Lëvizshmëria sociale në Perandorinë Osmane

Migrimet e popullsisë janë forma themelore të dinamikës sociale dhe gjeografike të njerëzimit dhe njëra prej rrjedhave më të rëndësishme kulturore të saj. Gjatë kohës shumëvjeçare të sundimit turk, migrimet e popullsisë, veçanërisht transferimet, kaherë kanë qenë objekt i interesimit të shkencëtarëve.

Mjaftë shumë dihet edhe për lëvizjen e madhe të popullsive (dyndjeve), syrgjynosurve, kolonizimit turk të Vllahëve dhe Jurukëve (grup etnik turk në Turqi, me prejardhje nga një fis i Turkmenisë, që në gjuhën turke ka kuptimin endacak, këmbësor, sqarim Sh. V.), si dhe për popullzimin e Ciganëve, Hebrenjve dhe popujve tjerë të hapësirës ballkanike. Regjistrimet zyrtare të administratës osmane, në rend të parë të ashtuquajtura mufasal defteri dëshmojnë, megjithatë, edhe për lëvizjet e caktuara, si të atyre të klasës ushtarake e po ashtu edhe të disa kategorive të popullatës jo ushtarake (myslimane dhe krishtere) brenda distancave të gjëra të kufijve të mbretërisë, që kryesisht deri më tani, nuk ishin objekt i hulumtimeve të veçanta.
Si e para në praktikën e pushtetarëve ishte që ekuipazhet e garnizoneve t’i shpërngulin nga një kala në tjetrën, kurse, si duket në kohërat e më hershme, tërësisht edhe deri në provincat më të largëta, gjegjësisht nga Rumelia në Anadoll dhe anasjelltas, që kishte sjellë deri te shpërngulja e përhershme apo e përkohshme të popullsisë nga një krahinë në tjetrën.
Kështu në fund të shekullit XV në mesin e garnizonit të kalasë së Trabzonit – prej 205 sa ishin-gjejmë 43% Rumeli, dhe 17% Anadolli (për 40% nuk jepet vendi i prejardhjes). Në mesin e garnizonit të Novo Bërdës (1455) – numëroheshin 60 persona – ku i gjejmë dy Laz, pastaj Hungarez, Tatar, ndërsa një numër i konsiderueshëm ishin nga anët e Maqedonisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Kah mesi i shekullit XVI në garnizonin e Beogradit më së shumti kishte ushtar nga Bosnja, pastaj nga Hercegovina, Morea, Fanari,Janina, Selaniku, Agriboza dhe Shkupi. Është interesante përbërja kombëtare e anëtarëve të kalorësisë ushtarake të sulltanit i vitit 1578. Krahu i djathtë i kësaj kalorësie numëronte 528 shpirtra, prej të cilëve 214 (apo 40%) ishin nga Rumelia, derisa nga pjesët e mbretërisë Aziatike ishin vetëm 36 (gjegjësisht diçka më pak se 1%). Në mesin e Rumelive kishte më së shumti Boshnjak, Hungarez, Shqiptar, pastaj Kroat, Bullgar, Frank, Grek, Serb, Slloven, Austriak, dhe Gjerman. Emri i prejardhjes theksohej rrallë (Manastiri, Smedereva, Galipola, Delvina, Bogdani, Moreja etj).
Në radhët e timarëve në hapësirat e Ballkanit – me që disponojmë vetëm me disa regjistrime turke që zënë fill në dy deceniet e para të shekullit XVI – veçanërisht i shohim vetëm ata të territorit të Rumelisë. Në regjionin e Brankoviqëve (1455) kemi numëruar vetëm katër Anadollak, po aq hasim edhe te Krahinari Isa-beg Isakoviqi, kurse në vitin 1477, në vilajetin e Hercegovinës numëroheshin nëntë vetë. Vetëm në regjistrimin e sanxhakut të Shqipërisë (nga vitet 1431/1432) gjendej një numër i madh i Anadollakëve: Nga Saruhana 44, nga Koxhailija 14, nga Xhanika 8, nga një prej Ajdinit, Jenishehrit, Keshanës, Mihaliqit dhe Kastamunit.
Edhe në njësitet e ndryshme ushtarake dhe gjysmë ushtarake, që plotësoheshin me krishterë dhe me mysliman, sipas nevojës transferoheshin (përgjithmonë apo përkohësisht) nga njëra kështjellë në tjetrën, po qofshin edhe deri te ato më të largëtat.
