Arra është e nxehtë dhe e thatë. Shkakton kokëdhembje. Vështirë tretet. Arrat e njoma janë më të mira se ato të thara. Arrat e përziera me mjaltë janë të mira kundër dhembjeve në fyt.

Ibn Sirini ka thënë: "Ngrënia e arrave, fiqve dhe ullinjve është ilaç për shumë sëmundje".

Transmetohet se el Mehdiu ka thënë: "Hyra në shtëpinë e el Mensurit dhe e vërejta duke ngrënë djath me arra, dhe e pyeta: Çfarë është kjo? Ai u përgjigj: "Babai im më ka treguar për dikë që ka parë Pejgamberin, s.a.v.s., duke ngrënë djath me arra, dhe e ka pyetur në lidhje me këtë, ndërsa ai është përgjigjur: "Djathi është sëmundje, ndërsa arrat ilaç. Nëse i kombinoni atëherë keni ilaç". (Ky hadith është shënuar në veprën El Vesila).

Frutat e arrës përmbajnë lëndë yndyrore, të cilat në frutat e thata arrijnë deri në 60%. Përmban gjithashtu albumina, karbohidrate dhe sasi të konsiderueshme kripërash minerale, si: fosfor, kalium, calcium, etj. Përmban mjaft vitamina, siç janë vitaminat: C,B,P,A; vajra eterikë dhe lëndë ngjyrosëse.

Lëngu që merret pas zierjes së gjetheve të arrës përdoret për pastrimin e gjakut, kundër sëmundjeve të mushkërive, të lëkurës dhe të syve, është tonik i aparatit tretës, dhe me anë të tij shërohet diarreja (barkqitja).

Kundër diarresë përdoret me efekt lëngu i luleve mashkullore të arrës. Për këtë:

Merren 5 - 10 gram lule mashkullore dhe ziejnë në 200 ml ujë. Pihet sa herë paraqitet nevoja..

Lëngu i gjetheve të ziera përdoret edhe në formë lavazhi kundër sëmundjeve inflamatore gjenitale. Gjithashtu, në formë klizme, përdoret kundër diarresë e dizenterisë.

Lëngu që përfitohet nga zierja e gjetheve të njoma dhe të freskëta, përdoret për larje në infeksionet e lëkurës. Lëngu i gjetheve i zier shumë, lufton me sukses: qeren, zgjeben, urthin dhe ekzemën. Për këtë:

Merren 60g gjethe arre, lihen të zihen për një orë, në gysmë litre ujë. Me lëngun e fituar lyhen herë pas here pjesët e sëmura të lëkurës.

Ky lloj lëngu përdoret, gjithashtu, për të bërë banjo tonike; ato i japin organizmit freski e gjallëri.

Çaji i gjetheve të arrës rekomandohet për kurimin e plagëve të gojës, kundër infeksioneve të kanalit vaginal, për ruajtjen e butësisë së lëkurës së trupit dhe sidomos të fëmijëve. Në këto raste:

Për lavazhet e gojës dhe të kanalit vaginal përdoren 10 - 15 g gjethe në 100 ml ujë, duke shtuar edhe 6g acid borik.

Arrat janë ushqim shumë i mirë për fëmijët, sidomos kundër anemisë. Përdoren të përziera me mjaltë, për forcimin dhe rivendosjen e shëndetit të fëmijëve dhe të të rriturve.

Lëngu që merret nga përzierja e gjetheve dhe e lëvores së jashtme të degëve të arrës përdoret kundër rënies së flokëve; ato forcojnë rrënjët e qimeve.

Merren 30 - 40 g gjethe dhe lëvore degësh të njoma, në 1 l ujë dhe zihen për 10 - 15 min. Me lëngun e vakët shpërlahet koka në mbrëmje.

Lëvorja e degëve të arrës rekomandohet për heqjen e kallove (clavus). Për këtë qëllim këshillohet:

Merren 20 - 25g lëvore e tharë ose 60 - 80g lëvore e njomë dhe vihen të zihen në 500 ml ujë për 40 - 50 minuta. Me lëngun e fituar u bëhet shpërlarje këmbëve me kallo për 20 - 30 min. Me brumin e lëvores së zier përgatiten kataplazma, që vendosen mbi kallo. Ky veprim përsëritet 2 - 3 herë ose më shumë, derisa kallot të bien vetvetiu.

Gjethet e njoma e të freskëta largojnë insektet dhe çimkat nga banesat. Një infuz i thjeshtë bën që të largohen milingonat. Në qoftë se me këtë infuz lyejmë kuajt, atyre nuk u afrohen mizat.



Përgatiti:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi