Si të mbrohemi nga virusi korona?

Të dashur vëllezër besimtarë!

Të gjithë jemi në dijeni për gjendjen e krijuar pas shpalljes së virusit korona pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe masat e marra nga qeveria e shtetit tonë për të parandaluar përhapjen e tij në mesin tonë.
Me rekomandim të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, respektivisht të Myftiut Tërnava, edhe ne sot, në të gjitha xhamitë e Kosovës, do ta trajtojmë këtë çështje.

Të respektuar vëllezër!
Pastërtia është një nga hapat më të rëndësishëm për ta sfiduar këtë pandemi. Përkujdesja për higjienën personale, familjare dhe kolektive është masë që duhet ndërmarrë paraprakisht. Nga perspektiva jonë islame, ky hap nuk është thjesht praktikë e jona ditore, por është edhe fe. Ne, nga momenti që zgjohemi e deri në momentin kur shkojmë të flemë, kemi punë me pastërti. E fillojmë ditën me abdes për namaz (faljen e sabahut), e mbarojmë po kështu me abdes për namaz (faljen e vitrit). Nga kjo perspektivë, Islami e konsideron pastërtinë gjysmën e besimit, dhe jo vetëm. Përderisa pastërtia ndikon në mbarëvajtjen e rregullt të jetës fizike dhe shpirtërore, atëherë Allahu xh.sh., ata që janë të pastër fizikisht e shpirtërisht i ka dalluar si robër të cilët i do.

“...Allahu me të vërtetë i do ata që pendohen dhe i do ata që pastrohen.” (Bekare: 222)

Ky ajet kur’anor, siç shpjegojnë dijetarët përfshin pastërtinë shpirtërore dhe fizike, pra pastrimin nga mëkatet dhe nga ndyrësirat. Ai është argument për pastrimin në përgjithësi pasi që Allahu i do ata që janë të dalluar për pastërti.

Të nderuar vëllezër!
Parimisht, disa dijetarë kanë thënë se “Nëse shkenca moderne ka arritur të zbulojë metoda të parandalimit të sëmundjeve, atëherë aplikimi i tyre nga aspekti i të drejtës fetare është i obliguar.”
Edhe ne, si besimtarë, e kemi për detyrë që, masat që na përshkruhen nga organizatat shëndetësore, në këtë rast ministria jonë e shëndetësisë, t’i përfillim, për shkak të rëndësisë që kanë në parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie dhe për shkak se nuk bien ndesh me fenë tonë.
Në këtë hutbe, ne vetëm do t’ua rikujtojmë disa masa që duhet ndërmarrë nga ana fetare:
- Përkujdesja për higjienën individuale, e cila përfshin pastrimin e trupit, pastrimin e gojës dhe hundës, prerjen e thonjve. Kjo e fundit bile konsiderohet imazh i natyrshmërisë tek njeriu [Pesë gjëra i përkasin natyrshmërisë –: në mesin e tyre përmend edhe prerjen e thonjve. Buhariu]. Pra, jo që nuk është fetar të kesh thonjtë e paprerë, por nuk është as njerëzore. Zbulimet shkencore për rreziqet që thonjtë e paprerë përmbajnë vetëm sa e kanë konfirmuar këtë të vërtetë islame. Natyrisht, këtu hyn edhe pastërtia e ambientit. Thirrjet për dezinfektim përputhen plotësisht me thirrjen e përgjithshme të Islamit për të mbajtur ambientin pastër.
- Përkujdesjen për ushqimin, respektivisht ngrënien e ushqimeve të shëndetshme dhe largimin nga ushqimet që mund t’i jenë ekspozuar viruseve në një ose formë tjetër ose që mund të krijojnë ambient të përshtatshëm për të.
- Largimin nga të infektuarit. Është porosi fetare që, për të shmangur përhapjen e një sëmundje, të infektuarit të mos shkojnë tek të shëndoshët. Pejgamberi Muhammed a.s., ka thënë: “Një i sëmurë (me sëmundje ngjitëse) le të mos shkojë tek një i shëndoshë.” (Muslimi)
- Kujdesin për të mos krijuar panik, respektivisht për të mos shpërndarë lajme të pakonfirmuara sepse pasojat e tyre janë të mëdha. Në njërën anë qytetarët mbërthehen nga frika, në anën tjetër njerëzit me ndërgjegje të ulët mundohen të përfitojnë, siç veç e pamë.
- Lutja dhe përkushtimi shpirtëror sepse, siç na ka mësuar Muhammedi a.s., lutja, o e largon një bela tërësisht, o e lehtëson deri në atë masë që të mos ketë rrezik prej saj. (Sahih et-Tergib, 1639)


O Allah ynë!
Të lusim ta ruash vendin dhe popullin tonë nga kjo sëmundje që është përhapur gjithandej. Na ruaj nga fatkeqësitë dhe sëmundjet të cilat nuk kemi mundësi t’i largojmë! Na ruaj dhe na mbro nga çdo e keqe që mund të na godet!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës