Fundi i muajit të shenjtë të Ramazanit, nuk do të jetë i njëjtë me fillimin. Iftaret e syfyret e përbashkëta dhe faljet janë kryer në mënyrë individuale në shtëpitë e tyre dhe jo në atë të përbashkëtën, xhami.
Pas shtrëngesave në kuadër të Covid-19, besimtarët myslimanë tanimë mund të shkojnë në xhami për të kryer namazet speciale në ditët e mbetura që do të kulmojnë këtë të diel me faljen e madhe në shesh. Ndryshe nga vitet e kaluara, siç e do tradita, falja e Bajramit nuk do të bëhet në xhaminë e madhe, por në atë më të afërt.
Protokolli i masave për faljet në xhami, që kanë nisur prej dy ditësh, e kanë vështirësuar faljen për myslimanët. Xhamitë nuk do të jenë të hapura për të gjithë.
Të moshuarit dhe fëmijët nuk do të lejohen të vijnë, ndërsa të tjerët do të mund të hyjnë vetëm me maskë e doreza. Dezinfektimi dhe kontrolli i temperaturës në hyrje është vendosur kusht edhe për objektet fetare, që janë rihapur nga kjo e hënë duke respektuar 2-metërshin e distancimit gjatë faljes. Besimtarët janë të lirë të marrin me vete sixhadet përkatëse për të shmangur çdo lloj mundësie infektimi, ndërsa të ashtuquajturat abdeshane (vendi ku merret abdes përpara faljes) do të jenë të mbyllura deri në një moment të dytë.
Imamët e xhamive kanë menduar se si të përballojnë fluksin e besimtarëve duke organizuar me turne dhe në mënyrë të shkurtuar procesin. Rregullat janë të vlefshme edhe për zonat e gjelbra, edhe pse nuk ka raste infektimi.