Myftiu Tërnava viziton u.d. reisul ulema Shaqir ef. Fetai

Një delegacion i lartë nga Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës i udhëhequr nga Myftiu Naim ef. Tërnava, sot bëri një vizitë urimi u.d. kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u.d. Reisul Ulema hfz. Shaqir ef. Fetai. Në pritje të delegacionit të BIRK -ut, kishin dalur edhe gjithë muftinjtë e muftinive të BFI-së dhe anëtarë të Rijasetit të BFI-së.
Fillimisht Kryetari i BFI-së, u.d. Resul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, u dëshiroi mirëseardhje vëllazërore mysafirëve nga Kosova dhe shprehu kënaqësinë për prezencën e tyre, pas një periudhe të gjatë mbylljes shkaku i pandemie, sepse siç tha: “Miku i mirë vjen nga porta ashtu siç vijnë edhe ndryshimet e mira”. Ndërsa nga ana e tij Myftiu Tërnava në emër të gjitha institucioneve të BIRK-ut uroi dhe përgëzoj Kryetarit të BFI të Maqedonisë së Veriut, u.d. Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai zgjedhjen në postin e ri duke i dëshiruar shëndet e shumë sukses në të ardhmen, duke premtuar se Bashkësia Islame e Kosovës gjithmonë do të jetë e hapur për Bashkësinë Fetare Islame të RMV dhe se bashkërisht do të ndihmojnë njëra tjetrën, sa herë që të paraqitet nevoja. “Më vjen mirë që ju shikoj kështu të bashkuar dhe dhashtë Zoti Fuqiplotë, kështu t’ju shikoj edhe në të ardhmen” tha veç tjerash myftiu Tërnava, duke shprehur bindjen se di të vazhdojnë të punojnë të bashkuar dhe ta ndihmoni u.d. Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetain në udhëheqjen e BFI-së sepse vetëm të bashkuar bëheni të fortë dhe askush nuk mund t’ju nëpërkëmbë apo nënshtrojë. Myftiu Tërnava po ashtu bëri edhe ftesë zyrtare të gjithëve me fjalët “Uroj që në këtë përbërje, së shpejti të shihemi edhe në Kosovë”.
Nga ana e tij Kryetari i BFI, u.d. Reisul Ulema hfz. Shaqir ef. Fetai shprehu mirënjohje dhe falënderime të posaçme për këtë vizitë vëllazërore dhe për dëshirat e sinqerta nga Kryetari i BIRK-ut , Myftiut Naim ef. Tërnava i cili bashkë me stafin e tij, që erdhën në Shkup, në një kohë të vështirë pandemie për të shpreh urimet dhe dëshirat e sinqerta. “Bashkësia Fetare Islame gjithmonë do të mbetet e hapur për institucionet simotra, nga Kosova, Shqipëria, Lugina, Sanxhaku e tjerë” tha mes tjerash Kryetari i BFI, u.d. Reisul Ulema hfz. Shaqir ef. Fetai duke shtuar se BFI-ja në frymën e re ka parashikuar bashkëpunimin më aktiv me të gjitha institucionet simotra, e posaçërisht me BIRK-un dhe KMSH-në.
Pas përfundimit të takimit, të dy prijësit e institucioneve fetare dhanë edhe nga një deklaratë për mediume, ku e shfrytëzuan rastin të bëjnë edhe një lutje për përfundimin e pandemisë së Covid-19 dhe shërim sa më të shpejtë të sëmurëve nga ky virus. Ata gjithashtu u bënë thirrje besimtarëve dhe të gjithë njerëzve të kenë kujdes të posaçëm dhe t'i zbatojnë të gjitha rekomandimet që vijnë nga institucionet përkatëse për parandalimin e kësaj pandemie globale.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi