Mirësjellja me të tjerët

Mësojeni edukimin, sepse: nëse jeni të pasur, do të ju shtohet respekti; nëse jeni të mesëm në pasuri, do të jeni me moshatarët tuaj e nëse jeni të varfër, do të jetoni me edukatën tuaj.

3. Mirësjellja me vëllezërit

21. E ke për obligim të jesh i sjellshëm më vëllezërit, t'i nderosh, të ndërveprosh në mënyrën më të mirë me ta, ngase ata janë më të afërmit pas prindërve, ata duan për ty atë që është e dobishme dhe progresive. Konsidero vëllanë tënd më të madh sikur babanë tënd, sillu me të në mënyrën më të mirë dhe vepro sipas udhëzimeve të tij, se ato janë të dobishme për ty.

22. Duhet t'i përkëdhelësh vëllezërit e tu më të vegjël, të tregohesh i butë ndaj tyre dhe të mos i mundosh, mos u bëj për ta shembull i njeriut të pacipë dhe lakmitar, mos i ofendo dhe mos u merr diçka prej duarve pa miratimin e tyre, ngase këto veprime jo të mira do të të bënin të rrejtur tek ata dhe se babai yt do të hidhërohej me ty.

23. Kur e sheh ndonjë të keqe te vëllezërit, ti duhet t'u thuash: "Mos e veproni këtë!" dhe duhet t'i pengosh ata nga veprimi i së keqes me urtësi dhe në mënyrën më të mirë, shpjegoju atyre për dëmin e së keqes dhe udhëzoji ata kah rruga e së mirës.

24. Nuk të takon ty që t'i denoncosh me të vetmin qëllim që të mos e bëjnë këtë veprim të keq si traditë dhe ti të bëhesh kështu i padëshiruar, por ti duhet t'u japësh atyre komplimente duke u përmendur të mirat e tyre.

25. Behu ndihmës dhe përkrahës i vëllezërve për çdo fatkeqësi e telashe dhe mos prit që ata të kërkojnë ndihmë prej teje, ndihmoji me aq sa ke mundësi dhe këshilloj i kah ajo që është më e dobishme dhe më e mirë.

26. Ruaj sekretet e vëllezërve pa kurrfarë ngushtimi shpirtëror, informoj gjithmonë për atë që i gëzon, mos i informo çka i pikëllon me kusht që ajo që fshihet prej tyre të mos jetë në dëm të tyre, bëhu i sinqertë me ta si në të folur ashtu edhe në të vepruar, mbuloj të metat e tyre dhe gjithmonë takon u me ta i buzëqeshur dhe shpirthapur.

27. Biri im, mos u bëj prej atyre të pashpirtëve të cilët menjëherë pas vdekjes së prindërve fillojnë të shprehin mospajtime rreth trashëgimisë dhe gjithë kohën e kalojnë dhe gjithë pasurinë e harxhojnë duke ofenduar dhe bërë inat, i bëjnë keq vetes së tyre, e turpërojnë emrin e babait të tyre, e ulin autoritetin e familjes së tyre, gjendja e tyre bëhet e keqe, raportet mes tyre prishen, por gjithmonë vepro që me ta të jesh i bashkuar dhe unik e jo të jesh i përçarë dhe në mospajtim me qëllim të ruajtjes së autoritetit familjar dhe ruajtjes së dashurisë dhe qetësisë së ndërsjellë.

4. Mirësjellja me të afërmit

28. Të afërmit e tu janë njerëzit të cilët më së shumti meritojnë dashurinë dhe respektin tënd, ngase ata të duan ty sikurse prindërit e tu e po ashtu të dëshirojnë lumturinë dhe rehatinë.

29. Sillu me të moshuarit prej të afërmve sikur që sillesh me prindërit, ndërsa me të afërmit e vegjël sillu sikur që sillesh me vëllezërit, të jesh i barabartë në dashuri, mos u trego indiferent ndaj të afërmve, sepse kështu e humb dashurinë tek ata, pa dyshim se afërsia ka nevojë për dashuri, ndërsa dashura e anasjelltë nuk ka nevojë për afërsi. Nxito që ta vizitosh atë i cili është i sëmurë, bashkohu me ta kur të jenë të gëzuar dhe kur të jenë të pikëlluar, kryej obligimet me të cilat je i ngarkuar në mënyrën më të mirë, pra jepe gjithë mundin që të veprosh në mënyrën më të mirë të mundshme.

30. Dije se t'u ndihmosh të afërmve është obligim i prerë fetar. Nuk është mirësi ta ndihmosh përtacin apo ta nxitësh atë për dembeli, por mirësi është të ndihmosh atë që nuk i ka rrethanat për të fituar.

5. Mirësjellja me fqinjin

"Ai i cili beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, mos t'i bëjë dëm fqinjit të tij"(1)

31. Fqinji yt duhet të respektohet prej teje sikurse prindin që e respekton dhe se ai është me i afërmi tek ti prej njerëzve pas të afërmve që ke. Prandaj ti e ke për obligim që ta duash atë, ta respektosh, të sillesh mirë më të, të vizitosh të sëmurin e fqinjit, të jesh me të si në begati ashtu edhe në varfëri, angazhohu që t'i shërbesh atij me aq sa ke mundësi, ndihmoje kur është në nevojë dhe dëshiroji vetëm të mira.

32. Duhet ta ulësh shikimin kur të shohësh familjen e fqinjit, të mos shikosh në dritaren e shtëpisë së fqinjit, nuk do t'i bësh ndonjë të keqe në pasuri apo në nderin e familjes, kështu do të jesh i ndershëm dhe i respektuar.

6. Mirësjellja në shtëpi

33. Mirësjellja me pjesëtarët e familjes së babait tënd është obligim, ngase qetësia dhe rehatia jote janë të lidhura ngushtë me kënaqësinë dhe pajtimin e tyre ndaj teje, andaj për këtë e ke për obligim që të sillesh me edukatë dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.

34. Prej edukatës së mirë është që kur të kërkosh ndonjë shërbim apo ndonjë ndihmë të thuash: "Ju lutem, nëse ka mundësi bëje këtë, ju lutem".

35. O biri im, dije se shërbëtoret janë çelësat e sekreteve të shtëpive, ata transmetojnë atë që dëgjojnë dhe atë që shohin, andaj duhet të jesh i kujdesshëm që të mos shpalosësh para tyre ndonjë sekret të brendshëm familjar, kujdesu që të mos u tregosh atyre për gjendjen tënde dhe të pasurisë, vëzhgoj i veprimet e tyre, sepse në këtë mënyrë do të jesh i siguruar prej kurtheve të tyre dhe i sigurt për atë që posedon.

36. E ke të ndaluar në mënyrë të prerë që t' i informosh njerëzit për ndonjë gjë që ndodh në familjen tënde, po ashtu e ke të ndaluar të shpalosësh fshehtësinë e dikujt prej anëtarëve të familjes.

37. Biri im, ti duhet të zgjohesh herët prej gjumit para se të lindë dielli, e, kur të zgjohesh, falëndero Allahun e Lartësuar që të ka ruajtur, falënderoj e që të ka dhënë shëndet, pastaj merr abdes e falu, pastaj vishi rrobat e përgatitura për shkollë, puthu dorën prindërve, kërko kënaqësinë e tyre dhe që të luten ata për ty, jepja dorën vëllezërve e më pastaj drejtohu për të shkuar në shkollë me qëllim të mirë dhe vendosmëri të prerë.

7. Mirësjellja në shkollë

38. Gjatë shkuarjes në shkollë, mos luaj dhe mos bëj ndonjë veprim argëtues me qëllim që të mos humbësh kohën kot e që pastaj të të ndalohet hyrja në shkollë. Pos kësaj, është edukatë që njeriu gjatë rrugës të ecë i


qetë dhe modest dhe që të mos lëshohet pas argëtimit dhe që të mos e humbë synimin e tij.

39. Kur të arrish në shkollë përshëndete mësuesin tënd dhe shokët me fytyrë të gëzuar (Allahu nuk e pëlqen robin e tij që është i mërrolur) dhe tregohu i butë ndaj tyre, bashkohu me ta në përsëritjen e mësimeve që ata të kenë dobi prej asaj që ti di dhe që të kesh dobi ti prej asaj që dinë ata.

40. Kur të vijë koha të hysh në klasë dhe kur bie zilja për mësim, atëherë ti nxito e shko në rreshtin tënd dhe bashkëngjitu me shokët duke mos shkaktuar tollovi, po që se sheh se ka tollovi, atëherë kërko me urtësi dhe butësi të ta lëshojnë vendin tënd.
41. E ke për obligim të nxitosh që të rreshtohesh në rresht, të qëndrosh drejt dhe i gjallë, por duhet të jesh i qetë dhe të shikosh urdhrat e prijësve. E po që se ndodh të vonohesh në kohë kur bëhen rresht nxënësit, mos u fut në mes të rreshtit që të prishësh rendin, por rreshtohu në fund.

42. Duhet të hysh i qetë dhe i kujdesshëm në klasë, në sallën e studimit, në restorant apo në dhomën e fjetjes (nëse je nxënës që banon brenda shkollës), po kështu duhet të veprosh edhe kur të dalësh nga këto objekte dhe në çdo vend që të jesh.

43. Kur të hysh në klasë, ulu në vendin tënd duke u përgatitur për mësim, kushtoji vëmendje mësuesit tënd me të gjitha mundësitë dhe mos lejo që të të kalojë asnjë këshillë, udhëzim apo mësim e që të mos e kesh futur në mendjen tënde, rrënjose atë në mendjen tënde, vepro sipas atyre shpjegimeve që më këtë të arrish kënaqësinë e profesorëve dhe të kesh dobi prej fryteve të diturisë.

44. Kur të jesh në klasë duhet të mos bësh zhurmë sidomos gjatë leximit dhe të mos lëvizësh nga vendi veçse me leje të mësuesit.

45. Nuk duhet që, gjatë mësimit, të preokupohesh me ndonjë mësim tjetër, por preokupohu krejtësisht për mësimin që je duke mësuar, mos fol gjatë kohës kur jepet mësimi, mos shiko prapa dhe mos me fol më dikë tjetër.

46. Kur mësuesi të drejtohet me ndonjë pyetje, ngrihu në këmbë dhe duart mbaji poshtë në formë respektuese, pasi ta kuptosh pyetjen mirë, atëherë përgjigju ashtu si është më së miri me zë të pranuar dhe me fjalë të logjikshme. Po kështu vepro kur të ftohesh për ta shpjeguar mësimin dhe mos jep përgjigje kur është duke u pyetur dikush tjetër.

47. Kur sheh mësuesi ndonjë gabim që ke bërë gjatë shkrimit dhe ai ta përmirëson, t' i kurrsesi mos shpreh shenja të hidhërimit, ngase ai është i sinqertë dhe këtë e bën për të mirën tënde dhe falënderoj e për përkujdesjen që tregon ndaj teje.

48. Kryeji në mënyrën më të mirë detyrat që t'i obligon mësuesi, mëso mësimet që duhet t'i mësosh dhe bëje përsëritjen që të kërkohet.

49. Dije o biri im se, bërja e çdo pune sipas radhës që nga vegjëlia dhe të bërit zakon vendosja e çdo gjëje në vendin e vet, është njëri prej argumenteve që argumenton se ke ditur mirë të dallosh atë që është e mirë, argumenton për diapazonin e gjerë të të menduarit, këmbënguljen për të vepruar me vendosmëri. Vepro në atë që mënyrë që sirtarët e bibliotekës, dollapi i rrobave (nëse banon në internat) të jenë të pastra dhe të rregulluara në mënyrën më të mirë. Ki kujdes që të mos grisësh asgjë apo të ndotësh diçka me ngjyrë, e nëse nuk vepron kështu atëherë je prej përtacëve dhe dembelëve që i lënë punët pa i kryer.
Përktheu: Dr. Flamur Sofiu


_______________
(1) Pjesë e hadithit e marrë prej hadithit që transmeton Buhariu m. (6018) në kapitullin që flet për edukatën. Trasnmeton Muslimi me m: 47 dhe 75 nga hadithi i Ebu Hurjeres r.a.



Alij Fikrij
Përktheu nga gjuha arabe: Dr. Flamur Sofiu