për imamë për të gjithë ata imamë që kishin kryer më pak se tetë vjet të medreseve klasike, kurse për ata që nuk mund t'i përgatitnin vetë këto provime, qenë organizuar edhe kurset tremujore për imamë. Qëllimi i këtyre kurseve dhe provimeve ishte që, përmes shkollimit të shkurtuar dhe mësimeve plotësuese, të sigurohej kuadri i Bashkësisë Islame konform zhvillimeve të reja shoqërore dhe kërkesave të kohës, gjë që ishte e domosdoshme, si dhe të behej verifikimi dhe licencimi i disa imamëve që tashmë ishin duke kryer këtë shërbim. Ky ishte një rezultat tjetër i Medresesë e që kërkon vëmendje të veçantë.
Kur shikojmë veprimtarinë e Medresesë nëpër këto gjashtë dekada e gjysmë, shohim se ajo u themelua, e nisi rrugëtimin, u reformua, u avancua në rrethana e kushte jashtëzakonisht të vështira, duke filluar prej atyre të kohës së ashtuquajtur të Rankoviqit, trazirave politike, propagandës së kohës, kontrollit që u bëhej nxënësve dhe shkollës, e duke përfunduar tek okupimi klasik i Kosovës në vitet nëntëdhjetë dhe lufta e fundit në Kosovë. Secila nga këto periudha ka qenë më e vështirë se tjetra, kanë lënë pasoja edhe te Medreseja. Kurse nxënësit e Medresesë ndaj këtyre zhvillimeve nuk ishin indiferentë, kontribuan deri edhe me rënie dëshmor për kauzën kombëtare. Kjo tregon se Medreseja nuk mbeti e izoluar nga rrjedhat shoqërore dhe politike të kohës, përkundrazi, ajo u bë pjesë e pandashme e fatit të popullit dhe vendit të saj. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Ajo ishte e popullit, prandaj dhe me popullin bashkëjetoi dhe bashkëndau të mirën dhe të keqën. E, megjithë këto vështirësi, këto ecejake, ndjekja e mësimeve në Medrese asnjëherë nuk është ndërprerë, asnjëherë nuk ka pasur mungesë të të interesuarve dhe nxënësve, madje edhe nga trojet e tjera jashtë Kosovës e bile edhe nga ata që shqipen nuk e kishin gjuhë amtare.
Nxënësit kanë shfaqur interesim të veçantë për këtë shkollë. Këtë e vërtetojnë të dhënat statistikore, nga të cilat shihet se numri i nxënësve prej një viti shkollor në tjetrin jo vetëm që nuk zvogëlohej, por përkundrazi, rritej e shtohej vazhdimisht. Aq sa u ndje nevoja për hapjen e paraleleve në Prizren dhe në Gjilan. Dhe jo vetëm kaq, por u bë kërkesë e kohës
Medreseja II bë një mjedis i rëndësishëm për zhvillimin e veprimtarëve
të ardhshëm intelektualë fushash të ndryshme. edhe hapja e paraleleve të vajzave, që sigurisht është një rezultat tjetër shumë i rëndësishëm i Medresesë "Alaudin".
Si rezultat i Medresesë, pa diskutim është edhe Fakulteti i Studimeve Islame, jo vetëm pse nxënësit e Medresesë duhej të shkolloheshin në fakultete, por edhe sepse ish-nxënësit e Medresesë u bënë pedagogë në këtë fakultet. Edhe ky është një rezultat tjetër i Medresesë në formimin e inteligjencies islame ndër shqiptarët dhe në rajon. Numri kaq i madh dhe i përgjithshëm i të diplomuarve në medrese, shumica me fakultet të kryer brenda dhe jashtë vendit, me një përqindje të madhe prej tyre të inkuadruar në shërbimet e Bashkësisë Islame dhe në institucionet shtetërore në Kosovë dhe në vendet e rajonit, po edhe në diasporën tonë, që kontribuojnë në zhvillimin e përgjithshëm fetar dhe shkencor; tregon për rolin, rëndësinë dhe sukseset e Medresesë ''Alaudin''.
Këtu nuk mund të mos e përmend edhe një aspekt tjetër, për mua shumë me rëndësi, të Medresesë e i cili shpeshherë anashkalohet. Angazhimi i nxënësve të medresesë në terren për të kryer praktikën e tyre të imamit gjatë muajit të Ramazanit, i cili angazhim, përveçse ka ndikuar në shpjegimin e fesë te besimtarët, ka bërë që të krijohet një lidhje e ngushtë dhe shumë e sigurt ndërmjet Medresesë dhe besimtarëve, ndërmjet Medresesë dhe xhemateve, ndërmjet Medresesë dhe trevave tona. Kjo ka ndikuar në masë të konsiderueshme që edhe besimtarët tanë të tregojnë solidaritet me Medresenë dhe ta ndihmojnë atë qoftë me dërgimin e fëmijëve të tyre në medrese, qoftë moralisht dhe qoftë materialisht.
Jeta e përbashkët e shumicës dërrmuese të nxënësve në konvikt, për të cilin paguanin vetëm simbolikisht; organizimi që mundësojnë kushtet e konviktit; Kujdesi i një ekipi të edukatorëve dhe arsimtarëve kujdestarë në orët e studimit; krijimi i shprehive për punë dhe për higjienë; kultivimi i instinktit social; kultivimi i respektit dhe mirëkuptimit reciprok, më pastaj puna praktike dhe aktivitetet dhe angazhimi i nxënësve përveç mësimit teorik, si në përfshirjen e tyre në aktivitete sportive, korit të mevludit dhe të ilahive, shoqatës së nxënësve etj., përbëjnë shkakun pse medreseja u bë një mjedis i rëndësishëm për formimin e veprimtarëve të ardhshëm intelektualë fushash të ndryshme.
III.
Nga sa u tha më sipër, mund të përfundojmë se Medreseja "Alauddin", sipas vëllimit të ndikimit dhe rezultateve të saj, pastaj si institucion i parë dhe i vetëm i mesëm në gjuhën shqipe, ndikoi në formimin e inteligjencies islame në Kosovë dhe me gjerë, ndikoi në formimin e kuadrove të afta, përparimtare dhe të përgatitura për t'u përballur me nevojat e kohës dhe me të arriturat shkencore. Medreseja "Alaudin" e Prishtinës, prandaj, meriton një qasje shkencore, vlerësim të mirëfilltë dhe një mirënjohje adekuate shoqërore.
Organizimi i kësaj konference për 65-vjetorin e Medresesë së Prishtinës, sigurisht se është një ngjarje e rëndësishme dhe një shlyerje deri në njëfarë mase e borxhit ndaj këtij institucioni, porse është paradoksale dhe e pakuptueshme se përse deri më sot nuk kemi një monografi gjithëpërfshirëse kushtuar këtij institucioni fetar dhe kombëtar, nuk kemi një monografi në të cilën mbi baza dokumentare historike, sidomos mbi bazën e analizës së dokumenteve shkollore, të pasqyrohej kontributi i kësaj shkolle jo vetëm në përgatitjen e ulemave të rinj, të kuadrit fetar e të drejtuesve shpirtërorë të popullit tonë, të inteligjencies islame, por edhe për ndihmesën që ajo ka dhënë në formimin e përgjithshëm kulturor të popullit. Le të shpresojmë se hapi i ardhshëm do të jetë hartimi i një monografi kushtuar Medresesë, kësaj vatre dhe këtij simboli të arsimimit islam në vendin tonë.
Dhe për të qenë kjo monografi sa më atraktive dhe sa më e kompletuar, duhet që, edhe ish-pedagogët e Medresesë dhe ish-nxënësit e saj, sidomos ata të gjeneratave të para, drejtorisë së Medresesë t'i ofrojnë dëshmi, dokumente, fletore, fotografi, kujtime të shkruara, në mënyrë që monografia, e cila do të shkruhet nesër me patjetër, të jetë sa më e plotë, sa më gjithëpërfshirëse dhe më e dokumentuar.
Në fund, Medresenë, nxënësit dhe pedagogët e saj i uroj për këtë përvjetor duke lutur Zotin e Gjithëmëshirshëm për suksese të mëtutjeshme!
Literatura:
1. Arkivi i Kosovës, Fondi Bashkësia e Fesë Islame, Zyra e Vakëfit, viti 1951, dok. nr. 1, f.13, kutia nr. 55.
2. Arkivi i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, dokumente të viteve 1951-1981.
3. Zasjedane Vakufikog Sabora za NR Srbiju u Prishtin i, "Glasnik" Vrhovnog Islamskog Starjesinstva u FNRJ, nr. 7-9, Sarajevo, 1951,f.313-317;
4. Zapisnik drugog zasjedanja IV saziva Sabora islamske vjerske zajednice u NR Srbiji odrizanog 19 novembra 1960. godine u Prizrenu, "Glasnik" u FNRJ, nr. 1-3, Sarajevo, 1961, f.83-97;
5. Izvestaj o radu Saborskog Odbora IVZ za NRS, za period od 6. decembra 1958 godine do danas, "Glasnik" u FNRJ, nr. 1-3, Sarajevë, 1960, f.72-83.
6. I. Lanza, Pasqyrë e shkurtër e veprimtarisë së Medresesë në Prishtinë (me rastin e 20 vjetorit), "Edukata Islame", nr. 15-16, Prishtinë, 1976, fq.73-107.
7. Dr. Haki Kasumi, Bashkësitë fetare në Kosovë 1945- 1980, Prishtinë, 1988, f. 128-133.
8. Resul Rexhepi, Medreseja e Mesme "Alaudin" në shtratin e traditës dhe roli i saj për shkollimin e kuadrit fetar, në simpoziumin: Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët, Prishtinë, 1995, fq.553-558;
9. Sadik Mehmeti, Të dhëna të reja për "Medresenë e Ulët" të Prishtinës dhe aktivitetin e saj 1951 - 1958, në; "Takvim", 2004. Prishtinë.
10. 50-vjet të Medresesë së Mesme "Alaudin" Prishtinë, (prospekt i përgatitur nga Ramadan Shkodra & Bashkim Mehani), Prishtinë, 2003, f.4-23.
Resul Rexhepi