Pranë pjesëtarëve të theksuar të klasës ushtarake që kanë pas mundësi me shërbye nëpër vende më të largëta apo më të afërta nga vendlindjet e veta, edhe disa kategori të banorëve jo ushtarak kanë pas mundësi që sipas kushteve të caktuara, përkohësisht gjegjësisht përgjithmonë t’i lëshojnë vendbanimet e tyre. Turkologu i merituar maqedonas Aleksandar Matkovski në librin e tij “Kreposnistvoto vo Makedonija”, pohon, se pranë rajës (lexo i krishteri në perandorinë osmane Sh. V.), e cila ka qenë e lidhur me bujqësinë, ekziston beraja, e cila thjeshtë përfshinte jo vetëm klasën feudale, gjegjësisht të privilegjuarit por edhe të gjithë ata të cilët nuk kanë qenë të regjistruar në tapi defterët si raja i ndonjë spahiu. Me berajën, në përgjithësi bënë të kuptojmë të gjithë ata persona të lirë, të cilëve u takojnë, si ata pjesëtar të klasës feudale dhe të rendeve ushtarake, e po ashtu edhe klerikët në përgjithësi, pjesa e madhe e banorëve të qytetit (shehirli), si tregtarët, zanatlinjtë, skamnorët e qytetit, pastaj fshatarët që kanë pas pasurit e liruara të veta apo të trashëguara, nomadët, (Ciganët, Vllehët, Jurukët), sejmenë, endacakë të ndryshëm dhe në përgjithësi njerëz pa vendbanime të caktuara. Varësisht nga statuti i zotëruesit të vet, bile edhe robërit e liruar kanë pas mundësi të hyjnë në radhët e brajës; të liruarit e tillë – bredhacak –mund t’i shohim në regjistrimet e vendbanimeve qytetare (në fillim të shekullit XVI në Selanik ishin nja njëqind sosh). Edhe raja duke u shpërngul në qytet ka pas mundësi të lirohej nga statusi i saj. Megjithatë, kjo ka qenë një udhëtim i gjatë dhe i rëndë që të fitohet statusi i qytetarit, sepse duhej që të jesh më së paku dhjetë vjet, ndërsa më së shumti bile edhe pesëdhjetë vjet banorë i qytetit, duke qenë se brenda kësaj kohe spahiut i vjetrohej e drejta që fshatarin dhunshëm ta kthej në punët bujqësore. Në shtetin Osman ekzistonte edhe një mundësi që i shfrytëzuari (raja) ta blejë lirinë e vetë, kurse kjo bëhej përmes pagimit të një tatimi të veçantë – qifti bozan resmi – respektivisht duke paguar një të ardhur mesatare vjetore të cilën spahiu do ta merrte prej tij, ndërsa kjo epej me një kohë- gjatësi deri më së paku pesëmbëdhjetë vjet. Në kërkim të punëve bujqësore, masat e njerëzve të banuar nëpër kodrina dhe shqiptarët e fshatrave të varfra shpërnguleshin nëpër krahinat rrafshore me popullsi më pak të banuar duke arritur deri në Nish, Epir, Bullgari dhe Traki. Në fund, për t’i ikur procesit të çifligut dhe për të mbijetuar, fshatarët në Shqipëri (e me siguri edhe në vende tjera) shpërnguleshin apo shkonin për punë të përkohshme nëpër vende tjera ballkanike. Fshatarët shqiptar punësoheshin nëpër minierat e Serbisë si fuqi fizike punëtore. Në Carigrad (Stamboll) ata punonin si punëtor të ndërtimtarisë, shitës, kasap (mishtar), salepgji (pije e ngrohtë e përgatitur nga një lloj barishtore shumëvjeçare, specialitet turk, Sh. V.), kurse malësorët i mbanin, si, mercenar, të gjithë pashët e pjesës evropiane të Turqisë. Në mesin e emigrantëve periodik thekson S. Faroki (Farocqi), kishte edhe të ashtuquajtur punëtor-udhëtar (që ne do t’i quanim kurbetçi apo mërgimtar), të cilët ndonjëherë shkonin shumë larg. Kështu që qysh kah fundi i shekullit XVI Shqiptarët kishin shkuar në Anatolinë veriperëndimore duke u punësuar aty si bujq dhe rojtar të livadheve. Me siguri, që këtë mundësi e kishin shfrytëzuar edhe zanatlinjtë nga fshati të cilët nuk kanë pas pronë të vetin të tokës, që me shkuarjen në qytet (diku më afër, por ndodh edhe më larg) të fitojnë më shumë. Është shkuar, edhe nëpër krahina shumë të largëta, ashtu siç na dëshmojnë regjistrimet që kanë lidhje me ndërtimin e Xhamisë së Sylejmanit (kah mesi i shekullit XVI) në Stamboll. Këtu në mesin e latuesve, ndërtimtarëve dhe marangozëve nga vendet e ndryshme të mbretërisë gjenden edhe 43 mjeshtër krishterë dhe 51 mysliman, që vinin nga ana e Maqedonisë (të mara nga kufijtë natyral gjeografik të saj).
A bëhet këtu fjalë për kurbetçinj, respektivisht për punëtorë sezonal, apo për të shpërngulurit nga qytetet e theksuara (Dramë, Kavajë, Manastir, Ohër, Selanik, Serez, Trikale dhe Shkup)? Dihet se nga Maqedonia që moti është shkuar në “kurbet”, o nga dhuna turke, o nga toka jo pjellore dhe shkëmbore e saj. Udhëtari gjerman Hans Dernshvam (Dernschwam), ka takuar argatë shqiptar të kositjes që ktheheshin nga Bullgaria prej punëve të kositjes. Disa prej tyre, me siguri se edhe kishin mbetur në vendbanimet e reja. Për kurbetçinjtë malazez, për shembull, informatat e para të njohura datojnë vetëm nga shekulli XIX; në Stamboll ishin thjeshtë disa mijëra dhe eprori i tyre quhej (k)roatbasha (etimologjia i këtij termi ende provokon kontestime në mesin e shkencëtarëve), të cilit qeveria e shtetit ia lëshonte tezkere-i ikame-i orvat, kjo donë të thotë lejen e përqendrimit, ashtu sikur që edhe zanatlinjtë kurbetçi i merrnin nga shërbimet financiare yabanci esnaf ruhsat tezkeresi, gjegjësisht lejen që mund ta kryej zanatin e vet.
Vërtetimi për qarkullim e lirë të shtresave të caktuara shoqërore brenda hapësirave të mbretërisë ekzistojnë edhe te vet regjistrimet zyrtare osmane. Aty, pranë emrave të caktuar të banorëve të qytetit (më rrallë nga fshatrat) theksohet se nga cili fshat janë, (apo madje edhe tregon se i shpërnguluri përkatës është nga fshati i caktuar, dhe se atje i kryen detyrimet e obliguara-pagesat), pastaj që janë të varfër, ardhacak, i shpërngulur. Kurse, në dorë të parë fjala është për emra të ndryshëm të-të popullzuarve, për varfanjakun i cili po sa u popullzua. Apo, thjeshtë theksohet vetëm vendi se prej nga vinë. Kështu në mesin e banorëve mysliman të Beogradit ( nga viti 1560) evidentohen: 13 Anadollak, dy Persian, një Arap, tre Boshnjak, dy Shkupjan, dhe nga një Ulqinak, Osijeka-s, dhe Grek ; ndërsa nga radhët e të krishterëve ishin: një Grek me të birin, Arnaut, katër ardhacak të huaj dhe po aq nga fshati Milloshevë. Në vitin 1546., në Budim nga nëntëmbëdhjetë shtëpi të hebrenjve, tetë të vendosur (në Stamboll, Beograd, Plovdivë, Kavajë,Smederevë, Selanik dhe Edrene). Për pesë hebrenjtë e Novoberdës të mesit të shekullit XVII, është regjistrua se janë Shkupjan, dhe ka dhjetë vjet që janë banor të Novoberdës, për çka dëshmon fermani i sulltanit, të cilën e posedojnë. Më në fund, edhe në kronikën e Mulla Mustafa Basheskiut (1746-1804) ka dëshmi të besueshme për lëvizjen e madhe të njerëzve. Duke u mbështetur në shënimet e Semuel de Medin-ës (1506-1589)dyert e hyrjes së qyteteve ditë e natë kanë qenë të hapura, ashtu që çdo kush kur të dojë ka pas mundësi të hyj dhe të dal pa kurrfarë pengese. Sepse, thotë ai, me pagimin për kokë të banorit – haraçit – të gjithë jo myslimanët ( që quheshin zimijan, që donë të thotë i mbikëqyrur) nga sulltani kanë blerë sigurinë dhe lirin e qarkullimit, posaçërisht lirin e tregtisë për tërë hapësirën e mbretërisë. Pranë hebrenjve, me lëvizjet e tyre shumë aktiv ishin edhe tregtarët Ermen (me qendrat e tyre në Levov, Amsterdam dhe gjetiu). Arkivat e manastireve edhe sot ruajnë shumë dokumente dhe leje udhëtimi (tezkere) për shkuarjet tregtare dhe të mbledhjes së ndihmave. Për mbledhjen e lëmoshave nga besimtarët ortodoks , murgjit e manastireve të caktuara ( si ata të Atosit dhe Sinajit), kanë udhëtuar (me lejen e sulltanit dhe patrikut) deri edhe jashtë kufijve të mbretërisë. Mbrojtjen gjatë udhëtimit e gëzonin