“Thuaj: “Vetëm mirësisë së All-llahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata.” (Junus, 58)

“Për agjëruesin ka dy gëzime: Gëzimi i parë është kur të çel iftar, kurse gëzimi i dytë është kur të takojë Allahun xh.sh. në Ditën e Gjykimit.” (Hadith, Imam Muslimi)

Ardhja e muajit të bekuar të Ramazanit sa nuk na ka trokitur në dyert tona. Ai, me hënën e re, do t’i gëzojë shpirtrat tanë dhe t’i gjallërojë zemrat tona. E jona është t’i hapim krahët dhe ta presim me nderimet më të larta, siç meriton të pritet mysafiri më i mirë. Po vjen muaji i thesareve dhe urtësive, i vlerave të larta morale dhe fetare, shpëtuesi ynë, muaji i pranverës së shpirtit dhe besimit, Ramazani i bekuar, i cili, pos që na i ndez dritat e shtëpive dhe lagjeve tona, ndez dritat e ibadetit dhe të përkushtimit tonë.

Ky ramazan do të jetë i veçantë, sikur edhe një vit më parë. Andaj dhe duhet të bëjmë përgatitje më specifike, shpirtërore, fizike e psikike. Edhe në këtë ramazan do të vazhdojmë me betejën ndaj koronavirusit. Në këtë kohë krize, frike, të pashprese, vjen Ramazani për ta ngritur kokën e gjithsecilit prej nesh, për të na forcuar moralin dhe rritur shpresën.

Asnjëri nga ne nuk e di se çfarë na pret në Ramazan, por ne e dimë se çfarë pritet nga ne në këtë muaj të bekuar. Është, pikërisht, Ramazani ai që na mëson se çdo gjë, përveç Zotit, ka fillimin dhe mbarimin e vet, andaj edhe kjo telashe me virusin korona, por edhe të gjitha belatë e tjera, një ditë do të përfundojnë dhe do të vijë jeta e re, liria dhe hapja jonë me vetveten dhe botën.

Malli për ramazanin është shumë i madh, kurse pritja për ardhjen e tij bëhet edhe më drithëruese. Te miqtë e vërtetë të ramazanit, ai shihet si një shfaqje e rrallë, ku nuk ka spektatorë, por vetëm role.

Kur afrohej fundi i muajit Sh’aban dhe fillimi i Ramazanit, Muhammedi a.s. i uronte shokët e tij kështu: “O njerëz, ju ka ardhur Ramazani, muaj i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e këtij muaji. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e xhehenemit, lidhen në pranga shejtanët. Allahu në këtë muaj ka (veçuar) një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë.” (Imam Ahmedi, Imam Nesaiu).

Nuk ka njeri në botë që e ka shfrytëzuar më mirë dhe më arsyeshëm mirësinë dhe begatinë e Ramazanit sesa Muhammedi a.s. Ai arriti në jetën e tij t’i agjërojë vetëm nëntë Ramazane, por mos pyetni se sa të bukur ishin ato. Ai në këtë muaj ishte si era, që lëvizte herë andej e herë këndej, për të qenë më bujari prej të gjithëve.

Ai s.a.v.s. me shumë gëzim ju thoshte njerëzve dhe shokëve të vet: “Zoti i ka dhënë Ummetit tim pesë dhurata në Ramazan dhe askujt tjetër përveç Umetit tim nuk ia ka dhënë. Ato janë:

– Era e gojës së agjëruesit, është më e dashur tek Zoti se era a parfumit misk.

– Për agjëruesin luten të gjithë krijesat e Zotit, deri në momentin kur ai çel iftar.

– Xheneti zbukurohet çdo ditë të Ramazanit për agjëruesin dhe Zoti i thotë: “Zbukurohu o Xhenneti Im. Bëhu gati për robërit e Mi. Ata shumë shpejt do të vijnë tek ti”.

– Në Ramazan prangosen shejtanët, të cilët nuk kanë forcë mbi njeriun.

– Natën e fundit të Ramazanit agjëruesit i falen gjynahet. (Imam Bejhekiu)

Nga ana tjetër, edhe vetë sahabët, të edukuar dhe të mësuar nga mësuesi i njerëzisë, Muhammedi a.s., Ramazanin nuk e kishin sikur muajt e tjerë. Tregon Enesi r.a.: “Shokët e Muhammedit a.s. kur e shihnin hënën e muajit Sha’ban e kapnin mus’hafin dhe fillon me leximin e Kur’anit. Atëherë muslimanët përgatiteshin ta ndanin zeqatin nga pasuria, ashtu që t’i forconin dhe mobilizonin të dobëtit dhe fukarenjve t’ua lehtësonin ramazanin. Njerëzit e pushtetit i dënonin delikuentët që meritonin dënimin, kurse të tjerëve ua falnin lirinë. Tregtarët paguanin borxhet dhe merrnin ofertat e tyre. Ndërkohë, kur e shihnin hënën e Ramazanit, atëherë pastroheshin dhe i përkushtoheshin plotësisiht ibadetit.” (Esh-Shejh në El-Gunj).

Është pyetur sahabiu i nderuar, Abdullah ibn Mesudi, se si e pritnin ata muajin e bekuar të Ramazanit, ai është përgjigjur: “Kur vinte muaji i Ramazanit, ne zemrat tona nuk kishte asnjë urrejtje ndaj askujt.”

Po ashtu tregohet se kur vinte nata e parë e Ramazanit, shokët e Muhammedit a.s. e kapnin njëri – tjetrin për qafe dhe me lot në sy thoshin: “Shyqyr o vëlla që e arritëm muajin e Ramazanit”. Ata e prisnin me padurim Ramazanin dhe i jepnin selam njëri – tjetrit, sikur do të shkonin në ndonjë vend të largët. Ata përqendroheshin tek vetja e tyre me duatë, me dhikrin, namazet dhe me leximin e Kuranit, sikur nuk njihnin asnjë njeri tjetër.

Po kështu edhe prindërit tanë përgatiteshin për muajin e Ramazanit. Lyenin dhomat me gëlqere, pastronin shtëpitë, agjëronin ditë të tëra para ramazanit, kërkonin hallallin njëri-tjetrin, bënin teube dhe istigfar, përgatitnin fëmijët, etj. Gjithandej, nëpër lagjet tona ndihej gëzimi dhe ndjehej ardhja e Ramazanit.

Për fund, do të doja ta shtoja edhe këtë: Momentet dhe fitoret më të rëndësishme historike nga ana jonë u arritën gjatë muajit të Ramazanit. E dini pse? Sepse jeta e vërtetë është ajo shpirtërore, edhe atëherë kur barqet të jenë të zbrazur dhe buzët të thata. Kjo, për shkak se jeta lehtësohet dhe plotësohet kur jetohet me shpirt e zemër. Nuk mund t’i kapërcesh të tjerët, nëse nuk fiton mbi vetveten, mbi unin. E kjo, ku tjetër mund të arrihet, veçse në Ramazan.

Mirë se na vjen muaj i dritës, shpirtit dhe shërimit hyjnor! Malli për ty është shumë më i madh se sa i drurit gjetherënës për pranverën plotë gjelbërim.


Artikulli radhës
Sadekatul fitri

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë ramazani në qytetin tonë