edhe klerikët katolik, si miq të osmanlinjve ashtu edhe klerikët e Dubrovnikut (si haraç gjinjtë e portës), por edhe vizitorët e papës (Petar Masarek). Në aktet e lëshuara nga sulltani (që u epeshin mbas kërkesës së tyre por edhe përmes republikës së Dubrovnikut) klerikëve u lejohej që nëpër manastire, qytete dhe fshatra të Rumelisë ta lexojnë Ungjillin, ndërsa, para se gjithash klasës ushtarake i ndalohet që t’i keqtrajtojnë dhe ndalojë, si dhe klerikëve ortodoks që të përzihen në punët e tyre. Personat e dalluar shpirtëror kishin epërsi që të kalërojnë me kali si dhe të bartin armën me vete. Këtij grupi të udhëtarëve i takonin edhe pelegrinët – të krishterë dhe myslimanë– të cilët, pa dyshim, se më së shpeshti shkonin me karvanë që mbroheshin nga rojtarët mercenar. Ngjashëm kanë vepruar edhe ata të cilët kishin dëshirë t’i vizitonin manastiret. Për dallim nga pelegrinët e krishterë, sa i përket sigurimit ata mysliman ishin në pozitë më të volitshme. Megjithatë, pelegrinët e dalluar kishin një siguri dhe vëmendje të jashtëzakonshme pa marr parasysh përkatësinë fetare. Fshatarët që vinin në qytet duke i plotësuar kushtet e caktuara, gjatë kalimit të kohës bëheshin shehërli, në shtetin Osman kishte edhe një varg mundësish për lëvizjen vertikale të popullsisë. Pranë kalimit në Islam dhe dhënies së haraçit – kushtet par excelence për t’u ngritur në klasën shoqërore – kishte edhe mundësi tjera për lëvizjet vertikale të popullatës. Principi themelor “i biri i rajës është raja”gjithsesi se kishte rëndësi të përgjithshme në mbretëri, por se nga ajo, në raste të caktuara, megjithatë mund të shmangej. Sa për shembull, dihet se, 15 persona nga radhët e rajës në vitin 1560 marrin timare (tokë a vend me madhësi të ndryshme, me të ardhura vjetore deri në 20 mijë akçe në vit, që u jepej në zotërim feudalëve spahinj sipas shërbimeve që ata i sillnin Perandorisë Osmane, plot. Sh. V.) për shkak të trimërisë së treguar në shuarjen e kryengritjes në krahinën e Dibrës. Edhe pse ky lloj i praktikës provokoj pakënaqësi edhe te vetë spahinjtë dhe ulematë, asaj në përputhshmëri me nevojat momentale të shtetit, për shkak të humbjes së madhe të spahinjve (sikurse që ndodhi me këtë rast) megjithatë iu deshtë të struket. Deri te marrja e timarit arritën edhe klerikët e lartë ortodoks (mitropoliti dhe patriku), mbas detyrave të caktuara në interes të shtetit (kurse, kryesisht fjala është, për ruajtjen e disa posedimeve të më hershme). Në radhët e spahinjve, sipas aftësive të treguara, mund të hynin edhe ushtarët. Me të vërtet, raja në radhët e gjysmë ushtarakëve, si dhe “raja e privilegjuar” praktikisht i kishin edhe mundësit më të mëdha që të dalin nga statusi i rajës, gjegjësisht që nga raja të bëhet beraja (sikurse që kishte pasur edhe raste anasjelltas).
Njohurit më të konfirmuara dhe më të plotësuara për lëvizjet vertikale dhe horizontale të popullsisë do të jenë të mundshme vetëm pas dorëdhënies së publikimeve të burimeve turke të llojeve të ndryshme . Për tash vetëm çështja e ekzistimit të caktuar të lëvizjes së lirë në Mbretërinë Turke që mbetej përtej mosmarrëveshjes.

FUND.


Prof. dr. Olga Zirojeviq
Përktheu dhe përshtati Shefki Sh. Voca.

Shkoqitur nga libri “ISLAM, BALKAN I VELIKE SILE -XIV-XX vek”, Beograd 1997 grup autorë, faqe 87-91.

Botuar në revistën “Dituria Islame”, nr. 333-334, viti 32, gusht- shtator 2018.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme